Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lutfi Alia: Dinastia Muzaka në Albania dhe në Itali (3)

| E hene, 03.07.2023, 09:15 PM |


DINASTIA MUZAKA NË ALBANIA DHE NË ITALI

(PJESA III)

Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

Dorëshkrimi memorial i Gjon Muzakës - Dhespoti i Epirit, është e vetmja vepër e shkruar në shekullin XVI, që tregon historinë e familjes fisnike arbërore të Muzakëve. Në kujtimet e tij Gjon Muzaka ka shtuar pjesë dhe me histori të familjeve të tjera arbërore si të Arianitëve, Kastriotëve, Dukagjinëve etj.

Dorëshkrimi memorial i Gjon Kastriotit është botuar me tituj të ndryshëm si “ Giovanni Musachi, Despoto d’Epiro: Historia della Casa Musachia”, ndërsa Karl Hopf e përfshinë dorëshkrimin në vepren e tij botuar në Berlin në vitin 1873 me titull “Breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi - Kujtime të shkurtëra rreth pasardhësve të familjes tonë Muzaka”. Në botime të tjera titullohet “Historia e geanologia della casa Musachia – historia dhe gjeanologjia e familjes Muzaka”, ndërsa Rosario Jurlaro e titullon “I Musachi Despoti D’Epiro: In Puglia a salvamento”, botuar në Bari në vitin 1970 me parathënie të Giuseppe Schirò.

Titujt e ndryshëm shprehin përmajtjen e këtij dorëshkrimi, me të cilin Gjon Muzaka rrëfen historinë dhe gjeanologjinë e famijes së Muzaka, por njëkohësisht është dhe testament, që iu ka lënë fëmijëve të tij dhe pasardhësve që jetojnë në Itali.

Mendohet se Gjon Muzaka kujtimet e tij i kishte shkruar në latinisht e më pas dikush, ndofta ndonjë prift arbëror i përktheu në italisht, ndërsa historiani Andrea Della Monaca, në “Memoria Historica dell’antichissima e fedelissima città di Brindisi”, Edizione. Pietri Micheli, 1674, p. 29] thekson: “Breve memorie o testamento – Kujtimet e shkurtra ose testamenti”, i Gjon Muzakës, Dhespot i Epirit, ndofta ishte shkruar në gjuhë albaneze e më pas të përkthyera në italisht dhe për këtë arsyetim mjaftojnë disa shembuj. Gjon Muzaka në dorëshkrimin e tij deklaron: “U ndodha në mbretërinë e Napolit, pa mundësi dhe pa e njohur gjuhën italiane” dhe në vazhdim bën një krahasim, duke përdorur vargjet e një poeti italian: “Restai come nave senza nocchiero in gran tempesta - u ndodha si një anije pa timonier në stuhi të madhe mes detit”, çka sugjeron se përkthyesi e njihte mirë italishten, ndërsa Gjon Muzaka thekson se nuk e njihte italishten.

Arsyetimi i Della Monaca është i drejtë, çka përforcohet me faktin se në dorëshkrimin e Gjon Muzakës janë disa fjalë në gjuhë albaneze (shqipe), si rasti kur tregon për Teodoro Musachio Chiscetisci (Kishetishi), duke theksuar se Chiscetisci në italisht do të thotë trecce, pra në gjuhën albaneze gërshet, ashtu dhe kur përmend baronin Bardi Fachiemiri (i shkruar Fakjemiri dhe e i përkthyer në italisht: La bell visage), pra kemi emrin në shqip Bardhi dhe mbiemërin shqip Faqemiri.

Me interes janë dhe emërat e fshtrave dhe trevave në zotërim të Muzakëve, emëra që ruhen dhe aktualisht si Carugua (Garunja), Giossi (Gosa), Basti (Bashtova), Miliota, Selenizza (Selenica), Tomorniza (Tomorica), Thomorri (Tomorri), Dardasi (Dardha), Tercotigue (Tërrova), Sclepari (Skrapari), Serchi (Serki), Midegni, (Midenji), Sereci (Zerec), Duscari (Dushar), Opari, Mokra, Festazzi (Peshtan), Beci, Maserecchi (Mazreka), Lodari (Lavdar), Mariani, Ceriasceli (Çeriasheli ?), Vescop (Voskop), Corizza (Korça), Savoiana (Sovjan), Viola, Devoll, Costuri (Kosturi), Ocrida (Ohri), Vlora, Kanina, Vresda (Vreshtas), Svernia (Zvirina), Barci (Barç), Duka i Dobril (Dobrenj), Guriscti (Gurishta), Guerbisci (Gjerbës), Liborasi (Librazhd), Drago, Stugna (Dragostunja), Dorisa (Dorëz), Zuchisi (Qukës), Guri (Gurra), Biesca (Bjeshka), Tamadia (Tomadhea), Marguesi (Murras), Paglola (Pajova), Ariocastro (Gjirokastra), Evaguenegiana (Vagenetia – Çamëria) etj.

Dorëshkrimi “Historia e geanologia della casa Musachia, da D. Giovanni Musachia, Despoto dell’Epiro”, shkruar në vitin 1510, u zbulua nga Karl Hopf, i cili fillimisht e botoi si njoftim në “Monatsberichte der Berliner Academie der Wissenschaftn, 1864, faqe 193 - 197” dhe më pas së bashku me shtesën e vitit 1515 të Kostantin Muzakës dhe me trajtimin e gjeanologjisë të dinastisë Muzaka, e botoi të plotë në “Cronique greco-romanes .... tables généalogiques...1873,  f. 270 – 353”.

Karl Hopf, në hyrjen e veprës “Croniques greco-romanes...”, në faqet 32 – 35 shkruan: “ Njoftimin për këtë dorëshkrim të çmuar e gjeta në Conclusione del seggio di Capuana per Giovanni Tocco, që mbanë datën 5 nëntor 1600, i ruajtur në Arkivin e Napolit dhe i botuar nga kavalieri Erasmo Ricca (Rika) në veprën e tij të rëndësishme: “La nobiltà delle due Sicilie. Parte I, vol. III, Napoli 1865”. Në faqen 276 Rika shkruan “Një libër shumë i vjetër i Shtëpisë Muzaka, i shkruar me penë”, ndërsa në faqen 277 shkruan: “Një libër i Shtëpisë Muzaka, i vjetër mbi 100 vjet .....” Gjithashtu gjeta një përmbledhje të gjeanologjisë të familjes Muzaka në një dorëshkrim të dytë, që ndodhet në Bibliotekën Brancacciene (Brankaçiene) të Napolit, në fletën 491, hartuar në fund të shekullit XVII, shënuar me titull: ”Historia e geanologia della casa Musacchia, scritta da Giovanni Musachio Despoto dell’Epiro, a suoi figli scritto nel 1510”.

Karl Hopf thekson: “Dorëshkrimi i Gjon Muzakës ishte në pronësi të Luigji Martin de Carles (Luigj Martin Karli), baron në Pulja, banues në Téano, pasardhës i linjës femëror i familjes Muzaka, Dhespotit të Muzakisë”. Karl Hopf thotë: “Nuk e di në se ende ekziston dorëshkrimi origjinal, por di se një kopje e kishte kançelieri Scippion Volpicella i Napolit, të cilit ia kërkova ta kopjoja ekzaktësisht dhe Sc. Volpicella zemërgjërësisht më plotësoi dëshirën dhe miku im Pasquale Placido, asi kohe nëpunës i arkivit dhe aktualisht avokat i njohur në Napoli, e kopjoi faqe për faqe dorëshkrimin origjinal, të cilin e përfshiva në veprën time”.

Gjeanologjia e familjes e prezantuar nga Gjon Muzaka është tepër konfuze, megjithatë një napolitan erudit

e risistemoi dhe ia shtoi kronikës origjinale, të cilën unë e mora dhe e vendosa në fund të dorëshkrimit. [Karl Hopf, Cronique greco-romanes .... tables généalogiques. f. 270 – 353]

Tabela gjeanologjike e familjes Muzaka, vite më vonë u botua nga historiani Rosario Jurlario, si shtesë me 12 faqe në veprën:“I Musachi despoti d’Epiro, Bari Santo Spirito, 1970, faqet 59 – 71”.

Karl Hopf shkruan: “Pas njoftimit të saktë rreth kronikës të Gjon Muzakës, të botuar në “Monatsberichte der Berliner Academie der Wissenschaftn, 1864, pp. 193 – 197”, i pari reagoi Johann George von Hahn, në veprën e tij “Reise durch die Gebiete des Drin und Wardar, Wien 1867”, në faqen 272 e në vazhdim në pjesën III, kapitulli I “Beitrage zur Geschichte von Mittel-Albanien, nach den Funden des Prof Karl Hopf”, realizon një analizë komplete të kësaj kronike, të cilën e cilëson: “një perlë e materialeve për Albaninë, si kjo e lidhur me Giovanni Musaki, Dhespoti i Epirit”. [Faqe 284 – 290].

Lidhur me kujtimet e Gjon Muzakës, Karl Hopf thekson se përbëhet nga pjesë të ndryshme dhe me vlera të ndryshme historike, megjithatë dhe pse përmbanë disa aspekte të pa qarta, bën dhe komente të shkurtëra. Karl Hopf thekson se gjeti edhe pjesën hyrëse të shkruar në vitin 1515 nga Kostantin Muzaka (faqe 270), të shtuar në “Historia e geanologia della casa Musachi, scritta da D. Giovanni Musachio, Despoto del Epiro (faqe 272 – 302), ku përshkruhet edhe stema heraldike e familjes Muzaka, e cila ende ruhet në fasadat e disa pallateve dhe kishave në Mesagne dhe në Frankvilla Fontana (Palazzo in via San Giovanni, Nr. 13).

Karl Hopf thekson se në pjesën e shkruar nga Kostantin Muzaka ka një trajtim konfuz lidhur me atë që ai ka marrë nga Andrea Angelo Komneni, i njohur si fallsifikator i gjeanologjive, ashtu si janë të pasakta ato që shkruan Theodoro Spandugino – Cantacuzene në traktatin dedikuar Sulltanëve të Perandorisë Osmane. Edhe në koleksionin e Sansavino, ka disa të dhëna për Epirin, por pa vlera historike, por Don Kostantin Muzaka i ka marrë dhe i ka përfshirë në hyrjen e kujtimeve të atit Gjon Muzaka. [Karl Hopf, Croniques greco-romanes...,

pp. 315 - 353]. Në faqen 340, K. Hopf ka shtuar koleksionin me fjalë shqipe, të mbledhura nga kavalieri Arnold Von Harff i Këlnit (1496 – 1499) dhe të botuara në vitin 1868 nga zoti Groote. Karl Hopf thekson se këto fjalë janë pjesë nga më të vjetrat të gjuhës albaneze (shqipe), të kësaj gjuhe tepër kurjoze.

Lidhur me dorëshkrimin “Historia e geanologia della casa Musachia, da D. Giovanni Musachia, Despoto

dell’Epiro”, Karl Hopf thotë: “Ndonëse përmbanë disa ndërshtënie, në substancë është shkruar me shumë ndershmëri, si shihet në përkthimin që i është bërë me gusto barok nga Kostantini, i cili ka ruajtur të pa ndryshuara shumë aspekte origjinale të shkruara nga Gjon Muzaka.

Në dorëshkrimin memorial Gjon Muzaka iu drejtohet fëmijëve duke theksuar: “Ju duhet të dini se rrënimi i Perandorisë së Kostantinopojës dhe i familjes tonë, ndodhën nga konfliktet e Paleologëve me Kantakuzenët, çka e detyroi Paleologun të kërkoj ndihmën e Sulltan Muratit I, i cili duke filluar nga viti 1363, filloi të pushtoi vendet Europiane. Ushtria turke pasi pushtoi Dhespotatet e Artës dhe të Janinës, sulmoi trojet e Muzakëve. Princat arbëror me në krye Balshën II, me Muzakët, Gropa, Topia etj, më 18 shtator 1385 e pritën ushtrinë turke në Savër të Myzeqesë dhe pas një beteje të ashpër, forcat e koalicionit arbëror u thyen dhe princat arbëror u detyruan të bëhen vasalë të Perandorisë Osmane, kështu dodhi dhe me Muzakët. Sukseset e ushtrisë turke, e shtuan oreksin e Sulltan Muratit I, i cili avancoi në veri. Dhespoti i Serbisë Lazari, mbreti i Bullgarisë Marko dhe Dhespoti i Muzakisë Teodori I Muzaka, bashkë me prijësat e tjerë arbëror Gjergji II Balsha, Pal Kastrioti, Dhimitër Joanima, Andrea Gropa etj, i bashkuan ushtritë kundër ushtrisë turke të Muratit I. Më 28 qershorë 1389, në Fushë Kosovë u zhvillua një betejë e ashpër, ku mbeti i vrarë prijësi i Teodori I Muzaka (djali i Gjonit II Muzaka), mbeti i vrarë dhe dhespoti i Serbisë Lazari.

Nga viti 1394 e në vazhdim, shteti i Muzakëve u sulmua nga ushtria dhe nga flota turke. Gjon Muzaka tregon: “Gjyshi im Andrea Muzaka u çpronësua nga Sulltan Bajaziti, i cili kishte pushtuar një pjesë të Devollit dhe Muzakinë, por më pas gjyshi im i rimori. Pjesa e shtetit tonë që na mbeti u ruajt nga Gjin Muzaka, babai im dhe gjyshi i juaj. [Giovanni Musachi, Breve memorie, p. 270 - 314].

Gjon Muzaka dhe prijësat e tjerë arbëror Dukagjini, Balsha, Topia, Gropa, Spani etj vazhduan t’i rezistojnë  sulmeve të ushtrisë turke, por pas vdekjes të Gjergj Kastriotit, turqit pushtuan qytetet dhe trojet arbërore. Në ato vite të vështira shumë nga princat arbëror kishin vdekur si Gjergj Arianit, Koiko Balsha, Nikolla dhe Pal Dukagjini, Gjin Muzaka, Andrea Topia, Pietro Spani etj. Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit, në mars të vitit 1468 Andronika me djalin Gjoni II Kastrioti emigruan në Mbretërinë e Napolit. Gjon Muzaka tregon: “Bashkë me zonjën Skenderbega dhe djalin e saj, ikën dhe motrat e mia, Dona Maria me të bijën Porfida dhe Dona Helena me të bijën Vojsava, të cilat u pritën miqësisht nga mbreti Ferrante i Napolit. Maria ishte e martuar me Muzak Komnenin, Helena ishte e martuar me Gjergj Karlin e Dibrës. Të dy këta fisnikë ishin vrarë në luftime kundër hordhive turke. [Giovanni Musachi, Breve memorie, pp. 275 - 276].

Pas pushtimit të trojeve arbërore nga Perandoria Osmane, në vitin 1476, Gjon Muzaka u detyrua të emigroi në Mbretërinë e Napolit, ndërsa ata pjestar të familjeve Muzaka, që mbetën në trojet e arbërore, gradualisht u konvertuan në fenë islame, madje morën ofiqe, grada dhe poste të larta ushtarake dhe shtetërore. [Giovanni Musachi, Breve memorie, p. 275].

Gjon Muzaka shkruan: “Unë Don Giovanni Molosachi, Dhespoti i Epirit, u detyrova nga turqit të braktis shtëpinë time dhe pasi më morën shtetin tim, erdha në Mbretërinë e Napolit, ku dashamirësia e mbretit Ferrante Aragon, më dha mundësi të jetoj, më dha shtëpi, më dhuroi fillimisht tokat në Apice (komunë në Benevento - Kampanja  n.d.r), si dhe na mirëpriti në oborrin e tij. Pas vdekjes së mbretit dhe luftat e brendëshme, diktuan fatin tim të mbrapshtë, mbeta si një anije pa timonier në mes të detit me stuhi madje nuk njihja gjuhën italiane. Por me gjithë këto vështirësi dhe me mundime unë iu rrita dhe iu ushqeva në këtë vend ju fëmijët e mi: Don Teodoro, Don Andriano, Don Kostantino dhe dy motrat tuaja Donna Helena dhe Donna Porfida. Ti Teodor arrijte në këtë vend kur ishe me moshë mbi një vjeç e gjysëm, Helena ishte një vjeç, Andriano një muaj e gjysëm, ndërsa ti Kostantin dhe Porfida lindët këtu në këtë mbretëri”. [Giovanni Musachi, Breve memorie, p. 270 - 314]. Edhe në Itali, Muzakët u shquan në jetën shoqërore, kulturore dhe ushtarake. Pasardhësit e dinastisë Muzaka janë të pranishëm në jetën aktuale në shumë provinca dhe komuna italiane.