Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Syt e Zinj

| E hene, 19.06.2023, 06:55 PM |


Syt e Zinj

Nga Edison Ypi

Fryma më merret, shikimi më erret, zemra më rreh, këmbët më dridhen, gjunjët më shkrihen.

Lermëni t’ju afrohem o të zinj.

Të kqyr disa nga Kryeveprat e Krijuesit; lakimet tronditëse të ballit, harqet drithëruese të hundës, zgavrën e mistershme të syrit, humnerën e frikshme të mjekrës, gjeometrinë rrënqethëse të buzëve, kinematikën e nofullave, ekuacionet e vështrimit, sfericitetin e gjirit, relievin e kokës që ndryn sekretet e Universit, përsosmërinë e papërsosmërisë, kuadraturën e rrethit, gjithçka që bën shkrimtarët të deprimohen, poetët të bëjnë harakiri, piktorët të vetëgjymtohen, inxhinierët t’i imitojnë këto forma në krahë avionësh, matematikanët të kërrusen mbi numra, genetistët mbi mikroskopa, gjeografët mbi harta, ushtarakët mbi tanke, mbretërit mbi gijotina, diktatorët mbi intriga, politikanët mbi ligje, astrologët mbi yje.

O të zinj,

Komplimentet e Dantes Beartiçes janë kurrgjë para atyre që unë mund të thur e them për ju.

Sytë e Kamikazit një çast para se ta hedhi në erë veten nuk e kanë kurrë inkandeshencën tuaj.

Drita në sytë e gjeniut të ngjyrave dhe formave që sapo mbaroi zbukurimin e kupolës së Katedrales, ndaj dritës tuaj qiellore është errësirë bodrumi.

Lumturimi i të humburit në shkretëtirë kur sheh një oaz, ndaj gjallërisë tuaj është një bosh ranor.

O të zinj,

Po të kisha dy jeta do t’u desha më pak. Por kam vetëm një, dhe j’u dua pafund.

Pa ju o të zinj, jam hark pa shigjetë, gëzhojë pa barut, top pa gjilpërë, bibliotekë pa libra, ujë pa det, hidrocentral pa turbinë.

Si është më mirë, o të zinj, të ekzistosh si njeri’ me zemër e shpirt dhe të jetosh disa dhjetëra vite, apo mal i pagojë dhe të jetosh miliona vjet ?

Çfarë ndodh n’atë distancën nga i madhi te i vogli, nga gjenerali tek ushtari, nga mbreti tek shtetasi?

Çfarë prodhon ajo zallamahi drite, heronj apo skllevër ?

A është e vërtetë se nga dhjetë vjet deri në dhjetë sekonda para vdekjes, të gjithë çmenden?

Historia, është ajo që lexojmë nëpër libra, apo ndonjë tjetër?

A është e vërtetë që fatet e botës determinohen prej shumicës, pra prej mediokërve ?

Vërtet qenia në krye e njerëzve banalë është thjesht fatalitet darvinian?

A e ka kush autoritetin për të vendosur nëse një punë, një lodhje, një mundim, është “Art” apo pleh ?

Pranimi i diktaturës apo revoltimi ndaj saj, është i lidhur me një përkatësi të caktuar shoqërore, apo mvaret vetëm nga ndjeshmëria individuale ?

A lodh, a sëmur, Bukuria?

Pse Progresi është aq i mundimshëm ? Pse ka çmim aq të lartë ? Pse refuzohet ? Pse njerzit i bëjnë rezistencë ?

Ku bie ai vendi, ku është ai katundi, ku ndodhet ai midisi, ku malli nuk ikën as nuk vjen, por ndal, dhe zjarri shpërthen, dhe gjaku zjen, dhe bota digjet ?

Muzeun e dhimbjeve të duruara, ditët e zeza, netët e bardha, të gjitha ua fal juve o të zinj të zjarrtë.