| E shtune, 17.06.2023, 07:58 PM |
10 Shqiponjat e Tërbaçit në skenën e Festivalit Hasi jehon, 2023, Gjonaj - Has, Prizren
LETËRSIA GOJORE NË LABËRI DHE FORMAT RAPSODIKE TË TË SHPREHURIT TË SAJ
Nga
MSc. Albert HABAZAJ
1. Letërsia gojore në Labëri
Sipas ndarjes
krahinore tradicionale, Labëria është një ndër krahinat etnografike më të mëdha
etnografike, që përfshihet në njërën nga dy grupet e mëdha të krahinave
etnografike të popullit shqiptar, Toskërisë, që kap hapësirat në krahun e majtë
të Shkuminit deri në skajin më jugor, në Çamëri, deri në gjirin e Artës në Jug.
Labëria ka qenë
dhe mbetet një trevë etnokulturore. Asnjëherë ajo nuk ka qenë njësi
administrative e bashkuar. Kur themi Labëri nënkuptohet ajo trevë kulturore ku
këndohet me marrës, kthyes, hedhës
dhe iso dhe ku i vdekuri
qahet me ligje elegjiake e melodi të përvajshme. Në Labëri vajtohet duke
kënduar. Jo më kot në Labëri ka mbetur shprehja frazeologjike: “e ka qarë”,
pra e ka thënë bukur, deri në përsosmëri. Poezia e kënduar si pjesë e letërsisë gojore që ndryshe quhet edhe letërsi
popullore, ka qenë më prezente në kohën kur njerëzit akoma nuk dinin shkrim dhe
lexim, kështu që gjërat e shkruara kanë qenë të rrëfyera gojarisht, ndërsa
ndjenjat e njerëzve janë kënduar me zë, sipas melodive që thurnin banorët. Kur
themi që kënga labe është shumë e lashtë, nënkuptojmë që ajo ka lindur qysh kur
në këto hapësira me male, fusha, dete e lumenj, janë shfaqur banorët e parë,
burri dhe gruaja e parë.
Kënga labe ka disa
mënyra të kënduari: me një zë, me dy, tre dhe katër zëra. Ajo ka edhe
monofoninë: vajet, ninullat, borohitjet, logatjet, mërmërimat këndohen në
monofoni, që janë forma fillimtare e të kënduarit në Labëri. Kënga labe është
dialektike dhe nuk lë shteg interpretimi tjetër kur dëshmon: “Do ja themi
një zë,/ të na bëhen dy zë [zëra]”. Pra, polifonia labe ka lindur nga
monofonia. Kënga labe është pjesë e së tërës shpirtërore të kënduar, të cilën,
njëri nga studiuesit më të mëdhenj të muzikës shqiptare dhe ballkanike,
etnomuzikologu i parë shqiptar, Ramadan Sokoli si dhe studiuesit e folklorit Spiro Shetuni, Beniamin Kruta,
Agron Xhagolli etj. e kanë quajtur Polifonia labe. Etnomuzikologu Haxhi H.
Dalipi e ka quajtur këngë shumëzërëshe. Nocionin këngë shumëzërëshe e ka
përdorur në vend të nocionit këngë polifonike (për hir të shqipërimit), ndërsa
nocionin këngë tradicionale e ka përdorur në vend të nocionit këngë popullore
(për hir të përshtatjes me terminologjinë etnomuzikologjike ndërkombëtare.
E vërteta e jetuar
dhe rrjedha logjike të shpie te burimi, që polifonia labe apo shumëzërëshi
lab ka lindur nga monofonia. Përveç
tipareve përbashkuese me polifoninë popullore shqiptare në përgjithësi,
polifonia labe, sipas Spiro Shetunit, ka katër tipare themelore përveçuese, si:
karakteri recitativ, karakteri pentatonik, karakteri kontraktues dhe karakteri
i thjeshtë zanor.
Në letërsinë
gojore zotëron kënga polifonike, ndërsa nga instrumentet muzikore më të
përhapura ishin dhe janë fyelli dhe cula dyjare. Mbështetur në traditën e të
parëve, veçojmë një fyelltar fenomenal, i cili, qysh në vitin, 1973, në moshën
14-vjeçare në Festivalin e Dytë Folkorik Kombëtar të Gjirokastrës, shkëlqeu me
frymën e tij hyjnore. E kam fjalën Vendim Kapaj “Mjeshtër i Madh”, apo mësuesin
e tij Nazër Kongjinaj që në Festivalin e 73-shit ishte student në Universitetin
e Gjirokastrës dhe magjepsi Kalanë dhe qytetin. Po kështu kemi unikalin e
letërsisë gojore, të shprehur me formën e rapsodisë së krijuar aty për aty të
kënduar si interpretim monofonik, Tomorr Lelo “Mjeshtër i Madh”.
Vlen të ndalojmë
pak tek veterani i arsimit dhe folklorit burimor instrumental të Labërisë.
Nazër Kongjinaj është një nga instrumentistët më të shquar popullor, i cili ka
dhënë ndihmesë të dukshme në zbukurimin e jetës shpirtërore të popullit, në
edukimin e lartë artistik, estetik, si dhe në edukimin atdhetar të brezave për
mbi një gjysmë shekulli. Qysh në Festivalin e Dytë Folklorik Kombëtar të
Gjirokastrës, tetor, 1973, kur ende ishte student, Nazëri mori pjesë në këtë
ngjarje, më të madhen kulturore-artistike në rang Republike dhe shkëlqeu në
intrepretimin e mrekullueshëm të melodive popullore të trevës së tij dhe mbarë
Labërisë. Ky artist popullor i veçantë në profesion është mësues dhe për dekada
të tëra ka shërbyer në sektorin e arsimit, duke u radhitur ndër mësuesit më të
dalluar e të devotshëm jo vetëm në shkollën e vendlindjes së tij, Brataj, por
në mbarë rrethin e Vlorës. Merita e këtij artisti popullor qëndron, në faktin
se, edhe pse i ka kaluar të 70-at, nuk e ka ndërprerë veprimtarinë folklorike,
duke bërë një jetë aktive në shumë ngjarje artistike - kulturore në Vlorë e
gjektë dhe që dhuntitë e pasionin e tij i transmenton tek talentet e reja, të
cilat Nazëri i zbulon me dashuri dhe punon me durim e mjeshtëri për ta
përcjellë brezave këtë traditë.
Kënga polifonike
labe ka dhe emërtime të tjera si: shumëzërëshi labërisht, polifonia vokale apo
isopolifoni. Ajo është pjesë e muzikës popullore shqiptare/ folklorit shqiptar
dhe ka si veçanti mbivendosjen e dy a më shumë vijave melodike me fizionomi të
përcaktuar vokale, në disa raste shoqëruar dhe me instrumentet që cituam,
zhvillimi i të cilave kryhet në mënyrë vertikale (harmonike). Kënga polifonike
në Jug është në bazën e shoqërimit të valleve të burrave dhe grave.
Format e të
kënduarit për letërsinë gojore në Labëri janë kryesisht me këngët tre - dhe
katër zërëshe, që ekzekutohen në grupe të veçanta burrash e grash, por edhe në
grupe të përziera, ku kemi solistë marrësin, kthyesin, hedhësin dhe grupin që
mban iso (burdoni), “ia bën eee”, “ia mbush”, sipas emërtimit popullor.
Letërsia gojore e
kënduar në Labëri shquhet për një mori stilesh, që kanë emërtimet kryesore
gjirokastriçe, himarioçe, vlonjaçe etj., të cilat në organigramën artistike
kanë hierarkinë e shtrirë horizontale në stile muzikore të specifikuara sipas
njësive etnografike kryesore.
Terminologjia e
pasur popullore për funksionin e zërave, strukturat e shumta tipologjike,
dendësia dhe përhapja e gjerë territoriale, lidhjet me kulturën muzikore
polifonike të lashtësisë së vonë ilire, janë dëshmi të origjinalitetit dhe të
karakterit autokton të polifonisë labe. Nga 25 nëntori 2005 “Polifonia
popullore shqiptare” u fut në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të
njerëzimit” të mbrojura nga UNESCO.
2. Format rapsodike të shprehurit të letërsisë gojore në Labëri
Nëse në letërsinë
gojore të kënduar në pjesën veriore të Gegërisë ende zotëron gjinia e poezisë
epike me tendencë atë epiko-lirike, në Labëri zotëron gjinia e poezisë lirike
dhe më pak ajo liriko-epike, ndërsa tek - tuk vërehen reminishenca të poezisë
epiko-lirike. Emërtimi rapsod është më i përdorur në Veri, por edhe në Jug
është përdorur për ata që thurnin këngë të gëzueshme aty për aty në dasma,
ceremoni të ndryshme festive apo edhe këngë të dhembshme për një të rënë, të
vrarë në luftë për liri etj. Emërtimi rapsod vjen nga greqishja (qep, thur odé/
këngë. Grekët e vjetër quanin rapsodë recituesit e këngëve popullore rreth
heronjve, perëndive dhe gjysmëperëndive. Në Labëri, rapsodët popullorë quhen
ndryshe edhe vjershëtorë. Ata i thurin me mjeshtëri vargjet dhe tradicionalisht
i këndonin po vetë, ndërsa sot në përgjithësi tekstet e tyre i këndojnë solistë
që dallohen si marrës me zë të bukur, të ëmbël, të kumbueshëm e të fortë,
artistët popullorë të përfshirë në grupe të ndryshme mbi bazë fshati apo grupe
mikse me këngëtarë të zgjedhur nga komunitete të ndryshme që kanë afri në
mënyrën e të kënduarit të kësaj poezisë popullore etj. Në Veri rapsoditë e
traditës janë krijime poetike me karakter epik ose heroik që këndohen nga vetë
rapsodët, përgjithësisht këngët e vjetra të letërësisë sonë gojore, që njihen
si “kangë kreshnikësh” ose “kangë lahute” dhe kanë protogonistë
heronjë legjendarë të eposit popullor si Gjeto Basho Mujin, Gjergj Elez Alinë
etj. gjithashtu ka rapsodë të talentuar që krijojnë këngë të bukura të
shoqëruara me çifteli ose lahutë për akte heroike të bijve të Shqipes, peizazhe
lirike të jetës apo balada të trishtueshme etj.
Ndërkohë në Labëri
është pak më ndryshe situata folklorike. Letërsisë gojore të trashëguar nuk i njihet autori. Dallon lakonizmi në këngët e
vjetra labe, që në pak vargje të thjeshta në shfaqje, por të ngjeshura në
mendimin e qartë poetik, mund të njihesh me bëma, personazhe e ngjarje të tëra,
qoftë nga bota lirike, me këngët rituale, të punës, lirikat familjare, lojëra
fëmijësh etj., këngë satirike dhe humoristike, këngë dashurie, dasme, vaje e
këngë të përvajshme, këngë për nizamët dhe kurbetin apo dhe nga bota epike me
këngë legjendare dhe balada, epika historike me këngë për qëndresën antiosmane
gjer më 1830, këngë kushtuar Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (1830-1870), këngë
për mbrojtjen e Pavarësisë së vendit (1912-19200 këngë për Luftën e Vlorës,
këngë të viteve 1924-1939, këngë për luftën Italo-Greke (1940-1941), këngë
kundër shfrytëzimit ekonomiko-shoqëror dhe motive të tjera, këngë të kaçakëve,
kolanën e këngëve të Pasçlirimit (1945-1990), si dhe këngët e shumta të
periudhës së mbas viteve 1990. Sot, në Labëri këndohen masivisht këngë
tipologjike të formës rapsodike në lëmin e lirikës me nënfushat e saj.
Fillesat e
rapsodisë në Labëri mund të themi se nisën në vitet 1920-1930 dhe morën hov
mbas viteve 1970. Ndërkohë, që tradita rapsodike në këtë trevë starton me Neço
Mukën, Xhebro Gjikën, Mato Hasanin, Nase Benin, Tartar Zekën, Arshi Xhelili, Rrapo Meto, Sheme Sadiku, Xhemil Veli
Duka, Sinan Mullahu, Selim Hasani, Sheme Vela, Mustafa Luçi, Isan Sejdini etj,
të cilët, gjatë jetës, vijuan dhe udhëtimin folklorik të rapsodëve të shek.
XIX, Demir Ago, Mystehaku (Vlonjati), Qazim Ademi, Muharrem Bufi, Sinan Habazi,
Sino Xheli, e jo shumë të tjerë, të cilëve u dihet emri, se shumica e rapsodëve
popullorë të traditës në Labëri i përkasin anomimatit dhe kanë autor,
kompozitor, interpretues dhe bartës popullin, si emërtim kolektiv.
Të
gjithë rapsodët që u shfaqën në 20-30 e para të shek. XX, përbëjnë gjerdanin e
artë të Epikës
popullore labe në Luftën e Vlorës, 1920. “Këngën për këtë epope e
kanë kënduar, së pari, ata që kanë marrë pjesë në atë luftë me armë në dorë e
me këngë në gojë. Vërejmë se, shumica e
krijuesve kanë qenë pjesëmarrës në ngjarje. Këngët historike të Njëzetës, na
vijnë si rrëfim popullor në vargje, me rimë e melodi, si narracion, si tregim.
Cikli i Epikës
Historike për Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920, na duket sikur është ditar në
vargje i luftës për këtë ngjarje historike me rëndësi kombëtare, për Kotën,
Gjormin, Llogoranë, Kaninën, Qafën e Koçiut, për Vlorën e heroizmat e trimave
të saj si Selam Musai, Zigur Lelo, Kanan, Maze, Sado Koshena e shumë yje të
pashuar që derdhën gjakun për liri. Ja një fragment kënge ngritur dhe kënduar
Nase Beni nga Vunoi i Himarës, i njohur nga historia si trim, i njohur nga
folklori si krijues edhe këngëtar, me të cilin mateshin biblilat e malit: “Nata
e pesë qershorit/ Allaturka, ora tre,/ Ndizet gjaku’ arbërorit,/ Ndizet e bëhet
rrufe./ Zigur Lelua na thotë:/ “Djema, hidhuni mbi ta!? O burra, brenda në
Kotë,/ Ta dinë kush jemi nà,/ Ta marrë vesh një botë,/ Që s’para bëjmë shaka/
Çave para si flamur,/ Kapedan, more Zigur!”
Fjala e humbet
vlerën kur shpalosen visare folklorike si: “-Kanan, t’u prish bukuria/ - Le
të rrojë Shqipëria!”
Përsëri
nga patrioti dhe luftëtari poet Nase Beni: “Evropa shkruajnë e thonë:/ “Ç’është
kështu si dëgjojmë?/ “Po bënet dufek në Vlorë,/ shqipëtarëtë lëftojnë/ me një
mbret dyzet miljonë./ Zënë jesirëna thonë,/ zënë jesirë italjanë”/ “Po me se
lëftojnë vallë?/ se topa e armë s’kanë,/ as vaporë e aropllanë!”/ “Me sëpata e
me hanxharë,/ dufeqet lidhur me gjalmë,/ fishekët në xhep i mbajnë,/ në tri
ditë pak bukë hanë;/ po s’ka tabje e istikamë,/ top vapor e aropllanë,/ t’i
përgjunjë ata asllanë./ Në pëjetçi dhe për armë,/ asnjë mungesë nuk kanë,/
marrën nëpër italjanë,/ në të vrarë e në të gjallë,/ nëpër depotë ku janë,/ me
to rrëzojnë aropllanë!.
Vërtet, që kënga
labe, në rastin konkret, epika popullore labe nuk është armë, por për Njëzetën
pati peshë specifike frymëzimtare të lartë sa për 10 pushkë, sepse ndikoi fuqishëm
në moralin e forcave vullnetare të Çlirimit.
E, kështu, një
shekull më parë kaluar, me krenarinë e motivuar të labit dhe me nderin e
Çlirimtarit, luftëtari dhe rapsodi popullor Mato Hasani, me trimat e pushkës e
këngës, hoqi vallen: “Nuk e bëjmë kabull na/ të jemi për nën-ë botë”!
Jo
se nuk ka patur rapsodi të kënduara përpara viteve ’30 të shek. XX, por
revolucionin e vërtet në formë dhe në përmbajte e bëri Neço Muka me një tufë me
këngë lirike shumë të bukura si “Katina nina-nina”, “Erdhi prilli,
ç’u shkri bora”, “Qielli i zi” etj., në ballë të së cilave shndrin
kryekënga “Vajza e valeve”, një rapsodi e gjatë, ardhur në disa
motërzime.
Jo
thjesht se është ndër dallëndyshet e para të pasurimit të këngës labe, por se
është vërtet një perlë polifonike, si dhe në nderim të letërsisë gojore në
Labëri, këngës himarioçe, labe dhe këngës popullore shqiptare në përgjithësi,
po citojmë disa vargje nga kënga e shumë njohur me tekst të të jashtëzakonshmit
Neço Muko,
“Vajz’ e valeve”.
Vajz’ e valeve,
zëmëra s’ia mban
mbi një gur anës së detit
qan, e zeza qan
e mjera, qan e zeza qan.
Pret atë që pret
dhe një dhëmbje ndjen
Gjithë bota ven’ e vinë,
po ai nuk vjen,
e mjera, po ai nuk vjen.
Pranvera arriu,
një mëngjez të qet’
shkojn’ e vijnë dallandishet,
vajza u thërret,
e mjera, vajza u thërret:
“Ju të bukur, zoq,
tek ju kam një shpres’
ju që shkoni det’ e male
dua t’u pijes,
e mjera, dua t’ju pijes:
Mos e patë ju,
rron apo nuk rron
Ndonjë lajm a ndonjë letër,
vall’ a më kujton,
e mjera, vall’ a më kujton?!
etj….
Duke ju referuar
traditës së të parëve tanë, rapsodët e Labërisë janë shquar edhe në të ashtu
quajtura këngë “hidh e prit”, këngë që konsistonin në një mënyrë
komunikimi me vargje, veç jo duke u recituar por duke i kënduar. Këto lloj
këngësh kanë qenë pjesë e dasmave apo muhabeteve të ndryshme dhe ishin pronë e
disa prej bejtexhinjve që kishin dhunti ti thurnin vargjet aty për aty, disa
herë edhe si një mënyrë shpotitëse apo me humor të hollë.
Në jo pak raste këto
lloj këngësh kalonin edhe kufijtë etikë të komunikimit duke u bërë shkak për
prishje të muhabetit apo dollisë në trapezë.
Në pragvitet 1970
rapsodia labe filloi përhapjen dhe u shtri nga Tragjasi, në Tërbaç, në Dukat,
Vranisht, Bënçë, Pilur, Fterrë, në gjerësi e thellësi të Labërisë. Ky
riformatim gjeofolklorik ka nisur me rapsodi dhe këngëtari marrës i Tragjasit
Beqir Laçe, i cili thuri këngën e parë rapsodike, recitative, që më tej u
përsos dhe artistikisht nga rapsodi, më saktë të shprehemi nga poeti popullor
Hamdi Pulo i Tragjasit. Kemi parsysh këtu jo vetëm tekstin të shtrirë në disa
strofa por edhe mënyrën e të kënduarit, duke vërejtur si e trajton prijësi i
këngës atë në një mënyrë recitative, ndryshe nga marrja tradicionale.
Më pas kjo mënyrë
të shprehuri u pasua nga rapsodi Kujtim Mici i
Tërbaçit me këngën: “Ç’i gjet’ zakonet që pamë” e cila lindi si
shprehje e letrësisë gojore në formën e rapsodisë së kënduar në grup miks në
funksion të lëvizjeve të reja të kohës kundër zakoneve prapanike dhe
paragjykimve fetare (1967), që, për atë periudhë kohore u trajtua si një
evolucion i të kënduarit në gjithë Labërinë.
Ç’i gjet’ zakonet që pamë,
Që na pat’ lënë Turqia?
Bënej dasëm në mëhallë,
Kërcit dollm’ e revania!… [mars 1970]
Me kalimin e
viteve, poezia e tyre fitoi vlera të mirëfillta letrare dhe muzikore, saqë u
bënë emra të shquar të këngës labe rapsodike krijues të dinjitetshëm si Kujtim
Mici i Tërbaçit, Hamdi Pulo i Tragjasit, Maliq Lila i Bënçës dhe sidomos Lefter
Çipa i Pilurit.
Duhet thënë se
Bardi i gjallë i Bregdetit, Lefter Çipa i dha poezisë gojore një shkëlqim të
artë si në asnjë periudhë tjetër të mëparshme. Sidomos me këngën e “Bejkës së bardhë”, por e dhe me të
mirënjohurat “Shko, moj shko kuac’ e kuqe”, “Zoga Kaçake në mal”,
“Shqipëri, pse të qan syri?!”, “O në të marça moj manushaqe”, “Vijnë
djemtë nëpër vapë”, “Bilbil i vëndeve të mia”, “Njëzet e tetë
mijë yje”, “Kënga jonë, këngë djepi” etj, të mirënjohura jo vetëm në
Labëri, me të drejtë Lefter Çipën e bënë të quhet princ i poezisë popullore
shqiptare, sepse si autor dhe kompozitor i teksteve ai mbetet një aset i
trashëgimisë së kulturës popullore dhe pasurimit të saj të pëlqyeshëm nga
komuniteti jo vetëm labëror.
Tani detashmenti i
rapsodëve të këngës labe vjen më i plotësuar nga ana arsimore dhe janë më të
kualifikuar nga ana e krijimit të tekstit poetik për këngë; të tërë janë me
arsim të mesëm, ndër ta ka shumë me arsim të lartë. Shquhen si ustallarë të
këngës labe në formë rapsodike: Muhamet Tartari i Vranishtit, Feti Brahimi i
Lapardhasë, Teno Leno i Fterrës, Zaho Balili i Rexhinit, Llambro Hysi i
Kallaratit, Arap Mero i Bratit, Pelivan Bajramaj i Drashovicës, Meleq Kapllani
i Kaninës, Tomor Lelo i Smokthinës, Kastriot Muçaj i Velçës, Lefter Haxhiraj i
Armenit, Dule Havari i Dukatit, apo brezi më i ri që ka stafetën e krijimit
rapsodik mbi bazën e traditës duke e pasuruar atë më tej siç mund të përmendim:
meteorin e ndritshëm Nertesi Asllanin e Bolenës me Kristo Çipën e Pilurit, Nexhip
Serën e Bratit, Felek Bletën e Vërmikut, Sejmen Gjokolin me “Bilbilin”,
Albert Habazaj me “10 Shqiponjat e Tërbaçit” etj.
Vërejmë se
letërsia gojore e ardhur nëpërmjet poezisë popullore të Labërisë na shfaqet si
dëshmi të ekzistencës së banorëve dhe krijimtarisë së tyre.
Struktruralisht,
rapsoditë labe janë ndërtuar në vargje relativisht të gjatë, përgjithësisht
monologjike, por nuk mungojnë as ato dialogjike, me tingull e muzikë sidomos në
motivet e pafundme lirike, ku ndihet se rapsodia ka ritmikë më të madhe, ndaj
shpesh herë është përcaktuar si gjuhë ritmike. Rapsodët e traditës kanë ditur
të përzgjedhin nga hambari i mëparshëm artistik i popullit figurat, fjalët,
mendimet poetike, frazeologjitë, figurat artistike për t’i derdhur në vargje,
për të ngritur e ndërtuar “këngët tamam”, duke kompozuar një mozaik të
pasur vijash melodike aq të arrira dhe të dashura.
Ka ca këngë lirike
të qëndisura aq bukur dhe me vargje të kursyera, që në mënyrë lakonike të
mrekullojnë me qëndismat e tyre të shpirtit. Ja një këngë e qepur nga Xhebro
Gjika [1900-1978]: “Atje lart, në bokërrimë/ Një saba, pa dirë mirë./
Trëndo, leshra trëndelinë/ Mbi vetull lidhur shaminë./ Vajtonte atë të zinë/
Shtatë vjet harroi shtëpinë./
Se mbet’ nizam në Janinë/ Janinë nizam i mbeti./ Trëndon në merak e treti/
Sa u tha si degë plepi”.
Këtë tekst të
vjetër burimor e kanë përditësuar duke e prurë në kohë si valle lirike për
nizamët Ansambli Folklorik “10 Shqiponjat e Tërbaçit”.
Natyrë rapsodike
ka edhe kënga lirike elegjiake “O komandant Shpendi”, e cila është një
njësi folklorike relativisht e re, paraqitur për herë të parë në Festivalin
Tradicional Folklorik “Hasi Jehon”, në
Gjonaj - Has, komuna Prizren, Kosovë, edicioni i 34-t, natën e dytë, e
premte, 05.05.2023.
Ja teksti i plotë:
“O komandant Shpendi - fluturim lirie”
Këngë
elegjiake për Dëshmorin e Atdheut Skerdilajd Bardhyl Llagami (Komandant
Shpendi): Tiranë, 31 tetor 1969-Bogovinë, Tetovë, 29 Qershor 2009
Teksti: Albert Habazaj,
këngë elegjiake për Dëshmorin e Atdheut Skerdilajd Bardhyl Llagami (Komandant
Shpendi): Tiranë, 31 tetor 1969 - Bogovinë, Tetovë, 29 Qershor 2009; kënduar
nga grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, Urdhëri “Naim Frashëri”
marrëse: Antoneta Goxho
Mehmetaj dhe Evgjeni Habili Seferaj,
kthyese: Shpresa Kapo Çelaj,
hedhëse: Hava Çelaj Muçaj,
në iso: Liri Gaçe Shkurtaj,
Liljana Rrapi Kapaj, Meme Ribaj Habazaj, Fatmira Hodo Skendaj, Flutura Nanaj,
Lavdie Goxho Xhaka, drejtues artistik Albert Habazaj;
Vanë njëzet vite
Skerdilajd i motrës,
Të kërkoj si qyqe
Qiejve të botës.
O Shpirt, elegjinë
Ta këndoj me vaje,
Mbulojë ke lavdinë
O vëlla me halle!
Lirinë zbukuruar
Me gjak tënd e kemi.
Ku ke fluturuar
O Komandant Shpendi?!
Dhe mali nga vendi
Luajti nga dhëmbja,
O Komandant Shpendi,
Shpendi yn’ me ëndrra!..
Si zog të pranverës
Tirana të nisi,
Lugin’ e Preshevës
Një yll ta qëndisi.
Prizreni, Tetova,
Sipër, mal i Sharrit,
Me shpresa të njoma,
Trim i Idealit.
Dhe në Bogovinë
Një dre po derdh lot,
Kurorë me dafinë
Të thur motra sot.
Luan guri vendit
Gur shkëmbi Babai,
Amanet i Shpendit
Jehon skaj më skaj...
Për nga struktura
ajo është e ndërtuar me 8 strofa 4 vargjëshe, në 6-rrokshin popullor, i cili
është varg tipik lirik që ka shtrirje edhe në këngët elegjiake, vajet a këngët
e përvajshme, me rimë të kryqëzuar abab
Si përfundim mund
të shprehemi se kënga labe ardhur në formën e rapsodisë lirike apo edhe
liriko-epike do të ketë jetëgjatësi, jetë aktive, sepse lirika popullore labe
ka vlera artistike dhe estetike, spikat për ngjyrat vokale lokale të forta, të
veçanta, të ëmbla, të pëlqyeshme nga komuniteti lab dhe jo lab, brenda dhe
jashtë gjeografisë etnofolklorike të krahinës së Labërisë, si pjesë e së tërës
shqiptare.
Vlorë, e hënë, 22.05.2023
10
Shqiponjat e Tërbaçit në Festivalin Hasi jehon, 2023
Grupi
i parë i Vajzave të Tërbaçit, 1967
Kartolinë
folkorike me grupe labe të Tërbaçit