| E premte, 02.01.2009, 04:44 PM |
 Lypësi i vogël
Lypësi i vogël 
Duar që zgjaten 
gishtërinj që mardhen 
filiza dhëmbjeje të mpirë... 
Sy që kalojnë 
sy që shohin vetëm duar 
më jep të të jap 
asgjë nuk fal... 
vetëm duar 
nuk shikojnë sy... 
nëse do t'i shihnin 
do t'u jepnin veç bezdi 
si kripa e detit 
mbi xhama të pistë... 
kush ka nge 
s'të jap, po s'më dhe... 
një pikëlz loti 
ulëret uri 
në veshë të shurdhër 
në sy që s'dinë të shohin 
sy... 
dhe lotin 
nga dhëmbja e zhveshin 
e bëjnë 
veç një pikë ujë e kripë... 
bota ka frikë 
të mbytet në ata sy... 
Nentor 2008
Mos më lër të pres
Mos më lër të pres 
se edhe koha vdes... 
krijesa që lindin e vdesin 
dhe qelizat e trupit tonë 
kushedi sa mijëra 
në një sekondë 
një flutur 
veç një ditë jeton 
një lule 
në mbrëmje vyshket... 
edhe lëkura ime fishket...
mos më lër të pres...
... koha jonë vdes 
ashtu në pritje... 
Deti sot
Pashë detin e tërbuar sot 
gjigant valësh 
zemërim zbardhur 
erën që e xhindoste 
s'e kapte dot 
me egërsi 
i shfryhej tokës... 
Imperia 1 dhjetor 2008
Duke larë pjatat
Duke larë pjatat në mbrëmje 
bashkë me ujin 
rrëshkasin 
dhe mbresat e pashijëshme 
të ditës 
ndonjë batutë pa kripë 
një buzëqeshje hipokrite 
pastaj mbetet uji i ngrohtë 
i pastër 
u vë rregull mendimeve 
Fshij, 
gotat shkëlqejnë, 
ndoshta, 
nesër do të jetë 
kohë me diell 
Mbyll, shkoj të fle 
këmbët zbathur mbi tapet 
ndjej 
se si një gjethe 
bjen 
mbi tapetin e ditëve të shkuara 
të tjerat, 
mbi degët e pemës 
së ditëve 
me një mangut mbeten 
...në kufirin e ditë natës...
Mesazhi
Dhe shiu braktisi 
trishtimin e tij 
nga ritmi monoton dritareve 
trokitur 
ish veç zbrazje e mallit 
të qiellit 
për tokën dashuri zhuritur 
vesa e lotëve të mi 
mbi petale shprese... 
ka ende mirësi 
në dy rreshta shprehur 
jam mirë... 
dëshëroj të jeni mirë... 
pikat e shiut 
ndërruan ritëm... 
Imperia 3 Nentor 2008
Ty me njëqint merita...
Ti , njeri 
me njëqint merita 
që i numeron pa u lodhur zerot 
pas njëshit 
njëshin e kemi të përbashkët 
të qenit njerëz.. 
Tek rrufit kafenë 
duket sikur mua 
por në fakt 
u buzëqesh atyre 
lum ti , qofsh i bekuar 
buzëqeshjen 
kam humbur 
diku... dikur... 
kur fillova të mos 
shoh më engjëj 
por njësha 
me zero prapa 
e vendosa t'i ndjek...