| E hene, 26.06.2023, 07:50 PM |
NJË LIBËR PËR BAKRIN NË NJËQIND VJET
DHE
NJË PROPOZIM PËR TË SOTMEN
NGA
NDUE DEDAJ
Mirdita,
në shekullin XX, u bë kryefjala e industrisë së bakrit në Shqipëri, me kërkimet
e para në vitet ’20, themelet në vitet ‘30-’40 (Rubiku dhe Derveni), teksa
vitet ’50 sjellin miniera të reja si Kurbneshi e Spaçi, vitet ’60 uzinat dhe
fabrikat e bakrit, për të kulmuar në vitet ‘70-’80 një industri e konsoliduar,
natyrisht me problemet e një vendi të mbyllur që ecen me “forcat e veta”.
Ndërkohë me vitet 90 nis teposhtja dhe rrënimi i kësaj industrie, çka shënon
fundin në vitet 2000, ku shekulli XXI mbeti “kacavarur” vetëm në ndonjë minierë
si Spaçi, që shfrytëzohet nga një kompani turke, ndonëse Munella rezulton të
jetë një hambar i begatë i nëntokës sonë. Por me sa duket nga shfrytëzimi jo
korrekt i këtij vendburimi, më shumë në interes të kompanive të huaja,
popullsia e zonës dhe shteti shqiptar nuk përfitojnë atë që duhet në kushtet e
një partneriteti serioz.
Këtë
rrugëtim shekullor trajton libri “Bakri dhe Mirdita në njëqind vjet”, që nuk
mund të mos ishte i vëllimshëm, por sidomos i larmishëm për nga prurja, vepër e
Ing. Nikollë Gegës, njëherësh Ekonomist, njërit nga profesionistët e spikatur
të industrisë së bakrit në Mirditë dhe në shkallë vendi. Për shumë vite
drejtues teknik i Metalurgjisë, kryeinxhinier i Uzinës së Bakrit Rubik dhe
ekspert i fushës, që e ka ndjekur ecurinë, dinamikën dhe “fatin” e bakrit në
kohën e artë të tij dhe në rënien shkatërrimtare në tranzicion, duke qenë
përherë një zë i fortë për të gjetur rrugëzgjidhje në kushtet e ekonomisë së
tregut për këtë metal kaq të vlefshëm. Në këtë kuptim, libri është sa teknik,
problemor dhe historik. Është shkruar me lapsin e mprehtë të inxhinierit
metalurg, shqetësimin qytetar dhe profesional të specialistit për mosbraktisjen
e kësaj industrie, që u la të shkonte në rrënim; po aq i shkruar me zemër, si
njëri nga atë njerëz që kaloi plot një gjysmë shekulli nëpër stacionet e kësaj
industrie, jo vetëm në Mirditë, por dhe në Tiranë si specialist dhe përgjegjës
sektori në Ministrinë e Industrisë dhe Energjitikës, pa lënë mënjanë
pjesëmarrjen në ekipe apo grupe pune në minierat, fabrikat dhe uzinat e tjera
të vendit, si dhe jashtë shtetit.
Si
rrallë ndonjë autor tjetër, Nikollë Gega, jo vetëm i trajton me kompetencë e
përgjegjësi çështjet që lidhën me këtë industri, sidomos atë të shkritrjes dhe
rafinimit, por dhe në mënyrë të paanashme, duke qenë kritik me të gjitha
qeveritë, pavarësisht kahjes politike të tyre. Parashtrimi, analiza dhe sinteza
janë metodat e tij të punës studimore, duke u përpjekur t’i japë librit natyrë
shterruese. Ky libër në vetvete është një lloj “polimetali”, që i prek të gjitha
anët që kanë të bëjnë me bakrin, si mineral, si metal, si produkt industrial,
si pasuri ekonomike e kombëtare, por dhe si përspektivë e mundshme.
Bakri,
një madem “popullor”, veçanërisht në Mirditë, në 13 miniera e vendburime, në dy
uzina e tre fabrika, por dhe në Pukë, Fushë-Arrës, Kukës, Has, Laç, Shkodër,
Korçë etj. Nga libri mësojmë se në prodhimin e përgjithshëm industrial në
shkallë vendi, Mirdita për tridhjetë vjet (1960 – 1990) radhitej në dhjetë
rrethet kryesore të vendit, krahas Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit,
Fierit, Korçës, Vlorës etj., ku bakri kishte peshën kryesore, krahas lëndës
drusore. Përbën ngjarje prodhimi i kallepit të parë të arit në Rubik, në vitin
1966, ku prodhimi më i madh u arrit në vitin 1979, me 142 kg ar, krahas argjendit,
selenit e tij.
Minierat
e Mirditës në vitet ’70 të shekullit të kaluar po shtoheshin vrullshëm, ndaj
kërkohej një numër i madh specialistësh të gjeologjisë, shpimit, minierave,
pasurimit, kimisë, shkrirjes dhe përpunimit të bakrit. Në këtë kohë gjimnazi i
Rrëshenit dhe Teknikumi i Rubikut u bënë ndër furnizuesit kryesorë të
universitetit të Tiranës me studentë të këtyre degëve, që vinin pas një brezi
të parë inxhnierësh, si Frrok Pjetër Gega e Pjetër Tarazhi, që kishin studiuar
në Moskë, apo Mark Ndoci në Tiranë.
Njëri
nga inxhinierët e rinj të asaj kohe ishte dhe Nikollë Gega, që gjithë jetën ia
kushtoi bakrit, ndaj dhe libri i tij është nga më të plotit e interesantët për
këtë industri dhe njerëzit e saj të sprovuar, që nga Zef Boriçi, Sulo Klosi, Xhavit
Hatibi, Zef Gera, Hajredin Kumbaro, Vasil Pashko, Vasil Terpo, Gjon Zogu, Pal
Mark Deda, Todo Manço, Franko Krroqi, Dod Tusha, Frrok Kaçorri (heroi që ra në
minierë), Devi Radhima, Nexhmedin Lohja, Ibrahim Bumçi, Refik Bulaj, Lirim
Hoxha, Ded Kolndreu, Dod Shtjefanaku, Viktor Doda, Marie Koçi, Kristina Gjeçi,
Robert Zonja, Frederik Përdoçi, Ndue Kanari, inxhinieri që bëri karrierë si
studiues në Francë etj., krahas drejtuesve, specialistëve dhe mjeshtrave në
ndërmarrjet gjeologjike, minerare e metalurgjike në Pukë, Kukës, Shkodër dhe
Laç, të përmendur në këtë monografi. Në bakrin e Mirditës, kontribut kanë dhënë
dhe specialistë të huaj, austriakë, italianë, rus, kinez, kanadez, turq,
francez etj.
Një
nga identitetet e Mirditës qe dhe bakri. Ne u rritem nëpër udhët e tij të
dyfishta, të mbidheshme e të nëndheshme, rasti e solli të punonim në sonda etj.
Ruaj nga fëmijëria një mbresë të çuditshme për heronjtë e kohës, në njërën anë
pamja e hijshme e muskuloze të tyre, që na vinte përmes grafikës së propagandës
dhe, nga ana tjetër, ata heronjtë e vërtetë që shihja përditë duke shkuar në
punë, minatorët, tejet të lodhur, që nuk i shpëtuan silikozës. Një varg
punëtorësh vinte çdo mëngjes shtigjeve e tërthoreve për në minierën e
Qafë-Vorrëzit (Kaçinarit) dhe po ai vargan kthehej mbasdite vonë, apo në
mesnatë, pas turnit të dytë, andej nga kishte ardhur. Në vitet e para pas
çlirimit ata kapërcenin katundet e epra për në Rubik, që ishte kthyer në një
nga qendrat e para të punëtorisë shqiptare. Pjesë e armatës së bakrit ishin dhe
ata, heronjtë e padukshëm të kësaj toke dhe nëntokës së saj, për të cilët nuk
flitej, nuk dilnin në televizor, të dënuarit politik të regjimit, që shteti
shqiptar i kishte kthyer në minatorë të detyruar të Spaçit e Qafë - Barit, edhe
pse ishin klerikë, artistë, mjekë, inxhinierë, akademikë, ushtarakë etj.
Prandaj libri është një homazh dhe për atë punëtori të palirí, që cfilitej
galerive pa të drejtën për të qenë të paguar dhe të shpërblyer për punën që
bënin.
Ing.
Nikollë Gega beson se bakri në Shqipëri jo vetëm nuk ka shtërruar, por
ekzistojnë mundësi të rikthimit të kësaj industrie, në kushte të reja,
natyrisht duke kërkuar investitorë strategjik që realizojnë zinxhirin përpunues
në metalurgji, ku si hap i parë sugjerohet riaktivizimi për riciklimin e
mbetjeve të bakrit, bronzit, tunxhit, së bashku me ato elektronike, në Uzinën e
Rafinimit të Bakrit Rubik, në sinkron me Uzinën e Telave Shkodër. Minerali
është nëntokë, por qeveritë mbi tokë nuk e bëjnë dot pronë dhe mirëqenie të
shqiptarëve, ku, ndonëse nga specialistët sillen argumente, shifra, përvoja nga
vendet e tjera të zhvilluara rreth rivitalizimit të industrisë së bakrit, zëri
i tyre nuk dëgjohet nga shteti, që bën shurdhin e madh prej tre dekadash, kur
ekonomia e mineraleve duhej të lulëzonte në vendin tonë dhe jo t’i dorëzohej
informalitetit. Autori na rrëfen se nuk kanë munguar ofertat nga kompani
serioze të huaja, si në vitet 80-të, ashtu dhe gjatë tranzicionit, por nuk janë
vlerësuar sa duhet, duke u lënë mënjanë nga institucionet tona vendimarrëse.
Në
këtë qasje, libri “Bakri dhe Mirdita në njëqind vjet”, sa ç’është histori e
largët dhe e afërt e bakrit, është dhe një “dosje” e qepur mirë me të dhëna të
shumta krahasimore, rezervash gjeologjike dhe minerare, argumente dhe propozime
konkrete për rivitalizimin e kësaj industrie. Autori duke na njohur me përvojën
e vendeve të ndryshme të botës dhe sidomos atyre të rajonit tonë, na bind se
bakri nuk është i tejkaluar për qytetërimin dhe ekonominë bashkëkohore,
përkundrazi, një metal mjaft i kërkuar. Fakti që kohët e fundit kompania
minerare “TETE Albania” që shfrytëzon prej vitesh vendburimin e bakrit në Spaç
është deklaruar për nisjen e punimeve të kërkim zbulimit e shfrytëzimit dhe në
katër zona të tjera minerare në rajonin e Mirditës, si Perlat, Gurth 1 etj.,
tregon pikërisht këtë.