Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Basha: Ëndërr e rëndë

| E merkure, 21.06.2023, 07:45 PM |


Sabile Keçmezi- Basha

ËNDËRR E RËNDË

Uh, bre.

Çfarë ëndërr e rëndë, kjo

Kurrë nuk mund të besoja

Se një ditë,

Bash me mua

Mortja do hedhë valle

Më thanë

Të gjitha rrugët u mbyllën

Dynjaja pësoi kataklizëm

Lulëkuqet më qanin në gishta

Unë,

Edhe më tej

Haja thonjtë e gurtë

Në kohen beronjë

Më thanë

Je e murrët sonte

Dyllë fare

Po unë ... Nesër ...

Do dali nga ëndrra, thashë

Hijen time do e marr përdore

Me baulen e kujtimeve në shpinë

Do pushoi në Formulën e pagëzimit

Me tri të panjohura

Më thanë

Ke diagnozën

Që nuk bënë të thuhet

Qesha me marrëzitë e orakullit

Më thanë

Të ka eklipsua dielli

Mbase...

Ikë, nga kjo ëndërr, më thanë

Marrëzira flasin edhe hijet

Kur ormisin fatin e tjetërkujt

Ora nuk po ndalet, më thanë

Mesnata po ofron

Edhe stinët e fundit

Janë arratisur

Pa çka ...

që nuk ndalet ora

Unë

Edhe më tej

Çapitem për tej gjumit