| E merkure, 28.06.2023, 07:58 PM |
“Ndjesë” zotëri Vuçiq, na falni të “dashur vëllezër” serbë!- Pak ironi me realitetin!
Nga
Enver Bytyçi
Ndjesë
zoti Vuçiq, ndjesë ju të gjithëve, edhe atyre që janë në Hagë! Njëzet e katër
vite ju akuzuam se ju, pra shteti, ushtria, policia, presidenti,
ish-presidentët, qeveria, ish-kryeministrat, kisha dhe akademia serbe bëtë
gjenocid kundër shqiptarëve në Kosovë. Ndjesë për këtë! Ju thamë se asgjësuat
14 mijë shqiptarë. Madje ua numëruam edhe kufomat e 1432 fëmijëve shqiptarë, të
cilët thamë se i shkuat në thika e në plumb, apo i bëtë shkrumb e hi në zjarret
që ndezët në fshatrat e qytetet e Kosovës! Gati një çerek shekulli po ju
akuzojmë se dëbuat nga trojet e veta një milion shqiptarë. Ndërkohë që dhe vetë
kemi harruar se çfarë ka ndodhur me ne në atë eksod biblik! Se bota po e po!
Kemi ngrit zërin edhe për 20 mijë vajza e gra të përdhunuara, apo për 80 mijë
objekte dhe shtëpi banimi të shqiptarëve të djegura e të shkatërruara.
Na
falni zoti Vuçiq. Na falni o vëllezërit tanë serbë! Ju kemi shqetësuar shumë me
këto akuza monstruoze. Të gjitha këto kanë ndodhur. Ndoshta edhe nuk kanë
ndodhur, sepse ka jo pak prej nesh, shqiptarëve, që bëjmë thirrje t’i harrojmë
ato kohë! Megjithatë nuk zhbëhen më. Janë mijëra nëna, baballarë, vëllezër,
motra, gra, që vajtojnë ende sot pas një çerek shekulli, sepse nuk dinë ku i
kanë varret dhe eshtrat e njerëzve të tyre të dashur! Dhe ju akuzojnë ju zoti
Vuçiq e ju o vëllezërit tanë serbë për atë se ju paskeni ngarkuar kufomat e
njerëzve të masakruar në Kosovë dhe i keni shkarkuar në lumin e Danubit, për të
zhdukur gjurmët e krimit tuaj! Fake news! Ato kufoma ishin vetë fajtore që
pranuan të hypin në kamionët tuaj e të zhdukeshin në varreza masive të
fshehura. Ata njerëz të masakruar u transportuan nga Kosova në Beograd, Danub e
Sava! Megjithatë ndjesë se po ju shqetësojmë shumë me këto akuza.
Eh
sa shumë faje e krime kanë bërë shqiptarët kundër serbëve. I thanë Martinoviqit
fute shishen në prapanicë dhe gjakosu me të! S’patën mëshirë! E ndoqën Ibrahim
Rugovën në lëvizjen e fuqishme për liri, pavarësi e demokraci. Gabim! Se ju
lënduan ju! Çfarë është liria, pavarësia e demokracia para parajsës që ofronit
ju me polici, ushtri, burgje, pranga, tortura, largimin nga puna, mbylljen e
universitetit dhe shkollave shqipe, helmimin e nxënësve, vrasjen e ushtarëve
shqiptarë, me mbylljen e televizionit dhe mjeteve të informimit në gjuhën
shqipe?! Turp për shqiptarët që nuk pranuan civilizimin tuaj e të Milosheviçit
për parajsën e lartpërmendur! Nuk duhej ta bënin!
Por
ne duhet të kërkojmë ndjesë edhe për luftën e UÇK-së. Pse duhej që ajo t’i
mbronte familjet shqiptare nga vrasjet, dëbimet, djegiet, shkatërrimet,
dhunimet e ushtarëve, paramilitarëve dhe policëve serbë nën komandën e Shtabit
të Përgjithshëm të Ushtrisë?! Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhej të ulte
kurrizin dhe t’ju priste në kullat e shqiptarëve me festë masive! Ju ishit të
papamë dhe origjinalë në ato që po bënit me shqiptarët! Ishit krijues, sepse
kishit hartuar memorandume e programe pa fund për ta ushtruar detyrën tuaj
atdhetare me shqiptarët!
Në
fund të fundit ne duhet të kërkojmë ndjesë ndaj jush i dashur Sandër dhe të
dashur vëllezërit tanë serbë, sepse ju bëtë atë që donit dhe që duhej për
vendin tuaj. Jo duheni përshëndetur për guximin e madh që kishit dhe keni, për
ta vrarë fëmijët tuaj me qëllim që për këto vrasje të akuzoni shqiptarët!
(Rasti Panda). Nuk mund t’ua hamë hakun. Jeni unikë edhe në këtë aspekt!
Njerëzit e zotë si ju sajojnë rrena e mashtrojnë në emër të kombit! Madje e
kthejnë botën përmbys në histori e në aktualitet! Dhe meqenëse jeni kaq të
zotë, ne shqiptarët duhet t’ju kërkojmë ndjesë. Sepse zotësia nuk dënohet!
Por
ne duhet t’ju kërkojmë ndjesë edhe për një gjë shumë të rëndësishme. Ju nuk i
kurseni paratë për të na i blerë ne shqiptarëve liderët, analistët, gazetarët,
drejtuesit e shoqërisë civile, radiot, televizionet, port’halet, politikanët
dhe për t’i përdorur ata po kundër nesh! Ndërkaq ne e urrejmë, e godasim fort,
e izolojmë, e tallim, e përbuzim dhe e poshtërojmë atë që e do atdheun. Ne
themi se „atdhetarët janë njerëz naivë“! Budallenj d.m.th. Ju i nderoni. Ti
Sandër i dashur, p.sh, i ke dekoruar të gjithë ata që kanë kryer aktet e
mësipërme në Kosovë. Ne jo! Ne themi „Qe ky po na hiqet patriot“! Dhe e
adresojmë patriotizmin te droni që ju vetë sajuat në stadiumin tuaj, te
flamuri, te monumenti i Skënderbeut! Shkurt ngopemi me simbole!
Ndërsa
ju i përdorni simbolet jo thjesht simbolikisht. I përdorni për ta homogjenizuar
popullin serb dhe për ta mobilizuar si tani në veriun e Kosovës kundër
shqiptarëve. Ja p.sh. sot më 28 qershor sërishmi po dëshmoni atë që bënte
Milosheviçi në vitin 1989! Ndërsa ne? Ne na zgjat patriotizmi i simboleve tri
ditë, se pastaj duhet të mësohemi me skandalet qeveritare! Prandaj dhe ju
kërkojmë falje. Ndjesë që politikanët tanë i pranojnë dhuratat tuaja të
florinjta pa u menduar dy herë dhe ju dëmtojnë ju në arkën e shtetit! Ju
sakrifikoni nga taksat tuaja që t’i bëni të lumtur politikanët, analistët, mediet,
liderët tanë, të cilët në ditë të vështira kapen pas koqeve të kalit të
Skënderbeut!
Ndjesë
i dashur president i Serbisë! Ju kemi keqkuptuar kur kërkuat që për 1 serb të
vriteshin 100 myslimanë”. Ju kemi akuzuar kot kur së bashku me Shejshelin
kërkonit që liderët e Kosovës, përfshirë dhe Rugovën, të infektoheshin me
virusin e SIDA-s. Ju keqinterpretojmë kur ju kundërvihemi pse ju mbroni edhe
sot Milosheviçin dhe bëni thirrje për të marshuar me ushtri kundër Kosovës! Të
gjitha këto janë fantazma që shohim. Nuk ishit ju ata që dhunuat ushtarët e
KFOR-it, gazetarët e policët e Kosovës! Nuk jeni ju ata që u digjni makinat
serbëve që pranojnë shtetin e Kosovës! Ne ju akuzojmë kot!
Në
fund të fundit pse duhet t’ju akuzojmë ju, kur edhe kryeministri i vendit tim
përdor të njëjtën gjuhë si ju, kundër Kosovës dhe ju merr në mbrojtje edhe në
samitet euro-atlantike?! Na falni për të mirën e Kosovës! Sepse ju të dy, pra
ti dhe Rama, mendoni vetëm për të mirën e shqiptarëve e të Kosovës! E ndërsa ju
bëni gjithçka për të mirën tonë, ne ju keqkuptojmë, ju kritikojmë, ndonjëherë
edhe me revoltë! Gabim! Gabim i madh është ky!