| E diele, 25.06.2023, 07:19 PM |
STUDIUESI MË I TALENTUAR I LETRSISË SHQIPTARE
(Kujtime
për studiuesin Akad. Prof. Rexhep Qosja,
kompletuar
me rastin e 87-vjetorit te lindjes)
Nga
Thanas L. Gjika
Në formimin tim si studiues i letërsisë shqiptare një rol të
veçantë ka luajtur krijimtaria shkencore e studiuesit poliedrik Prof. Rexhep
Qosja. Me veprat e tij ai ka ndikuar edhe në formimin e shumë studiuesve të
tjerë, por unë do të tregoj si e njoha atë si person dhe si krijimtari
shkencore.
Edukata fetare që kisha marrë në
familje më nxiste që të ndjeja respekt e dashuri për rilindasit tanë, njerëz
idealistë që kishin shkrirë jetën dhe pasurinë për të mirën e popullit tonë.
Kjo ishte një nga arsyet pse unë ndjehesha i pakënaqur gjatë viteve 1966-1969
kur, pas mbarimit të fakultetit, punoja si redaktor e gazetar në “Radio
Tirana”. Kërkova disa herë të transferohesha tek “Instituti i Historisë dhe i
Gjuhësisë”, derisa u realizua ky transferim. Godina e Radio Tiranës ishte e re
moderne me ngrohje qendrore. Muret e tavanet e zyrave e të korridoreve ishin të
patinuar me hidromat, dyshemtë të shtruara me parket, dritaret e mëdha por mua
nuk më hynin në sy. Më pëlqente t'i kushtoja jetën studimit të jetës e të
veprës së rilindasve tanë, gjë që e realizova kur fillova punën në Sektorin e
Letërsisë të “Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë” në janar të vitit 1970.
Njohja nga larg dhe afër me
studiuesin Rexhep Qosja.
Kishin kaluar vetëm disa muaj, kur
erdhi në Shqipëri studjuesi i parë nga Kosova. E quanin Rexhep Qosja. Drejtoria
e institutit caktoi studjuesin Jorgo Bulo, kolegun më të vjetër të sektorit të
letërsisë, për ta shoqëruar gjatë punës në Bibliotekën Kombëtare, në Arkivin e
Shtetit, si dhe në bibliotekën dhe arkivin e institutit tonë. Pikërisht në një
nga ato ditë, kur shkova te salla e bibliotekës së institutit pata rastin ta
shikoja nga afër studjuesin që kishte ardhur nga Kosova. Rexhepit i kishin vënë mbi një tavolinë një grumbull me libra, dhuratë prej
Bibliotekës së Institutit për t'i marrë me vete. Unë hyra në atë sallë
rastësisht për të marrë ndonjë revistë ose libër. E pashë me kërshëri. Për mua
emri dhe fytyra e Rexhep Qosjes (si dhe e çiftit simpatik Ekrem dhe Resmie
Kryeziu, e këngëtares së famshme Nexhmie Pagarusha, etj) nuk ishin te
panjohura, sepse im vëlla, regjisori Viktor Gjika, në apartamentin e të cilit
unë banoja në atë kohë, më kishte treguar shumë foto dhe mbresa nga “Java e
filmit shqiptar” që ishte organizuar në Prishtinë në datat 22-28 mars të atij
viti. Studiuesi Qosja i kishte lënë tim vëllai përshtypjen e një intelektuali
erudit. Gjatë bisedave të tij për filmat dhe letërsinë shqiptare, ai e kishte
mahnitur Viktorin me mendimet e tij për romanin “Kështjella” të Kadaresë, etj.
Në fund të bisedave, pasi kishte parë filmat shqiptarë, ai e kishte vlerësuar
Viktorin shumë lart si kineast: “Më vjen mirë që kultura shqiptare ka jo
vetëm një Ismail Kadare në letërsi, por edhe një Viktor Gjika në kinematografi”.
I pamësuar me të tilla vlerësime, Viktori i kishte thënë se kinematografia
shqiptare ishte e re dhe ishte shpejt për krahasime të tilla. Rexhepit i kishte
bërë përshtypje kjo përgjigje plot modesti dhe ishte ngritur e i kishte dhënë
dorën si shënjë respekti. Realisht Viktorit vlerësimi i studiuesit të mprehtë
Qosja do t'i shkonte plotësisht pas realizimit të filmave madhorë “Gjeneral
Gramafoni” (1978) dhe “Nëntori i Dytë” (1982), por kritika shqiptare nuk kishte
këllqe ta formulonte një mendim të tillë. Partia-shtet e kishte kthyer emrin e
Ismail Kadaresë në tabu, pranë emrit të tij mund të vendosej vetëm emri i
Dritëro Agollit, por asnjë krijues i fushave të tjera të artit shqiptar...
Do të kishte qenë një gëzim i madh për mua, sikur Jorgua, kolegu im i
zyrës, të më kishte prezantuar me studiuesin Qosja, i cili më ishte ngulitur në
mendje për vlerësimin e lartë që i kishte bërë tim vëllai. Mirëpo ai nuk mund
të mos i përmbahej porosisë që i kishin dhënë, prandaj nuk na prezantoi.
Gjatë atyre minutave të këtij takimi në distancë më bënë
përshtypje eleganca trupore dhe fytyra ovale e Rexhepit, pamje tipike e
malësorëve të Alpeve Shqiptare. Ai kishte lindur në rrëzën veriore të këtyre Alpeve, në një fshat shqiptar që i ishte dhënë
Malit të Zi më 1913. Këtë vit ai mbushte
34 vjet, por dukej më i ri. Kur fliste me
Jorgon fliste ngadalë dhe me zë të ulët.
Me kalimin e viteve pamja e tij u
burrnua, mori tipare madhështore, që të bënte për vete sapo ta shikoje. Me
pamjen e tij ky person të imponohej. Po shtoj
këtu se edhe kur u dobësua pas vdekjes së
bashkëshortes, përsëri e simpatizoja. Balli i ishte zmadhuar nga renia e
flokëve, humbja e peshës shkaktonte iluzionin sikur i ishin zmadhuar zgavrat e
syve dhe sytë sikur i ishin futur më thellë. Kur e pashë Rexhepin në një foto
me këtë pamje të dobësuar u ligështova, por u ngushëllova sepse më shembëlleu me plakun e shenjtë Jeronim De
Rada, me të cilin kishte të njëjtin shpirt
krijues dhe përkushtim atdhetar. Disa vite më vonë kur sapo i kishte mbushur 86
vjetët, si do ta tregoj më poshtë, Rexhepi e kishte marrë veten, fytyra i ishte
mbushur dhe gëzonte shëndet të mirë.
Pasi Rexhepi mbaroi ditët e vizitës së parë në Shqipëri dhe u kthye në
Prishtinë, Jorgua më sqaroi se ai kishte
ardhur për të mbledhur materiale për jetën e veprën e Asdrenit, sepse do të
hartonte një studim me të cilin do të mbronte gradë shkencore. Tek ne gradat
shkencore nuk mbroheshin, ato jepeshin me dekret nga qeveria. Regullorja e
atestimit për mbrojtjen e gradave shkencore u hartua në vitin 1974. Jogua nuk
tha asgjë lidhur me përgatitjen shkencore dhe artikujt e librat me studime që
kishte botuar Rexhepi deri atëhere. Ndoshta as ai nuk i dinte, sepse ishte e
ndaluar të mësonim e të flisnim për botimet e letërsisë shqiptare në
Jugosllavinë revizioniste.
Më vonë mora vesh se Universiteti i Prishtinës, kur Rexhepi kërkoi të
mbronte “Magistraturën”, ia kishte
marrë parasysh tre librat që kishte botuar dhe i kishte dhënë të drejtën të
mbronte menjëherë gradën “Doktor i Shkencave”. Ai kshte
shkuar për të mbledhur materiale dy herë në
Bukuresht, dy herë në Beograd, një herë në Sarajevë dhe pastaj kishte ardhur në
Shqipëri, ku mbodhi materialet e fundit.
Mbas dy vjetësh, në vjeshtë të vitit 1972, Instituti Albanologjik i Prishtinës dërgoi në bibliotekën e institutit tonë monografinë Asdreni Jeta dhe Vepra 500 faqshe.
Me të Rexhep Qosja kishte mbrojtur “Doktoratën”. Ishte një
punë madhore. U habita, jo vetëm unë me shpejtësinë e hartimit e të botimit, me
nivelin e lartë shkencor, analizat e zhdërvjellta, gjuhën e pastër e të pasur,
aparatin shkencor të sistemuar saktë, nivelin e lartë të botimit nga ana
tipografike, etj. Ishte një model për ne. Askush prej profesorëve tanë të
Tiranës nuk kishte hartuar e nuk mund të hartonte një vepër me cilësi të tilla
dhe për më tepër brenda një kohë të shkurtër prej tre vjetësh. Për hartimin e
një vepre të tillë ne do të na duheshin të paktën 8-10 vjet.
Ky studjues tregoi se përveç pasionit të madh ishte i pajisur dhe me talent të fuqishëm, formim shkencor solid dhe mendje
pjellore. Që herët atë e kishte tërhequr ideja për t'i dhënë dimensionet e
vërteta jetës dhe veprës së Asdrenit, këtij poeti të begatë por pak të
studjuar. Brenda tre vjetësh e shkroi të gjithë disertacionin e tij dhe e
botoi. Studimi monografik i Rexhep Qosjes për jetën e veprën e Asdrenit tregoi se
ne studjuesve të Tiranës na mungonin jo vetëm formimi i tij shkencor dhe
talenti, por dhe metoda e tij aq prodhimtare. Jorgo Bulua studjonte Naim
Frashërin, Klara Kodra Zef Sermben, Floresha Haxhiaj (Dado) Andon Zako Çajupin dhe unë Mihal
Gramenon. Ne ishim porositur që ta studionim jetën e veprën e autorit, që na
ishte ngarkuar, duke e studiuar të ndarë në disa kapituj e nënkapituj. Gjatë
një viti duhej të kryenim grumbullimin e materialit dhe hartimin e një
kapitulli, ose nënkapitulli. Vitin tjetër grumbullonim material e shkruanim
kapitullin / nënkapitullin tjetër, e kështu me radhë. Kjo metodë pune e zgjaste
kohën e grumbullimit e të hartimit të krejt monografisë për shumë vjet. Asnjëri
prej nesh nuk ishte dërguar e as u dërgua në vendet ku kishin jetuar e ku ishin
formuar këta autorë, objekti i studimit tonë.
Në fakt në “Fakultetin Histori Filologji” të Universitetit të Tiranës ne kishim marrë formim për të punuar si mësues të letërsisë dhe të gjuhës shqipe në shkolla 8-vjeçare dhe të mesme. Kurse formimin
shkencor po e merrnim ngadalë gjatë viteve të punës në institut duke dhënë
provime plotesuese herë pas here,
duke dëgjuar seminaret teorike prej shefave tanë
Koço Bihiku e Jorgo Bulo dhe duke diskutuar artikujt e njëri tjetrit. Pasi i
mbaronim së shkruari veprat tona procesi i mbrojtjes së
gradës shkencore vononte dhe një vit tjetër, po aq dhe aprovimi për botim dhe
procesi i botimit të tyre në shtypshkronjë. Për ne, shpejtësia e hartimit dhe e
botimit të veprës së Rexhep Qosjes, ishte një shpejtësi e paimagjinueshme.
Me studimin për Asdrenin dhe veprat e tjera madhore “Kritika Letrare”
(1969), “Vdekja më vjen prej syve të trillë” (roman
1972), “Panteoni i Rralluar” (përmbledhje studimesh (1973), “Historia
e Letërsisë Shqipe – Romantizmi” (vol. I-II 1984 dhe vol. III 1986),
“Porosia e Madhe” (monografi për jetën dhe veprën e Naim
Frashërit, 1986) dhe me disa drama, etj, Rexhepi u shfaq si personaliteti më i
shquar midis studjuesve të mbarë botës shqiptare. Ai u kthye në ikonë. Në
mendjen time zuri vendin e një Rilindësi, por të një Rilindasi të gjallë, sepse
po e njihja jo vetëm krijimtarinë e tij, por edhe pamjen fizike dhe
personalitetin.
Rexhep Qosja na mahniti me talentin e tij të rrallë si studjues dhe
shkrimtar. Shumë vepra të tija i lexonim me kënaqësi si të ishin poema. Ai u bë
profesori im i admiruar. Ndikimi i studimeve të tij vihet re tek unë edhe te
hartimi i monografisë “Mihal Grameno Jeta dhe Vepra” MILENIUM, 2012.
Leximi i veprave të tij më shërbente si një shkundje nga klishetë dhe kërkesat
standarte të shkencës zyrtare të asaj kohe. Leximi i këtyre veprave ishte një
nga kënaqësitë e mia më të mëdha, e njëjtë me
kënaqësinë që më jepte dhe leximi i veprave letrare të Ismail Kadaresë.
Kadareja dhe Qosja për mua ishin një pendë qe që lëvronin me shumë sukses,
njëri arat e letërsisë e tjetri ato të shkencës letrare. Talenti dhe formimi i
tyre i ndihmoi ata që të shfaqeshin me sukses edhe në arat e tjetrit. Kështu I.
Kadareja me studimin për origjinalitetin shqiptar të Ciklit të Kreshnikëve dhe
me studimin e krijimtarisë së Migjenit, të cilin e karakterizoi “Uragan i
ndërprerë” shpalosi aftësitë e tij edhe si eseist e studiues i letërsisë. Kurse
R. Qosja me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” tregoi se kishte talent
të fuqishëm edhe si krijues letrar.
Në vitin 1972 profesor Qosja u
emërua drejtoir i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe pas kësaj erdhi
shumë herë të tjera në Shqipëri. Unë pata rast të ulesha në një tavolinë me të te kafeneja e Pallatit të Kulturës, ku ai
zhvilloi një bisedë me profesorët Koço Bihiku e
Dhimitër Shuteriqi.
Dy profesorët tanë, K. Bihiku dhe
Dh. Shuteriqi, ngulnin këmbë se periodizimi që ata kishin bërë për letërsinë
shqipe prej Rilindjes e deri në ditët
tona, ishte një periodizim i saktë e shkencor. Ata e kishin ndarë
letërsinë tonë të shek XIX-XX në katër periudha:
“Letërsia e
Rilindjes Kombëtare, përfshinte vitet 1878 – 1912”.
“Letërsia e
pavarësisë, përfshinte vitet 1912-1939”.
“Letërsia e
Luftës Nacional-Çlirimtare, përfshinte vitet
1939-1944”.
“Letërsia e
Realizmit Socialist, shtrihej nga viti 1945 e në vijim”.
Profesor Qosja dha sqarimet e veta
duke treguar se ky periodizim ishte bërë mbi kritere historiko-politike, pra
mbi kritere jashtëletrare. Ky lloj periodizimi nuk
mbështetej në tiparet e krijimtarisë letrare, në tiparet e shkollës letrare së
cilës i përkisnin veprat më të mira të sejcilës periudhë. Ai tha shkurt disa
nga parimet metodologjike të periodizimit
dhe dha emra të rinj për çdo periudhë:
“Romantizmi”.
“Mes
romantizmit, realizmit dhe simbolizmit”.
“Letërsia sociale”.
“Realizmi
integral”.
Këto koncepte ai i shtejlloi plotësisht në veprën “Prej letërsisë
romantike deri te letërsia moderne”. Me të tillë periodizim të
letërsisë shqiptare, Profesor Qosja aplikonte në shkencën shqiptare të
letërsisë koncepte të shkencës europiane. Ky studjues aq i ri në moshë diskutoi
me kompetencë shkencore dhe i rrëzoi mendimet e dy profesorëve tanë të moshuar.
Natyrisht ata nuk e pranuan konceptin e tij, sepse në mendësinë e tyre sundonte politizimi. Sipas tyre periodizimi i
zhvillimit të letërsisë nuk mund të bëhej ndryshe nga periodizimi i etapave të
historisë së popullit tonë. Pra ata linin jashtë faktorët e brendshëm të
ecurisë së procesit letrar.
Më vonë pata kënaqësinë të shkruaja një recension për përmbledhjen me studime të këtij
kolosi që u botua në Tiranë. Ai recension u botua te revista “Studime
Filologjike”. Simpatia ime për Rexhep Qosjen u rrit edhe më mbasi lexova veprat
“Fjalori demokratik” dhe “Popull i ndaluar” si dhe disa
shkrime me përmbajtje politike e shoqërore, ku ai ka shpalosur më gjerë e më
hapur fizionominë e një qytetari të shqetësuar që
nuk arratiset nga aktualiteti, por lufton guximshëm. Ai është shprehur shpesh për çështjen kombëtare shqiptare dhe për gabimet e proceseve demokratike në Shqipëri.
Në fillimet e lëvizjes demokratike tek ne, të rinjtë, duke pasur konsideratë të lartë për të dhe për Ismail Kadarenë,
dolën me fotografitë e tyre nëpër rrugë të disa qyteteve, për të kërkuar që të tillë
personalitete të viheshin në krye të kësaj lëvizjeje. Unë, pasi u botua numëri
i parë i gazetës “Rilindja Demokratike”, shkova te Frok Çupi, kryeredaktor
i saj dhe i sugjerova që t'i kërkonte këta dy intelektualë të ftoheshin për të
ardhur në Tiranë për të mbajtur leksione e biseda mbi demokracinë. I dorëzova
dhe një artikull ku sqaroja pse u bëra anëtar i PD-së. Artikulli im nuk u botua
dhe as Ismaili e Rexhepi nuk u ftuan në Shqipëri. Mesa dukej, njerëzit që do të
jepnin ndihmesën e tyre për zhvillimin e proceseve demokratike në Shqipëri
ishin paracaktuar. Unë, jo e jo, por as I. Kadareja dhe R. Qosja nuk bënin
pjesë në grupin e njerëzve që mund të jepnin ndihmesën e tyre në ecurinë e
proceseve demokratike. Ai grup ishte caktuar nga Ramiz Alia...
Në muajt e parë të vitit 1991 me sugjerimin e disa politologëve europianë u
hodh mendimi që populli shqiptar i Shqipërisë, si popull i vogël e me problemin
kombëtar të pazgjidhur ende, duhej të ecte në proceset për demoktratizimin e
vet në rrugë paqësore, pa shkaktuar hakmarrje e viktima. Për këtë arsye duhej
zhvilluar procesi i pajtimit kombëtar midis forcave politike.
Me dëshirën e mirë për të ndikuar në ecurinë e proceseve demokratike e të pajtimit kombëtar, erdhi nga Kosova dhe profesor Qosja. Mendimet e tij u mirëpritën prej drejtuesve të mjaft partive e shoqatave politike.
Përjashtim bënë Shoqata e të Përndjekurve Politikë, Partia
Demokratike që drejtohej prej Sali Barishës dhe Partia Republikane, që
drejtohej prej Sabri Godos. Sali Berisha ish-komunist prej 20 vjetësh dhe Sabri
Godo ish-oficer i Sigurimit të shtetit që nga viti 1947 (si e ka pranuar vetë),
ishin futur në lëvizjen demokratike prej Ramiz Alisë, por kjo gjë u mësua shumë
vonë. Ata i urrenin demokratët e vërtetë dhe i mbanin sa më larg.
Sali Berisha nxiti Bujar Hoxhën, ndihmësin e tij, një ish-sigurims, që të
shpifte ndaj profesor Qosjes gjëra të paqena. Kundër këtyte shpifjeve doli në
shtypin e kohës Jorgo Bulua, kurse ne të tjerët heshtëm. Na kishte rrëmbyer
entusiazmi i antikomunizmit dhe ishim trullosur prej propagandës zhurmëmadhe të Partisë Demokratike...
Sigurimi i shtetit gjatë diktaturës, duke
luajtur rolin e shpatës së mprehtë të partisë-shtet
kishte lënduar e plagosur, dikë më shumë e
dikë më pak, mbi 75 përqind të familjeve. Prandaj mund të pranohej vetëm mendimi i Shoqatës së të Përndjekurve
Politikë që kërkonte në ato momente “Para se të kalohej te pajtimi kombëtar duhej të dënoheshin bëmat vrastare të diktaturës
komuniste, duke dënuar kupolën drejtuese të PPSH-së dhe duke
përjashtuar nga radhët e deputetëve socialistë ata që kishin pasur funksione gjatë diktaturës”.
Sejcili duhej të kryente katarsën e tij, për t'u shpëlarë nga gabimet e
krimet. Mirëpo shkrimtarët
tanë të realizmit socialist dhanë një shembull të keq duke mos i kritikuar
veprat dhe bëmat e tyre të kohës së diktaturës, madje ata vijuan t'i mburrnin
ato. Vetëm I. Kadareja pati guximin ta pranonte se
kishte qenë “poet i oborrit” dhe e filloi shumë mbarë katarsën e vet tek skica
“Prometeu” që e ribotoi të ripunuar më 1992 ku shtoi pjesën 'Prometeu
i Pajtuar me Zeusin', por nuk e shpuri më tej këtë hap. Kurse Sali Berisha e Sabri Godo e konsideruan veten të larë, të rinovuar me kapërcimin brenda natës nga
ish-komunist e ish-sigurims në demokrat. Katarsa nuk mund të bëhej prej
njerëzve të pandershëm, që lakmomin mbi gjithëçka pushtetin politik. Për të mos
u larguar nga postet e tyre drejtuese, këta dy politikanë, nxitën përçarjen dhe
jo pajtimin kombëtar. Bënë sikur dënuan kupolën e PKSH-së me disa vjet burg jo
për krimet, po për kafet e për disa shpërdorime paresh dhe e futën popullin në
një qorrsokak.
Politika e tyre për ta ndarë popullin në dy gjysma armiqësore dhe vendosja
e shumë kuadrove të paaftë në poste drejtuese, vetëm se ishin besnikë të
pastisë së tyre, më kthjelloi e më nxiti të dal nga PD-ja që në fillim të vitit
1994.
Lidhur me problemin kombëtar atdhetari Rexhep Qosja ka shprehur vijimisht
me guxim mendimet e tij shumë të vlefshme. Ai është shprehur qartë e pa frikë, se zgjidhja
më e mirë e problemit të Kosovës është bashkimi i saj me shtetin mëmë. Si
askush ai ka fshikulluar gabimet e qeveritarëve të Shqipërisë e të Kosovës së pavarur.
Ky akademik me punën dhe veprat e
tij madhore shkencore e letrare, si ka saktësuar studjuesi Sadri Fetiu, “përballoi
sfidat e dy dogmave të rrezikshme: ideologjinë antishqiptare të titizmit
jugosllav dhe skematizmin dogmatik, realizmin socialist, që e karakterizonte
letërsinë dhe artet në Shqipëri” (Nga “Fjala e Hapjes” në
sesionin shkencor kushtuar jetës e veprës së Rexhep Qosjes në 70-vjetorin e
lindjes).
Në vitin 2006 shkova në Kosovë me
gjithë bashkëshorten time, poeten Julia, për të vënë lule te varri i të
paharrueshmit Ibrahim Rugova dhe tek Jasharajt. Shkuam me taksi nga rruga e
vjetër e dëmtuar e plot dredha. Dolëm në Prizren, pastaj kaluam në Gjakovë e
ndalëm në Pejë, ku bujtëm te shtëpia e Z. Aziz Berisha, vëllai i mikeshës së
Julias, mësueses Zymë Berisha.
Të nesërmen në bisedë me disa pejanë
unë hodha mendimin se Prof. Rexhep Qosja është një
intelekrual i shquar dhe do të ishte mbrekulli sikur ai të zgjidhej president i
Kosovës. Mirëpo një burrë i ri në moshë, i martuar e baba i tre fëmijëve,
nxitoi të thoshte:
-Nuk mund t'ia japësh qeverisjen e shtëpisë një të huaji.
I çuditur shtova:
-Po Rexhepi është bir i Kosovës.
Këtu e kreu gjimnazin, fakultetin, këtu ka më se dyzet vjet që jeton e punon.
-Jo, m'u përgjigj ai, ti e
di që ai është nga Vuthaj i Malit të Zi.
-Po shqiptarët e Rugovës me ata
të Vuthajt, Plavës e Gucisë nuk kanë asnjë ndryshim, theksova unë. Pastaj
çdo shqiptar mund të qeverisë
Shqipërinë ose Kosovën, mjafton të jetë atdhetar i mirë e të ketë program të
qartë demokratik. Fan Noli kishte lindur në Ibrik Tepe të Turqisë dhe populli
shqiptar e mirëpriti më 1924 si kryeministër.
- Kemi boll burra të mençur të Kosovës, ma preu
shkurt folësi.
Nuk e zgjata më, por kur shkuam në Prishtinë mësova se Rexhep Qosja kishte mjaft
kundërshtarë, sepse ai kishte guxuar ta kritikonte Ibrahim Rugovën për disa
veprime, që nuk i kishin pëlqyer. Në Kosovën e sapocliruar nuk ishte ngjizuar
ende mendimi pluralist, kërkohej vetëm bindje ndaj mendimeve që shprehte
Presidenti Rugova. Edhe atje klanet e ndryshme kishin filluar të luftonin për
pushtet, duke i mbajtur larg intelektualët e shquar, njësoj si në Shqipëri. Nuk
dij çfarë emri t'i vë mosrespektimit që i
bën shteti dhe populli i Kosovës një studjuesi dhe shkrimtari të talentuar,
njeriut që ka shkruar e botuar një bibiotekë me vepra madhore e të shumanshme, kur çdo popull e çdo shtet i botës do ta
kishte për nder ta kishte një Rexhep Qosje!
Rexhep Qosja është njeri dhe si
njeri edhe ai është i gabueshëm, por për hir të kontributit aq të madh që ka
dhënë në shkencat albanologjike, në letërsinë shqipe dhe në mendësinë shqiptare, nuk ka gabim që nuk i falet.
Mbi polemikën e R. Qosjes me I. Kadarenë mbi identitetin e
popullit tonë.
Më kishte lënë një shije të hidhur
polemika midis Rexhep Qosjes dhe Ismail Kadaresë lidhur me identitetin e kombit
tonë. Polemika kishte kaluar, sidomos prej Kadaresë, nga analizat shkencore për problemin, në kritika e grindje. Ky
kalim i diskutimit në grindje e zbehu simpatinë time për të dy. Desha ta takoja
patjetër profesor Qosjen gjatë vizitës që bëra në Kosovë në vitin 2010. Takimin
ma mundësoi z. Abdyl Kadolli, në zyrën e profesorit brenda “Institutit
Albanologjik”, ku ai vijonte të punonte.
Mbasi u përshëndetëm, ai më shprehu
ngushëllimet e tij për vdekjen e tim vëllai, Viktorit, të cilin e quajti “miku
im i mirë të cilin e kam çmuar dhe e çmoj shumë”. Biseda
filloi për studimet shkencore. Më tej i shpreha hidhërimin tim për polemikën
midis tij dhe Kadaresë.
- “Ju të dy jeni Nderi i
Kombit, por teprimet e kësaj polemike nuk ju nderojnë”, guxova dhe i
thashë me drojtje.
- “Nuk jam i lumtur për polemikën
që kam kryer me mikun tim të dikurshëm, Ismail Kadarenë”, filloi ai dhe
vijoi: “Po si të mos e kritikoj Ismailin. Ai ka shkruar ashtu si ka dashur
Enveri. Kur Enveri u nda prej Titos dhe e shau Titon, Ismaili po ashtu e shau Titon;
kur Enveri u lidh me Stalinin ai e lëvdoi Stalinin, e kështu me radhë. Tani po
hiqet si kundërshtar i regjimit të Enverit, si i përndjekur prej tij. Po e
përmirëson dhe zbukuron jetëshkrimin e vet të asaj kohe. Unë nuk e feva
Ismailin, ai më feu mua. Këto i bën një njeri pa karakter...”
Kuptova
se profesor Qosja ndjehej ende i lënduar dhe se nuk i kishte dalë ende inati. U
ngrita dhe, para se të ndaheshim iu luta z. Kadolli të na bënte një foto, të
cilën e ruaj si kujtim. Kështu u ndava prej tij duke menduar se kur ta takoj
përsëri do të dëgjoj prej tij vlerësime për Kadarenë të njëjta, si shkruante
dikur.
Mbas disa muajsh dëgjova se Akademiku Rexhep Qosja kishte dhënë disa
sinjale për afrim e pajtim me Ismail Kadarenë, fakt që më gëzoi sepse tregonte
se ai ishte kthyer në pozitat e veta të një “Intelektuali te shquar”, si e dëshmon vepra e tij.
Shqipëria ka vetëm humbje nga
grindjet e bijve të saj të shquar. Ecja e tyre së bashku dhe zhvillimi i diskutimeve dhe kritikave me maturi për
problemet, pa sulme ndaj dobësive të karakterit të njëri tjetrit, janë e do të
mbeten mësime për shqiptarët...
Në maj të vitit 2017 lexova veprën e re të Prof. Qosjes “Pushteti i
korruptuar – protagonistët dhe viktimat” TOENA Tiranë 2016, përmbledhje me
analiza kritike ndaj gjendjes aktuale politike të Shqipërisë dhe Kosovës.
Shkrimet më pëlqyen shumë për sintezat historike, për analizat dhe kritikat e
guximshme ndaj gjendjes aktuale dhe ndaj shkaktarëve, si dhe për idetë
vizionare mbi të ardhmen e popullit shqiptar, detyrën imperative të cejes drejt
krijimit të shtetit kombëtar shqiptar. I emocionuar shkrova recensionin e
hollësishëm “Shekulli është premtues, politika në ngërç”, të cilin e botova në
disa gazeta dhe në librin tim “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm”
Botimet KUMI Tiranë 2018, f. 122-131.
Në këtë recension theksova disa nga mendimet shumë të çmuara të politikanit
e filozofit Qosja. Ndër të tjera vura në dukje vlerësimin e tij për “Biblën”
e “Kuranin” si vepra madhështore mendimore, etike, fetare,
zakonore; si dhe dënimin e tij të ashpër ndaj terrorizmit fetar islamik
xhihadist, si një dukuri shkatërimtare e dhimbjeprurëse, që është e shkëputur
prej islamit të vërtetë. Qosja bashkohet me humanistin e madh Papa Franceskun
për dënimin e ISIS-it dhe dallimin e tij prej islamit: “Nuk është e drejtë
të flasësh për një islam të dhunshëm. ISIS-i nuk është islam” (f. 127). Ai
e mbron Kosovën dhe popullin shqiptar të saj duke deklaruar se Kosova as ka
qenë, as është e as do të jetë me ISIS-in, si kanë shpifur disa xhepaxhinj e
çerekintelektualë që e gjynaqepsin Kosovën e popullin shqiptar si bastion të
ISIS-it.
Më tërhoqi qëndrimi i tij ndaj besimit: “isha,
jam e mbetem njeri i deklaruar vetëm për besimin e quajtur shkencë dhe art,
domethënë krijimtari shpirtërore, i vetëdijshëm se ai njeri, ajo specie e
quajtur njeri, vetëm në saje të krijimtarisë shpirtërore, vetëm në saje të
shkencës, është aftësuar për të njohur natyrën, për të humanizuar veten e
shoqërinë, për të ndërtuar jetën e denjë, kolektive, në organizimin që i thonë
Shtet etik” (f. 128).
Si politikan, Qosja është vizionar. Ai e ka
luftuar në disa shkrime dhe në përmbledhjen “Pushteti i korruptuar –
protagonistët dhe viktimat” idenë provinciale të krijimit të kombit
kosovar, si një ide feudale jashtë kohe. Pasi sqaron se këtë ide e sajuan
politikanët sërbë gjatë regjimit titist për të shuar idenë e pavarësisë së
Kosovës dhe të bashkimit të saj me Shqipërinë, ai godet disa politikanë
provincialë të sotëm të Kosovës, që e kanë gjallëruar këtë ide për interesa të
ngushta vetiake. Ata thekson Qosja “nuk duan ta dijnë se Shqipëria dhe
Kosova ishin një, se Kosova ishte pjesë e Shqipërisë, dhe meqenëse ishin Një
gjatë historisë, pashmangshëm do të jenë Një edhe gjatë ardhmërisë” (f.
154).
Ideja e kombit kosovar, sqaron ky politikan,
është ide e sajuar dhe e vjetëruar, reaksionare e kundërkombëtare. Ajo është
ide anakronike, reaksionare, kundërkombëtare, sepse popullin shqiptar të
Kosovës e kanë njohur në shekuj dhe e njohin edhe sot si pjesë të popullit
shumëshekullor shqiptar, që ka një një gjuhë të tij të veçantë, një kulturë të
përbashkët, një histori të veçantë, qytetërimin e tij të njohur që nga
Antikiteti, të cilat prej gjithë shqiptarëve dhe të huajve janë njohur e quhen
“popull shqiptar, komb shqiptar, gjuhë shqipe, histori shqiptare, kulturë
shqiptare, qytetërim shqiptar” (f. 154). Bashkësia e këtyre vlerave madhore
gjuhësore, historike, kulturore, shpirtërore e qytetëruese e ka bërë popullin
tonë të mbijetojë në shekuj në territoret e veta dhe të ketë njohje europiane
dhe botërore. Sot ky popull me përkrahjen e dy aleatëve të fuqishëm SHBA-të dhe
BE, ka një të ardhme gjithnjë e më premtuese, prandaj, thërret ai, duhet t'i
luftojmë ata individë e grupe që e mbështesin idenë monstuoze të kombit
kosovar...
Mirëpo edhe pse e shpreha mirënjohjen time ndaj këtij krijuesi, filozofi e
politikani në këtë recension dhe në disa letra që këmbyem me e-mail, mendja
vijonte të më mbetej tek ajo polemika midis tij dhe I. Kadaresë lidhur me
identitetin kombëtar të popullit tonë. Desha të dija a ishin pajtuar dy
personalitetet më të spikatur të letërsisë shqiptare. Në vitet 2010-2016 kisha
shkruar disa artikuj analitikë mbi krijimtarinë e I. Kadaresë dhe recensionin
vlerësues “I vetëm në luftën kundër krijimit të çnjeriut” ku vlerësova
kryeveprën e Helana Kadaresë “Kohë e pamjaftueshme – kujtime”, vepër
biografike mbi jetën bashkëshortore me Ismailin. Kisha marrë vlerësime prej
Helenës dhe Ismailit. Kështu që në vitin 2022 mendova që gjatë vizitës që do të
bëja në Shqipëri për të promovuar monografinë time “Disa korrigjime në
shënimet sqaruese dhe në hartat e Dhiatës së Re” në shtator-tetor, të
takoja I. Kadarenë në Tiranë dhe R. Qosjen në Prishtinë për të mësuar nëse
ishte kapërcyer prishja e miqësisë së tyre.
I shkrova në face-book Gresës, vajzës së Kadareve, ku iu luta që t'i
dërgonte prindërve dëshirën time për takim. I sqarova thelbin e përmbajtjes së
bisedës që do të zhvilloja. Së pari desha të dija se si e shpjegonte ai faktin që
ne shqiptarët edhe pse jemi popull i zgjuar e i talentuar, jemi shumë nevrikë
dhe hakmarrës e mbi të gjitha kur gabojmë nuk kërkojmë dot të falur. Dhe së
dyti desha të mësoja a ishte pajtuar Ismaili me Rexhepin. Mirëpo Gresa nuk m'u
përgjigj. Mendova se Isamili ishte jo mirë me shëndet dhe Helena nuk donte ta
shqetësonte. Atëhere u lidha në telefon me Prof. Qosjen. Ai e priti me kënaqësi
kërkesën dhe më dha adresën.
Vajtjen në Prishtinë e kreva në
saje të shkathtësisë së shoferit Besim Zorba, një miku im i vjetër. U nisëm në
ora 7:30 AM të datës 3 tetor dhe pasi kaluam kufirin ndalëm te një stacion benzine në hyrje të Prishtinës, ku pyetëm për
adresën ku do të shkonim. Në ora 12:30 ishim para portës së shtëpisë së Prof.
Rexhepit: Rr. Thimi Mitko Nr. 18. Një shtëpi e madhe private me dy kate të
lartë dhe qilarë, e cila kishte dy hyrje. Pas telefonatës i zoti i shtëpisë u
dha tek hyrja anësore dhe më thiri: “Ja ku jam Thanas, a më sheh? Eja!
E pashë. Mbylla telefonin, kalova
oborrin dhe ngjita katër-pesë shkallët. Këmbët i kisha pak të mpira nga
qëndrumi në makinë gati katër orë. I dhamë dorën njëri tjetrit. Kohë pandemie,
nuk u përqafuam. Hymë brenda. Në korridor zbatha këpucët dhe mbatha pandoflet,
që më tregoi i zoti i shtëpisë. Kaluam tek një dhomë e madhe në të majtë të
sallonit. Rexhepi më tregoi divanin nga e majta e derës, vetë shkoi u ul
përballë në një kolltuk. Kishte në të majtë të tij një tavolinë pune mbi të
cilën qëndronte makina e shkrimit. Midis nesh ishte një tavolinë e ulët, ku një
mesogrua bjonde, që i shërbente profesorit për pastrim e gatim, pasi u paraqit
vendosi ëmbëlsira dhe çokollata për qirasje. Më pyeti a doja kafe apo çaj. I
thashë se pëlqeja çaj kamomili. Edhe profesori kërkoi po ashtu çaj kamomili dhe
zonja kaloi te kuzhina.
Shpëpia e Profesor Qosjes ishte
ndërtuar mesa dukej në vitet 70 të shekullit të kaluar. Kjo shtëpi dhe dhoma e
pritjes, ku po rrinim, kishin dimensione, që nuk mund të krahasoheshin me
dimensionet e dhomave e të apartamenteve, ku jetonim ne punonjësit shkencorë të
Shqipërisë gjatë viteve të diktaturës komuniste. Shqiptarët që jetonin në
Jugosllavi nën sundimin serb me mungesa në fushën e arsimimit në gjuhën amëtare
e te lirive kombetare, nuk e kuptonin se niveli ekonomik i popullit shqiptar
brenda atdheut ishte shumë i ulët, nuk e shikonin me sy kritik luftën e tepruar
të klasave dhe izolimin ekstrem te Shqipërisë, por e shikonin Shqipërinë vetëm
si një shtet që forcohej gjithnjë e më shumë nga ana ekonomike, kulturore dhe
ushtarake.
Fjalimi i Enver Hoxhës i vitit 1981,
kur ai u shpreh se Shqipëria ishte një shtet i blinduar që nuk mund ta
pushtonin dot ushtritë e huaja, i kishte trimëruar shqiptarët e Jugosllavisë.
Shumica e tyre mendonin se atdheu mëmë ishte përgatitur që një ditë ta çlironte
pjesën e popullit shqiptar që i ishte dhënë padrejtësisht Sërbisë e Malit të Zi
më 1913. Një ide të tillë e përjetonin jo vetëm shqiptarët e thjeshtë, por dhe
shumë intelektualë shqiptarë të Jugosllavisë së asaj kohe. Prandaj edhe sot
shumica e tyre mendojnë vetëm pozitivisht për Enver Hoxhën.
Vetë Rexhep Qosja në romanin e tij
të vitit 2020 “TË FSHEHTAT E TREGUARA”, Botimet TOENA, ka
shkruar: “Enver Hoxha, për të cilin besoj të keni dëgjuar e të keni lexuar,
jo vetëm prej se jeni këtu në Shqipëri e në Kosovë, është përpjekur ta
shkoklavisëpopullin shqiptar, prandaj edhe gjuhën shqipe dhe kur ka parë se ky
popull nuk shkoklavitet me të mirë ka bërë shumë për ta shkoklavitur në mënyrë
tjetër, me mjete të tjera: me gjykime, me burgime, me dënime, të një numri, në
të vërtetë, të atyre më të koklaviturve nga radhët e folësve të shqipes! Por,
Enver Hoxha nuk është as i pari e as i fundit sundimtar që popullin e vet është
përpjekur ta sjellë në vete në atë mënyrë, me gjykime, me burgime e me dënime.
Një vlerësim i tillë për
diktatorin tonë, ku i falen zullumet, përndjekja e intelektualëve që ishin
formuar në botën Perëndimore, varfërimi ekstrem i popullit, mendoj e ka burimin
pikërisht tek admirimi i qeverisjes së Enver Hoxhës, pa parë me realizëm dëmet
që shkaktoi sundimi diktatorial. Një nga këto dëme ka qenë edhe largimi im nga
atdheu më 1996, ku nuk mund të jetoja dot vetë i pestë (nëna e moshuar, burrë e
grua te të 50-tat, djali 13 e vajza 18 vjece, në një dhomë e një kuzhinë e me
të ardhura të pakta.” (f. 84-85).
Gjatë pirjes së kamomilit folëm për
udhëtimin Tiranë – Prishtinë, gjendjen e mirë të Rrugës së Kombit, lehtësitë e
transportit të sotëm, për kohën e bukur plot diell, etj. Shtova se e ftoja të
drekonim në ndonjë restorant aty pranë, por Rexhepi tha se drekën do ta hanim në
shtëpi. Nuk prita më, hapa çantën dhe i dhurova katër librat e mij të
fundit, duke menduar se ndoshta nuk i kishin rënë në dorë. Më falenderoi dhe u
ndal te titulli “NJË LETËRSI KOMBËTARE NJË ATDHE I VETËM” i librit të
botuar më 2018.
E përpiva zërin e tij të ulët e të
ngadalshëm: - “E ke gjetur mirë titullin e këtij libri, sepse sot të gjithë
ne shqiptarët shkruajmë në një gjuhë letrare të përbashkët pavarësisht se ku
jetojmë dhe synojmë të realizojmë shtetin tonë kombëtar”.
M' u bë qejfi, por nuk guxova t'i
kërkoja ta lexonte librin e të shprehte ndonjë mendim me shkrim. Për disa
shkrime, që ishin përfshirë aty. ai më kishte dërguar përgëzimet e veta përmes
postës elektronike kur ia kisha dërguar për t'i lexuar para
botimit, kurse vlerësimin përgjithësues për gjithë lëndën e librit e kishte
bërë dishepulli i tij, i ndjeri Prof. Sadri Fetiu, vlerësim, që ishte botuar si
parathënie e librit te f. 7-25.
Duke parë nga makina e shkrimit
mbi tavolinë, e pyeta se sa kohë e kishte përdorur atë.
- Unë nuk bëra përpjekje
për të përvetësuar kompjuterin dhe të gjitha shkrimet e mia i kam hartuar duke
i shkruar me dorë, më sqaroi profesori dhe vijoi, pastaj duke kryer
procesin e redaktimit i kam hedhur në këtë makinë e më tej ua kam dhënë
redaktorëve e botuesve. Kjo makinë shkrimi, ka qenë dhe është shoku im i
pandarë i punës. Eshtë e vjetër, i kam bërë vetëm disa riparime, nuk është
elektrike, por ka punuar e punon mirë.
Desha të mos humbja më kohë me
gjëra anësore, prandaj kalova te thelbi i dëshirës sime që më vlonte prej
vitesh:
- “I dashur Profesor, shteti
shqiptar ju ka shpallur juve dhe Ismail Kadarenë <NDER I KOMBIT>, por ju
të dy, si ju kam thënë dhe më parë, zhvilluat
një polemikë me sulme tepër të ashpër ndaj njëri tjetrit kur shprehët mendimet
tuaj lidhur me identitetin e popullit tonë. Që atëhere deri sot ju nuk i flisni
me gojë njëri tjetrit. Mospajtimi juaj mua e shumë të tjerëve na ka lënë shije
të hidhur. Ky mospajtim është shprehje primitivizmi dhe dëshirojmë që ta
kapërceni këtë ngëç”.
- “Unë e kam dashur Isamil
Kadarenë si njeri, kam qenë për vizitë te shtëpia e tij në Tiranë dhe në Paris
bashkë me kolegë të tjerë. Filloi ai. E kam dashur dhe vlerësuar edhe
veprën e tij”, vijoi ai, “kam shkruar vlerësime shumë pozitive, por si
studiues unë kam bërë dhe vërejtje e kitikat e mia. Polemika për karakterin e
popullit tonë u shty përtej caqeve të lejon polemika. Unë kam qenv dakord që ta
takoj Ismailin dhe t'ia japim dorën njvri tjetrit si miq e kolegë të vjetër,
por ky rast nuk më është dhënë.
A do të jesh ti në
ceremoninë e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit?” -Më pyeti
në fund, si për të nënkuptuar se mund ta luaja unë rolin e një ndërmjetësi për
t'i takuar para ceremonisë festive.
- “Jo”, iu përgjigja, “unë
nuk besoj se do të ftohem dhe pasi të promovoj librin tim te Muzeu Historik
Kombëtar, do të kthehem në SHBA”.
(Po shtoj këtu një parantezë, për
të sqaruar se pasi u ktheva në Tiranë shkova më 4 tetor aty nga ora 10:00
paradite për të takuar Prof. Skënder Gjinushin, Kryetarin e Akademisë së
Shkencave. E gjeta duke pirë kafe te Kafe Restorant TOPTANI karshi
godinës së Akademisë. Ishte bashkë me prof. Shaban Sinanin. Ky më prezantoi. I
thashë Prof. Gjinushit se kisha qenë në Prishtinë, ku kisha bërë një vizitë
respekti te shtëpia e Profesorit Rexhep Qosja dhe ky gjatë bisedës më kishte
thënë se para ceremonisë së 50-vjetorit të Kongresit te Drejtshkrimit, kishte
dëshirë që të gjendej rasti për t'u takuar me Isamil Kadarenë. T'ia jepnin
dorën njëri tjetrit si miq e kolegë të vjetër, në shenjë pajtimi...
Prof. Gjinushi më tha se do të
ishte një gjest shumë i mirë, por kishte frikë se Isamili nuk do të pranonte të
vinte në atë ceremoni. I thashë se ju si kryetar i Akademisë duhet të bëni çmos
me anë të miqve tuaj e të Isamilit, që ky takim i dy korifejve të kulturës e
letërsisë sonë të realizohet...)
Më tej, gjatë bisedës erdhi nipi i
profesorit, gazetari Valjet Rexhepi, djali i vajzës së madhe, të cilin Prof.
Rexhepi dhe bashkëshortja e tij e ndjera Shpresa, që ishta larguar 8 vjet më
parë nga jeta, e kishin rritur që në moshën 5-vjeçare. Tani Valjeti jetonte në
pjesën tjetër të shtëpisë bashkë me zonjën e vet dhe dy fëmijët.
Profesori më ftoi të vizitoja
ambjentet e shtëpisë. Ngjitëm shkallët e drunjta anët e të cilave ishin mbushur
me piktura të piktorëve shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë ku secili kishte
shprehur emocionet e veta vlerësuese për Profesor Rexhepin duke e portretizuar
fytyrën e tij në pozicione të ndryshme. Midis tyre në një format më të madh
ishte fotografia me ngjyra e bashkëshortes së tij, një fytyrë e ëmbël dhe e
bukur me flokë të verdha.
Te kati i dytë, në fillim u futëm
në të djathtë. Ishte studioja. Një dhomë e gjatë e zbukuruar në tri anë të saj
nga një bibliotekë me rafte të mbushura me libra nga dyshemeja deri afër
tavanit. Pjesa e poshtme e bibliotekës përbëhej nga dollapë të mbyllur me
kanata druri. Në anën e majtë të dhomës ishte vendosur një tavolinë pune. Në
shpinë të në pjesën e mesit të rafteved ishin vendosur në dy rreshta 29
vëllimet e veprës së plotë të Rexhep Qosjes, të botuar këto vitet e fundit me
kapakë në ngjyrë të zezë.
Rexhepi iu lut nipit të tij të
sillte një kopje të librit “ÇËSHTJA SHQIPTARE Historia e Politika” Botim
i Institutit Albanologjik të Prishtinës 1994, 364 f. Pasi e mori në dorë u ul
dhe shkroi dedikim:
Kolegut dhe mikut tim të
dashur Thanas Gjika, me nderimet më të larta dhe me urimet për shëndet të mirë
dhe jetë të gjatë dhe suksese në krijimtarinë e tij të rëndësishme letrare,
kritike letrare dhe publicistikë.
Prishtinë 3.10.2022.
(Firma)
Pasi e lexova dedikimin, i emocionuar e vura librin e tij në
tavolinë në këmbë krahas librit tim “DISA KORRIGJIME NË SHËNIMET SQARUESE
DHE HARTAT E DHIATËS SË RE, Botimet Jozef 2022, dedikimin e të cilit e kisha
shkruar që në Tiranë. Rexhepi shtoi dhe një kopje të librit “REXHEP QOSJA
FILOZOF, IDEOLOG DHE POLITIKAN I ÇËSHTJES KOMBËTARE” të autorit
Kudusi Lama, Botim i Institutit Albanologjik i Prishtinës 2021, 725 f. Kjo
vepër paraprihej nga një parathënie shkruar prej Prof. Hysen Matoshit dhe
redaktuar prej Prof. Sadri Fetiut.
U mahnita me lëndën e gjerë dhe
faktin se këtë vlerësim të rëndësishëm për pjesën politike, atdhetare e
filozofike të Prof. Rexhep Qosjes e kishte bërë një studiues shqiptar ushtarak
pa tituj e grada shkencore, ndonëse veprat e hartuara prej tij, që rendiste në
kapakun e pasmë të librit tregonin për përgatitje të lartë ushtarake, politike,
historike dhe filozofike.
Duke qëndruar në këmbë me
bibliotekën mbas shpine dhe para tavolinës ku kishim vendosur tri librat tanë,
Valjeti na bëri disa foto si kujtim. Më tej kaluam te dhoma bibliotekë përballë
studios. Aty të gjitha faqet e mureve, me përjashtim të dritareve dhe derës
ishin të mbushura deri afër tavanit me libra që kishte blerë, ose i ishin
dhuruar profesorit, të cilat ky i kishte shfrytëzuar gjatë punës së tij.
Sasia e librave që ishin ekspozuar
në faqet e studios dhe të bibliotekës së Prof. Rexhep Qosjes ishte shumë më e
madhe se sasia e librave që kisha parë të ekspozuar te biblioteka dhe studioja
e Prof. Dhimitër Shuteriqit nëTiranë dhe te shtëpia private e Prof. Jup
Kastratit në Shkodër në vitet 1992-1994.
Biblioteka e Profesorit Rexhep
Qosja, bashkë me dorëshkrimet dhe kopjet e daktilografuara të shkrimeve të tij
përbën një nga pasuritë më të mëdha të trashëgimisë së shkencës e kulturës sonë
kombëtare. Më mbeti merak që nuk e pyeta në se i ruante të gjitha dorëshkrimet
dhe kopjet e daktilografuara të librave të tij në pjesët e poshtme të dollapëve
të bibliotekës.
Valjeti kërkoi lejë të largohej,
kurse ne zbritëm poshtë dhe pasi lamë duart u ulëm në tavolinë te dhoma e
ngrënies, ku ishte shtruar dreka me supë, gjellë me gjokse pule e pure
patatesh, ëmbëlsira, fruta dhe kos. Në vend të verës unë kërkova ujë me limon.
Vera më krijonte gjendje gjumi pas buke, kurse unë doja që gjatë kthimit të
shijoja pamjet e bukura të Prishtinës dhe të natyrës shqiptare deri në Tiranë.
Dhoma e ngrënies ishte e ndarë nga
kuzhina me derë më vete. Ashtu si dhoma e pritjes edhe kjo dhomë shquhej për
thjeshtësi. Nuk kishte orendi të tepërta dhe as zbukurime të varura nëpër mure.
Në përgjithësi në mënyrën e jetesës, pasijet e shtëpisë dhe sjelljen e Profesor
Rexhepit binin në sy thjeshtësia e malësorit tipik shqiptar. Edhe shëndeti i
tij, trupi i gjatë e i drejtë, ishin po ashtu shëndet dhe trup tipik i
malësorit shqiptar.
Biseda gjatë ngrënies së drekës nuk
pati gjëra për t'u kujtuar...
Kur mbërrita në Tiranë, te
apartamenti i sime motre, pasi bëra një dush, e mora në telefon profesorin. E njoftova
se arrita shëndoshë mirë dhe e falenderova për pritjen e ngrohtë. Nga ana
tjetër e receptorit dëgjova zërin e Profesor Qosjes, që më falenderoi për
vizitën dhe shtoi: “Këto orë lexova disa nga shkrimet e tua. Të përgëzoj për
sqarimin tepër bindës që i ke bërë vizitës e punës së Shën Palit në qytetin e
Durrësit. Të uroj suksese në promovimin e librit tënd të ri!
Më përlqyen mjaft artikujt
dhe do të përpiqem që t'i lexoj të gjitha shkrimet e tua.
Unë u përgjigja duke u gëlltitur: Ju
faleminderit i dashur mentor, ju faleminderit. Uroj të kem rast e të vij të
takohemi më gjatë vitin që vjen...
Natën e mirë e të fala
Valjetit.
- Natën e mirë e na gjettë shëndoshë viti i ardhshëm!
Me këto fjalë u mbyll biseda jonë...
Sot në prag të
87-vjetorit të Akad. Prof. Rexhep Qosjes, mund të them se në botën shqiptare
nuk kemi një krijues e studiues shumdimensional të nivelit të tij, kurse
krijues me vlera letrare e artistike të dimensioneve të Isamil Kadaresë kemi
Visar Zhitin. Ky i konkuron me sukses nivelet letrare artistike të Kadaresë dhe
përsa i përket vërtetësisë ideore dhe moralit, veprat e V. Zhitit qëndrojnë
shumë më lart se veprat e I. Kadaresë.