| E shtune, 08.07.2023, 07:55 PM |
“Bota serbe” fillon me ndarjen e Kosovës!
Nga
Enver Bytyçi
Gazeta
e madhe gjermane “Frankfurter Allgemaine Zeitung” e datës 05.07.2023 shkruan se
“Ndërsa BE kërcënon Kosovën me sanksione, le të paprekur presidentët serbë
Dodik dhe Vuçiç”! Në argument të kësaj kritike autori i artikullit,
korrespondenti për rajonin e Ballkanit, Michael Martens, shkruan se “Do të
ishte naive që zhvillimet në Kosovë dhe në Bosnjë të mos i marrësh në lidhje me
njëra-tjetrën. Në veçanti Serbia teston edhe më tej se deri ku mund të shkojë.
Beogradi nuk ka heq dorë nga ëndërra e Serbisë së Madhe. Vetëm se kjo ëndërr
është formuluar ndryshe me nocionin e krijimit të “botës serbe”. Ky formulim
nuk është bërë rastësisht sipas modelit rus, të “botës ruse””, shkruan Martens!
Vetëm
36 orë më vonë, pas botimit të këtij artikulli, kryeministri i Shqipërisë,
Rama, shkoi në Beograd dhe e mori në mbrojtje “botën serbe”, duke sulmuar
kryeministrin e Kosovës nga pozitat e aleatit të tij, Aleksandër Vuçiç! Vuçiç
nuk foli. Madje u kërkoi gazetarëve që të “mos e përmendin Kosovën”! Të mos
pyesnin për të. Sepse në bisedimet kokë më kokë këtë mision, misionin e sulmeve
kundër Kosovës dhe mbrojtjes së politikave serbe, e kishte marrë përsipër Edi
Rama. Madje, siç thotë vazhdimisht Edi, në një mision “të pa kërkuar”!
E
ndërsa Michael Martens ve në dukje se Serbia e Madhe po synohet të shtrihet në
Kosovë dhe në Bosnjë përmes konceptit e nocionit të “botës serbe”, Edi Rama
fajësoi për këtë kryeministrin, qeverinë dhe institucionet e Kosovës. Ai kërkoi
me insistim krijimin e asosacionit sipas oreksit të Vuçiç për krijimin e kësaj
Serbie. Kritikoi angazhimin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për
ruajtjen e rendit e të sigurisë në komunat e veriut të banuara me shumicë
serbe. Tha se “serbëve në Kosovë u mohohet e drejta e besimit”!
Ndërsa
në Podgoricë u tall dhe nxori gjuhën kundër patriotit të madh Oso Kuka, i cili
kishte dhënë jetën në luftë kundër pushtuesve malazezë. Në shtëpinë e
pushtuesit gjeti rastin të përçudnojë viktimën e tij, shqiptarin e madh, Oso
Kuka, thjesht për të përçudnuar qëndresën e kryeministrit të Kosovës në
mbrojtje të territorit dhe sovranitetit shtetëror të vendit të tij, e në
kundërshtim të vendosur të asaj që Martens e konsideron si rrezik të krijimit
të “botës serbe’, ose Serbisë së Madhe.
Ndërkaq
konferenca e shtypit e dy liderëve kleptokratë të Ballkanit, Aleksandër Vuçiç
dhe Edi Rama, përfundoi me një “sherr” të vogël për kumbarinë. Presidenti i
Serbisë bëri sovranistin, gjoja duke iu kundëvënë kryeministrit të Shqipërisë
për atë se “Serbia i zgjedh vetë kumbarët”, ndërkohë që ky i joni i thoshte se
“Gjermania dhe Franca janë kumbarët”! Lojë fjalësh, për t’ia lëshuar vendin
ahengut në darkën e shtruar me verë e shlivovica më vonë. Darkë në të cilën do
të ishin të pranishëm edhe Aleks Sorosi dhe Christopher Hill.
Në
fakt loja e vërtetë politike luhet në ahengjet e darkave dhe drekave. A nuk e
vizatoi Churchilli në darkën me Stalinin dhe Rusveltin ndarjen e botës gjatë
Konferencës së Jaltës?! Madje në një paketë cigareje! 50:50 ishte Jugosllavia
dhe e menduar si bisht i saj, Shqipëria. 90:10 ishte Bullgaria dhe Greqia,
vetëm se e para në favor të Stalinit dhe e dyta në favor të Perendimit, e
kështu me radhë. Askush nuk më bind se në darkën e Beogradit nuk kishte diçka
të ngjajshme. Diskutimi ka qenë nëse do të marrë “bota serbe” tri apo katër
komunat e veriut të Kosovës. Ndoshta Rama, për t’u heq se anon nga shqiptarët,
ka propozuar që Serbia të aneksojë tri komuna e Vuçiç ka këmbngulur edhe në të
katërtën. Por një gjë është e sigurt: - Sa herë këta të dy ulen në sofër, për
ndarjen e Kosovës flasin. Aq më tepër kur aty gjendet “rastësisht” edhe Aleks
Soros.
Bota
serbe fillon me ndarjen e Kosovës. Prandaj po i bëhet gjithë ky presion Albin
Kurtit, presidentes Osmani dhe institucioneve të Kosovës dhe po u kërkohet të
heqin dorë nga e drejta për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin shtetëror
e territorial në këtë zonë krize të shkaktuar nga serbët dhe nga Serbia.
Prandaj Kosova është vënë nën akuzë! Pra që të heqë dorë vetë, vullnetarisht,
nga territori i saj në veri të vendit! Prandaj ishte në Beograd dhe në turin
ballkanik Edi Rama. Si një nga dy-tre protagonistët e ndarjes së Kosovës dhe jo
si misionar i paqes!