| E marte, 27.06.2023, 08:22 PM |
Flet
kënëgtarja e mirënjohur çame Enkelejda Alushi Arifi:
“Çamëri
nuse me halle” është një revoltë dhe protestë brenda vetes dhe jashtë për
krahinën tonë.
-Çamëria
është një nuse që s’po e gëzon nusërinë.
Gjithmonë
pengu im të vizitoj çdo cep të Çamërisë
Bisedoi: Albert Z. Zholi
Enkelejda
mund të quhet pa frikë ambasadorja më e mirë e çështjes çame. Në repertorin e
saj këngët më të shumta janë për këtë trevë dhe për këtë vend përrallor bamorët
e së cilës gjenocidi grek i largoi nga vatrat e tyre pa asnjë arsye. Kënga e
fundit e saj titullohet “Çamëri nuse me halle” që ajo e ka kënduar me
ndjeshmëri dhe pathos. Njëkohësisht një këngë hit mbetet kënga “Vaj e mall për
Çamërinë”. Një këngë që të ngjall emocion, të shtang, të mallon, të rrënqeth,
të bën të kërkosh të pamundurën. Kënga e saj është një Apel për gjithë
politikën shqiptare, për organizmat ndërkombëtarë: Ktheni sytë nga Çamëria, nga
kjo trevë perlë e bukurisë shqiptare. Ktheni vëmendjen dhe sytë, nga kjo tokë
shqiptare e lënë në harresë, ku vëllai është ndarë nga vëllai, nëna nga fëmija,
gjyshi nga nipi, motra nga vëllai në mënyrën më të padrejtë.
Ju tani keni realizuar
shumë këngë për Çamërinë, por mua më ka pëlqyer më shumë kënga “Çamëri nuse me
halle”. Çfarë doni të shprehni me këtë këngë? Po realizoni edhe një këngë
tjetër për Çamërinë?
Para
disa kohësh ne realizuam këngën e dytë, e cila titullohet: “Çamëri nuse me
halle”. Kjo këngë erdhi si një përbashkim i të gjitha këngëve që unë dhe
xhaxhai im kemi kënduar për trevën e prejardhjes sonë. Është një pogonishte
tipike çame dhe është më ndryshe nga e para, pasi ka pak revoltë dhe protestë
brenda saj. Ndërsa kënga e parë sensibilizon masën, kjo e tanishmja i gjallëron
dhe i organizon pak më shumë ata. Besoj se kemi bërë një këngë të mirë dhe
mendoj se për vetë popullaritetin ja kemi arritur qëllimit. Kjo këngë ka shumë
dhimbje, mall, imagjinatë, ëndrra, dëshira dhe kujtime bashkë. Ka një metaforë Brenda,
por dhe një revoltë, pasi Çamërinë nuse ne nuk po e shijojmë, nuk po e gëzojmë,
nuk po e sodisim cep më cep për shumë e shumë arsye absurde. Kjo nuse e bukur
ka shumë vite, që vajton. Kjo nuse prêt dhëndërrin , pra bijtë e saj të
kthehen. Një nuse që prêt me sytë nga deti për dekada me radhë dhe loti i është
ngrirë në qerpik. Një nuse që s’po e gëzon nusërinë.
Sigurisht që kaq këngë
kaq mall, tregon dhe prejardhjen tuaj nga kjo trevë përrallore shqiptare. Ju
jeni me origjinë nga Çamëria. Çfarë ju kanë treguar prindërit, kur janë larguar
nga Çamëria dhe si janë vendosur në Rrogozhinë?
Çfarë
nuk më kanë treguar. Çdo mbrëmje prindërit, të afërmit na flisnin dhe na flasin
vetëm për Çamërinë. Aq gjëra tregojnë sa jam habitur. Shumë herë pyesja veten kaq
e bukur është Çamëria? Çdo fjalë të prindërve dhe të afërmve të mi e di
përmendësh. Aq sa di për Çamërinë nuk di për asnjë krahinë tjetër. Unë di që
gjyshërit e mi janë larguar nga Çamëria kur ka ndodhur eksodi. Kanë qenë vitet
‘43-‘44. Ata janë vendosur në hyrje të Rogozhinës, ku banonin 80% vetëm me
banorë çam, dhe ajo lagje quhet lagja “Miqësia”. Ka qenë një lagje tipike çame,
ku kemi ruajtur të gjitha adetet tona, traditat, zakonet, këngët, vallet. Në
ato vite unë di që burrat e fisit të babait tim kanë ardhur më përpara në
Shqipëri, sepse i merrnin ushtar me zor, ata nuk donin të ishin në shërbimin
ushtarak të Greqisë. Gjyshi im ka qenë nga një fshat afër Filatit edhe gjyshja
që është ende gjallë është edhe ajo nga një fshat afër Filatit, që quhet Vorsela.
Këto dy fshatra i ndante vetëm një lum. Ka shumë histori që më kanë thënë, por
ajo që mua më ka ngelur në kokë është kur gjyshja ime ishte e vogël dhe
tregonte se kur shkonim në shkollë na mësonin me zor greqisht. Ne,- tregonte
ajo, në shtëpi flisnim shqipe të pastër, por në shkollë mësuesit kanë qenë aq
të rreptë sa na mësonin me zor greqishten. Mësuesit po të dinin se nxënësit
mësonin gjuhë tjetër përveç greqishtes i dënonin shumë rreptë. Gjyshja ime ka
pasur flokë të gjatë dhe i ka pasur me tre gërsheta të gjata. Mësuesja i thotë
se duhet t’i presësh leshërat. Nëna e saj nuk ia ka prerë dhe kur shkoi në
shkollë mësuesja ia preu të tria gërshetat. Kur ia kanë prerë flokët në shkollë
ajo ka ikur nga shkolla dhe ka shkuar në shtëpi duke qarë. Grekët kanë dashur
jo vetëm të zhduknin gjuhën, por edhe zakonet dhe traditat. Këtë histori
gjyshja ime ma ka treguar kur lidhte gërshetat e mia kur unë kam qenë e vogël.
Gjyshi im Ramiu që tani ka disa vjet që ka vdekur ka kënduar shumë bukur.
Këndonte për Çamërinë. Këtë ndoshta e kemi trashëguar unë dhe xhaxhai im.
Gjyshi im për një kohë të gjatë ka lënduar në shtrat, ku humbi të dëgjuarit dhe
të parit, por ai vazhdimisht këndonte. Ai këndonte ato këngë çame aq të bukura,
ku mund të veçoj një këngë ku tregonte për Çamërinë kur një pjesë shkoi në
Turqi, një pjesë në Shqipëri dhe një pjesë tjetër humbën fare dhe nuk i dihet
më filli i tyre. Unë fjalët e këngës nuk i kujtoj dot se kam qenë shumë e
vogël, por kujtoj lotët, që i dilnin dhe zërin, që i dridhej gjyshit tim.
Këngën “Vaj dhe dhe mall
për Çamërinë” kë ka kompozitor, autor teksti dhe kush ju ka ftuar për ta
kënduar këtë këngë?
Unë
dhe xhaxhai im kemi bërë disa këngë, secili për hesap të vet. Një ditë kur po
pinim një kafe në Durrës tek Vollga na lindi ideja të bënim një këngë bashkë.
Diskutuam se Edi Balili bën shumë këngë të bukura, por jo të jugut të trevës
sonë, por të Shqipërisë së mesme. Vendosëm të kontaktonim me Edin. I themi se
duam të bëjmë diçka të bukur bashkë, por e duam të trevës sonë. Ai na tha se
unë kam shumë përvojë për këngët e jugut, por na tha ta diskutojmë. Meqenëse
çështja Çame është problem i ditës menduam të bënim ndonjë baladë të
mallëngjyer apo të gëzuar. Vendosëm të bënim një baladë për të sensibilizuar të
gjithë masën, ku njerëzit të ndjejnë atë dramën e madhe të ndarjes çame. Në atë
kohë janë ndarë familje të tëra nga njëri-tjetri. Duke qenë se, ne jemi xhaxha
dhe mbesë vendosëm që në këngë të luanim rolin motër e vëlla. Mendimi i kësaj
drame familjare ishte e Jorgo Papingjit. Ka qenë një periudhë e gjatë 6-7 muaj
që ne rrinin në kontakt të katër me telefon. Mbas shumë bisedimeve na vjen
Jorgo me temën e trajtuar dhe me tekstin e shkruar që më pas Edi hodhi notat e
para në pentagram.
Kur filloi të realizohej
për herë të parë kjo këngë?
Ka
qenë fundi i nëntorit dhe fillimi i dhjetorit të vitit 2006, ku klipi nuk ishte
bërë akoma. Kënga është anonçuar në Radio Televizionionin e Kosovës në
programin e Vitit të Ri. Kur ne sollëm diskun për ta dëgjuar të inçizuar (në
sallën e RTK), të gjithë artistët, që rrinin për të inçizuar pjesët e veta, atë
natë u shtangën. Pas dëgjimit të parë, të pranishmit kishin shumë dëshirë që ta
dëgjonin sërishmi. Kënga u përsërit 2-3 herë, ku për pjesmarrësit e atij niveli
nuk ishte e zakonshme. Kur flitet që u prekën artistët çfarë mund të thuash për
dëgjuesin e thjeshtë kur nga ana artistike do të ishin shumë të virgjër? Dhe e dyta
ishte në Radion 21, ku shumë artistë na uruan dhe na jepnin komplimente. Kjo
ishte një këngë çame dhe ne ishim të sigurtë që komuniteti çam këtë këngë do ta
përpinte menjëherë, por nuk ishim të sigurtë se si do ta priste këtë këngë
Shqipëria e Mesme dhe aq më tepër Kosova.
Vaj e mall për Çamërinë
Gjyshi
im më kish’ thënë/ Se kur
jemi ndarë/ Atje ke vëllanë/ Që kurrë nuk e ke parë/ Shumë kohë u mendova/ Ç’ka u bë sahati/ Vajta të takoja/ Vëllanë nga
Filati/ O moj nuse e bukur/ Ç’të solli kësaj ane /Kështu në të dukur,/ Më
dukesh si çame/ Kur të shoh kështu moj xhane/ Me jelek e çitjane/ Borzilok e
manxurane/ Çame e kaluar çame.
Si u ndjetë në atë
moment në ambjentet e RTV-së?
U
ndjeva shumë mirë. Që kur bëhej realizimi ne e pamë nga ana teknike, zëri etj.
Ishte një këngë që dallonte totalisht nga të tjerët. Ishte një mbresë shumë e
madhe kur shikoje reagimin e të tjerëve. Reagimet ishin nga më të ndryshmet dhe
reagimet na bënin që të ndjeheshim mirë.
Me kë e keni realizuar
këtë këngë?
Është
i njëjti autor, i njëjti staf.
A ke ndonjë peng në
jetë?
Kam,
por nuk mund të them se është peng. Kjo
është një ëndërr që pres të realizohet. Dua të shkoj në vendlindjen e gjyshërve
të mi. Sepse edhe prindërit e mi akoma
nuk kanë arritur të shikojnë vendlindjen
e prindërve të tyre. Shpresoj që do të jetë një ëndërr që do të realizohet
shpejt.