| E marte, 20.06.2023, 07:49 PM |
Mos abuzoni me policët e kidnapuar!
Shkruan:
Florim Zeqa
Pas
kidnapimit të tre pjestarëve të Policisë së Kosovës nga forcat e xhandarmërisë
serbe në zonën kufitare, është folur e shkruar shumë, është debatuar dhe është
gjykuar agresioni barbarë i Serbisë ndaj sovranitetit dhe integritetit të
Republikës së Kosovës, por nuk kanë munguar as gjykimet ndaj policëve tonë
kinse për “mosgatishmërinë e mbrojtjes së atdheut dhe vetes së tyre në radhë të
parë”!
Nëse nuk mund t’i
ndihmoni, mos i fyeni policët e kidnapuar
Disa
edhe pse e dinë mirë të vërtetën dhe rrethanat që e shkaktuan rastin,
fatkeqësisht kidnapimin e policëve po e trajtojnë si “dorëzim të turpshëm në
duart e armikut, me pushkë në dorë dhe pa e shkrepur asnjë fishek, brenda
oborrit të shtëpisë së vet”!
Mbase
dikush do të dëshironte të kundërtën, që ata tre policë ta sakrifikonin veten
për asgjë, e ndoshta dikujt tjetër do t’i konvenonte më shumë (për poena
politikë) që ata tre policë të mos ishin fare gjallë, pra, të ishin vrarë që të
mos merreshin më me ta, por vetëm t’i shpallnin heronj dhe t’ua lexonin nga një
telegram ngushëllimi!
Deri
në këtë nivel ka arritur marrëzia dhe morali i politikanëve të papërgjegjshëm
dhe mbështetësve të tyre morbid.
Kidnapimi
i tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, nga forcat e xhandarmërisë serbe në
brendi të territorit të vendit tonë, përveqse i planifikuar dhe i organizuar
mirë, mund të ketë qenë edhe i sinkronizuar me bashkëpunëtorët e tyre nga
brenda!
Kidnapimi
i tre policëve të Kosovës në krye të detyrës në këtë pjesë të territorit të
Kosovës nuk është risi dhe as befasi për opinionin në Kosovë, për shkak se
raste të tilla kemi pasur edhe në të kaluarën.
Befasi
kësaj radhe mund ta quajmë mosreagimin e faktorit ndërkombëtar për lirimin e
tyre pa asnjë kusht dhe mosangazhimin e sinqertë të qeverisë së Kosovës për
fatin e tyre.
I
trishtë dhe befasues ishte reagimi i kryeministrit Kurti ndaj pyetjes së një
gazetarje për mundësinë e këmbimit të tre pjestarëve të policisë së Kosovës me
serbët e arrestuar në veri, me ç’rast gazetarja u kritikua ashpër nga
kryeminsitri për pyetjen e parashtruar!
Të përshpejtohet
trasnformimi i FSK-së në FARK
Rasti
i fundit i kidnapimit të tre pjestarëve të Policisë së Kosovës, e shtron
pyetjen logjike,
sikur
të mos ishte prezenca KFOR-it në Kosovës, a jemi ne të gatshëm si shtet ta
mbrojmë vendin nga agresioni i mundshëm ushtarak i Serbisë?!
Lirisht
mund të themi JO!
Pasi,
për fat të keq, edhe pas 24 vjetësh nga çlirimi, forca kryesore mbrojtëse e
shtetit tonë mbetet KFOR-i, pasi Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ende është e
margjinalizuar sa i përket kapaciteteve ushtarake dhe armatimit, i cili është
në disporporcion të plotë me forcën ushtarake të Serbisë!
Transformimi
i gjatë 10 vjeçar, apo rrita e ngadaltë dhe e kontrolluar e FSK-së nga forcat e
NATO-s është ndihmë e drejtëpërdrejt për shtetin e Serbisë.
Përderisa
Serbisë i lejohet të pajiset me artileri të rëndë, raketa me rreze të gjatë
veprimi dhe aeroplan bombardues të tekonologjisë së fundit nga Rusia dhe Kina,
FSK-së dhe shtetit të Kosovës nuk i lejohet ta ketë as një Helikopter, të
paktën për nevoja emergjente për bartjen e të sëmuarëve apo të aksidentuarëve
nga vendodhja në QKUK apo në spitalet rajonale!
Presidenti
i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është duke e përdorur me mjeshtri të madhe
kryeneqësinë e Albin Kurtit ndaj ndërkombëtarëve që nga dita e parë pas
kidnapimit të tre policëve të Kosovës, duke ju kërkuar përfaqësuesve të
QUINT-it, që të bëjnë gjithçka që është në dorën e tyre në parandalimin e Albin
Kurtit, siq e thotë ai, kinse “për të mos e nisur një luftë të re në Ballkan”!
Lufta
në fjalorin politik të Vuçiqit, është tregues i rrezikut të shpërthimit një
lufte të re në Ballkan. Duke u bazuar në forcën tonë reale (minimale) ushtarake
dhe mungesën kapaciteteve të FSK-së për një përballje nga sulmi eventual i
Serbisë, shpëtimin duhet ta kërkojmë sërish të miqtë tonë, tek NATO dhe SHBA!
Çdo
veprim kokë në vete i kryeministrit tonë dhe i pa koordinuar me partnerët
ndërkombëtar mund të jetë fatal për shtetin e Kosovës. Krahas kërkesës drejtuar
KFOR-it për përmbushjen e detyrimeve dhe obligimeve të marra nga NATO dhe
Këshilli i Sigurimit të OKB-së, kryeministri Albin Kurti duhet të kërkojë edhe
përshpejtimin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Republikës së
Kosovës (FARK), si forcë mbrojtëse e përhershme e integritetit dhe sovranitetit
të shtetit tonë.
Florim Zeqa
19.06.2023