| E diele, 18.06.2023, 07:56 PM |
Magjia e dashurisë ushqen botën me jetë
Nga
Eshref Ymeri
Para pak ditësh, doli nga shtypi
romani i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj, me titull “Gjuha e zemrës”.
Me këtë vepër të re, shkrimtarja, si një autore me emër në fushën e
krijimtarisë artistike me vlera mbarëkombëtare, e ka lëvizur deri në fund
perden e dritares së jetës, prej nga lexuesit i shpalosen disa realitete, të
cilat ai i ndjek me një kërshëri të veçantë.
Këto realitete shkrimtarja i ka
ravijëzuar në disa linja.
Së pari, atë e ka shqetësuar dhe e shqetëson një e vërtetë
tragjike për fatet e etnisë shqiptare në gadishullin tonë, si kombi më i madh i
tij që asokohe kur në skenën e historisë u kristalizuan kombet evropiane. Me
këto shqetësime fillon uvertura e romanit, në të cilën autorja shpreh brengën e
vet të thellë për krimet e rënda që kryen kundër kombit tonë fuqitë
e mëdha evropiane, nën diktatin e Rusisë shoviniste, të cilat nuk u mjaftuan
vetëm me copëtimin e trojeve tona etnike, por arritën edhe deri aty, saqë
ndryshuan edhe emërtimin e gadishullit, nga “Gadishulli i Ilirisë” në “G?dishull Ballkanik”. Ai copëtim
eksperimental u bë në kurriz të kombit shqiptar për krijimin e shteteve
artificiale ballkanike në trojet e lashta pellazgo-ilire. Por projekte
eksperimentale të fuqive evropiane kundër edhe atyre ngastrave që mbetën pas
thikave të tyre të vitit 1878 dhe të vitit 1913, vazhdojnë të hartohen edhe në
ditët tona dhe, fatkeqësisht, sot është bërë bashkautore e tyre edhe diplomacia
e Blinkenit. Megjithatë, faji nuk është i të huajve perëndimorë, faji e ka
strehën në përçarjen tragjike të dordolecëve të politikës shqiptare, të cilët
bëhen urë e vigë para tyre.
Së dyti, shkrimtaren e shqetëson një plagë e kahershme në historinë e kombit tonë,
plaga e emigrimit. Për shkak të natyrës së panënshtruar ndaj të huajve,
shqiptari, në një masë të madhe, është detyruar të braktisë atdheun dhe të
emigrojë drejt vendeve të huaja.
Kjo shkrimtare, si një penë me talent të veçantë,
ka aftësinë të mishërohet në figurat e heronjve të këtij romani, të përjetojë
të gjitha përpjetat dhe tatëpjetat në
rrethanat ku ata ndodhen, të qeshë, të
gëzojë, të dëshpërohet, dhe të tronditet, njëlloj si vetë ata, në varësi të
sfidave ku i pëplas jeta me të papriturat e saj. Dhe të gjitha këto përjetime
që i burojnë nga zemra, ajo ia përcjell lexuesit me mjeshtërinë e fjalës
artistike. Prandaj ajo i zbulon lexuesit
furtunat e shpirtit të vet:
“…i mërguari pas punës së lodhshme në
dhe? të huaj, me nostalgji kujton gjithçka që ka lënë pas. I gjori derdh lot dëshpërmi për njerëzit që
tashmë i mungojnë”.
Mungesa e mjedisit komunikues me bashkatdhetarët e vet,
është gjëja e parë që emigrantit i bie në sy sapo shkel në një vend të huaj.
Sepse aty duhet kohë për të gjetur miq dhe të njohur, duhet këmbëngulje dhe
vendosmëri për të ruajtur lidhjet e vjetra me bashkatdhetarët e njohur në
atdheun amë, sepse ruajtja e atyre lidhjeve në largësi kërkon edhe sakrifica.
Madje qëllon që edhe miqtë më të ngushtë mund t’i largohen apo edhe ta
ndërpresin komunikimin për fare. Në raste të tilla, emigranti bie në një
gjendje stresi, sepse e ndien veten në kushtet e një izolimi social, si një
njeri i braktisur.
Me brengosjen e vet për fatin e emigrantit, autorja
e nxit lexuesin të bjerë në përsiatje se cila duhet të jetë rrugëzgjidhja e
tij. Sipas teorisë universale të përshtatjes së njeriut në kushte krejtësisht
të tjera, teori kjo, të cilën, në mesin e shek. XX, e ka pasë parashtruar
antropologu kanadez Kalervo Oberg (1901-1973, çdo emigrant kalon një
periudhë krize, e cila mund të jetë kaq e rëndë, saqë mund të çojë në një
depresion klinik. Pikërisht kjo është periudha më e rëndë, kur në fund të
“tunelit” nuk shkëlqen ndonjë rreze
drite.
Në strukturën e romanit, autorja ka përfshirë edhe
poezinë “Mërgimi”, në të cilën shpërthejnë gulshet e shpirtit të saj për
fatin e gremisur të emigrantit.
Kjo poezi më emocionoi jashtë mase dhe më shtyti
tutje në vite, drejt vitit 2014, kur poeti i talentuar Përparim Hysi më pati
dhuruar përmbledhjen poetike me titull “Kurthi i mallit”.
Në njërën prej
poezive po me këtë titull, bien në sy një shpirt plot ndjesi, një përsiatje e
plagosur, ca ndjenja dhe ca mendime prekëse deri në dhembshuri.
Kur lexon strofat
në vijim, bindesh menjëherë se ç’mall i patreguar vlon në shpirtin e poetit
zemërpërvëluar për atdheun që e ka lënë atje larg, matanë Oqeanit:
Ashtu si kujtesa që kapërdin çastet e hidhura,
Sa, pak nga pak, gjatë kohës i harron,
Kështu dhe malli të lidh si me zinxhira
Që janë aq të trashë, sa zor se shpëton.
Kur them kështu, e kam për mallin për Atdhenë
Që ngrihet mbi çdo mall, më i lartë se Everesti.
Këtë mall e kupton kush lë si unë Atdhenë,
Nga kurthi i këtij malli s’shpëton deri sa të vdesi.
Oksana Korzun
(1988), shkrimtare dhe gazetare, ish-shtetase ruse dhe tani shtetase amerikane,
me banim në Nju Jork, ka shkruar një libër të posaçëm, me përmbajtje mjaft
interesante, kushtuar jetës së emigrantëve. Në Rusi ajo ishte aktiviste
politike. Punonte në Agjencinë e luftës kundër korrupsionit. Pas një përvoje
disavjeçare në punë, ajo pati arritur në përfundimin se lufta kundër
korrupsionit në Rusi mbetet thjesht një ëndërr në sirtar e njerëzve idealistë,
prandaj vendosi ta braktisë Rusinë një herë e përgjithmonë dhe në vitin 2016
emigroi drejt Shteteve të Bashkuara. Aty ajo e gjeti veten, duke hyrë ca nga ca
në indin e jetës amerikane dhe në vitin 2018 botoi librin me titull “Si të
zhvendosesh në një vend tjetër dhe mos
ta pësosh nga malli për atdheun”, një vepër interesante kjo, të cilën nuk
pranuan t’ia botonin në Rusi.
Në atë libër ajo
thekson se zhvendosja në një vend të huaj, për shumë njerëz, kthehet në një nga
ngjarjet më serioze në jetën e tyre. Ajo e vë theksin tek ajo që është shumë më
e rëndësishme - te përgatitja psikologjike, në mënyrë që emigranti të mos
mposhtet nga të papriturat që do t’i dalin përpara, nga malli për njerëzit e
dashur dhe nga vetmia. Në atë libër janë radhitur dhjetra fakte nga jeta e
emigrantëve që kanë përjetuar gjëra të tilla, janë shtjelluar mënyra të
argumentuara për kapërcimin e problemeve emocionale dhe jepen këshilla mjaft të
vlefshme për vetëqëndresë, sidomos në çaste të vështira.
Ja çfarë thotë për
jetën në emigracion Profesori i mirënjohur Saimir Lolja, shtetas kanadez, dikur
pedagog në Fakultetin e shkencave të natyrës të Universitetit të Tiranës:
“Ndonëse këndej prodhohen lumë filmat
artistikë, jeta këndej nuk është film artistik... Fluturuam e zbritëm në
Toronto më 6 Qershor 2000... Tre netë fjetëm mbi parket, me batanijet dhe
velenxën që kishim marrë, derisa na erdhën krevatet dhe kolltukët që porositëm.
Dy javët e para ishim si në muzg: gjysmë të zgjuar, gjysmë gjumë dhe rrjedhja e
kohës kishte ngrirë” (Citohet sipas: “Jeta në emigrim nuk është film artistik -
Intervistë me Prof. Saimir Lolja, Toronto”. Faqja e internetit
“Flas shqip.ca”. 17 tetor 2021).
Me
kalimin e kohës, shqetësimet dhe ankthehet e emigranit, ca nga ca, zënë e
kalojnë në plan të dytë dhe instinkti i mbijetesë fillon e merr sipërinë edhe
në kushtet e një mjedisi krejtësisht të
huaj. Njerëzit, me të cilët emigranti komunikon gjatë punës, fillojnë t’ia
largojnë ngapak ndjenjën e vetmisë, gjendjen stresive dhe, në përshtatje e
sipër, ai nis ta shikojë realitetin e ri me një tjetër sy dhe diku në largësi
zë e shfaqet një horizont me pak më shumë dritë, me pak më shumë optimizëm. E
megjithatë, malli për atdheun vazhdon t’ia ndrydhë zemrën kohë pas kohe. Dhe
lexuesi i romanit mallëngjehet së tepërmi nga fjalët e autores plot brengë
sfilitëse:
“Mërgimi, ah,
mërgimi! Eshtë plagë e rëndë e shekujve që edhe pse nuk e shkakton plumbi,
përsëri ajo rrjedh gjak, hap plagë të
rënda shpirtërore që përherë rihapen dhe kanë shumë dhembje. Malli për
fëmijët në emigrim përherë ka zhuritur zemrat e nënave. Për ata kanë rënkuar
trojet… Emigracioni sjell shpopullimin dhe shpërbërjen e kombit”.
Autorja i përjeton
artistikisht thellë turbullimet shpirtërore të emigrantit, sidomos të atij që
sapo është zhvendosur në një vend të huaj, ajo hyn mrekullisht në botën e
shqetësimeve të tij, duke i përcjellë lexuesit atë që në psikologji quhet culture
shock, në anglishte, apo choc culturel, në frëngjishte, domethënë,
në përkthimin fjalë për fjalë - shok kulturor, që mund të shpjegohet me
barasvlerësin tronditje shpirtërore nga një mjedis krejtësisht i panjohur. Ky
është një proces patologjik, që zhvillohet si përgjigje ndaj ndikimit të
ngacmuesve të jashtëzakonshëm dhe që shoqërohet me një çrregullim në rritje të
funksioneve të rëndësishme jetësore të sistemit nervor, të qarkullimit të gjakut,
të frymëmarrjes dhe të këmbimit të lëndëve. Këtë term, në vitin 1960, e pati
përdorur për herë të parë antropologu i lartpërmendur kanadez Kalervo Oberg.
Me fjalë të tjera,
me termin shok kulturor nënkuptohet konflikti i dy kulturave në
nivelin e vetëdijes individuale të emigrantit.
Së treti, në uverturën e
romanit të lë mbresa të pashlyeshme linja e luftës së klasave, e këtij demoni
të përbindshëm që shkatërroi themelet e fisnikërisë shqiptare dhe çoi në
shfarosjen pothuajse tërësore të elitës intelektuale, të pajisur me kulturë të
gjerë në universitetet perëndimore. Kjo ishte tragjedia më e rëndë që diktatura
komuniste i shkaktoi vendit tonë gjatë një periudhe gati gjysmëshekullore.
Autorja e këtij romani, me prejardhje nga një familje me tradita të kahershme
fisnikërie dhe atdhetarie, ka qenë vetë viktimë e luftës së klasave.
Së katërti, autorja ndalet në politikën e shpronësimeve kriminale që zbatoi diktatura
komuniste, duke i grabitur popullit pasuri të jashtëzakonshme monetare dhe
shumë prona të tjera. Nga studimi i dokumenteve arkivore, historiani Kastriot
Dervishi ka bërë publike grabitjen e floririt të tregtarëve shqiptarë që
arrinte në 320 tonë (Kastriot Dervishi. “Historia e plotë se kush e vodhi
floririn shqiptar”. Faqja e internetit “Opinion”. 01 shkurt 2016).
Familjen e autores
së romanit, diktatura e egër komuniste e pati vënë jo vetëm në tehun e luftës
së klasave, por edhe në tehun e politikës së shpronësimeve të dhunshme. Dhe,
fatkeqësisht, edhe pas vitit 1990, asaj nuk ia kthyen pronat e dikurshme, sepse
diktatura komuniste u zëvendësua me demoshëmtinë dhjetoriste, në përputhje të
plotë me strategjinë ramiziste.
Pasi e vazhdon
rrëfimin edhe në disa linja të tjera për fatkeqësitë që e kanë ndjekur pas në
shekuj etninë shqiptare, autorja ndalet në burimin e tyre - në përçarjen e
tragjike të shqiptarëve, e cila ka qënë mbështetje e fuqishme për gjëmat e
rënda që na shkaktuan të huajt. Prandaj ajo ndan me lexuesit një brengë që i
buron nga shpirti:
“Për fat të keq, nuk i lë smira, xhelozia dhe urrejtja ndaj njëri-tjetrit.
Eh, sikur shqiptari ndaj shqiptarit, në vend të këtyre cilësive negative të
përdorte mirësinë, ne sot do të ishim ndryshe”.
Pas mbylljes së
uverturës së romanit, autorja “ka përveshur mëngët” dhe “ka hyrë në magjen e
gatimit”, ka filluar “të mbrujë” brumin
kryesor të tij - dashurinë që ka lindur
mes një të riu shqiptar, Dardanit, student në Rumani, dhe një vashe rumune,
Aurelës, një bukuroshe që “e pati luajtur nga mendtë”. Kur lexova përshkrimin
aq joshës të autores për lindjen e asaj dashurie, më erdhën ndër mend ato
vargjet gjëmimtare për dashurinë e atij djalit nga treva e Labërisë:
Bukuroshe
flokargjentë,
Më prishe fare nga
mendtë,
Ika, lashë vetëm
dhentë
Nga sevdaja jot’ e
shtrenjtë.
Autorja e këtij romani, në krijimtarinë
e saj të pasur artistike, temën e dashurisë e ka pasë trajtuar në disa nga
veprat e saj në prozë dhe në poezi. Mund të thuhet me bindje të plotë se ajo
është një mjeshtre e vërtetë në pasqyrimin e kësaj ndjenje hyjnore që mban
njerëzimin më këmbë. Dashuria në penën e kësaj shkrimtreje është burim
frymëzimi, e cila, të rinjtë, të rrëmbyer nga magjia e saj, i bën fatlumë që
flatrojnë në rrugët e jetës shend e verë. Por, si një zonjë me prejardhje nga
një familje fisnike, të cilën diktatura komuniste e bëri objekt të luftës së
klasave, ajo ka trajtuar me një vërtetësi befasuese edhe temën e dashurive të
vrara. Kushdo që ka lexuar veprat e kësaj shkrimtareje, me temë kryesore
dashuritë e vrara, e kthen kokën pas dhe ringjall në
kujtesë dramat e atyre dashurive të sakatuara për vdekje, ai rri e përsiat në
qetësi: megjithëse ato ngjarje, që mbartnin në vetvete paradoksin e një
diktature absurde deri në marrëzi,
zhvendosen tutje në vite, drejt mjegullnajës së historisë, prapëseprapë
mbresat e njerëzve zemërplagosur që ato i përjetuan me brenga aq të thella në
shpirt, vazhdojnë të mbeten të pashlyeshme deri në botën e amshuar.
Shkrimtares nuk i ndahet shpirti nga tema e dashurisë.
Edhe ditët e fundit, ajo botoi në internet tregimin me titull “Dashuroni si
ne”.
Në këtë roman i bëhet një homazh fort
mbresëlënës një dashurie të pastër, e cila i përballoi të gjitha tallazet e
jetës, deri në moshën e thyer të heronjve të saj. Përshkrimin e kësaj dashurie
autorja e bën me një frymëzin hyjnor, çka lexuesit i nxit fantazinë për këtë
ndjenjë të shenjtëruar: dashuria është fillesa dhe vazhdimi i jetës në planetin
tonë. Dashuria e Dardanit për Aurelën nuk është iluzion, ajo është shpërthim i
një ndjenje të fuqishme nga dy zemra të pastra. Ajo lindi në një mënyrë fare
rastësore. Ajo ishte dashuri me shikim të parë.
Gjatë pushimeve të verës, studenti
Dardan Voka, në një karrocë ambulante, tregtonte ëmbëlsira dhe ndofarë
çikërrimash të tjera. Një ditë prej ditësh, para tij ndali një karrocë luksoze,
që i ngjante një karroce mbretërore. Prej saj zbritën dy zonjusha elegante dhe
u afruan pranë karrocës së tij. Njërën prej tyre, shkrimtarja e përshkruan me
aq ëmbëlsi, saqë lexuesit i ngjethet kurmi:
“Ishte
e hollë, e gjatë, shtatselvi, me flokët e mbledhura topuz, dukej si një artiste
filmash”.
Bukuroshja i kërkoi një krehër, të
cilin Dardani deshi t’ia bënte dhuratë, por ajo s’pranoi, hodhi paratë dhe të
dyja u larguan. Karroca mori drejtimin për nga pallati mbretëror.
Dardani u kap në befasi. Iu përfytyrua
menjëherë sikur dy përcjellësa me ngarkesë pozitive dhe negative ranë në
kontakt dhe u ndez një shkëndijë. Dhe me të vërtetë, një ndjenjë e shenjtëruar
i shpërtheu në gjoks për fraksione sekondash. Në raste të tillë, lexuesi shtron
pyetjen: çfarë ndodhi në organizmin e Dardanit, kur, sapo pa atë bukuroshe,
afshi i dashurisë iu ndez aty për aty?
Për dashurinë që shpërthen me shikim
të parë, shkencëtarët e fushës së mjekësisë dhe të psikologjisë kanë arritur në
përfundimin se brenda një të pestës së sekondës pas kontaktit pamor, një ngcmim
i fuqishëm vihet re menjëherë në shumë seksione të trurit, në gjak shtohen disa
hormone të ndryshme, që sjellin si pasojë shpërqendrimin e veprimtarisë normale
të sistemit nervor.
Po pse ndodh një gjë e tillë? Ku e ka
burimin ajo shkëndija e parë e dashurisë?
Shkencëtarët e lartpërmendur kanë
nënvizuar se dashuria me shikim të parë lind mbi një bazë gjenetike. I
dashuruari apo e dashuruara, sipas tyre, brenda fraksioneve të sekondës janë në
gjendje të përcaktojnë nëse është e përshtatshme gjenetikisht zgjedhja e
partnerit ose e partneres së mundshme për shtimin dhe përftimin e një
trashëgimie të shëndetshme. Sa më i goditur të jetë kombinimi gjenetik i
mashkullit dhe i femrës, aq më e fuqishme do të jetë ndjenja që ka lindur midis
tyre.
Shkrimtarja, me intuitën e një
mjeshtreje të fjalës artistike, me
fantazinë e saj, ka shtegtuar drejt seksioneve të trurit të Dardanit dhe të
Aurelës, të cilëve shkëndija e dashurisë për njëri-tjetrin u pati shpërthyer
njëkohësisht. Ajo ishte një dashuri me një magnetizëm kaq të fuqishëm, saqë, që
nga çasti që shpërtheu dhe deri në moshën e tyre të thyer, pati folur jo vetëm
me gjuhën e zemrës, por edhe me kthjelltësinë e mendjes.
Dardani ishte bir i një familjeje të
thjeshtë fshatare nga Shipkovica, një fshat që shtrihet në qarkun e Tetovës, në
shpatet e malit Sharr. Aurela ishte bija e një gjenerali, që kishte rënë gjatë
Luftës së parë botërore. Ai kishte qenë mik i familjes mbretërore, në të cilën
Aurela vinte si e ftuar dy-tri herë në vit. Pra, Aurela ra në dashuri me një
djalë jo të sërës së vet. Kjo dashuri të kujton diçka nga jeta e artistëve
të njohur.
[Gjëra interesante hasen nga
jeta e artistëve të Hollivudit, të kësaj “kështjelle” të njohur të
kinematografisë botërore, ku historitë e dashurive dhe të aventurave dashurore
pas njohjesh rastësore, të shoqëruara me kurorëzime dhe shkurorëzime të shumta,
janë pa fund. Por mbresa të veçnta të lë dashuria me shikim të parë e një
artisti.
Aktori i Hollivudit Matthew McConaughey
(1969) ka qenë i njohur si
modeli i rrëmbyesit të zemrave, kurse pas filmit “Super Majk”, u bë një
seks-simbol. Është zor ta besosh që ky bukurosh i kinematografisë jo vetëm që
ka shumë vjet i martuar, por edhe lë kokën
për bashkëshorten e tij. Ajo
është modelistja braziliane Kamila (Camila) Alves (1982), me të
cilën aktori qe njohur fare rastësisht
në vitin 2006. Sapo e kishte parë, kishte thënë me vete: është pikërisht ajo.
Aktori ka rrëfyer se para atij takimi, e ndiente veten si një “beqar
fatlum”, por kur sapo kishte parë Kamilën, i ishte drejtuar shokut të vet
jo me pyetjen “Kush është kjo?”, por me pyetjen “Çfarë është kjo”?. Dikur
aktori pati shkuar për të ngrënë darkë në njërin nga restorantet e Los
Anxhelosit, ndërkohë që braziliania aty po festonte ditëlindjen. Si zor ta
thuash që ajo e dimte se, disa tryeza më tutje, qe ulur i zgjedhuri i ardhshëm
i zemrës dhe, me këtë rast, dhurata më e bukur për ditëlindjen e saj. Në një
intervistë, para se ta pikaste Kamilën, aktori qe shprehur se cila duhej të
ishte e zgjedhura e tij ideale. Ai do të parapëlqente ndonjë kolege ose ndonjë
yll të \kinematografisë, në mënyrë që ta kuptonin më mirë mënyrën e jetesës së
njëri-tjetrit. Rastësia e solli që ai të njihej me Kamilën që nuk ishte as
aktore, as nga ato të famshmet e Hollivudit, por zjarri i dashurisë për të iu
ndez kundër çdo parashikimi].
Që nga ai çast kur shkëmbeu
vështrimet me Aurelën. Dardani e humbi qetësinë, zemra po i rrihte me një
tjetër ritëm dhe frymëmarrja i qe shpeshtuar. Karrocën ambulante e mbante diku
jo fort larg pallatit mbretëror dhe shpesh herë sytë i hidhte nga një dritare,
prapa së cilës dikush lëvzte perden kohë pas kohe. Ishte Aurela, të cilën e
shqetësonin po të njëjtat emocione.
Kështu, dashuria e tyre erdhi u bë edhe më e ndezur dhe një ditë u takuan.
Mandej shpesh e më shpesh. Por në takimet e tyre nuk u vunë re kurrfarë
përbetimesh, kurrfarë premtimesh apo, thënë më thjesht, kurrfarë deklaratash
për besnikëri deri në amshim. Ata flisnin me njëri-tjetrin vetëm me gjuhën e
zemrës. Sepse jeta na mëson që dashuria me përgjërime dhe me premtime të
shumta, zakonisht nuk është jetëgjatë.
[Këtu e disa vjet të shkuara,
kur ndodhesha në Tiranë, një mbrëmje isha duke ndjekur lajmet kryesore në
televizionin “Klan”. Pasi mbaruan lajmet, prezantuesja njoftoi për
vazhdimin e programit me emisionin “Më shumë dashuri”. Pas pak, në ekran
doli një çift. Vajza ishte bukuroshe mahnitëse. Nuk e quaj me vend t’ua përmend
emrat, se nuk dëshiroj t’ua lëndoj ndjenjat. Drejtuesja e emisionit u drejtoi
shumë pyetje dhe kur biseda po i afrohej fundit, i pyeti se si e vlerësojnë
dashurinë që ushqejnë për njëri-tjetrin. Bukuroshja u përgjigj e para. Ajo
shpërtheu me fjalë plot afsh për dashurinë e saj për të fejuarin që kishte në
krah:
“Pa… (përmendi emrin
e të fejuarit) nuk mund të jetohet”.
Nuk më la përshtypje të mirë një
deklaratë e tillë, sepse dyshova në jetëgjatësinë e asaj dashurie. U çova nga
kolltuku dhe shkova mora bllokun e shënimeve mbi tryezën e punës, ku, kohë pas kohe, hedh ndonjë
mbresë nga jeta. Shënova datën e transmetimit të emisionit (11 prill 2008),
deklaratën e bukuroshes dhe reagimin tim ndaj saj:
“Të shikojmë se sa
jetëgjatë do të jetë dashuria e saj për të fejuarin. Uroj nga zemra që dashuria
e tyre të jetë e përjetshme”.
Pas 14 vjetësh, çuditërisht dhe
fatkeqësisht, çifti u shkurorëzua].
Takimet u shpeshtuan, por Aurela
ishte vetëm mysafire në pallatin mbretëror, kurse nëna e saj jetonte 600 km
larg, në Transilvani. Pas ca kohësh, e ëma e saj,
Rozana Grauer, i kishte dërguar një letër familjes mbretëore që ta njoftonte
për t’u nisur menjëherë. Para se të largohej, Aurela i la Dardanit një parullë
të qëndisur, ku shkruhej në gjuhën shqipe:
“Rroftë Shqipëria dhe e ndihmoftë
Perëndia”.
Atë natë Aurela e kishte larë me lot dhe, herët në
mëngjes, qe nisur për tek e ëma. Dardanit iu ngrit mendja. Aq më tepër që
dyshohej se e ëma mund ta fejonte Aurelën me ndonjë djalë me prejardhje nga një
familje e sërës së saj.
Paskëtaj, shkrimtarja përshkruan odisejadën e Dardanit, i
cili sapo mbaroi provimet, u nis për në Transilvani. Dashuria nuk mposhtet
kurrë as nga vështirësitë, as nga largësitë. E dinte se, siç i kishte thënë
Aurela, nëna e saj ishte “tel i sertë”, por Dardani, sapo arriti në Transilvani
dhe u njoh me Rozanën, iu prezantua asaj si “kopshtar” që kërkonte punë
sezonale gjatë verës. Shpresonte shumë se me punën si kopshtar mund t’i hynte
në zemër nënës së Aurelës Me punën që bëri si një mjeshtër i vërtetë, asaj ia
ngrohu zemrën. Rozana dha pëlqimin dhe bekimin për fejesë.
Gjatë qëndrimit në vilën e Rozanës, Dardani përjetoi
njërin nga çastet më të lumtura të jetës së tij: gjatë kohës që Rozana ishte
larguar për punët e fermës, ata patën dalë për një shëtitje në një lëndinë me
bar të shëndetshëm. Atje u shtrinë përtokë, por afshi i dashurisë qe kaq i
ndezur, saqë nuk i bën dot ballë joshës për kryerjen e një akti erotik, kurmet
e tyre u shndërruan në një të vetëm.
Pasi Dardani
përfundoi studimet në Bukuresht, organizuan një dasmë të thjeshtë, ku kishte
ardhur edhe nëna e Aurelës. Çifti mendonte të vendosej aty me banim. Por
autorja e romanit e vë çiftin e ri para një prove të vështirë. Dardanit i vjen
një lajm i papritur nga Shipkovica për Babain e sëmurë rëndë, çka e detyroi të
marrë vendim të nisej menjëherë për në atdhe. E diente veten të pushtuar nga
ankthi: si do ta linte Aurelën vetëm. Por Aurela e dëshmoi se për dashurinë që
ushqente për Dardanin kishte folur sa me gjuhën e zemrës, aq edhe me
kthjelltësinë e mendjes. Dhe kur dashuria mbështetet mbi këto dy shtylla të
fuqishme, ajo nuk tutet kurrë para çdolloj sacrifice dhe vështirësie. Dhe çifti
mori rrugën për në Shipkovicë. Aty Aurelia, për herë të parë, u ndesh dhe u
befasua me egërsinë e mjedisit: një fshat i largët
malor, në të cilin nuk mund të bëhej fjalë absolutisht për kurrfarë
infrastrukture, një fshati i braktisur nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik dhe
kulturor, ku mund të përballej me një stres social dhe psikologjik, për arsye
se, sipas mendësive patriarkale, gruaja jo vetëm që trajtohej si shërbëtore,
por edhe keqtrajtohej.
Para
pak ditësh pata një letërkëmbim me Zonjën Vilhelme për dy heronjtë kryesorë të
romanit. Zonja Vilhelme më shkruante:
“Aurela
në fshat milte lopët, dhentë dhe bënte çdolloj pune”.
Menjëherë
më ra ndër mend diçka. Kur isha pedagog, në fakultet kishim një shef
administrate. Ishte nga Korça. E kujtoj me shumë respekt se ishte shumë i
komunikueshëm, përherë buzagaz dhe dallohej për një humor të këndshëm. Në
njërën prej “dritareve” të orarit, e ftova në pinim diçka në kafenenë përballë
fakultetit. Shkuam, u ulëm dhe po bisedonim. Pas pak, në kafene hyri Profesori
i frëngjishtes, miku im Edmond Tupja, së bashku me një kolege dhe shkuan e zunë
vend disa tryeza më tutje. Në bisedë e sipër, shefi i administratës më tha:
“Ky
është Profesor shumë i përgatitur, i ka mbaruar studimet në Paris”.
Dhe,
sa përmendi Parisin, psherëtiu lehtë dhe vazhdoi:
“Kam
pasur një kushëri të parë që i pati mbaruar studimet në Paris, në vitet ’20.
Atje ra në dashuri me një studente franceze. Ishte nga një familje
intelektualësh, e lindur dhe e rritur në Paris. Dashuria e tyre paskej qenë kaq
a madhe, saqë ajo la Parisin dhe erdhi me tim kushëri në Korçë, i cili familjen
e kishte në fshat. Në fillim, para se të sistemohej me punë në qytet, shkoi me
nusen në fshat. Ty të duket e pabesueshme, por nusja franceze i vuri emër
vetes, sikur të ishte nuse shqiptare shembullore: milte dhitë, i nxirrte për
kullotë, shkonte mbushte ujë në çesmë, gatuante, bënte të gjitha punët e
shtëpisë, saqë gjithë fshati la mendjen për thjeshtësinë e saj befasuese”.
Jeta e
Aurelës në Shipkovicë përbën një enciklopedi më vete. Një vajzë bukuroshe si
yll i këputur, bijë gjenerali, e rritur në një familje fisnike, bëri emër në
atë fshatë të largët malor. Ajo u bë busulla orientuese për të gjitha gratë dhe
vajzat shipkovicare. Ajo iu fut me pasion studimit të gjuhës shqipe, derisa e
zotëroi për mrekulli, duke pasur gjithmonë Dardanin pranë, dhe u bë melhem për
zemrën e prindërve të tij të moshuar. Aurela ndikoi në mënyrë të jashtëzakonshme
për emancimin e grave dhe vajzave jo vetëm të Shikpovicës, por edhe të zonave
përreth, ndërkohë që Dardani punonte mësues, u jepte nxënësve për të mësuar
poezi të Fishtës, të Naimit dhe të Çajupit, kushtuar Atdheut. Aty Aurela
përjetoi çaste gëzimi dhe lumturie familjare kur pati lindur katër fëmijë, tre
djem dhe një vajzë. Por ajo përjetoi me dhimbje të thellë largimin e prindërve
të Dardanit drejt amshimit. Megjithatë, goditjen më të rëndë në jetën e saj
e pësoi kur humbi tragjikisht njërin nga
djemtë, Skënderin 15-vjeçar, i cili qe nisur për në atdheun amë, për në Dibër,
por, fatkeqësisht, në një ditë me shi mjaft të rrëmbyeshëm, e përpin dallgët e
lumit Drin. Tronditjet e zemrës së saj vazhduan pas arrestimit të Dardanit, të
cilin bishat fashiste serbe e patën torturuar egërsisht se pse u mësonte
nxënësve gjuhën shqipe, se pse shpërndante gazeta, libra dhe parulla në gjuhën
amtare.
Dihet
që shumë prej shqiptarëve në Jugosllavi mundoheshin të arratiseshin drejt
atdheut amë. Por sa kalonin kufirin, arrestoheshin nga rojat shqiptare dhe
përfundonin në burg, duke iu nënshtruar torturave. Pra, andej skëterrë, këtej
edhe më skëterrë. Edhe djali i madh, Albani, qe arrestuar nga rojat serbe dhe
qe rrasur në burg. Por ai mundi të arratisej dhe të përfundonte në Rumani.
Kushdo
që lexon me kërshëri faqet e këtij romani dhe njihet me jetën e Aurelës në
Shipkovicë, befasohet dhe shtron pyetjen: si është e mundur që ajo vajzë
bukuroshe la vendlindjen në Transilvani, ku kushtet e jetesës i kishte të
shkëlqyera, edhe nën kujdesin e njerëzve që i shërbenin familjes, si të
punësuar, dhe nëna e saj kishte në zotërim një fermë të tërë?
Aurela
e la vendlindjen dhe familjen për dashurinë me shikimin e parë që i shpërtheu
në gjoks si një shkreptimë rrufeje. Vërtet me shikim të parë, por ajo ishte një
dashuri e madhe dhe për “administrimin” e një dashurie të tillë duhet talent.
Jeta vërtetoi se Aurela ishte një vajzë me shumë talent. Kjo për arsye se
dashuria e saj e madhe ishte e tillë, që
i binte jo një teli, por të gjithë telave të zemrës. Dhe për më tepër,
zemra e Aurelës, ashtu si edhe e Dardnit, rrihte jo për çdolloj dashurie, ajo
rrihte vetëm për një dashuri të përjetshme. Shpërthimi i saj vërtet ndodhi
brenda fraksioneve të sekondës, por ato fraksione u shndërruan në përjetësi.
Dashuria e madhe është prova e zjarrit, përmes së cilës zbulohet edukata,
karakteri, aftësia dhe zotësia e njeriut për t’i përballuar me vendosmëri
furtunat e jetës me të papriturat e saj.
Ja,
kjo është vërtet dashuri,
Kjo
heroinë plot bukuri,
Që t’i
merr mendtë si me magji,
Të
përtërin, të merr në gji,
Të
mbush me shpresë dhe mirësi,
Se nuk
njeh tutë, vështirësi,
E
besës gjer në përjetësi,
Se mbi
kët’ Tokë ësht’ vetë Hyjni.
Në
fund të romanit lexuesi mëson se gjithë historia e dashurisë dhe e jetës së
Aurelës dhe të Dardanit, është një rrëfim me lirizëm të thellë, sipas
regjistrimit që vetë Dardani kishte bërë në magnetofon dhe ia kishte lënë
Albanit në trashëgim. Këtë histori, Albani ia pati rrëfyer gazetarit Bardhyl
Korça, i cili kishte shkuar në Rumani për studime. Bardhyli e pati takuar
Albanin në njërën nga rrugët e Bukureshtit, ku, ashtu si edhe i ati i tij
dikur, shiste ëmbëlsira dhe çikërrima të tjera në një karrocë ambulante. Në
karrocë Albani mbante një gazetë dhe një revistë të vitit 1932, ku ishte botuar
historia e dashurisë së Dardanit dhe të Aurelës. Bardhyli e këshilloi Albanin
që atë histori ta botonte si libër më vete në kujtim dhe në nderim të prindërve
të tij. Dhe librin Albani e pati botuar me titullin “Gjuha e zemrës”.
Titulli i këtij romani më solli në
kujtesë romanin “Zemra” të shkrimtarit të shquar japonez Nacume
Soseki (1867-1916), njërit nga themeluesit e letërsisë bashkëkohore
japoneze. Romani pati dalë nga shtypi në vitin 1914. Heroi kryesor është
një student i zakonshëm, në emër të të cilit bëhet rrëfimi i shkrimtarit.
Autori e njeh lexuesin me jetën e atij studenti në Tokio, ku kishte marrë me
qira një dhomë në shtëpinë e një vejushe, me vajzën e së cilës ra në dashuri.
Pas përfundimit të studimeve, ai kthehet në fshat, tek i ati, gjendja
shëndetësore e të cilit sa vinte e keqësohej nga dita në ditë.
Kur ka filluar të hedhë në kompjuter këtë roman,
autores i ka dal përpara një problem : cila do të jetë zgjedhja e
strukturimit gjuhësor. Sepse çdo shkrimtar ka gjuhën e vet, mënyrën e vet të të
shkruarit, të përpunuar mbi bazën e arsimimit, të formimit kulturor dhe të
vetëpërsosjes gjatë përvojës jetësore. Gjuha e shkrimtarit është “mjet
prodhimi” me shumë peshë në krijimtarinë e tij.
Në themel të këtij romani, autorja ka vendosur
mënyrën e ndërkëmbimit të monologut me dialogun, çka e bën mjaft tërheqës
stilin e saj rrëfimtar. Dikur, në njërin nga shënimet e mia për një vepër të
autores, e kam pasë theksuar se gjuha e saj është mjaft e pasur me aforizma.
Edhe në këtë roman, aforistika e saj është mjaft mbresëlënëse. Meqenëse në
qendër të romanit është dashuria, aforizmat për këtë ndjenjë hyjnore janë të
shumta, prandaj nuk mund të rri pa i përmendur:
Dashuria është oksigjeni që më jep
shpresë për të jetuar.
Dashuria s’është vetëm gëzim, por është dhe trishtim.
Gjuha e dashurisë është kënga e
jetës, është gjuha e zemrës.
Gjuha e zemrës është
gjuha e dashurisë.
Kur këndon zemra, atëherë ka
triumfuar dashuria.
Muzikën e shpirtit na e përciell
gjuha e zemrës,
Të fshehtat e shpirtit i ruan vetëm
zemra.
Vetëm zemra di të flasë ëmbël dhe
bukur me gjuhën e saj.
Zemra flet në
heshje.
Shpresoj që zonja Vilhelme dikur do
t’i mbledhë të gjitha aforizmat, duke i vjelë ng korpusi i më shumë se
pesëdhjetë veprave që ka shkruar dhe t’i botojë si libër më vete. Do t’i
kujtojnë lexuesit aforizmat e famshme të Sami Frashërit.
Kaliforni,
17 qershor 2023