Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Surrati i shqiptarit

| E merkure, 21.06.2023, 09:15 PM |


Surrati i shqiptarit

Nga Edison Ypi

Surrati i grekut është pabesia.

Surrati i serbit është viktimizmi.

i italianit, kanconeta,

i rusit, megalomania,

i gjermanit, disiplina,

i anglezit, përpikmëria,

i turkut, rehatllëku,

i arabit, nafta,

i kubanit, sheqeri,

i kinezit, orizi,

i qenit, lejha

i krimbit, zvarritja

i kërrmillit, jargët.

i gjarpërit, helmi.

e kështu me rradhë secili surratin e vet.

Po surrati i shqiptarit, cili është vallë surrati i shqiptarit ?

Në dallim nga gjithë të tjerët që kanë 1 surrat, shqiptari ka disa surretër.

Surrati i parë i shqiptarit është surrati i hajdutit. Shqiptari vjedh dhe rrjep vendin e vet, ortakun e vet, mikun e vet, familjen e vet, babën e vet, madje edhe surratin e vet.

Shqiptari ka dhe surratin e spiunit. Emrat e një numuri sitesh në Internet si: "Denonco", "Kallxo", "Trego", "Spjego", "Vigjëlo" dhe të tjerë, të gjithë ekuivalentë me "spiuno", e provojnë. Po nuk spiunoi dhe po nuk u spiunua, surratit të shqiptarit buka nuk i hahet, uji nuk i pihet, kallami nuk i ngrihet.

Shqiptari ka dhe surratin e vrasësit.

Kazmat, sqeparët, tritolat, dinamitat, kalashnikovat, që mbushin përditë kronikat e gazetave dhe televizioneve, a nuk janë prova ? Surrati i vrasësit, megjithatë, në ndryshim nga surretërit e tjerë e ka një justifikim. Shqipëria është aq e bukur dhe e pasur, rrjedhimisht dhe aq e dashur, sa turbullimi i mendjes në momentin e vrasjes, surratit të shqiptarit i falet.

Surrati i frikacakut është goxha tipik për surratin e shqiptarit. Veçse shqiptari nuk është frikacak si frikacaku i botës, që është frikacak sepse është vrasës. Shqiptari është vrasës sepse është frikacak. Ndjekja e zinxhirit surrat-pasojë, pra të qënët frikacak së pari, pastaj vrasës, të nxjerr në përfundimin se surrati i frikacakut, si nënsurrat i surratit të vrasësit, duke qënë surrat i falshëm, nuk mund të konsiderohet gabim që duhet ndrequr, e aq më pak faj që duhet ndëshkuar, por vlerë për tu mburrur.

Shqiptari ka edhe surratin e dembelit. 99 % të trurit surrati i shqiptarit e përdor si të punojë sa më pak dhe sa më keq.“Po të ishte e mirë puna punonte edhe prifti dhe hoxha” thotë pa pik turpi surrati i shqiptarit për barinjtë e vet. Ose "punë muti" thotë surrati i albanezit, për të mos zënë me dorë asnjë punë.

Ç’nuk bën surrati i shqiptarit për ta ruajtur të paprekur surratin e dembelit këtë pasuri me vlera kombëtare. Për të mos punuar shqiptari, shan, pështyn, mallkon, godet, rreh, plagos, vret, madje ndonjëherë bën dhe të pabesueshmen, punon.

Surrati i shqiptari është i famshëm edhe për surratin e paçmuar të vetshkatërruesit, pa të cilin Shqipëria nuk do ishte rrudhur gjeografikisht duke u katandisur e rrethuar me vetveten, dhe nuk do ishte paksuar numerikisht. Gjithsesi, surrati i vetshkatërruesit nuk është gjë fort e keqe. Është krasitje vitalizuese darviniane. Pa të cilën surrati i Shqipërisë dhe surrati i shqiptarit do ishin zhdukur qyshkur nga surrati i dheut.

Nuk mund t’i mohohet shqiptarit as surrati i llapaqenit, pa të cilin, pra pa përdorur llapën lëvizëse dhe pështymën lubrifikuese, çdo surrat vdes.

Disa surretër të tjerë të shqiptarit janë;

Surrati i skllavit.

Surrati i dinakut.

Surrati i delirantit.

Surrati i rrenacakut.

Surrati i konspirativit (që nuk duhet ngatërruar me surratin e spiunit)

Surrati i palaços.

Surrati i të çmendurit.

E përveç tyre fatmirësisht sot shqiptari ka edhe surratin e Fesbukut që e freskon hera-herës me selfie në nevojtore duke u rrujt ose foto në restorant duke ngrënë si derr.

Së fundi shqiptari po bën çmos të rimarri edhe atë që e ka pas me shekuj, surratin e europianit.

Për hajër.

Por me një kusht.

Vetëm nëse një mal me rrena bën një të vërtetë të vogël, dhe një oqean me të këqia bën një të mirë të madhe.