| E marte, 27.06.2023, 09:30 PM |
Varri 80-vjeçar i Hysni Lajçit - ndërgjegjja e vrarë e Gjakovës
(Një
vrasje makabre që po zbardhet pas tetëdhjetë vjetësh. Kush ishte vrasësi dhe
pse heshtin gjakovarët?)
Nga
Gani Mehmetaj
Tetëdhjetë
vjet qëndron i vetmuar varri i Hysni Lajçit, komandantit të policisë
nacionaliste të Gjakovës. Tetëdhjetë vjet e ka mbuluar heshtja dhe
konspiracioni një qytet të tërë, ndërsa askush asnjë fjalë nuk e thotë as sot
për burrin trim, që Fadil Hoxha e tërhoqi zvarrë nga Prizreni në Landovicë.
Kush
ishte Hysni Lajçi dhe nga buron ai tërbim bishe i partizanit jugosllav Fadil
Hoxhës?
Ish
shoferi i autobusit të Kosovatransit, Sh. B. që qarkullonte nga Gjakova në
Prishtinë dhe ish- truproje e Fadil Hoxhës, i ka treguar mikut tim Gj. M.
dyzetë
vjet më parë një rrëfim rrëqethës: dhe i
ka lanë amanet që ta hidhte në letër!
“Ishte
kohë lufte. Fadil Hoxha në debatin me Hysni Lajçin, për fatin e Kosovës në Bunjaj
që të mbetej nën Jugosllavi apo të bashkohej me Shqipëri, u deklarua për
riokupim. Hysni Lajçi, komandant i policisë nacionaliste doli para partizanëve
të tjerë dhe i tha: “O Fadil Hoxha kombi nuk do ta harroj kurrë këtë tradhti”.
Gjakovën
dhe Kosovën i riokupoi ushtria jugosllave, bashkë me ta ishte edhe Fadil Hoxha.
I
vjen lajmi Fadil Hoxhës tashmë njeri i fuqishëm i pushtetit jugosllavë se Hysni
Lajçi është fshehur në Prizren. Merr me vete F. Hoxha i Gjakovës disa ushtarë,
e rrethojnë shtëpinë ku ishte Lajçi dhe kërkojnë që ai të dorëzohet.
Hysniu
doli në dritare të katit të dytë dhe ia lëshoi një zë Fadil Hoxhës. duke i
thënë : "Një Bajram Curr e ka ba nana, i dyti jam unë”.
Kur
e ngritëm kokën, ai ia shkrepi vetës një plumb në kokë.
Me
tmerroi kjo pamje. Fadil Hoxha i zemëruar pse nuk u dorëzua klithi: E vrau
vetën heu ktij nanën ia q...
Na
urdhëroi ta lidhnim kufomën me zinxhir prapa xhipit ushtarak. E tërhoqëm zvarrë
nëpër rrugët e Prizrenit deri në Landovicë. Aty na tha ta hidhnim kufomën që ta
hanin qentë. Kur e zgjidhem ia pamë shpinën: lëkura dhe mishi i kishte
rënë nga zvarritja kalldrëmit e gurëve
të rrugës. Fytyra nuk i shquhej nga pluhuri. E lutëm që të lejonte varrimin në
Gjakovë.
Pas
shumë lutjeve na tha me përbuzje: “mund ta varrosin vetëm në varret e
magjypëve”(romëve).
Ne
ushtarët e morëm të vdekurin, e varrosëm aty ku na urdhëroi komandant Fadili,
në varret e jevgjve! Shumë vjet më vonë pushteti popullor i rrënoi varret e
jevgjve dhe e ndërtoi shkollën fillore Vojo Llakiqeviç. Varri i Hysni Lajçit
mbeti i vetmuar në oborrin e asaj shkolle fillore”, tregonte shoferi i
autobusit të Kosovatransit, ish truproje e Fadil Hoxhës. Sh. B.
Atëbotë,
me tregoi miku im nuk guxoja të tregoja askund, sepse Fadil Hoxha ishte në
kreun e pushtetit jugosllav në Beograd. Por edhe kur vdiq Fadil Hoxha
gjakovarët heshtnin, askush nuk e thoshte asnjë fjalë. Madje as i biri i
shoferit të Kosovatransit nuk lejoi që të përmendej babai i tij dëshmitar
Pastaj
shkolla fillore e hoqi emrin e Voja Llakiqevic dhe e zëvendësoi me emrin e Zekerija Rexhës. Varri
i Hysni Lajçit, mbeti edhe më keq, u bë deponi plehrash, ku nxënësit e kësaj
shkolle hedhin mbeturina, dhe shpesh pshurreshin mbi varr ngase vc-ja ishte
larg në një qoshe të oborrit të shkollës!
Askush
nuk e thotë asnjë fjalë për këtë vrasje makabre.
Varri
i vetmuar, i mbuluar me plehra është ndërgjegjja e vrarë e Gjakovës: qytetarë
të dy brezave, shkrimtarë të rinj e të vjetër, intelektualë, zejtarë e
tellallë. Në vend se të ndriçonin dhe të flisnin për këtë vrasje makabre: “Ata
kërkojnë që edhe bustin t’ia vendosin Fadilit
diku ne mes të qytetit!”, me shkruan miku im Gj.M. që e ndriçoi vrasjen
e komandantit nacionalist Hysni Lajçit.
E
kuptojmë pse e heshtnin dje, (kishin frikë), por nuk e kuptojmë pse e heshtin
sot.