| E merkure, 28.06.2023, 07:05 PM |
Sotir
Athanasi
Për
një çantë shkolle
(Ndodhi në vitin 1925)
(Paramnezi)
Sekretarja,
sapo u mat të dilte, madje, nuk proftasi
të mbylli as derën, kur mbërrijti një
polic me të burgosurin.
-
Zoti shef! Të burgosurin, të cilin e kemi kërkuar, sapo e sollën.
-
Futeni menjëherë brënda.
Në
zyrë hyri një djalë rreth të tridhjetave, i prangosur e i shoqëruar nga polici.
-
Ju, z.Jorgo, prisni në sekretari dhe do të hyni, kur t'iu thërres.
Polici
nderoi dhe doli nga zyra.
-
E dini pse ju kam thërritur? - iu drejtua ai të burgosurit.
-
Jo, zotni.
-
Ju keni rënë në burg, për vjedhje. Kështu?
-
Jo ashtu, por hajt!
-
Si? Nuk ju akuzojnë se keni hapur bravën e dyqanit pa çelës dhe pa e thyer atë?
-
Po. Ashtu është.
-
Atëhere, si quhet ky veprim?
-
Zoti shef, çdo veprim një emër e ka; por edhe çdo emër, pagëzorin kërkon.
Ishin
të dy ballëpërballë. Një tavolinë i ndante.
-
Ulu!
Shefi
përdori këtë fjalë "Ulu", por në të vërtetë, atij I pëlqeu përgjigja
shumë e goditur e tjetrit e cila bëri që të ndalte disi yryshin e zakonshëm dhe
. . t'a ulte pakëz edhe tonin.
Tjetri,
më tepër për të zbatuar urdhrin se sa për t'u rehatuar, se me duart e lidhura mbrapa shpine, nuk mund të ulej paq. Gjithsesi zuri vënd në
karrige.
Edhe
shefi u ul në karrigen e vet,
Përgjigja
sentencë juridike e të burgosurit e vuri vërtet në mendime.
"Bëra
mirë që i hodha sytë kësaj dosjeje. Akoma edhe më mirë që kalova nga burgu dhe
kërkova të shihja këtë tip. Dhe ja tek e kam".
Këto
mendoi atë çast, z.Virgjilakopulos, ndërsa çfletonte edhe një herë dosjen që
kishte përpara dhe pa e ngrijtur vështrimin, tha:
-
Pra: çdo veprim një emër ka, por, edhe çdo emër pagëzorin kërkon.
Ngrijti
kryet dhe shtoi: - E përsërita mirë?
I
prangosuri miratoi me një lëvizje të kokës.
Kjo
për 'të tregonte se ishin dy njerëz të
ndryshëm: I burgosuri dhe Shefi I
Policisë. Jo dy shokë.
-
Dhe cili është kumbari apo pagëzori?
-
I zoti I dyqanit, zotni.
-
Shpjegoje më hollë.
-
Do të mundohem, zotni.
-
Po?
-
Shkova për të blerë një çantë për djalin.
-
Pse, jeni i martuar?
-
Po, zotni.
-
Në zyrat mbretërore?
-
Jo zotni. Në kishë.
-
Pse, jeni i krishterë?
-
Po, zotni.
-
Jeni i pagëzuar?
-
Po, zotni.
-
Ku?
-
Në kishë, zotni.
-
Në cilën kishë?
-
Të Shën Ndout.
-
Si e thatë?
-
Të Shën Andonit, se andej nga e kam
origjinën unë, kështu i thonë: Shën Andonit: Shën Ndou.
-
Ku bie kjo?
-
Në Laç.
-
Ku bie Laçi?
-
Afër Krujës.
-
Ku bie Kruja?
-
Atje ku është kështjella e Gjergj Kastriotit - SKËNDERBEUT.
-
Po. Tani e kuptova. Ti je shqiptar.
-
Po.
-
Dhe nuk je mysliman?
-
Jo, zotni?
-
Çudi!
-
Çfarë ka këtu me u çuditë, zotni?
-
Që nuk je mysliman.
-
Si unë, është gadi e gjithë krahina, zotni.
-
Cila krahinë?
-
E Mirditës, por edhe e Lezhës, zotni.
-
Të dya këto krahina, ku bien?
-
Në veri të Krujës.
-
Dhe të gjithë janë me kryq siç po thua ti?
-
Po, zotni. Me përjashtime të vogla të ndonjë besëshkeli.
-
Çdo të thotë besëshkeli?
-
Ai që ndërron fenë e të parëve.
-
Pse, feja e të parëve tuaj, ka qenë Kryqi?
-
Po, zotni.
-
Nuk gënjen?
-
Jo, zotni.
Po
të kisha duart e lira, do t'jua tregoja kryqin që kam në gjoks dhe që e mbaj që
prej tridhjetëvjetësh, qysh kur jam pagëzue.
-
Nuk e ke vënë këtu atë kryq?
-
Jo, zotni. Se në pjesën e pasme është stema e Lekës.
-
Atij që ka bërë Kanunin?
-
Bukur-fort e thatë, zotni.
-
Dhe çfarë steme ka ai?
-
Shqiponjën e bardhë me dy krahë të hapura.
-
Mirë. Do t'a shohim më vonë. Vazhdo!
-
Shkova në dyqan me ble një çantë librash për djalin që mbushi moshën dhe do të
shkojë në shkollë.
-
Po. E drejtë.
-
Po, por më mungonte gjysëm franga dhe i thashë dyqanxhisë:
Mbaji
këto që kam dhe do t'a sjell gjysmën e frangës, por çantën m'a jep. Pas një ore
kthehem.
-
Po, pastaj?
-
Nuk pranoi dhe s'deshi me dijtë çka àshtë fjala e dhanë fëmijës, edhe pse ia
shpjegova hollë-hollë. Kur pashë se s'hante pykë druja, i thashë:
Mirë,
o miku im, (siç e thonë kaq bukur këtu në Greqi), Mbaji këto që kam dhe më prit
sa të kthehem. Se unë nuk kam fytyrë t'i dal djalit përpara, pa çantën e
shkollës.
-
Mirë deri këtu. Më pas?
-
Pranoi, por këtë e bani sa me më përcjellë.
-
Pse?
-
Se nuk do t'a mbantei fjalën.
-
Dhe ti çfarë bëre?
-
Hodha sëpatën në sup dhe dola.
-
Po sëpatën pse e doje?
-
E kam vegël pune, mor zotni.
-
Pse, çfarë pune bën?
-
Shkurtoj dhe çaj dru nëpër shtëpia.
-
E kuptova, pastaj?
-
Kthehem mbas një ore me gjysmën e frangës në xhep për të marrë çantën. Por
dyqanxhinë nuk e gjeta. Ai nuk e mbajti fjalën. E theu atë.
-
Dhe ti çfarë bëre?
-
Trokita që të sigurohesha dhe kur u binda se ishte dru me nyje, thashë t'i
përgjigjem po me atë pykë në të kundërt.
-
Dhe çfarë bëre?
-
Hapa dyqanin. Lashë gjysmën e frangës në banak dhe mora çantën.
-
Pastaj?
-
Mbylla derën dhe dola.
-
Pastaj si ndodhi?
-
Dyqanxhia paskish qënë te kafja kundruall dhe pa gjithçka me sytë e vet. Më,
pas, kur unë kisha mbërrijtur në familje dhe po gëzohesha me tim bir për
çantën, erdhi karabinieri dhe më mori e më futën në burg. Në këto raste, andej
nga ne thuhet:
"Edhe
dashin kur e therrim, jo në sy të qingjave"
Mua
m'i hodhën hekurat nën ulërimat e djalit tim të vetëm. Se, edhe gruan nuk e
kisha aty. Ajo kishte shkuar të pastronte një shtëpi.
-
Kur ndodhi kjo?
-
Dje në mesditë, zotni. Akoma pa vënë kafshatën e bukës në gojë.
Zoti
Virgjilakopulos shfletoi diçka në dosje, më shumë për të kaluar këtë çast aspak
të pëlqyer e antihuman dhe tha:
-
Dyqanxhiu ka bërë një deklaratë ku nënizon ankesën e tij, por nuk ka asnjë
mëtim tjetër, përveç asaj, që ti i ke hapur dyqanin.
Shefi
e pa në sy të burgosurin dhe befasohej nga sinqeriteti i tij. Por, nga ana
tjetër, ai zotronte një aftësi e cila
është karakteristikë e atyre njerëzve të cilët nuk shquhen për ndershmëri.
Përkundrazi. Ndaj duhej gërmuar më tej.
-
Ku ke mësuar të hapish brava pa çelës?
-
Është histori e gjatë.
-
Prandaj të kam thirrur.
-
Kjo u pa, që kur m'i lidhët duart nga prapa. Po hajt!
-
Si hajt?
-
Desha të them: "s'prish punë".
Njëlloj janë për mua duart e lidhura si përpara edhe nga prapa.
-
Pse, mund të ketë ndonjë gjë që mund të prishë punë?
-
Po, zotni.
-
Cila?
-
Ajo që të besonin nëse jam i krishterë, më detyruan të nxirrja veglën e ujit të
hollë. Nuk i bindi Kryqi, i cili ka tridhjetëvjet në qafën time, por deshën të
shohin nëse jam ba synet, siç është zakoni I myslimanëve. Por, hajt edhe kjo.
-
Si hajt?
-
Se kjo nuk i bëhet një burri.
-
Po. Kur ai është I drejtë. Por edhe t'i besoj se bie dakort me mua se në burg
nuk vijnë zakonisht burra të drejtë. Por, hajt!
Malësori
qeshi si të qe në mes shokësh. Me 'të edhe Shefi. Mbas tyre, edhe ne. Por,
hajt!
Në
qoftëse je i zoti, çlirou nga prangat dhe flasim.
I
pandehuri hodhi sytë rreth e rreth zyrës dhe tha:
-
Po. Këtu i kam kushtet, besa.
-
Pa të shohim?
Shqiptari,
u ngrijt. Mënjanoi karrigen.
Zoti
Virgjilakopulos, çohet gjithashtu më këmbë.
Duarlidhuri,
ulet në çimento këmbëkryq.
Zoti
Virgjilakopulos, kujtohet se 13 vjet më
parë, kështu e kishte parë të ulet edhe z.Kanelopullos përpara shportës ku
kërcënonte gjarpëri.
I
akuzuari u shtri me kurriz dhe duart e lidhura nga prapa, I kaloi së pari tek
të ndënjurat. Ngrijti të dy këmbët vertikalisht dhe njërën e futi brënda harkut
të duarve. Pastaj dhe tjetrën. Kur u ngrijt më këmbë, duart e lidhura, kishin
kaluar përpara:
-Tani,
më lejoni t'i afrohem palltombajtëses, z.Shef?
Zoti
Virgjilakopulos tundi kryet për miratim.
Duarlidhuri
mori një gjilpërë me kokë nga cepi I xhaketës dhe me një veprim tejet të
pakuptueshëm, si në skenën e lojërave të
shpejtësisë, bëri që vargonjtë të
çlirohen si me magji.
Z.Virgjirakopulos,
duartrokiti:
-Bravo!
- tha dhe u ul; - Leri prangat mbi tryezë dhe gjilpërën në vëndin e saj!
I
burgosuri, bëri ashtu siç dëgjoi.
-
Tani ulu e më trego ku e ke mësuar këtë metodë. . . artistike lirimi?
-
Padëshirë dhe nuk ia uroj as hasmit, foljen e dëftimin e lënies së Atdheut.
Ai
kafshoi tejet buzën e poshtme për të mos lotuar dhe ia mbërrijti që vetëm t'i
skuqenshin fort ata sy të zez' sterrë si fati i keq i emigrantit dhe nisi
spjegimin:
-
Lamë Mirditën tonën e të të parëve dhe braktisëm vendin për hasmëri.
Duhet
të kujtonte gjithça, gjithsej dhe mbi çdo gjë të kahershme.
-
Kujtuam se hasmi na kishte zbuluar gjithça dhe bollëkun e pasurisë që lamë e mori era.
-
Pse? Kishit kamje dhe pasuri?
-
Po more zotni.
-
Çfarë?
-
Krojet që zbrisnin nga Dukagjini,
-Tjetër
?
-
Lisat e Shën Palit, pranë manastirit,
-Tjetër?
-
Sheshin e kuvendit ku mbëlidheshin dymbëdhjetë bajraqe.
E,veç
këtyre, edhe kullën tonë që ikëm dhe e lamë shkretë.
Nuk
janë pak, besa.
Zoti
Virgjilakopulos nuk foli. Atë e befasonte gjithçka spjegonte ky tip. Nuk kishte
dëgjuar deri tani dikë që t'i numuronte në kamje, Krojet e fshatit, Lisat, a sheshin e Bajraqeve dhe ky,
si të qe një studiues i thellë i këtyre
ndjesive të rralla njerëzore, përfytyroi doktoraturën e tij.
-
Ramë pra, në Gjirokastër. Te pazari i këtij qyteti, për pak sa nuk u përballëm,
me një shumë të afërm të hasmit tonë. Dhe kujtuam se ai na kishte ndjekur erë
më erë.
Ngarkuam
përsëri mushkat dhe iu përvodhëm atij. Unë
isha trembë- dhjetë vjeç. Vëllai im më I madh, tetëmbëdhjetë. Nanën e kishte
vënë përfund hidhërimi i braktisjes së Kullës.
Disa
bashkëfshatarët tanë na ndihmuan të gjenim punë e kasolle, në pyjet e Janinës.
-Çfarë
pune bënit?
-
Prisnim lëndë me 'ta në mal dhe i zbrisnim poshtë nëpërmjet disa ulluqeve, si
edhe me mushka në raste të veçanta.
Në
fushë, të tjerë njerëz merreshin me
sharrimin e dërrasës.
Vëllai
vazhdonte shkollën dhe punonte roje nate në kapanonët e sharrave. Unë me shokë
të tjerë, bashkëmoshatarë, merreshim me stivimin e dërrasave. Kur binte shi,
burrat hynin në klub e ia kërcimin tavllës. Kurse ne, luanim sylla-mbylla.
Një
ditë, m'u shkrep t'u tregoja shokëve një nga ato lojëra që bënim në malet tona.
Mora një copë litar dhe u thashë të më lidhnin duart mbrapa shpine. Ata e bënë
dhe unë, për habinë e tyre i zgjidha. Në fshatin tonë, në malësi, garat i
bënim, jo kush i zgjidh. Se këtë e bënin të gjithë. Por, kush I zgjidh më
shpejt.
Kështu,
shokëve në Janinë, u pëlqeu kjo lojë dhe sa herë binte shi, ne e bënim atë.
Një
ditë, djali i mekanikut, që rregullonte motorët e disqeve, më hodhi përpara
këmbëve, një dryn të madh dyqani dhe një bravë shtëpie.
-
Po të jesh i zoti, ja se çfarë duhet të hapësh.
Shiu
pushoi dhe ne, nisëm punën. Sendet që më
kishte sjellë shoku, i fsheha dhe pas
një jave, u mora përsëri me 'to.
Më
ishte kthyer në zakon që, sa herë binte shi, unë shkoja te vëndi I fshehtë e
përpiqesha të bëja këtë detyrë. Se kështu ia kisha vënë vetes.
Qe
vjeshtë. Djali i mekanikut nuk vinte më në sharra se vazhdonte shkollën. Unë
merresha me ato brava, deri sa i hapa. Nuk mund të them nëse shoku që m'i
solli, ia kishte mbërrijtur t'i hapte, apo jo. Se ai nuk u duk më në sharra.
Atë
ditë që hapa edhe bravën e dyerve të shtëpisë, ndjehesha shumë I gëzuar. Më
dukej vetja si shpikës. Në fshatin tonë në malësi, po të prishej brava e
shtëpisë, duhet të thërrisje ustain nga qyteti e ai kërkonte shumë franga.
Por,
të mos largohemi nga shpikja ime. Unë, I bindur që s'më dëgjon kurkush, bërtisja
tek vëndi I fshehtë: - I hapa, i hapa. Por, më flakëroi një shuplakë që më
erdhi vetëtimthi.
I
burgosuri u përlot mesvedi.
-
Nga kush u godite që u preke?
-
Ishte vëllai im më i madh se unë.
-
Dhe?
-
Mbas ndonjë jave, në atë të ftohtë të janarit, im vëlla, i bukur si ai, u
rrëmbye me vajzën e një tregtari qeresteje,
që e kishte njohur në shkollë.
Ishte
27 janar, dita e emrit tim, Shën Gjoni. Që nga ajo e premte, kanë kaluar
njëzetë vjet. Vëllai im s'është bërë i gjallë mbi dh?. Dy muaj, pas ikjes së
tij, më vdiq edhe nana.
-
Po. Pastaj?
-
Megjithatë, vëllai im më la një kujtim.
-
Çfarë?
-
Shpullën e fortë sa m'u nxi dhe kocka e syrit. Koka m'u përplas pas dërrasës në
stivën tjetër.
Në
zyrë ra heshtja.
Në
paradhomën, përkundrazi dëgjoheshin shumë zëra. Mbi të tjerët, ai i një fëmije.
-
Dua t'i them dy fjalë atij zotit Shef, kërcënonte me ton të lartë, ai. Dy
fjalë, zonjush e nderuar. Dy fjalë
burrash
Shefi,
z.Virgjilakopulos, i ra ziles dhe sekretarja, që atë priste, hyri menjëherë:
-
Zoti shef! Insiston të futet brënda.
-
Cili? - pyeti i nervozuar zoti Virgjilakopulos dhe u ngrijt menjëherë në këmbë.
-
Unë! - tha një djalë i vogël, me kokën, lart, shikimin drejt e në sytë e
shefit, pa iu dridhur qerpiku. - Unë, zotni i nderuar shef.
-
Cili je ti?
-
Gjin emrin m'a thonë.
-
Po. Dhe?
-
Ai, - dhe djali, si ktheu kryet nga i ati, tha:
-
Ai, zotni i nderuar Shef, është babai im. Ai e hapi dyqanin për të marrë
çantën, e cila mbeti aty për gjysëm franga.
Të
gjithë mbetën të shtangur.
-
Mua duhet të më fusni në burg, mua. Jo babanë tim! - dhe vogëlushi kurajoz,
zgjati të dy duart përpara me kokën lart.
Zoti
Virgjilakopulos, u ul mbi ndënjëse, me
gjithë peshën e trupit të tij. Atë çast, do të donte t'a përqafonte atë djalë,
për kurajon e tij fisnike e sjelljen mëse aristokrate që kishte njohur atje, në
Londër, nga adoleshentë krenar për familjen që përfaqësonin. Por, një tjetër
ndjenjë, bënte që të plandosej në karrigen e detyrës. Atë po e befasonte kjo
sqimë krenarie nga ati tek i biri dhe e mrekullonte ky sendërtim brezash.
-
Kush të tha se e kemi futur në burg?
-
Ajo, që kam ndënjur gjithë natën me kokën përmbys se e pashë babën kur i vunë
hekurat ndër duar dhe lotët e mi s'pushonin.
-
Pse, qajnë burrat?
-
Jo, zotni. Qante shpirti e këtë nuk e ka në dorë robi. Prandaj lotët rridhnin
vetë.
-
Mirë, pra. Ja ku po t'a them. Ne e thirrëm babën tënd, të sqarrohemi dhe ai do
të kthehet te shtëpia.
-
Fjalë burrash?
-
Fjalë burrash, - përsëriti zoti Virgjilakopulos, që mezi mbante të qeshurës,
-
Faleminderës, zoti Shef e jua shpërblefsha nderën!
Djali
iu kthye të atit dhe i tha:
-
Babë! Kryej punë dhe unë të pres përjashta se kam marrë fjalën e burrit.
Bëri
të dilte, por u kujtua për diçka dhe shtoi:
-
Zoti Shef! Gati harrova. Zonjusha tek porta përbri, nuk ka faj.
-
Edhe për 'të, duhet të futesh ti në burg, ë?
-
Tani më duket se doni me bå mahi, zoti Shef. - E pranoj.
Ai
qeshi dhe e përgëzoi.
Zoti
Virgjilakopulos, i ra ziles dhe sekretarja hyri sërish.
-Të
vijë polici i burgut!
Pas
një grime në zyrë hyri gardiani, dhe mori qëndrim gatitu. Ai shprehu habi në
fytyrën e tij, kur pa mbi tryezë prangat e çkyçura, por nuk foli.
-
Keni të drejtë, por mos u çuditni për këtë që shihni. Zoti Gjon ( dhe Shefi
vuri për të parën herë fjalën zoti, përpara emrit Gjon). Zoti Gjon pra, që nga ky çast, konsiderohet i çliruar nga
çdo akuzë. Veprimi I tij, është pasojë e një gjurme të së vjetrës, që e
shpjegon mjaft qartë prokurori në shkresën e lirimit. Merrni ato hekura dhe
prisni aty ku kryen formalitetet.
Gardiani
zbatoi urdhërin. Kur u largua, Shefi I tha sekretares:
-
Më duket se në Sektorin e Antikrimit, ka një vënd, ku mund të punojë zoti Gjon,
-
T'u rrittë ndera, zotni, - foli I hutuar Gjoni dhe e la zyrën.
Në
koridor, Gjonin e priste i biri, Gjini.
-
A je i lirë, babë?
-
Pooo.
-
Qënka vërtet burrë ky Shefi juaj, iu drejtua djali vetëm shtatëvjeçar
sekretares. - E mbajtka fjalën!
-
Ashtu po duket. - ia ushqeu ajo mendimin. Veç kësaj, babait tënd i ka gjetur edhe një vend-pune.
Gjini
i vogël i hodhi sakretares një vështrim mirënjohjeje prej të rrituri dhe I tha:
-T'u
rrittë ndera, zonjush e nderuar.
Gjoni
u vu në shërbim në Sektorin e Antikrimit.
(Ju lexuat një fragment nga Romani - Trilogji:
"SFIDA E NJË PËRKTHYESI ADOLESHENT, STADI "XHA
GORJO"dhe PPRELUDI I BRAKTIRJES SË . . ., ATDHEUT").