| E hene, 03.07.2023, 09:12 PM |
KORIFEU I PAVDEKSHËM I KËNGËS SHQIPE
-
Në kujtim të jetës dhe veprimtarisë së
këngëtarit të njohur kosovar Luan Hajra -
NGA
VLASH PRENDI
Kanë
kaluar shumë vite, kur së bashku me miq e shokë, mblidheshim në darkë pas pune
dhe dëgjonim këngë dhe melodi që i transmetonte vazhdimisht Radio Prishtina.
Madje duhet të theksoj se në shumë raste gëzimesh familjare, festash, fejesash,
madje në shumë raste edhe dasmash, tingujt e muzikës që dilnin nga valet e
kësaj radioje shoqëroheshin me gëzimin, entuziazmin dhe vallet e të
pranishmëve. Emisionet muzikore si: “Këndoj për ju”, “Dëgjoje këngën time”,
“Këngë pas kënge”, apo “Kënga ju shoqëron”, ishin bërë pjesë e çdo familje
shqiptare. Kjo ndodhte sepse pjesë e këtyre programeve aq të këndëshmë ishin
një kastë këngëtarësh mjaft të talentuar dhe mjaft të pëlqyer nga dëgjuesi, i
cili jo vetëm perpiqëj t’i imitonte, por vargjet e këngëve të tyre në shumë
raste, i mësonin përmendësh. Ishte e zakonshme që mjaft këngë të këngëtarit të
njohur Luan Hajra, Esat Bicurri, Shahindere Berlajolli, Mazllam Mejzini, Hanife
Sejfullariçani, Ismet Peja, ulqinakut Shaban Gjekaj e ndonjë tjetri, t’i
dëgjoje të këndoheshin nga njerëz të thjeshtë në rrugë, në frontin e punës apo
në arat e kooperativës. Kjo ndodhte sepse këto këngë këndoheshim mjeshtërisht
nga këngëtarët e mrekullueshëm, këngët ishin bërë hit. Duhet theksuar se në atë
periudhë të veshtirë për mbarë popullin shqiptar, kur shumica vuante në
varfëri, kur lufta e klasave ishte në kulmin e saj, kur propaganda komuniste
mbillte kudo dhunë, këto këngë ishin i vetmi ngushëllim, ku shpirti ynë gjente
pak qetësi.
- Tani do të dëgjoni këngën “Ka një vit e disa mujë”, këndon Luan Hajra, - prezantonte folësja e radios. Aq duhej që grupi i të rinjve që po punonin në bujqësi, të linin punën dhe të vershonin tek një radio e vjetër “Iliria” me bateri, që pronari i saj e kishte varur në një degë lisi. Mblidheshin kokë më kokë Simoni, Nikolla, Lleshi, Doda, Ndoi, Valbona, Alma dhe dëgjonin me kënaqësi këngëtarin e shquar duke realizuar pushimin dhe argëtimin më të bukur të mundshëm. Ky rit vazhdonte thuajse çdo ditë, sepse të rinjtë e atëhershëm i dinin oraret e programeve muzikore që transmetonte radio. Një ditë, autoritetet shtetërore e urdhëruan Gjergjin, pronarin e radios që të mos e merrte më radion në punë, për shkak se të rinjtë po dëgjonin muzikë revizioniste dhe po abuzonin me orarin e punës. Atëherë të rinjtë mësuan shumë këngë të këtyre këngëtarëve, të cilat i këndonin gjatë punës dhe pushimeve, megjithëse shpesh herë bëheshin objekt survejimesh nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit. Veç të tjerësh, edhe këngëtari i shquar Luan Hajra ka mbetur përgjithmonë i skalitur me këngën dhe emrin e tij në kujtesën e bashkëkombasve të vet, për të mos u harruar kurrë. Ai së bashku me Nexhmije Pagarushën, Esat Bicurrin, Shahindere Berlajollin, Muharrem Micin, Mazllam Mejzinin, Hanife Sejfullariçanin, Ismet Pejën, Shaban Gjekajn, kishin krijuar një ansambël me një larmi zërash dhe këngësh, që do mbeten të paharruara në memorjen e kombit tonë. Ndoshta jo vetëm për këngën, por edhe për zërin e rrallë, për inionacionin e veçantë prej tenori, që këngën lirike e kishte në shpirtë, por edhe për veshjen, sepse në skenë gjithnjë dëshironte të paraqitej para publikut serioz, i disiplinuar dhe me imazh gjithonë të ri.
Këngëtari
Luan Hajra ka lindur në qytetin e Mitrovicës më 31 korrik të vitit 1949, në atë
qytet shqiptar që asnjëherë nuk kishte patur qetësi nga pretendimet armiqësore
të pushtetit sllav, madje dikur rëndom thirrej edhe “Mitrovica e Titos”, për
t’i dhënë tamam pasaportën e një province me prejardhje slave, kur të dhënat
historike flasin ndryshe. Duhet theksuar se sipas burimeve historike në
territoret e këtij rajoni, që në lashtësi kanë jetuar fiset dardane, të
cilët u morën kryesisht me bujqësi. Kur këto territore u pushtuan nga romakët,
në këtë qytet nisi përpunimi i metaleve. Pas rënies së perandorisë romake, ky territor
bie nënë sundimin bullgar, i cili zëvendësohet nga
familja serbe e Njemanjve, gjatë sundimit të së cilës në
Mitrovicë vendosen kolonë sllavë, me qëllim që të shpërngulen banorët
dardanë, që jetonin prej shekujsh në këto troje të lashta.
Car Dushani, veç politikës së shfarosjes dhe shpërnguljes, ndoqi edhe
politikën e konvertimit të banorëve dardanë, nga riti katolik në atë
orthodokës. Për këtë arësye edhe sot e kësaj dite, lufta etnike mbetet
gjithmonë e ndezur. Në këto kushte të rënda lufte u rrit edhe këngëtari i
njohur, i cili u rrit thuajse pa njërin prind, që në moshë të re. Ishte
periudha kur këngëtarit të ardhshëm i nevoitej më shumë se kurrë kujdesi
familjarë dhe prindërorë, për të marrë një drejtim të caktuar në jetë. Por
djaloshi i ri kishte lindur i talentuar, prandaj plot besim dhe me forca në
vetëvete ndoqi rrugën e bukur të artit. Pasi mbaron studimet në shkollën 8 -
vjeçare të qytetit të Mitrovicës, vashdon mësimet në një shkollë të mesme të
profilit muzikor në qytet, të cilën nuk e pati perfunduar kurrë, pasi njihej si
djali i Arifit, një nacionalisti të devotshëm që pati luftuar pas çlirimit i
inkuadruar me forcat e Ballit Kombëtar. Pasi mbaron studimet në Shkollën e
Mesme Ekonomike në Mitrovicë, djaloshi i ri ndjen nevojën e arsimimit të mëtejshëm,
prandaj regjistrohet në Fakultetin e Ekonomik të Zveqanit, të cilin e përfundon
duke u diplomuar në profesionin e ekonomistit, të cilin nuk e pati ushtruar
kurrë.
Vetë
mjeshtri i këngës tregon se në rrugën e artit të të kënduarit kishte hyrë fare
rastësisht. Ka kënduar që kur ishte fëmijë, por pa u vënë re nga specialistët e
muzikës. Siç pohon vetë këngëtari në një intervistë dhënë gazetarit të njohur
Arbër Selmani, ishte Sheka, një komshi i tij që e kishte aktivizuar në grupin
muzikorë që kishte formuar në atë kohë dhe e kishte futur në rrugën e këngës,
madje në fillimet e tij muzikore, Luani kujton se ka kënduar edhe këngë
meksikane, të cilat ishin në modë aso kohe. Më vonë bëhet pjesë e grupit
muzikor “Yjet e zjarrta” në Mitrovicë, ku jepnin koncerte dhe merrnin pjesë në
evente të ndryshme, por preludi i lavdisë së këngëtarit ishte pjesmarrja në
grupin muzikor “Qëndresa”, një shoqëri mjaft e njohur në Kosovë dhe viset
shqipfolëse në atë kohë. Me këtë shoqëri muzikore këngëtari i shquar u bë mjaft
i njohur dhe i kërkuar. Ishin të shumta koncertet që jepeshin, festat që
organizoheshin me pjesmarrjen e të madhit Luan Hajra. Kështu, dalëngadalë emri
i këngëtarit të shquar Luan Hajra po kthehej në mit. Kudo ishte i pranishëm,
kudo kërkohej, kudo njihej, por edhe kontrollohej dhe survejohej nga UDB – ja
jugosllave dhe Sigurimi i Shtetit Shqiptar. Por e ardhmja e këngëtarit do të
fliste çdo ditë e më shumë në favor të tij, sepse Ai po bëhej më i njohur, më i
dashur për dëgjuesin dhe zëri i tij po tingëllonte edhe më i sigurtë. Në këto
kushte bëhet pjesë e stafit profesionist të Radio Prishtinës, ku punoi, këndoi
dhe dha kontribut të vyer për rreth 16 vjet me radhë. Ishin momentet më të
lumtura në jetën e tij, sepse çdo rezultat që po arrinte, po e siguronte me
punë, me sakrificë, me talent. - Në vitin 1968, - kujton artisti i njohur, -
rastësisht isha në një aheng. Aty ishte edhe këngëtarja e njohur Valbona
Nimani. Ajo lehtas vjen dhe më thotë: - Luan, a bon ti me ardhë në audicion në
Radio? E mendoj dhe shkoj. Unë atëherë isha në shkollë të muzikës dhe e mësova
një kangë që ma dhanë për detyrë. I mësova notat që m’i kishin dërgu dhe erdha
në audicion. Redaktor i muzikës atëherë në Radio Prishtina ishte Kris Leka.
Nexhmije Pagarusha, Liliana Çavolli, Jordan Nikoliqi, të gjithë e dëgjuan zërin
tim dhe pyesnin se kush isha unë? E kujtimet për jetën e vështirë, për këngën,
për publikun, për luftën, për perpjekjet për mbijetësë, nuk kanë të mbaruar.
Kujton vitet e vështira që ka kaluar në Mitrovicë, në atë komunë kososovare me
shumicë serbe dhe vitet e qeta të pleqërisë që i kaloi në qytetin e bukur të
Prishtinës. Numri i këngëve që ka kënduar mjeshtri i këngës, është i
konsiderueshëm, me shumë vlera dhe të mbështetura në tabanin kombëtar të
muzikës popullore qytetare kosovare, duke ruajtur në çdo këngë identitetin
kombëtar. Mjafton të dëgjosh këngët: “ Arabella”, “Rroka mandolinën”, “A s’ma
falë…”, “Nëpër shtyllat e telefonit”, “Je e bukur…”, “Ka një vit e disa muajë”,
“Lulëzoi fusha, lulëzoi mali”, “Kallma cigaren”, “Mezi po marrë frymë”,
“Tuj shetit…”, “Në bankën e shkollës, o mike”, “Jasemin moj të vjen era”, “Sa
fort t’dashuroj”, “Qaj kitarja ime”, “Gjith' natën rri n'dritare”, “Te dugajt e
reja”, “O ç'jam tuj shku moj, rrugës së ngushtë”, “Ore çun, bre
çun”, “Isha vetem tuj mendu”, “Erë e letë”, “Lulzo natyrë”, “Unë me ty, ti
me mu”, “Sytë e shkru”, “S'paske pas nji pikë mëshirë”, “Po t’a marr
kangën me saze”, “Dashurova unë një vajzë”, “O zambak, zambaku i bardhë”,
“Shkoj e vi, fluturim si zogu”, “Na ka çu Dudia letër”, e shumë të tjera që të
shohësh dhe dëgjosh magjinë e krijimit, interpretimit, zërit karakteristik dhe
melodioz të këtij artisti të madh. Festivali i njohur “Akordet e Kosovës”, do
të ishte skena ku do të zinte fill rruga e lavdishme e këtij talenti të rrallë.
Do të ishte viti 1971, kur Luan Hajra ishte 22 vjeç, kur do të përzgjidhej të
merrte pjesë në këtë festival, me një kompozim të mjeshtrit Musa Piperku. E
nisi rrugën e këngës me muzikë të lehtë, për t’i u përkushtuar pak më vonë tërësisht
muzikës popullore. Kjo ndodhi, sepse Luan Hajra e konceptonte këngën si mesazh
që i duhej dhënë publikut, si një bisedë e këndshme mes këngëtarit dhe
dëgjuesit, e konceptonte si rrëfim artistik, që nëpërmjet fjalës dhe joneve të
melodisë së bukur zgjonte emocione të forta tek spektatori. Luani zotëronte veç
zërit edhe mjeshtërinë e të kënduarit. Ai e njihte mirë zërin e tij,
kapacitetin, shtrirjen, fuqinë artistike, timbrin e mrekullueshëm, prandaj i
përshtateshin edhe këngët që interpretonte, të cilat më pas bëheshin hit dhe
këndoheshin gjithandej.
Këngëtari
Luan Hajra gjatë jetës së tij prej artisti të spikatur është frymëzuar dhe
motivuar nga këngëtarët e njohur të muzikës popullore shqiptare Qamili i Vogël,
Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Mazllam Mejzini, Hafsa Zyberi, Naile Hoxha, Fitnete
Rexha etj. Diferencën do t’a bënin këngët “Arabell” dhe “Rroka mandolinën”, të
cilat do të këndoheshin rëndom edhe nga këngëtarë të tjerë, por jo në nivelin e
tij. Kjo ndodhte sepse Luani interpretonte si një tenor i sprovuar, duke e
pasuruar krijimin popullor me elementët e koloraturës interpretuese, që i
përshtatej aq shumë zërit të tij të fuqishëm dhe të veçantë në llojin e vet.
Këngën “Arabella”, këngëtari i shquar e pati interpretuar në vitin 1973 në festivalin
e njohur “Akordet e Kosovës”, ku qe vlerësuar së tepërmi, madje me këtë rast
pati fituar edhe statusin pedant të këngëtarit profesionist të këngës popullore
qytetare. Ndërsa për këngën “Rroka mandolinën”, këngëtari kujton se në raste
eventesh dhe manifestimesh artistike e ka përseritur disa herë për dëshirën e
publikut, sepse kjo këngë kishte përmbajtje ideoemocionale, në të cilën
përfshiheshin tonet më të bukura jetësore si epike dhe lirike. U bë shpejt i
njohur edhe jashtë kufijëve shtetërorë të Kosovës, prandaj qe ftuar disa herë
edhe në Shqipëri, Turqi dhe Serbi. Këngëtari kujton se kur këndonte në Beograd,
të gjithë të pranishmit e shoqëronin duke e kënduar këngën në variantin shqip
dhe për këtë fakt, ai ndjehej mjaft krenar. Shpesh, këngëtari i shquar Luan
Hajra ftohej edhe me grupin e këngëtarëve të ish - Jugosllavisë për të bërë
turne në vende të ndryshme të botës, deri në Amerikën e largët. Mjeshtri kujton
se rasti i fundit kur ka qënë për të dhënë koncert në në Amerikë pati vajtur me
grupin e Radio Prishtinës në përbërje të të cilit ishin edhe këngëtarët e
njohur Shyhrete Behluli, Shkurte Fejza dhe Sabri Fejzullahu.
Momente
të ndryshme të jetës së këngëtarit kanë kaluar plot gëzim, harmoni dhe muzikë,
sepse tani këngëtari i mirënjohur Luan Hajra kishte arritur atë që dëshironte,
famën. E kishte arritur me shumë sakrifica, mund e djersë, por gjatë kësaj
rruge të gjatë, të bukur dhe plot emocion, këngëtari kishte njohur edhe
vështirësi, vuajtje dhe pengesa në jetë. Si djalë i një nacionalisti dhe
ballisti, këngëtari ishte i skeduar në listat e zeza të UDB - së dhe vëzhgohej
ngado shkonte dhe çfarë aktiviteti kryente, por ai vazhdoi të bëntë detyrën me
shumë zell dhe dashuri për të plotësuar në maksimum shijet e popullit të tij.
Edhe kur vinte për të dhënë koncerte në Shqipëri, këngëtari shqiptar ishte
gjithmonë nën vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit, madje kur ka qënë në Shqipëri
në vitin 1973 me Ansamblin “Shota”, Ai kujton se është thirrur nga organet e
Sigurimit të Shtetit i dyshuar si agjent jugosllav, por kjo nuk e ka penguar
artistin e njohur t’a dojë dhe t’a respektojë kombin shqiptar, pasi ai e ka
mbështetur kurdoherë në rrugën e tij të gjatë artistike. Emocionet më të mëdha
këngëtari i shquar i pati provuar, kur kishte qënë në një turne artistic në
qytetin e Beratit. Në këtë qytet kishte ndodhur rastësisht në rolin e
spektatorit edhe babaj i tij, dikur i internuar. Dhe artisti kujton: “…Momenti
më i rëndë ka qenë ai kur në një koncert të mbajtur në Berat, në mesin e
publikut ishte edhe babi im, dikur i internuar. Më duket se që të dy qanim. Ai
me lot të vërtetë, kurse unë me zemër dhe shpirt. Mund të them se kur orkestra
e Isak Muçollit ekzekutonte këngën “Lulëzoj fusha, lulëzoj mali”, sikur trandej
baba Tomorri. Në një çast, babai im, befas u ngrit në këmbë dhe brohoriti me sa
fuqi kishte emrin tim “Luuaaannn ...!”. Pastaj, i tërë publiku u ngri në këmbë
duke qarë me lot. Ky moment prekës më duket sikur ka ndodhur sot”. Këngëtari i
madh ka dhënë koncerte në shumë qytete të Shqipërisë, por në memorjen e tij
pati mbetur edhe një shfaqje e dhënë në vitin 1980 në qytetin e Shkodrës.
Populli shkodran është shumë artdashës, është quajtur “Djepi i kulturës
shqiptare”, prandaj e pati pritur këngëtarin me mjaft entuziazëm. Këngëtari i
shquar ishte në shijet artistike të publikut shkodranë, prandaj në koncerte dhe
festivale të ndryshme këngëtarët më të njohur kosovarë ftoheshin herë pashere.
Kishte bashkëpunim të ngushtë me kompozitorët e shquar Kristë Leka, Musa
Piperku, Gazmend Zajmi, Isak Muçolli, Mark Kaçinari, Reshat Randobrava, Tomorr
Berisha, që aso kohe përbënin plejadën më të suksesshme të kompozimit muzikor
të kohës, ndërsa tekstet e këngëvë që ka kënduar në fillim të karrjerës së tij
ishin krijime të poetëve të njohur Qerim
Ujkani, Rifat Kukaj, Musa Ramadani, Eqrem Basha etj, derisa ra në kontakt me
këngët e bukura popullore. Gjatë luftës në Kosovë thuhet se qe zhvendosur në
Maqedoni, por për asnjë moment nuk e pati ndalur vrullin e këngës. Këndoi pas
lufte në të gjitha trevat shqipfolëse duke sjellë edhe këngë të reja si
“Hatixhe”, duke pasuruar kështu repertorin e tij. Për pesë vjet rresht pati
kënduar në qytetin e Durrësit, por qe detyruar të largohej pasi i pati vdekur
bashkëshortja Sania, për të cilën kishte mall dhe dashuri, fliste gjithmonë me
respekt dhe mirnjohje të thellë. Shumicën e këngëve të reja, Luani i merrte kur
këndonte nëpër dasma në vende të ndryshme. Kur këndonin dasmorët, ai shkruante
tekstin e këngës, përvijonte vijën melodike dhe pastaj e këndonte.
Ka
qënë dita e zezë e 27 shkurtit 2022, kur u përhap lajmi në të gjithë trojet
shqiptare se kishte pushuar së rrahuri zemra e bilbilit të shqiptarisë Luan
Hajra. Ishte një këngëtar dhe artist, që rrallë mund t’i vijë muzikës
shqiptare, prandaj kishte merituar edhe simpatinë, respektin dhe dashurinë e
pakufijshme të spektatorit shqiptarë. Ishte shuar përgjithmonë një zë i
fuqishëm i këngës popullore shqiptare, por kishte lënë një pasuri të vyer, një
numër pafund këngësh të interpretuara me mjeshtëri të rrallë dhe një album me
këngë mjaft të pëlqyera me titull “Nga repertuari i Luan Hajrës”, për të mos u
harruar ndër shekuj. I dëgjoja shpesh këngët e tij, madje përpiqesha t’ua
mësoja edhe të tjerëve. Mbesa ime Valbona Marku, ishte vetëm tre vjeçe, kur e
pati dëgjuar dhe i kishte shqiptuar emrin për here të pare. ?shtë mësuese e gjuhës shqipe, ndërsa sot është edhe anëtare
e Shoqatës Kulturore dhe Arsimore “Ilirianët” në Fano të Italisë, ku jep mësim
në shkollën shqipe të hapur kohët e fundit, duke përhapur tek emigrantët
shqiptarë kulturën, gjuhën dhe traditat e kombit tonë, por shkruan edhe poezi.
Ndoshta do bjerë rasti që Valbona t’u flasë nxënësve të saj emigrantë edhe për
muzikën shqiptare, edhe për këngëtarin e shquar Luan Hajra që aq shumë e
dëgjonte në vitet e rinisë. E pata njoftuar Valbonën nëpërmjet një mesazhi për
vdekjen e këngëtarit dhe nuk vonon përgjigja e shoqëruar edhe me një poezi: “…
më vjen shumë keq, sepse jam rritur me këngën e tij. Askush nuk është i
perjetshëm, por lum kush le gjurmë të arta në jetë, siç la ky këngëtar i madh”,
pastaj vijon vjersha kushtuar Luanit. E kishte titulluar: “Zëri yt i zgjon dhe
zanat”, pastaj vijonte: “Ndahet nga jeta një artist gjigant, / La pas zërin
melodioz – jehonë, / Luan Hajra me “Rroka mandolinën”, / Beri të kendojnë,
Shqipëri, Jugosllavi e Kosovë. / Sot një emocion më përshkon qenien, / Dhimbje
për humbjen dhe mallë, / Shkrimtari dhe studiuesi, daja im V. Prendi, / Më
kthen në femijëri me një mesazh, / E prap aty kthehem në femijëri, / Në dhomën
- studio veshur me libra, / Ushqyer me studime, romane e poezi. / Nga radioja e
vogël në dimër dhe verë, / Këngët e tij i dëgjoja përherë. / Hap krahët, e më
jep forcë nostalgjia, / Largohet artisti Luan Hajra sot, / E i shtrenjti poet
nga larg më përshendet, / Largohet fizikisht… unë se besoj dot, / Le gjurmë,
zë, e kengë e tij kurrë nuk vdes, / Arome e fëmijërisë sime krenarinë sot më
përkëdhel…”. Luan Hajra, artisti dhe këngëtari aq i dashur për publikun,
korifeu i pavdekshëm i këngës popullore shqipe shkoi në përjetësi, për të mos u
harruar më kurrë.
VLASH PRENDI