| E diele, 18.06.2023, 07:54 PM |
JA SI SHKRUHET HISTORIA:
AT GJERGJ
FISHTA O.F.M.
MELBOURNE, QERSHOR
2023
FJALIMI
“SHQIPTARËT
E TË DREJTAT E TYNE”
NË KONFERENCEN E PAQËS
AT
GJERGJ FISHTA O.F.M.
PARIS 20 QERSHOR 1919
FJALIMI
U PËRGATITË NGA
AT
GJERGJ FISHTA O.F.M.
(Sekretar i Delegacionit Shqiptar)
DHE,
U LEXUE FRENGJISHT NGA
IMZOT
LUIGJ BUMÇI
(Kryetar i Delegacionit Shqiptar)
Zotnij,
Ç’ me kohë të Luftës turko –
ballkanike e tektej zemrat e Shqiptarëve kanë pikue gjak prej dhimbjes e
mjerimit, për arsye që Europa e qytetnueme përkuli në Konferencë të Londres së
1913 ma se gjysen e Shqipnisë e plot një milion Shqiptarë, nen zgjedhë të randë
t’ anmiqve të tyne kufitarë. E pse këta anmiq të tyne ishin si me numër si me
miq ma të fortë, kështu ndodhi që Shqiptarve s’u mbeti ma asnjë rreze shprese,
se do të mund të nxirrshin ma kurr atë pre të lotueme prej çapojve të tyne
rrëmbyesa e gjithmonë të zhyemun në gjak.
Por çka se, aty ka mbarimi i tetorit
të vitit të kaluem (1918), ia mërritën në Shqipni ushtarët tuej trima, të cilët
na thanë, se sot e mbrapa çdo popull, sado i vogel që të ishte, do të kishte të
drejtë me da ai vetë per vete fatin e vet ekonomik e politik, e se të gjitha
tradhtitë e padrejtësitë e bamuna ndonjë kombi nëpër traktate nderkombtare të
përparshme, do t’ u ndreqshin e qortojshin në Konferencën e re të Paqës, e cila
per së shpejti do t’ u mblidhte në Paris; pse ky kishte kenë, na thojshin ata,
ideali ma i parë, për triumf të të cilit, mbi mbarë boten, ata ia kishin hy një
lufte, që ma të shemtueme s’e ma mend historia e njeriut në daç për mjete, me
të cilat pati nisë, në daç për mënyren, me të cilen u vijue. E kështu tue
thanë, na kallxojshin varrët e shtatit ende të përgjakuna.
Në këto fjalë të tyne u trand
Shqipnia gëzimit, e me shpnesë se edhe për te do të zbardhshin dikur ditë ma të
mira, ku kje hapë e shpërnda u mblodh kuvendi në Durrës, e aty, një mendjeje e
një zemre, vendoi me dalë shtet më vete e krejt i pavarshëm, përmbrenda caqeve që
asaj natyra, gjuha, interesat e historia ia kishin caktue. Për me lypë, mandej,
që t’ u ndreqshin e t’ u qortojshin dhunitë, tradhtitë e padrejtësitë që
Kongresi i Berlinit një herë, e ma vonë Konferenca e Londres, sipërpërmendun,
ia kishin ba Kombit Shqiptar, dau me nisë për Paris një Dergatë të posaçme, që
t’u delte zot të drejtave të saj.
Veç shka se mbasi u kapën me këte të madhnueshmin kryeqytetin tuej – ku
sot asht ngrehë Areopagu i rrokull Botës – puna na doli krejt ndryshe se kishte
kenë fjala e atyne ushtarëve tuej. Pamë e u vertetuem se anmiqtë tanë, jo veç
që nuk ishin tue dashtë me na i kthye
viset, që me dhunë na i kishin grabitë, por ma tepër, llastue prej krahut të
fuqishëm që po ua mbajnë do nder Pushtete të mëdha të Europës, lypin me shty ma
thellë kufinin nder vendet tona e me
shkepë krahina të tjera prej Shqipnisë. Pame e u vertetue, se, për me i dalë ma
lehtas këtij qellimi, ata rrijshin tue shpifë në një mënyrë krejt të pandershme
Kombit Shqiptar. Shka nuk kanë thanë e botue kunder Kombit Shqiptar të mjeruem!
Çnjerzimi i tyne në të shpifuna kundër Shqiptarve asht shtye aq larg, sa
ndokush nder ta ka mërrijtë me shkrue e me botue në një farë shtypi
poshtërsisht të shitun interesave të tyne, se na Shqiptarët edhe fiziologjisht
e biologjisht ishim ma poshtë se rodi tjetër i njerzimit. E, madje, me këto të
shpifuna të veta kanë mërrijtë me ua marrë mendt botës së qytetnueme, sa që
agjencitë telegrafike të këtueshme po na i kthejnë pajtimet tona e fletoret e
vendit ose nuk i pranojnë kurrfare
artikujt tanë, ose na lypin çmime të çuditshme e per t’u njehë nder përralla –
deri në 50.000 Frank për artikull! – veç si me na i mbyllë shtigjet që me u
dalë zot të drejtave tona.
Mos u çuditni, pra, zotni, që
unë po kam guximin me ju dalë para në këte Atene të përmendun, – kenë gjithmonë
dritë e shkelqyeshme qytetnimi e përparimi të vërtetë – e po shpërvjelëm me ju
folë me një theks gjuhe të huej e nën një formë krejt të përvujtë ligjerate mbi
Shqiptarët e mbi të drejta të tyne.
Thika ka mërrijtë në asht; sot po i ndahet fati Botës. Jo veçse asht në rrezik
pavarësia, e sipërania e Shqipnisë, por asht në rrezik jeta e Kombit Shqiptar.
Sot, a vdekje a metja për Shqipninë e për shqiptarët. Nuk kishe me dijtë me
thanë, e vërtetë, se deri ku fjalët e mija kanë me mërrijtë ta mënyrsojnë fatin
e Shqipnisë; por bujaria e njohun e zemrave tueja, më jep shpresë të madhe, se,
mostjeter, kam me nxjerrë prej jush një fjalë ankimi mbi kobet tona e mbi dhunë
e padrejtësi që po i bahet Kombit Shqiptar. Asht disi një farë ngushllimi për
të mjeruemin e ngratë me dijtë, se ka në shekull ndonjë zemer që ankon për te.
E prandej n’ emen të Dergatës, të qeverisë e të Kombit Shqiptar mbarë i
falemnderës Rektorit të përshndritshëm të këtij Universiteti, për mirësinë që
pati tue më sjellë mënyren se si me u pjekë e me bisedue me Zotninë tuej.
I
Prej brigjeve gjimuese të Euksinit e në borën e amshueshme të Alpeve
Julie; prej bigave bumbulluese të Akrokeraunve e deri ndër karma të thepisuna
të Karpateve, ende të rime me gjak njeriut, në ato kavaljetet e kalueme,
banonte, si zotnia juej mirë e di, ajo familja e madhe Trako-Ilirike, në nam’ e
në za në histori të fiseve dhe të kombeve. Sot, kjo familje asht shue. Marrë
përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk
përmrenda gërmazave të pangishëm të gjireve të motit, e s’ mujti ma, ç’ me atë
ditë që Gentius, mbreti i mbramë i Ilirëve, në 168 para Krishtit, kandriti triumfin
e Lucë Pal Emilit, me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme. Ku shue
shqimit, ku shkri e shartue me familje të tjera, ajo sot nuk ka ma nji fizionomi
individuale të veten, në shtill të punëve njerzore. Porse, si të thuesh, si nji
shkatërrinë e dhimshme anieje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familje
Trako-Ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë e Malit të Zi, prej brigjeve lindore
të Adriatikut e deri në stom të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish,
të cilët zanë vend a mbas murojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e
kandshme të disa fushave gratçore dhe të kerthnesta, – banë e përmallshme e
hyjnive të moshës prrallëzore. – u banë ballë me fuqi kurr të përkulshme të
shpirtit të vet bujar, kjoftë thellimeve të kavaljeteve, kjoftë padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të
stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qindrese, ende këta e flasin atë gjuhë
të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejnë të pandryshueshëm karakterin e
hekurt e fisnik të stërgjyshave të vet, e sot, edhe punojnë shi atë tokë të
cilën e punuen të Parët e tyne prehistorikë. E pra, sa kavaljete nuk gjimuen
mbi krenat e tyne! Sa ndodhi e ndeshtrasha nuk u shkreh mbi shpinë të tyne! Mbi
ta, po, randoi pesha e fuqisë romake; mbi ta u lshue i irun prej mnije e
gjithmonë i pabesi sfinksi sllav; rrjesht per katër kavaljete të gjata i ra
persipër boena e barbarisë aziatike; por, megjithkëte, ata nuk e vdaren njininë
e vet kombtare dhe as që i lshuen doket e idealet e veta. Po; bash ky popull i
paperkulun kurr, ende gjindmbi ato zaje të plleshme, ku të Parët e tij mprehshin
rrasat, me ba me to armë per me ça rrashtat e anmiqve ose, ma vonë, ata u
jepshin uji pallave të hekurta, per me shtrue me to mbarë boten nën kambë të
nji Lekës së Madh, – kur mos t’ ishte që me i ba me kja me to, dhimshem vashat
e Romës para nji Burri.
E mirë pra, Zotnij të nderuem, ky asht bash ai populli i vogël Shqiptar,
aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë! I vjetër sa fosilet, sa stalagtitat
e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, e le të thuesh prej vetë bucave
të Shqipnisë, ai asht sot zot autokton e i pakundershtueshëm i tokave të veta.
Ende sllavi nuk kishte dalë prej bjeshtës së thellë t’ Uralit e ende s’
ishte ngjizun e sotmja frotë laramane neohelenike, kur Shqiptari korrte me
zagna, fushat e pafund të Ballkanit. Qe kështu, Shqiptari e kishte mbyllë nji
periudhë të gjatë të historisë së vet në moshen e rruzullimit. Na thoni, kush
para Shqiptarit, i ngau qetë sinorëve të Ballkanit?
Historinë e kemi aty, Zotnij të mij, e ajo na flet shumë kjartë. E asht
kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash
zyrtare ose gjysëzyrtare: zani i saj i pingrueshem përshkon kavaljetët!
Për në kjoftë, pra, se ka një popull, që nëpër forcë t’nji preskripcioni
e t’nji trashigimi të pakputun etnik ka tager me nda vetë per vedi shartet politike,
ky asht, padyshim, Populli Shqiptar, i cili vetem mund të levdohet se ka nji
preskripcion prehistorik mbi tokë të Ballkanit, si dhe nji Kombsi kryekëput të
ndame prej atyne të popujve të tjerë ballkanikë. Prandej, po kje se pernjimend
parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter
themelor per trajtimin e shteteve e caktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë, që Shqipnia
të qitet shtet më vedi, përmrenda kufijve të vet etnikë e gjeografikë.
Por çka se, simbas teorisë vilsonjane, për me mujtë nji popull me u sundue
me vetvedi, posë kombsisë, duhet të merret parasysh edhe ndërgjegjja e tij kombtare.
Tash, për në kjoftë se si ndërgjegje kombtare duhet të kuptohet ndjesia
për liri, si edhe ai dishir që mund të ketë nji popull të jetojë e të
zhdrivillohet me vetvedi, gjithnji përmbrenda qarkut të forcave të veta, unë
thom se edhe në këtë pikpamje Konferenca duhet t’ ia njofin Shqipnisë pamvarsinë,
si dhe siperaninë e vet. E njimend: e po cili popull në Ballkan ka ndjesi ma të
thella për lirinë e vet, sesa Populli Shqiptar?
A dro asht sllavi i ngadalshem e i ngathtë, që, deri dje, i perkulun mbi
shatë, pa nji ukaz të Carit të vet autokrat, të thuesh, as që i bahej me marrë
frymë? E po, a thue asht greku, – ajo skilja e vjeter, – që gjithmonë, si nji
bimë parazite, ju ngjesh ma të fortit per me gjallue në shpinën e tij? Apo asht
Shqiptari, i cili e pështetë gjithë shpnesen në fuqinë e vet e n’ atë t’ armëve
të veta: gjithmonë i drejtë me miq, bukëdhanës ndaj të huejt, i rreptë me
anmiq, – të cilët, nuk i mninë, veçse i perbuzë, – e që ende, deri më sot, nuk
i asht perkulun nji force të huej? Qyshse mbi tokë nisën të derdhen lot, qyshse
mbi botë forca ia xuni vendin së drejtës e hipokrizia qeveritare filloi me ua
pij gjakun popujve, balli madhështor i Shqiptarit s’ju perkul kurrkujt, perposë
Zotit të vet! Kaluen, po, pushtuesit mbi Shqipni,
por nuk kjenë kurrë zotnues mbi Shqiptarë! Ashtu si ai cubi, i cili hyn tinëz e
me trathti në shtëpinë e qytetarit të paqtë e, si shtjen mbrendë drojen e
pshtjellimin, del jashtë pa mundun kurr me thanë se ka sundue aty mbrendë;
njashtu hynë pushtuesit e huej në Shqipni, pa mujtë kurrë me i shtrue dhe me i
zotnue Shqiptarët. E mos kujtoni, Zotnij, se unë këtu jam tue ju thanë sende të
cilat mos t’i kenë vu re edhe shkrimtarë të huej të vlertë. Kështu, fjala vjen,
e ndritshmja Miss Durham, thotë në nji libër të vetin mbi Shqipninë: “Zotnimet
e hueja kanë përshkue mbi komb shqiptar, pa lanë në te kurrfarë gjurmet, si uji
që rrëshet mbi shpinë të rosës”. I ndritshmi zotni Renè Pinon, mandej, –
kompetenca e të cilit nder punë të Ballkanit asht fort e çmueshme edhe
perjashta Francës, – në nji artikull të vetin mbi Shqipninë, botue në blenin e
dhjetorit të 1909 të së perkohshmes “Revue
de deux Mondes”, shkruen “Bullgari, atje nder fusha të Maqedonisë, perkulet
mbi shatë e punon tokat e turkut, ndersa shqiptari asht mbreti i maleve. Gjuetar,
bari, ushtar ose cub; ai s’i nenshtrohet veçse Kanunit të vet e s’pret ndihmë veçse prej armëve të veta.” Për
liri të vetën, Zotnij, Shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe
besimin. Fakti veç që Shqiptari, në mes të sa ndodhive dhe ndeshtrashave
politike e për nji periudhë aq të gjatë kavaljetesh ka mrrijtë me e ruejt
gjuhën, doket e karakterin e vet kombtar, - e këto, jo vetëm në Shqipni, por
edhe perjashta, difton çiltas, se ai asht dhe se don me mbetë Shqiptar. E, se
prandej ndërgjegjja kombtare ka lëshue rrajë të thella në Shpirt të tij.
Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit Shqiptar për liri dhe
pamvarsi kombtare, duket prej historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht
e endun vetëm prej luftash për liri e pamvarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort
në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që
ndërgjegja kombtare e këtij populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa.
Që atje kahë e zbardhmja e të XV qindvjet hanëza përgjakshëm prej Azie
kukëzohej mbi hapsinë të Europës. Ishte Zotmadhi i turqve, që në krye të ma s’
rreptes ushtri të botës s’ atëhershme, kapercente Helespontin e në mëni të vet trishtueshëm
betohej, se hanëzen për t’a vu kishte mbi Shën Sofi të Stambollit e, në oborr
të Sh’ Pjeterit në Romë, do t’i epte tagji kalit të vet. E pse njeri dokrrash e
pallavrash ai nuk ishte, perpara tij u rrenuen mbretni, ranë frone e u lëkund
në themele të veta mbarë qytetnia përendimore. Shkatrrue Bizanci, nda Europa
prej luftash e ngatrresash të përmbrendshme, se kush do të dilte me ua ndalë
hovin këtij anmiku të përfelgrueshëm?
Kur qe, se mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat
ngërthye si dy hulli rrëfeje, me dy sy si gaca e nji mjekër të thijtë, që si
shtëllungë gjatë çenave i shtiellet, si re mizore kresë së një shkambi të
thepisun. Tmerrshëm përkrenarja i flakon mbi krye, e cila, n’ atë vezullimin e
vet të trishtueshëm, danë si kometë zharitëse, sherbëtore e mënisë së
perfrigueshme të Perëndisë. Ai asht Gjergj Kastrioti Skënderbeu, fatosi në za
Skënderbeg Kastrioti, që në mendje tue pasë lirinë e të Parëve e të bardhen
lumninë e hershme, me sy të vrantë kundron anmikun e rreptë të kombeve të
qytetnueme. Në rropamë të mjerueshme të sa froneve, të sa theroreve, hidhet si
duhia në shpinë të një kali të trumhasun, që, mal nxjerrë pasmen përpara e fry
turijtë përpjetë nuhatë eren e gjakut; rrokë me të djathtën pallen – rrufe e me
të majten ngreh flamurin e Atdheut, ngjye kuq e zi: gjak e vdekje. Nji fllad i
ambel, i kandshëm – flladi i dashunisë – lehtas e zhvillon flamurin e Atdheut,
që i madhnueshëm valvitet nëpër ajr të lirë të Shqipnisë si ajo fleta e zjarrtë
e një Kerubini të qiejve: si ai skundilli i petkut të Perëndisë, që bukur ka
ndritun me hana, yje e diej, i kallthtërt prej cepave t ‘ amshueshëm i varet
gjanë Empirit të pamatun, atëherë ka mbështetë permbi thellim të ushtueshëm të
rribës s’ murlanit, vé në sheste boshtin e rruzullimit. Në këte dukë të
permnershme force, Skenderbeu, atëbotë, del në vetull të thepisun të karpes
krutane e “Eni Shqiptarë!” bulurit, si luan prej fangut të zharitun të
shkretisë, “Eni fluturoni, o bijtë e maleve të lira se Atdheu gjendet në
rrezik!” E qe, se në atë kushtrim nji çetë e vogel homeridësh – burrash
Shqiptarë si lejshin motit, po shterngohet përreth tij, e aty nënhije të
Flamurit t’ Atdheut, ban be mbi gurë të vorrit të të Parvet të vet, se një
pëllambë tokë të Shqipnisë nuk do t’ ia lëshonte anmikut, po s’ e lau para të
tanë me gjak të tij të zi e të përdhosun. Të forcuem me atë bé, të forcuem me
Shejtni të të drejtave, e shpresë tue mbajtë por në Zotin e në krah të arenztë
të vetin, të bijtë e malevet të Shqipnisë lëshohen fulikare mbi froten e
shtojeve t’ Azisë. E lufta titanike ia nisë. Në të ndeshun të rreptë të
ushtrive tymi çohet deri mbi rê e perfrigueshëm gjimon toka nen kambë. Gjaku
rrymben rrëkajë. Frota aziatike shuhet përdhe. Habitë pushtuesi i rreptë i
Stambollit, prej hidhnimit grisë buzen me dhambë, dhe nis me u pendue pse ia
kishte hy luftës me Shqiptarët. Rrafsh njëzet vjet ndej tue u pre Shqiptari me
turk, per me i dalë zot lirisë e pamvarsisë së vet. E në njëzet vjet lufte të
tmerrshme, me sa Leka i Madh, me sa Jul Çezari, Skenderbeu s’ mujt me u thye
prej ma të rreptit mbret t’ atyne kohëve.
Qe, Zotnij, se si lufton e si mund Shqiptari, kur të jetë puna per me i
dalë zot lirisë e pamvarsisë së vet. E mos kujtoni, se unë kam ardhë tue
zmadhue punët, me qellim që me kthye mendjen tuej në ndihmë të Shqipnisë: Unë
nuk kam ba tjeter, veçse me permbledhë në pak fjalë, shka nder libra të randë
kanë shkrue mbi kohë të Skënderbeut shkrimtarë në za prej gjithë kombesh t’
Europës: Spanjollë, italianë, anglezë, suedezë, grekë, sllavë, gjerman, e nder
të cilët edhe, pak me thanë, nja njëzet francezë.
Por mundet,
ndoshta, ndokush me më thanë se Skënderbegu, këto lufta i ka ba për qëllime
fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjes kombtare, pra për me i dalë zot
lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet? Se sa e pathemel kishte me kenë kjo
fjalë, duket prej punve të Skënderbegut, i cili, në mos me atë mëni, ai luftoi
po me aq trimni kundra venecianëve, sa ç’ pat luftue kundra turqve, atëherë,
kur venecianët deshtën të pushtojnë vise të reja në Shqipni – Dejën e Drishtin.
– Këtu, disi për rrëshqit, due t’ ua kujtoj Zotnisë suej, edhe nji tjeter punë.
Deri sa Shqiptarët luftojshin kundra turkut per liri të Shqipnisë e t’ Europës
mbarë, shka bajshin grekët e serbët, ata që sot Konferenca e Paqes asht tue i
mbajtë nen stjetull si djelm dishirit? Grekët, si Zotnija juej e din mirfilli,
edhe atëherë kur turqit kishin mërrijtë te dera e Stambollit, rrijshin tue u
marrë me çeshtje fetare kundra Kishës së Romës. Po kështu edhe Dhespoti i
Serbisë, sadoqë kryetar i nji populli trim e luftar, – deri sa gjaku Shqiptar
shkonte rrëkajë per liri dhe pamvarsi t’ Atdheut, ai niste krushqi me turq, tue
ia dhanë të bijen per grue Sulltanit dhe, pështetë mandej në këte fakt, serbi
pengoi bashkimin e ushtrive të Skënderbegut me ato të Huniadit, e per
rrjedhojë, u thye ushtria e krishtenë në Varna, tue marrë në qafë ma se gjysen
e Europës. E tash, shi këta grekë e këta serbë, janë ata që ma fort se askush
tjeter shpifin kundra Shqiptarve, tue thanë se nuk kanë ba kurrgja per liri e
pamvarsi të kombit vet! Por unë shpnesoj, se Zotnija e juej, që e di mirë se në
ç’ hall ka vojtë Europa mbas kater vjet lufte, ka me e çmue si duhet e sa duhet
ndergjegjën kombtare të Shqiptarvet, që për njëzet vjet rresht e mbajtën luften
në kambë, veç për mos me bjerrë lirinë e pamvarsinë e vet.
E mos kujtoni,
Zotnij, se me dekë të fatosit të lumnueshëm Gjergj Skënderbeut u shue ndjesia e
lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e Shqiptarëve. Historia e Turkisë ka
shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha, të cilat, gjatë rrjedhjes së
katër kavaljeteve, kombi Shqiptar i bani qeverisë otomane a për me pshtue prej
zgjedhës së sajë, a për me e ngushtue që mos t’i bante n’ asgja të drejtat e
tija. Edhe pamvarsia e Greqisë asht
nji lule e rimun me gjak Shqiptar. Zhavellët dhe Boçarët kanë kenë Shqiptarë e
shqip kanë folë dhe me trimëni shqiptare kanë luftue. Jo, po, Greqinë e kanë
lirue shqiptarët e jo grekët, e ma pak e kanë lirue do Pushtete të mëdha, të
cilat aso kohe bajshin spekulime mbi Greqi, ashtu si, do Zoti, po bajnë sot mbi
Shqipninë. Këtë punë, me pasë për ta pyet si dijetar dhe jo si diplomat, kishte
me ua vertetue edhe Venizelosi vetë; por, në mos dashtë me ua thanë ai, ja u
kallzon Lamartini, i cili, tue folë mbi pamvarsi të Greqisë, thotë se kjo nuk
kje tjetër, veçse rezultati i reaksionit të elementit shqiptar kristjan mbrenda
Greqisë kundra elementit turk.
Edhe konstitucioni
i Turkisë kje nji veper e shpirtit të lirë e të pamvarun Shqiptar.
Shqiptarët, po
kjenë ata që ngushtuen Sulltanin me e dhanë e me e shtij në punë konstitucionin
në vjetin 1908. E kur Turqit e Rij nisën ta perdhosin dhe ta çorodisin vetë
konstitucionin, tue u mundue me e sjellë ate krejt në dobi të veta të veçanta e
jo per të mirë e dobi të mbretnisë, Shqiptarët u ngritën e me armë në dorë dhe
lypen prej Sulltanit decentralizacionin dhe autonominë e krahinave të mbretnisë.
Edhe Sulltani kje gati me ua çue në vend dishiren e tyne. Kur qe, shtetet e vegjel
të Ballkanit, – që Shqipninë e kanë pasë mbajtë si nji “trashigimi” të tyne, –
tue pa se nëper autonomi Shqipnia po u delte doret njiherë e pergjithmonë,
çohen e i qesin luftë Turkisë! Asht e vertetë se nji pjesë e shtypit europjan e
pershndeti këte luftë si nji luftë kryqtare per lirimin e popullit kristjan
prej zgjedhës otomane; por ajo, në vetvedi, nuk kje tjeter veçse nji luftë
rrenimi, çue peshë prej kristjanve të Ballkanit, per me e rrenue Shqipninë dhe
me e humbë të mjerin Kombin Shqiptar!
Arsyeja pra, pse
kombi Shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vedi, nuk kje puna se atij i mungonte
ndërgjegjja kombtare ose ndjesia për liri e pamvarsi, por kje fakti se, shi
ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia
ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë, jo për
me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë
faret. Kështu që, prej kësaj pikpamje duhet me e thanë se Shqiptarët gabuen,
dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të
kishte kenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri
prej kristjanëve.
Po e shof, Zotnij,
se kjo fjalë në gojën teme disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji
paradoks në vetvedi! Por shka ti bajmë punës, janë faktet që më japin arsye! Në
vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë
Shqipnia. Por megjithkëtë, turku ia njofti Shqipnisë nji farë autonomie: na e
la gjuhën dhe kanunet tona, - por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti
qinda mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë kombi hoqi zi e si asht ma zi prej tij.
E tash ndini si u suell kristiani me Shqipni e me shqiptarë: Në vjetin 1912
kërset lufta Turko-Ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. E mirë. Po
shka bajnë këta? Njiherë mbysin, pak me thanë, dyqindmijë shqiptarë, vrasin
meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue Fenë. grijnë mysliman sepse
edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qinda e qinda katunde,
veçse si e si me e farue Kombin Shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombtare,
mbas sa intrigash të poshtme, pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri, Kombi Shqiptar
ka pasë mështetë gjithë shpnesën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e
forcës që do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të
qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë, ata nuk sollën kurrnjisend përsëmari në
Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhjetë kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji
rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji
spital, nji send të vetëm që t’i vyente përparimit dhe qytetnimit të kombit
Shqiptar. Gjithë kujdesi i tyne për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos
me e lanë Shkodrën me ba pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit
Shqiptar, t’u qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni
çfutnit, nji tagri me shqiptarët, sadoqi, aso kohe nuk kishte në Shqipni me
thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda Nderkombtare dogji të
gjitha aktet dhe arkivat e veta. Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën
me rrethina, sadoqi Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë
me kurrkend. Në fillim të vjetës 1915, italianët pushtojnë Vlonën,
kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmutë të Shqipnisë Jugore. Por shka se, në vend të smutoreve, ngrejnë kala; në vend të barnatoreve,
ngulin topa e gopedra, në vend të hapave dhe barnave, mjellin mina në det, a
thue se dy vjet ma parë, Qeveria Shqiptare nuk e kishte dorzanu integritetin
dhe neutralitetin e Shtetit Shqiptar! Në vjetin mbas, 1916, Austro-Hungaria
pushton Shqipninë, e mbas pak kohet, shi ata që kishin ba gjithë ate zhurmë e poterë per me mkambë Shqipninë
shtet në vedi, i proklamojnë popullit Shqiptar se ky do ta kishte autonominë e
vet, atbotë kur ky t’ ishte i zoti: si me e thanë me fjalë të tjera, ata
dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën
360 katunde në Shqipninë Jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin Shqiptarë.
Sot Konferenca e Paqes lypë që shi ndër këto vise, të bahet plebishiti për me
caktue kufijt e Shqipnisë. Ironi e helmueme! Prej këtyne punëve, - për mos me
folë për të tjera, - duket çiltas se shqiptarët, prej pikpamjes kombtare, kanë
pasë arsye me drashtë ma shumë kristjanët, se sa turqit. Turku, si për princip,
si në teori, ia ka pasë njohë Shqipnisë njifarë autonomie, sadoqë me
Skanderbeun e pat kundërshtue përparimin e tij në Ballkan.
Kombi Shqiptar ka
tager me kenë njoftë shtet i pamvarshem e sovran, pse asht Komb autokton i
viseve ku sot me sot banon, e pse e ka të shquet ndergjegjen lirie e pamvarsie:
Si me thanë, se ka në vetvete të gjitha mëndorjet e lypuna që me u njoftë një
Komb Shtet më vedi e i pamvarshem. Prandej Konferenca e Paqës asht e
detyrueshme para historisë e njerzimit mbarë – per në mos dashtë me u ra mohi
parimeve të veta – me na i njoftë këto të drejta tona.
II
Deri këtu kumbona
jonë. Tash lypet, që të ndieni edhe atë të anmiqve tanë; pse dishroj që të
thelloni me mend sa ma mirë këte çeshtje, për me mujtë masandej me dhanë një
gjyq të kthjelltë e të paanshem mbi Shqiptarët e mbi të drejtat e tyne. Duhet
dijtë, që as anmiqtë tanë nuk e mohojnë vjetersinë e dashuninë e Kombit
Shqiptar për liri e pamvarsi; veçse ata mundohen me i kamuflue pretenzionet e veta mbi
Shqipninë nën maskë të do shkaqeve të hijshme. Edhe diplomacia e anmiqve tanë
thëmelohet , si ajo e botës tjetër, mbi egoizëm e mbi hipokrizi.
Thonë, pra, anmiqtë
tonë e do mbrojtësa të tyne, se e vërtetë që Kombi Shqiptar asht ma i vjetri
ndër popuj të Ballkanit e se ka nji dashni të gjallë për liri dhe pamvarsi të
vet; veçse çka, se megjithkëte, Shqipnia nuk mund të qitet shtet më vedi se Shqiptarët
janë:
a) barbarë, b) nuk
janë të zotët me përparue dhe me u qytetnue vetë dhe se,
c) eksperienca ka
tregue se në kohën e Princ Widit, Shqipnia nuk mund të mbahet shtet më vedi dhe
krejt i pamvarun.
E dij, se unë jam
tue vue tepër në provë durimin tuej; por mue më duhet domosdo me i qitë poshtë
me arsye këto shkaqe, ose ma mirê me thanë, këto të shpifuna tê tyne kunder
Kombit Shqiptar, tue kenë se unë i jap një randësi të madhe fort gjyqit që
Zotnija e juej mundet me përba me mend mbi të drejtat e Shqiptarëve.
Pra, simbas
mendimit të anmiqvet tonë, ose ma mirë me thanë, simbas fjalëve të vetë atyne,
lypet që Shqipnia të coptohet e t’u jepet atyne në dorë, për me e sundue dhe
për me vu rregull, - meqë shqiptarët janë barbarë e të egjër e nuk janë popull
që di me u qitë shtet më vedi, pra me qeverisë.
Për me thanë të
vërtetën, po të marrim parasyshë mjetet e mënyrën, me të cilat ka nisë e vijue
Lufta e madhe europiane, kishe me thanë se barbaria dhe egërsia e popujve ka
pak ose aspak të përpjekun me dishirën për liri e pamvarsi të tyne. Kur popuj e
kombe, në emën të “qytetnisë” kanë vra e pre fëmijë, gra, pleq e të mbetun; që
kanë ba me dekë prej ujet e gazepit me mija njerëz të pafat në ditë; që kanë
djegë e rrenue, jo vetëm katunde e qytete, por mbarë krahina të pamatuna; që
kanë thye çdo të drejtë ndërkombtare e njerzore dhe kanë pre në besë me qinda
mija rob të ramë në dorë, - e megjithate, sot ata munden me kenë shtete të
pamvarun e të lirë; - po atëherë, pse nuk mundet me kenë Shqipnia e lirë ku,
nëmos tjetër, gra nuk vriten, ku nuk gjindet nji vorr i nji të dekunit urije,
ku ndorja e besa edhe ndaj anmikut janë të pathyeshme?!
Serbët, në kohën e
Luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çilë nanave Shqiptare barkun dhe foshnjet
e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada porsi pisha për me shndritë natën me to,
dhe sot Konferenca ua ka trefishue madhësinë e shtetit të tyne. Grekët kanë
kryqzue gjinden Shqiptare shi në të XX qindvjetë, ndersa sot, Konferenca e ka
menden me ua dhanë mandatin që me i shtrue e me i qytetnue disa kombe të tjera
(kupto: Shqipninë). Pse tash, Shqiptari, i cili nuk i njef këto “qytetni” në
vedin e vet, pse s’mundet me dalë shtet më vedi, i lirë e i pamvarshem?
Por, edhe me pasë
për ta marrë barbarinë si gjendje petkore të shpirtit të njeriut, unë mundem me
thanë pa droje kundershtimi, se Kombi Shqiptar nuk asht diftue aspak ma i egër
e barbar se disa kombe të tjera të qytetnueme, kur këta kanë kenë po me ato mndorje
që ka pasë Kombi Shqiptar. E per mos me shkue teper gjatë këtu nuk po ju
permend sesi spanjolët kanë mbytë ma se 15 miljon hindjan t’ Amerikës, si e
kallxon Imzot De La Casa, në nji relacion që i bani Mbretit të Spanjës; dhe as
po e zgjas sesi Arigat e Elizabetët e Anglisë i kanë vue reformat besimtare në
mbretni të vet; vetem po due me ju qitë nder mend, kobin e hallin e zi që e
mbuloi këte të bukurin vendin tuej, – i cili kje gjithmonë shkolla e lirisë dhe
e qytetnisë. – Atëherë kur populli
francez, në kryengritjen e vjetit 1789, mërrijti me marrë armët në dorë e me i rrëzue
autoritetet e nderueme, Ju Zotnij, e dini fort mirë sesi ky popull francez, që
edhe atëherë ishte pasqyra e modeli i elegancës dhe politesës, jo vetem që e
lau tanë Francën me gjakun e vllazenve të vet, por nuk i fali as rreshtat e
atyne fatosave, të cilët, aq lumni e nderë i kishin sjellë “a la grande nation”; por due me thanë,
se i kanë dhunue deri kockat në vorr Martirve të vet. Me këte rast, po due t’
ju qes nder mend sa gjaqe e sa dhuni bahen, shi nder këto kohët tona, n’ atë
lulishten e Europës që asht Italia. Shumë e njoftuna, e perkohshmja e Romës “La Civiltá Cattolica”, në numrin e vet
të Dhetorit të 1914, botonte nji artikull interesant, të quejtun “Il pericolo interno” ku, me statistika
në dorë, thotë se në Itali per njizet vjet rresht, prej vjetit 1894 e deri në
1914, kanë ndodhë nga njiqindmijë vrasje në vjet, pra tre perqind e popullsisë.
Kur, pra, në mjedis nji mbretnije të qytetnueme si Italia, që asht vendi i
bukurisë e i fisnikisë, e ku ka polici e xhaindarmeri e ushtri e flotë detare, mund
të ndodhin kaq gjaqe e vrasje, atëherë, pse Shqipnisë nuk mund t’ ju njifka e
drejta e lirisë dhe e pamvarsisë ku, megjithse nuk ka as polici, xhandarmeri,
as ushtri kombtare, as gjykatore, as shkolla e institucione tjera kulturore,
numri i të vramve, – si dihet prej statistikave, – mezi’ mërrinë në nji perqind
në vjet? Ah, po, duket çiltas, se nuk “duen” me e qitë Shqipninë shtet më vedi
e të pamvarun dhe kjo, jo sepse Shqiptarët na kenkan barbarë e të egjër, por
sepse këta nuk kanë sot për sot, nji ushtri e nji flotë të veten, me të cilën
të mund t’u dalin zot tagreve të veta. Ose me thanë ma kjartë, u vehet kamba Shqiptarve,
vetëm sepse këta janë ma të ligësht ushtarakisht, e jo, sepse janë ma barbarë
se kombet e tjera të Ballkanit.
Por këtu tash,
vjen edhe puna e gjakmarrjes, – la
vendetta, – prej të cilit fakt, anmiqtë tonë, si edhe kumbarët... e tyne,
duen me e prue si argument per barbarinë e egersinë e Kombit shqiptar. Kurrkush
ma fort se unë, – si nji Prelat kishtar, – nuk mund ta dënojnë punen e
gjakmarrjes në vetvedi e ta marrin si nji fakt të zhdeshun prej mndorjeve, ndermjet
të cilave kjo ndodh. Veç shka se, per me e caktue gjendjen shpirtnore, asht apo
nuk asht barbare në nji njeri ose në nji Komb, nuk duhet të merret aq në kujdes
fakti, sa shkaku psikik që e shtyn njeriun ose nji Komb, me veprue kështu. Bjen
fjala: kanibali mbyt nji njeri, por edhe gjykatsi europjan e mbyt nji njeri.
Tash, a mund të thomi se të dy janë njisoj barbarë? Jo; pse kanibali e mbyt
njeriun per me i hanger mishin dhe prandej, si rrjedhojë asht barbar. Ndersa
gjykatsi europjan e mbyt njeriun, jo me i hanger mishin e as per me e shfrye
mëninë e vet mbi te, por per me pshtue shoqninë prej nji elementi të rrezikshëm
e, bash per këte, nuk asht barbar. Në se e marrim punen pra, nga ana
psikologjike, unë tham se çeshtja e gjakmarrjes në Shqipni, nuk asht nji
argument i cili sherben per me percaktue barbarinë e egersinë e Kombit
Shqiptar, por ky asht si rezultat i disa mndorjeve, të cilat nuk mvaren prej
Shpirtit të këtij Kombi.
Mbas Kanunit, i cili asht të shprehunit e
Shpirtit të Kombit Shqiptar, çdo vrasje asht e ndeshkueme me dekë. Dihet se,
simbas Kanunit, po t’i kishte ra në
dorë gjaksi autoritetit ekzekutiv të Kanunit,
ky do ta kishte mbytë ate në vend, pa kurrfarë ngurrimit.
Po gjaksi shpesh
ikë, lëshon vendin e struket larg, si mik, në mbrojtje të nji Bajraku tjeter,
tue i pshtue kështu gjyqit të Bajrakut të vet. Duhet dijtë se në Shqipni, miku
asht i patrazueshëm e nuk mund të preket prej kurrkujt. Sepse, po ndodhi që
ndokush ia ngau mikun kujt, kjo “dhunë e bame ndaj mikut”, s’ mund të lahet ndryshe,
veçse me gjak prej anës së mbrojtësit të tij që e ka marrë ndore. Kështu ndodhi
që autoritetet e Bajrakut të gjaksit nuk kanë muejtë me i dhanë ndeshkimin e
dekës, tue kenë se po ta kishin vra në ndoren e nji Bajraku tjeter, do të ishte
ngrehë luftë ndërmjet këtyne dy Bajraqeve. Per mos me i dhanë shkas pra, nji
luftet civile, autoritetet e Bajrakut të gjaksit, ia djegin shtëpinë gjaksit, –
i vetmi ndeshkim që, si mbas mndoreve të vendit, mund t’i bahej atij, – e persa
i përket ndeshkimit të vdekjes, ua len këte përlim shtëpisë së të vramit, që ta
kerkonte e ta vrante gjaksin, por jo si nji Bajrak me tjetrin. Këte punë kanë
mërrijtë me e ba autoritetet e Bajrakut, tue kenë se, në sy të tyne, çdo njeri
që asht i zoti i armëve, thirret edhe si ushtar i Bajrakut. Per ma teper, duhet
dijtë edhe se këto vendime të Kanunit kanë
kenë njoftë edhe zyrtarisht prej Sovranit të vendit që ishte, në këte rasë,
Sulltani i Stambollit.
Shqiptari pra, tue
vra gjaksin e vet, nuk ban gja tjeter, veçse çon në vend nji ligj të cilin ai e mban si të drejtë. Nëse duem të
flasim në pikpamje psikologjike, veprimi i atij që merr gjak asht nji veprim i
ligjshëm e nuk mund të thirret kurr uhamarrje, vendetta. As xhelati i Luigjit XVI, i cili ia preu kryet Mbretit,
nuk pyeti, a ishte e drejtë apo jo me ja pre kryet këtij, por e mbyti se ishte
i bindun se ligji ishte i mirë e i bazuem n’ arsye. Qe pse atij nuk iu desht
t’i pergjegjej askujt per premjen e kokës së Krajlit Francës dhe, as sot e
kësaj ditë, kurrkush nuk thotë se ai kje nji njeri barbar. E se vrasja e
gjaksit, nga pikpamja psikologjike nuk asht nji vendetta, danë edhe per faktin se vrasja ndermjet dy familjeve
hasme, nuk shtyhet në nji numer të percaktuem, por, nji të vramë gjaksit, dy
familjet marrin e japin njena me tjetren, si me të gjitha familjet tjera të
Bajrakut, – pak a shumë, aq sa marrin e japin ndermjet tyne, shtetet e mëdha të
Europës së qytetnueme, mbas nji Lufte Botnore.
Por asht edhe
gabim me thanë se të marrunit e gjakut shënon barbarinë e nji Kombit, në kjoftë
se ne, nën fjalën barbari, kuptojmë egërsinë ose breshtninë e Shpirtit të tij,
ashtu si duen me e kuptue kundërshtarët tonë, kur e kanë fjalën për Kombin Shqiptar.
Të marrunit e gjakut buron prej mndorjeve të jashtme e prej të metave të
organizimit shoqnor të nji Kombi, dhe jo gjithmonë prej gjendjes shpirtnore të
tij. E vërteta e këtyne fjalëve përcaktohet edhe prej historisë së popujve, për
të cilët nuk mund të thohet se kanë kenë të egjër e breshtnorë.
Në Biblën Shenjte këndohen këto fjalë:“Propinquus occisi homicidam interficiet:
statim ut apprehenderit eum, interficiet...Cognatus occisi, statim ut invenerit
eum (homicidam) jugulabit.” Në se dikush godet një tjetër me gur dhe mund
t’i shkaktojë vdekjen, ai asht një vrasës dhe asht i dënuem me vdekje. Njeriu i
ngarkuem me hakmarrë viktimën, e vret vrasësin me rastin e parë. (Num. XXXV,
19, 21)
Po kështu edhe në “Iliadë”, në librin e IX, gjejmë këto
vargje që unë po i la simbas përkthimit të Montit:”... Il prezzo/ Qualcuno accetta dell’ucciso figlio/ O del fratello; e
l’uccisor, pagata/ Del suo fallo la pena, in una stessa/ Citta dimora col
placido offeso.”
(Ndëshkimin,
sejcili e pret si të drejtë për vrasjen e të birit ose të vllait; dhe ai që e
ban këtë vrasje për shpagim, mund të jetojë mandej i qetë në të njejtin qytet,
me atë familje së cilës i bani vrasjen - fyemjen e parë.)
Duket, pra, mirfilli,
se prej të marrunit të gjakut - vendetta
- nuk mund të thohet se Kombi Shqiptar asht barbar e nuk asht i zoti me u
qeverisë në vedi dhe i pamvarun.
Por “Jo!” thonë
kundërshtarët tanë. Të metat e organizimit shoqnor, si dhe të marrunit e gjakut
në Shqipni, nuk janë të shkaktueme prej mndorjeve të jashtëme, por rrjedhin
prej gjendjes shpirtnore të egër të Kombit Shqiptar. Me fjalë të tjera,
shqiptari vret njeriun për instikt dhe jo për nji arsye, e cila, edhe mbas
mentalitetit e bindjes së tij, të jetë e pështetun mbi nevojë të të ruejtunit
të jetës, të gjasë ose të nderës së vet. E për në kjoftëse asht e vërtetë, -
sikurse njimend asht e vërtetë! - se poezia popullore asht pasqyra e Shpirtit
të nji Kombi, kjo duket çiltas, - thonë ata, - prej kangëve popullore shqipe,
sepse të tana, ose gati të tana, tregojnë punë të veçanta vrasjesh ose gjakut.
Por edhe këtu danë
mirfilli se, kundershtarët tonë ua kanë zejen shpifjeve e rrenave e se ksodore,
ata flasin, jo sepse kanë dëshiren, që të vehet paqa ndermjet kombeve, por
sepse...e lakmojnë këte tokë Shqiptare.
E vertetë se
poezia popullore shqipe tregon punë të veçanta vrasjesh e gjakut; por kjo nuk
do me thanë se Kombi Shqiptar vret njeriun per instikt. Shqiptari nuk i këndon
çdo lloj vrasjesh e gjakut. Ai këndon vetem per ato vrasje e gjaqe të cilat
janë ba vetem me i dalë zot jetës, gjasë e nderës, dhe per me u krye nji veprim
i këtillë, lypet nji forcë e nji trimni e jashtzakonshme, ashtu si mundet me u
vertetue nder kangët heroike Shqiptare, të mbledhuna në vllimet “Visaret e Kombit”. E se këto vrasje e
gjaqe nuk janë të bame gjithmonë per nji interes të pergjithshëm dhe se çmimi i
nderës së njeriut në Shqipni, nuk asht i matun gjithmonë simbas kriterit të
kombeve të qytetnueme, kjo nuk don me thanë se Kombi Shqiptar asht i eger e
barbar, por don me thanë se organizimi shoqnor i tij ka nevojë me u përmirsue e
se do parime morale, ende s’ janë zhdrivillue plotsisht ndër Shqiptarë. Na këtu
nuk po flasim per moralitet të këtyne akteve: Flasim mbi movent të këtyne
akteve e thomi se, vrasja në Shqipni nuk bahet per instinkt, por per nji
“shkak”, i cili, simbas mentalitetit të Kombit, asht i mirë e i arsyeshëm. Prandej
per këte, populli Shqiptar nuk mund të thirret i eger e barbar. E mos të
harrojmë se paladinët e Ariostit dhe kreshnikët e Tasit, nuk kanë luftue
gjithmonë per interes të pergjithshëm e as që kanë qindrue gjithmonë per nji
nderë të kuptuem simbas parimeve t’Etikës së popujve të qytetnuem.
Por, per me e
diftue egërsinë e Kombit Shqiptar dhe pazotsinë e tij per me u qeverisë në vedi
e i pamvarun, kundershtarët tonë kapen edhe në nji punë tjeter. Ata thonë: “Nuk
mbahet mend në histori se Kombi Shqiptar asht gjetë kurr i bashkuem e i
unjishem m’nji si shtet, por gjithmonë, – si edhe sot, – ai shfaqet i ndamë në
fise e Bajraqe, gja kjo që ndodh vetem nder kombe t’ egra.”
Këte fjalë ka
muejtë me e thanë e me e shkrue, edhe ndonji dijetar, i cili, drejtperdrejt,
nuk hyn në numrin e frotës s’ armiqve tonë. Ata thonë se Kombi Shqiptar nuk
shfaqet në histori i unjishem në nji bashkim që të ketë pasë formen e shtetit.
Ne na duket se këta dijetarë janë si të ngutun në dhanjen e këtij gjykimi. Asht
e vertetë se mundet me kenë që ky Komb të shfaqet në histori, si gjithmarë, i
unjishem në nji shtet nën emnin “shqiptar” e “albanensis”, nen të cilët emna, historia tashma e quen Kombin
Shqiptar. Por duhet dijtë se fjala “shqiptar” e “albanensis” nuk shenon individualitetin
etnologjik të familjes së këtij Kombi. Fjala “shqiptar” vjen prej verbit “me
shqiptue”, që don me thanë “enuntiare”, “exprimere”, e shenon njeriun që mundet
me folë dhe me kenë kuptue në këte gjuhë, prej tjerëve. E prandej, “shqiptar” asht edhe
francezi per francez, kinezi per kinez, hindjani per hindjan, etj. Pra, mjaft
që ta kenë gjuhen amtare, së bashkut. Per antonomazi pra, e vetem perpara
Kombit Shqiptar, fjala “shqiptar” shenjon kombsi; sepse, në vetvedi, si e thame
ma siper, nuk e ka këte kuptim. Po kështu, edhe fjala “albanensis” nuk
percakton individualitetin etnologjik të nji familjes kombtare, por shenjon
popullin që banon n’ Albanie ose Shqipni.
Tash, përpara se
ndokush mund ta thonte me arsye se Kombi Shqiptar nuk shfaqet kurr i bashkuem në
nji shtet, kishte me u dashtë ma parë që historia të caktonte se prej kah e ka
rrajën ky Komb, ké ka fis e vlla mbi botë, - sepse ky nuk ka bijtë vetvedit mbi
botë, - e se deri ku përfshihej vendi i tij. Por këto, historia ende s’i ka
përcaktue, e kushedi se kur ka me muejtë me i përcaktue, sepse historia e Kombit
tonë gjindet e shtjellueme mbrenda hijeve të mugta të kohve ma të vjetra.
Masandej do të ishte dashtë që historiografët e hershëm, mbi të cilët pështeten
historianët e sotshëm, t’i kishin nda me nji emen të vetëm të tanë elementet
prej të cilit përbahet ky Komb. Kush mundet me e thanë me siguri se shqiptarët,
ilirët, maqedonasit, thrakejt, epirotët janë pra të gjithë të nji fisi apo jo?
Prandej kurrkush nuk mund ta thotë me siguri se shqiptarët s’kanë kenë kurrë të
bashkuem më nji e s’kanë kenë shtet më vete. Por, po e xamë, edhe, se
shqiptarët s’kanë kenë kurrë të bashkuem në nji shtet të vetëm. Megjithkëtë,
armiqt tonë nuk kanë arsye kur thonë se për këtë shkak, Kombi Shqiptar nuk
duhet qitë shtet më vedi, por ky vend duhet nda ndërmjet tyne, si gja e pazot. Kush
i mba mend grekët të bashkuem nën nji skeptër dhe kunorë mbretnore përpara së
XIX qindvjetë? Sa jetë ka flamuri i Greqisë? Jo vetëm që grekët, edhe në kohën
ma të lumnueshme të historisë së tyne s’kanë kenë të bashkuem nën nji shtet,
por këta kanë thirrë ushtritë e hueja për me shtypë shoqi-shoqin, shi mbrenda
kufijve të vet. Pse pra, Shqiptarët, të cilët gjithmonë ia kanë vu pushkën të
huejve, dhe që kjenë faktori ma i parë i pamvarësisë greke, nuk duhet të kenë
liri dhe pamvarësi, për arsye se s’na paskan kenë kurrë të bashkuem në nji
shtet?!
Si e dishmojnë
vetë diplomatët e saj, Franca ka hy në Luftë Botnore vetëm për me i dalë zot
integritetit e pamvarësisë së Serbisë. E po, aso kohe, serbët nuk kanë kenë të
bashkuem me Kroaci e Mal të Zi e Sloveni, me të cilët sot po thohet se na kenkan
të tanë prej nji fisi! Mirpo, nuk po kuptohet kjartë arsyeja përse sot
shqiptarët do të bahen rob të serbëve e të grekve! A për arsye se deri dje, edhe
Kombi i tyne nuk ka kenë i bashkuem në nji shtet të pamvarun?!
Mandej, sa për atë
fjalën tjetër që thonë kundershtarët tonë, se Kombi Shqiptar duhet mbajtun për
barbar, për arsye se asht i ndamë nder krahina dhe fise, nuk duket se asht ma
me themel se ato të shpifunat tjera mbi të cilat u fol ma sipër. Tue kenë e
themelueme jeta shoqnore mbi bashkësi të interesave, prej vedit vjen si
rrjedhojë se shteti, i cili ngallitet prej asaj bashkësie, nuk mund të përshtrihet
ma përtej se sa i mërrinë forca që do t’i mbrojë ato interresa. Tash, tue kenë
se populli Shqiptar, për shkak të pushtimeve të hueja të vazhdueshme, nuk mujt
me i organizue forcat e veta në mënyrë që me mbrojtë e me drejtue interesat e
përbashkëta të Kombit, këtij iu desht doemosdo me u nda në disa grupe ma të
vogla, e aty, përmbrenda qarkut të mundësisë që natyra dhe pozicioni gjeografik
u jepte do familjeve, me u vllaznue dhe me i mbrojtë interesat e veta, me
modelue “shtetin” dhe me organizue jetën e vet shoqnore. E ky ishte i vetmi
sistem jete shoqnore që mund të realizohej deri më sot në Shqipni. Në njenën
anë, shqiptari nuk donte t’i shtrohej pushtuesit të huej, në anën tjetër,
pushtuesi i huej nuk e lente shqiptarin me i organizue forcat e veta në mënyrë
që ky ta shtrinte pushtetin e vet mbi të gjithë Kombin. Shqiptarit iu desht me
e lokalizue pushtetin e vet në krahina të veçanta, tue i mbajtë së bashku
parimet e Kanunit Kombtar si rregull
jetet. Prandej, fakti që Kombi Shqiptar gjindet i ndamë ndër fise, nuk rrjedh
prej shpirtit të tij ekcentrik dhe barbar, por prej faktorve të përjashtme të
cilat ai nuk kishte mënyrë sesi me i shndërrue.
E, me e vertetue
se Kombi i ndamë në shumë fise asht gjithmonë barbar, mundet me u vërtetue edhe
prej historisë. Në kohen kur Filipi i Maqedonisë kercnonte Republiken e Athinës,
kjo Republikë xuni me u forcue per t’i ba ballë anmikut e kështu, mëkambi nji
ushtri prej 500 vetësh kamsorë e 50 kalorës t’ armatosun, kjo gja mundet me u
lexue në Filipikët e I të Demostenit. Prej këtyne shifrave duket e kjartë se
Republika e Athinës, në kohen e Demostenit, nuk dij a mund të kishte kenë shumë
gja ma e madhe se ndonji fis i Shqipnisë. Por megjithkëte, s’e besoj se
kundershtarët tonë mund të thonë se Atdheu i Demostenit ka kenë barbar, per
arsye se kjo Republikë ka kenë ma e vogel se Serbia.
Së mbrami,
kundershtarët tonë thonë se Shqiptarët janë jo veç barbarë, po, per mateper,
Shpirti i tyne asht i ngathtë e i plogësht, aqsa mos me mujtë kurr me u
qytetnue e me perparue.
Fjala fjalën s’ e
mund, por shtanga shtangen, ka pasë thanë nji gjakovas i motshem: “Shtanga e
thyen njiherë shtangën, por fjala s’ e mund kurr fjalën!” Prandej, unë këtu nuk
po due me u hallakatë fort nder fjalë, veçse me arsye të forta, – të cilat janë
shtanga në nji kuvend burrash të mendshëm, – due me diftue se Shpirti ose psika
e Kombit Shqiptar, nuk asht aspak ma e ngathtë se ajo e sllavëve. Psika e nji populli
ndanë ma së miri, në poezinë popullore të tij. Le ta perballojmë pra, poezinë
popullore shqipe, me ate të sllavëve.
Tue gjykue simbas
poezisë popullore të sllavëve të Jugut, rodi i poezisë që zotnon ma shumë nder
ta, asht legjenda. Legjenda, si dihet
prej natyrës së vet, kerkon me lurtue veshët e të mëdhajve e prandej, këte rod
poezie e gjejmë të perhapun sidomos nder epoka të despotizmit e autokracijet,
si dhe nder popuj të cilët, ndjenjat e lirisë nuk i kanë fort të shqueme,
gjithashtu që nuk kanë shpirt iniciative në vetvedi. E të këtillë janë sllavët,
perposë malazezëve, të cilët janë të shartuem ma fort se me tjerë, me
shqiptarë. Sado që sllavët janë nji familje e madhe fort në Europë,
megjithkëte, të thuesh, deri dje i kena pa tue u vue pa za nen zgjedhë të nji
Cari ose të nji Habsburgu, kush nen tirani të nji Kalifi ose të nji Despoti
autokrat e që, per me i pshtue robnisë së huej, u asht dashtë gjithmonë, ose
nji kombinacion politik, ose ndihma e nji të tretit, i cili i ka pshtue per me
i pasë ma vonë si mashë per vedi.
Por, prej poezisë
popullore, del në shesh edhe nji tjeter njollë e psikës sllave. Fatosat e
Kombit sllav, ashtu si i paraqet poezia e tyne popullore, nuk janë njerzë të
nji force të jashtzakonshme, si asht Akili, Dhiomedi ose Ajaksi në “Iliadë”. Nuk janë as vetje gadi të
hyjnueshme, si Luçiferri i Miltonit në “Parrizin e djerrun”, po janë disa
perbindsha të përçudnuem , qê s’di njeriu a janê kulshedra apo katallaj e
maluketen tê trishtueshêm.
Kështu, bjen
fjala, Kraleviç Marku, tash kërcen me sharcin e vet prej nji malit në tjetrin,
tash han 50 okë groshë në hae, tash pin venë me lagena 12 okësh, tash e hjedh
topuzin tri ditë udhë larg, etj. Kishe me thanë se madhnia e këtyne fatosave,
perngjanë ma fort me madhninë e nji sfinksi që nuk asht, as shtazë, as njeri e
që s’ ka asgja me natyren e mendjen e njeriut. Ai asht nji peshë shtjelli të
çuditshëm, që nuk thotë asgja e as që duhet gja. Tue i ndi ato kangë,
shpeshherë të duket vedi se je n’ ato kohë kur flitshin zogjtë e hardhucat, e
kur ujku e dhelpna ishin ndrikull e kumbar; pra, në nji kulturë hindjane, kur
poezia i perziu dhe i bani përshesh sendet e mbinatyrshme me ato të natyrshmet,
tue perftue kështu sfinkset, piramidat dhe poemat e pafundshme.
Mbasi pra,
vjerrshtori sllav, per me mujtë me ba pershtypje në mendje e në zemer të
popullit, me poezitë e veta, duhet me e thanë se asht ngushtue me perftue do
forma krejt shpellanike, si dhe fatosa matrahula e maluketën, me kenë se
mentaliteti i atij populli nuk asht i zhdrivilluem, aqsa me i kuptue plotsisht
përmasat e numrit, të peshës e të masës, prandej ka mbet ende në nji shkallë
mjaft t’ ulët të qytetnisë.
Asht e vertetë se
poezia popullore sllave ka nji trajtë të përjashtme fort të bukur; por kjo nuk
rrjedhë prej njomsisë së ndjesive të shpirtit të tij, po prej servilizmit që e
dallon. Tue i pasë sherbye gjithmonë tiranit të huej ose tiranit të vet, ai,
per me e lurtue e per me ia këndellë veshët atij, ka kenë i ngushtuem me
zgjedhë fjalë e thanje sa ma të hijshme nder poezitë e veta. Kurrkush nuk ka
mënyra ma të bukura në të folun, se ata që sherbejnë nder pallate të mbretënve.
E nuk ka pse të thonë kush ndryshej, sepse edhe kombet e qytetnueme i kanë këtoforma
shpellanike e të përbindshme nder poezitë e veta, si bjen fjala, ipogrifi
i Ariostit. Poetët e kombeve të qytetnueme i bijnë këto forma, jo si nji ideal
të vetin, por si nji çudë, nji shtriganeri ose si nji shprehje të mentaliteteve
të kalueme, perderisa shkohet deri aty sa sllavi Kraleviç Marku, nuk do të
kishte kenë Kraleviç Mark po nuk i hangri 50 okë groshë në hae e kali i tij të
mos hidhet mal më mal.
Derisa poezia
popullore shqipe asht krejt ndryshej. Shqiptari, nder poezitë e veta, nuk
këndon per tjerë, ai këndon vetem per vedi. Nder lufta e nder punë trimnije, ai
nuk i ven shenj’ fakteve; ai shqyrton vetem rrezet e namit e të lumnisë që
shkrepin prej atyne fakteve. E kështu, kah nami e lumnia asht prij ideali i tij
dhe prej këtij ideali i mbushet Shpirti me entuzjazem, i gufon vetvetiut zemra
nder kangë, të cilat i këndon si ai zogu i verës, i cili këndon jo per me e
ndigjue të tjerët, por sepse nuk i rrihet pa këndue nder blerime e hije të rita
të lugjeve, mbi ato stome gurrash të argjendta. E kah ai nuk i ka sherbye
kurrkujt, fjala, thanja, si dhe krejt forma e mbrendshme dhe e jashtme e
poezisë, i ec, tash e ambel si pranvera e Arbrit, tash e rrembyeshme si ato
prrojet e Bjeshkëve të Namuna ku era ulurinë andej kah vjeshta. Ai nuk i dron
nipat e fatosave të cilët i këndon nder kangët e veta e as që ua ka nevojen
atyne. Ai këndon lirshëm, si t’ ishte i vetem mbi botë, botë e cila, per te,
përmblidhet krejt mbi ato maje malesh ku vedin e mban mbret. Asht pra poezia,
nji ode e rendit të parë, saqë s’ ka shumë vjet, filologu i permendun i
Universitetit të Gracit, profesor Meyer, thonte se poezia popullore shqipe,
prej pikpamjes estetike, asht ma e bukra ndaj të gjitha poezive tjera t’
Europës.
Per në daçim, pra,
me e gjykue punen simbas kritereve të njoftuna të psikologjisë, njeni nder të
cilët asht shi poezia popullore, do të thomi se psika Shqiptare, persa i perket
lakmimit per qytetni, i rrin perballë psikës sllave, ashtu si i rrin përballë
legjenda, odes. Kjo na ban të kuptojmë se psika sllave asht ma pak e zhvillueme
se ajo e Kombit Shqiptar. E per me e perforcue edhe ma shumë këte mendim
t’emin, këtu due me ju prue edhe disa fakte prej të cilëve, Zotnija juej ka me e pa edhe ma
kjarisht se, kundershtarët tonë, gjykimin e vet mbi Shqiptarët e japin, jo
simbas së vërtetës, po simbas interesit të tyne.
Sllavët e Malit të
Zi, ku prej forcës së pozicionit gjeografik të vendit, ku edhe se vetë e kanë
zanat pushkën, gjithmonë kanë kenë të lirë e më vedi. E për ma tepër, për ma se
50 vjet rrjesht, sa mbretnoi mbi ta Nikolla i I -rë, kanë pasë nji formë
qeverie të thuesh kryekput si nder kombe të tjera të qytetnueme. E mirë pra
atëherë: Në të tanë Malin e Zi, kur ka nisë lufta Turko-Ballkanike, ka kenë
vetëm nji shtypshkrojë e vetme qeveritare si dhe kanë pasë nji të vetme fletore
politike, e edhe kjo qeveritare. Por nuk ka pasë asnji shkollë të mbajtun me
paret e popullit. Ndërsa në Shqipni, që prej viti 1908, kur kje shpallë
Konstitucioni i Turkisë, e deri në fillim të Luftës Ballkanike, pra në ma pak
se katër vjet, u ngrefën shtatë shtypshkronja, u themeluen ma se njizet fletore
politike e të përkohshme, u çel nji shkollë Normale e nja tridhjetë të tjera
fillestare, e të tana të veçanta e të mbajtuna vetëm me pare të Kombit Shqiptar.
U përpiluen të tana tekstet për shkollat fillestare e disa edhe për shkolla të
mesme. E kështu, sot më sot, mësimi jepet shqip ndër të gjitha shkollat e
Shqipnisë. Janë botue edhe shumë vepra letrare me randsi, të cilat e kanë çue
nalt ndjesinë kombtare, tue i dhanë në pak kohë, shumë zhdrivillim gjuhës
shqipe, fakt ky që në kohë të pushtimit austro-hungarez, kjo gjuhë kje përdorue
për gjuhë zyrtare ndër të gjitha zyret administrative.
Mbrenda kësaj kohe
kjen mbajtë tre Kongrese Gjuhësie(1),
si dhe kjenë disa shoqni letrare, etj. etj...E gjithë kjo veprimtari asht
zhvillue pa kurrnji ndihmë prej anës së qeverisë.
E po pse, tash,
inteligjenca sllave, që në Mal të Zi, gjatë 50 vjetve jetë kostitucionale nuk
përfton kurrgja të re në lamë të qytetnisë, na duhet sot të mbahet si ma e
naltë dhe ma e hollë se inteligjenca shqiptare e cila në pak vjet krijoi nji gjuhë letrare (2) dhe asht e
ngjizun me nji mentalitet të ri për Kombin?! Zotnij! Le të lehet njiherë në paqë
shqiptari dhe le t’i jepet kohë me nxanë, dhe atëherë, ju keni me pa se ai ka me
shkue gjurmë më gjurmë me kombe të tjera të Ballkanit, gjatë rrugës së
qytetnimit dhe të përparimit.
Kombi Shqiptar i
ka dhanë burra në za për urti Perandorisë së Bizancit. Diplomatët ma të mirë dhe
gjeneralët ma të vlefshëm të mbretnisë së Turkisë, Shqiptarë kanë kenë.
Shqiptar ka kenë
edhe statisti italian Françesk Krispi, kështu Shqiptar ka kenë edhe Papa
Klementi i XI-të si edhe Kardinal Albani. E në kjoftse bazohena në memorandumin
e shkruem nga Venizellosi, të cilin ia ka paraqitë Konferencës së Paqes, Shqiptar
asht sot edhe gjeneralisimi i ushtrisë greke.
Por, për me ua
mbushë mendjen edhe ma mirë se Kombi Shqiptar nuk e ka namin ma të vogël se
kombet e tjera të Ballkanit, këtu due me ju pru fjalët që shkrimtarë me vlerë
kanë lanë të shkrueme mbi Shqiptarët. Shkrimtari francez Hecquard, në librin e
vet “Histoir e descriptions de la Haute Albanie”, ka
shkrue se në histori të shqiptarëve
“ndeshen prova të lumnueshme energjie, inteligjence dhe aktiviteti.” Ma
poshtë thotë: “Ata kanë ruejtë doket e
burrninë ashtu si vetëm mund ta ruejshin burrat e hershëm që u këndohet kanga,
se githmonë këta i kanë dhanë burra në namë e në za Greqisë së hershme,
Perandorisë së Bizancit, Turkisë e Greqisë së kësokohshme”, si u tha
përsiper. Mandej Lordi Bajron, prej anës së vet gërthet: “Përmbi karpa të Sulit e gjatë bregut të Pargës, ka burra si veç motit i
bajshin nanat dorike: atje ka ende do familje për të cilat kishe me thanë se
janë të fisit e të gjakut të Heraklidëve.”
Dëshmi janë këto,
Zotnij të mij, të cilat kishin me i shtue namin edhe nji Kombit ma të madh e të
qytetnuem.
III
Tash, Zotnij,
mbasi Ju diftova se kush janë dhe shka janë Shqiptarët, më duhet t’ Ju flas për
të drejtat e tyne. E po Ju thom se Shqiptarët kanë të drejtë:
a) për nji pamvarsi
politike e ekonomike;
b) gjithnji
mbrenda kufijve gjeografikë e etnografikë të Shqipnisë.
Mbi pamvarsi të Kombit
Shqiptar, nuk kam shumë fjalë me ju thanë.
Dihet se kjo e
drejtë ka kenë njoftë, sigurue dhe dorëzanue me nji traktat të Pushteteve të
Mëdha të Antantës, – prandej, me fjalë të tjera edhe prej Francës, – që prej
Nandorit të vitit 1912, në Konferencën e Ambasadorve në Londër. Këto Pushtete,
mandej, ia kanë ba me dijtë botës mbarë se traktatet ndërkombtare ata nuk i
mbajnë për shtupa letrash me i tretë, por i respektojnë si akte, që prekin
nderen e kombeve që i kanë nënshkrue. E njimend, po e xamë se anglezi thotë se
ja ka nisë nji lufte të përgjakshme e të shëmtueme, por këte e ka ba vetëm për
erz të firmës që ai e ka pasë vu për pamvarësi dhe neutralitet të Belgjit. Pamvarsia
e Kombit Shqiptar pra, në se do marrë si nji punë e kryeme dhe e dorëzanueme mbi
erz të Kombeve të mëdha të Europës, prandej tash ne nuk na mbetet tjetër, veçse
me folë për kufij të natyrshëm të Shtetit Shqiptar, e kjo asht nji çashtje po
aq me randësi, sa ajo e pamvarësisë.
Pushtimet e hueja
dhe intrigat e paemen të nji diplomacie bakalle, të pashpirt e të pazemër, kaq
fort ia kanë shndërrue dhe perçudnue fizionominë gjeografike dhe etnologjike
Shqipnisë sa që sot, nji i huej, sado i drejtë dhe i papajambajtas, mezi mundet
me e njoftë me nji të këqyrun. – Edhe nji nanë, shpesh e ka të vështirë me e
njohë fytyrën e të birit, kur këtë t’ia ketë përçudnue me varrë e me dermishime
arma e anmikut. – Prandej, lypet të caktojmë ma përpara disa kritere të sigurta,
mbas të cilave mandej, me përskajue kufijt e natyrshem të Shqipnisë.
Mbas parimit të
autodeçizionit, sejcili popull që mund të thotë se ka nji homogjenitet të pakëputun
e të pandamë në vetvedi, ashtu si ky përcaktohet prej ndermyllzave të teorive uilsonjane,
ka të drejtë, ose në mos tjetër do të kishte të drejtë, që ai vetë me e nda
kuvendin mbi sharte të veta politike e ekonomike dhe me u nderue si shtet i
lirë dhe i pamvarshem. Ky shtet, masandej, gjeografikisht do të përshtrihej
deri ku kapet kombsija e pandame e vijueshme e atij populli. E në rast se në
ndonji skundiill toke të këtij shteti gjinden të shartuem elemente të huej, aty
vullneti i popullit do të vertetohej nëpërmjet të nji plebishiti, mandej liria
e tij do të jetë e dorzanueme dhe e sigurueme si duhet e sa duhet.
Mbas këtyne
parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti Shqiptar të përshtrihet
gjeografikisht deri ku mërrin Kombësia e Popullit Shqiptar, e vijueshme dhe e
pandame prej centrit të vet. Sepse tagri i autodeçizionit nuk asht i lidhun me
individë ose me grupe të caktuem njerëzish, por me avrom të gjithëmbarshëm prej
të cilit përbahet Kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet tokës së Shqipnisë, i
papështetun mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet dhunshëm e me të
padrejtë.
Por në bazë të
cilit kriter ka për të mujtë me u caktue të përshtrimit e Kombsisë Shqiptare? –
Mbas gjuhës, i vetëm ky në këtë rast, asht kriteri ma i patundshëm dhe që nuk
mund të lehet kurrsesi mbasdore.
Populli Shqiptar
flet nji gjuhë krejt të veten që, – tue lanë mënjanë transformimet e natyrshme
të elementave të cilëve nuk i ka pshtue asnji gjuhë tjetër deri më sot, – kurrfare
nuk mund të unjisohet me gjuhë të tjera keltike, latine, gjermanike, sllave ose
helenike, me përjashtim ku puqet me to, me rrajë të bashkueme indo-gjermane.
Prej këtej pra, rrjedh që të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë, kanë një Kombsi
krejt më vedi e krejt të ndame prej asaj të kombeve të tjera t’ Europës. Sepse,
nuk ma merr mendja që nji tjetër popull i gjallë i Europës t’ia ketë tatue
Shqiptarit nji gjuhë që, dhe as nji tjetër popull europian, mos ta ketë folë.
Për ma tepër, nji gjuhë e dekun, nuk i tatohet nji populli marë. Por as populli
Shqiptar nuk ka mujtë me ua tatue popujve të tjerë gjuhën e vet. Gjuha tatohet,
ose me forcë t’ armëve, ose me forcën e kulturës e të qytetnimit. Por, si prej
njenës, si prej tjetrës pikpamje, Shqiptari nuk ka kenë ma i fortë se popujt që
ka përbrij. Prandej nuk ka si të mohohet se, të gjithë ata që flasin shqip,
janë të Kombsisë Shqiptare. E për këtë arsye, Shteti Shqiptar, duhet të
përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshinë gjuha Shqipe.
Tue pasë caktue këto
parime ose kritere, të shofim tash se cilët do të jenë kufijt gjeografikë të Shtetit
Shqiptar. Por, per me u diftue krejt të papajamajtshëm në këtë çeshtje plot me
gënjeshtra si dhe aq pahijshëm shoshitë prej anmiqve, këtu unë due me ia lanë
fjalën, Zotni, shkrimtarit tuej të sipërpërmendun, z. Rene Pinon, i cili ka kenë
në Shqipni dhe e ka pa vetë me sy, tue e prekë vetë me dorë, se kush mundet me
pasë arsye mbi këtë çeshtje?
Zotni Pinon pra,
në artikullin që prumë prej “Revue des
deux Mondes”, tue folë mbi kufijt e Shqipnisë, thotë: “Prej fushave të
Vardarit e deri në Adriatik, prej Thesalisë e deri në Mal të Zi, zot toket asht
Shqiptari, në daç sepse ky hyni këtu mbrendë ma i pari, në daç sepse ky ndolli
ma i forti”. E të tanë krahina e Kosovës, e cila, prej Konferencës së Londonit
(1913) i kje lëshue Serbisë, dhe mbarë Çamëria, “Epiri i Nordit”, të cilin e
lakmon aq shumë Greqia, janë të banueme kryekëput prej Shqiptarësh e prandej, e
drejta e lypë që të njehen me Shtetin Shqiptar.“ E mos të mendohet se zotni
Pinon asht shty tepër me këto fjalë, sepse e vërteta e këtyne fjalëve duket
çiltas edhe prej statistikave të cilat, qysh prej vitit 1909 e tektej, janë ba
përmbi proporcione etnologjike të popullsisë së Shqipnisë. Prej këtyne
statistikave zyrtare del në shesh se, në krahinat e lëshueme prej Konferencës
së Londonit serbëve dhe grekëve, të paktën, 80 përqind të popullsisë janë
thjesht Shqiptare. Serbët na thonë se banorët e Kosovës, me rod janë të gjithë
sllavë, por, gjithnji si thonë ata, përdhuni dhe me kohë janë çoroditë, tue u
kthye në Shqiptarë. Këtë fjalë e thonë edhe grekët për banorët e Epirit të Nordit.
Por ata nuk thonë të vërtetën, sepse, po të ishte e njimendët se banorët e
Kosovës janë sllavë dhe ata të Epirit të Nordit, grekë, atëherë Serbia nuk do
të kishte mbytë e gri deri më sot afro dyqindmijë vetë në Kosovë, e Greqia, nuk
do të kishte djegë ma shumë se treqind e gjashtëdhetë katunde në Epir të Nordit,
tue e kryqëzue gjinden përsëgjalli, posë atyne pesëdhetmijë vetave që i kanë
vra dhe i kanë lanë me dekë prej urije e sikletit. Popujt e qytetnuem munden, po,
në furinë e nji kryengritjes, me vra në trathti mbretënt e mbretneshat e veta e
me i dhunue trupat e tyne mbas vdekjes, por nuk mërrijnë kurrë me gri – e në
ç’mënyrë mandej! – me qinda e mija vllazën “bashkëqytetarë” të vet! Qyshë se
serbët kanë vra me qinda mija njerzë në Kosovë, dhe grekët kanë djegë qinda e
qinda katunde në Epir të Nordit, dëshmon kjartë se, as banorët e Kosovës nuk
duhet të kenë kenë serbë, as ata të Epirit të Nordit nuk kanë kenë grekë. Jo, po,
Zotni të nderuem! Janë vra gjindja me qinda mija në Kosovë dhe janë djegë me
qinda e qinda katunde të Epirit të Nordit, për të vetmen arsye se grekët e
serbët duen me e shue farën Shqiptare n’ ato krahina, për me mujtë me i thanë
mandej Konferencës së Paqes se atje nuk ka Shqiptarë! Oh, sa arsye ka pasë ai i
moçmi kur ka thanë: “Ubi solitdinem faciant, pacem appellant.” Por, sa të kenë
shkretnue vendet, thonë se vunë paqen!
Por për me i
forcue ma tepër fjalët e z.Renè Pinon mbi kufijt’ e Shqipnisë, këtu due me ju përmendë se çka shkruente mbi
këtë çeshtje Lordi Fritz Maurice, Mis i Komisjonit të Rumelisë Lindore, mbi “Foreign Office” e që masandej, kje botue
në nji Libër Bleu të vjetës 1880. Ai shkruen: “Për me folë se shka asht Kombi Shqiptar, i bjen me u përshtri edhe
mbrenda kufijve të Serbisë e të Malit të Zi, e krahina e Kosovës, shka merr
prej Mitrovicet e teposhtë, asht krejt Shqiptare dhe ka vetëm nji skundill fort
të vogël serb. Statistika bullgare e
greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë pretendimet e veta
mbi Manastir, Ohër e Korçë, janë pështetë në rrena e dashtas janè ba me rrena,
le ma ato pretendime të Greqisë që janë ba pa kurrfarë turpit !.” Qé pra,
Zotni, se deri ku duhet të përshtrihet Shqipnia e ç’kufij duhet të ketë Shteti Shqiptar.
Mbas dishmisë së këtij diplomati ingliz në za, Konferenca e Paqes kishte me ba
nji paudhni të përgjakshme, po nuk e nxuer e nuk ua ktheu Shqipnisë ato tokë që,
Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtsije, në vitin 1913 ia shkëputi
Shqipnisë, për me ua lëshue grekve dhe serbve.
Veç shka se,tue
bisedue për këte çeshtje me një delegat të Konferencës së Paqës, ky zotni na
tha troç: Hiqeni mendsh se na po marrim tokë tuejat, të pushtueme prej Aleatëve
tanë, e po ia kthejmë rishtas Shqipnisë. Mbi këto fjalë që per ne kanë një
randsi të madhe fort, unë kishe me dashtë me folë pak ma gjatë; por, pse s’po
due me vu ma teper në provë durimin tuej, po marr lejen me ju ba vetëm një oroë
mbi to. Po kje se puna asht, ashtu si e mendojmë, që Konferenca e Paqës e ka në
mendje me ia peshue gjyqin Botës në qetele të arsyes e jo në mollëz të shpatës,
Zotnia juej e kupton vetë, se fjalët e tij s’mund zanë vend; përndryshe asht
kot që të tjerrë fjalë ma gjatë, se sot shpata e Shqipnisë s’ka teh endè.
Qe, Zotnij, se
shka kam pasë me ju thanë per Shqiptarët e mbi të drejtat e tyne. Tue ju falë
nderës, me gjithë zemër për mirësi që keni dashtë me më diftue në këtë rasë, do
ta mbyll këtë ligjeratë të përvujtun, me ato fjalë që me 24 Nandor 1880 thonte
në Parlamentin italian, Madero Savini, kur Europa pat çue donamet e veta para
Ulqinit, për me e ngushtue Turkinë që me ia lëshue Malit të Zi tokët e Shqipnisë.
E qé shka foli në atë rasë, deputeti italian: “E po pse francezëve nuk u mbushet mendja me hjekë dorë nga Alsazë-Lorena?
Pse nuk do të guxojshit Ju, (deputetë italianë), me hjekë dorë prej viseve
italiane që gjinden nën Austri? Pse i keni dalë zot Greqisë kundra Turqisë, në
Kongresin e Berlinit? Vetëm per parimin e Kombsisë! E pra, kujtoj unë, se, për
me kenë burra fjalet, na duhet me thanë edhe për Shqipninë ato shka thomi për
të tjerë në Paris, Romë, Athinë, Varshavë...
Në mos paça harrue, si kam ndij prej Profesorave
të mij, Grotius ka pasë thanë se, tashma asht ba si zanat me ua shndrrue zotin
popujve. Por përkundrazi, Jean-Jacques Rousseau vërret: “Ani, por të paktën
pyetni ma parë, mostjeter, këto bagëti njerzore!”.
(“Shqiptarët e të
drejtat e tyne” Shkoder, 1920)
***
Shenim nga Fritz Radovani:
Ky asht Teksti i
plotë në gjuhën Shqipe i Fjalimit të përgatitun nga At Gjergj Fishta (Sekretar
i Delegacionit në Konferencen e Paqës, 1919), që asht lexue në Paris prej të
pershndritshmit e të përnderueshmit Imzot Luigj Bumçi (Kryetar i Delegacionit
Shqiptar në 1919), Ipeshkëv i Lezhës, në gjuhen frengjisht, në sallen e
Universitetit Katolik në Paris, dhe që nuk i asht ba asnjë ndryshim prej meje
nga origjinali i botuem në vitin 1920 në Shkoder.
Kam theksue në dy
vende të shkrueme nga At Fishta, nr.1 e nr.2, që tregojnë se në Shqipni u
zhvilluen tre Kongrese Gjuhësije dhe se kishte edhe Gjuhë Letrare Shqipe.
Kjo tregon mashtrimin e të së quejtunes “Akademi e Shkencave e
R.P.S.Shqipërisë”, në vitin 1972, kur “zhvilloi kongresin e gjuhës njësuar”, që
zhduku Gjuhen e vertetë Letrare Shqipe ku perfshihej dhe Gegënishtja e Veriut.
“Akademikët’ dhe
ministrat e arsimit, vetem të mendojnë: “Kujt po i sherben sot heqja nga ju, e
At Gjergj Fishtës dhe e Shkrimtarëve të Veriut nga Historia dhe Letersia e
Gjuhës Shqipe?”
Jemi në pragun e
persëritjes së pandreqëshme të historisë së Shqipnisë së të Madhit Hero Gjergj
Kastrioti – Skenderbeu, t’ asaj Toke të shtrenjtë per të cilen Nanë Tereza tha
në aeroportin e Rinasit në Tiranë në vitin 1997: “O Zot, hiqja mallkimin Tand
Popullit Shqiptar!”. Sot flasin faktet!
Ju lutem mos ndryshoni dhe as, mos hiqni asnjë fjalë nga origjinali i këtij
teksti!
Melbourne, 18 Qershor 2023