| E merkure, 14.06.2023, 07:57 PM |
NGJARJA QË NDRYSHOI KAHUN E POLITIKËS SË EUROPËS
145
Vjetori i Kongresit të Berlinit
Nga
Jusuf Buxhovi
Për
popujt e Evropës dhe jo vetëm të Evropës, Kongresi i Berlinit i vitit 1878
shënon një ngjarje të rëndësishme, meqë nga rrjedhat dhe vendimet e tij do të
ndikohen jo vetëm realitetet shoqërore të kohës, por edhe ato historike në
përgjithësi, të cilat do të marrin kahun e krizave që do të vazhdojnë në forma
të ndryshme për t´u kthyer deri tek ajo që mund të quhet planimetri e re
gjeostrategjije dhe gjeopolitike. “Natyrisht se shkas për një zhvillim të tillë
paraqitnin, në njërën anë, dobësimi i vazhdueshëm i Perandorisë Osmane, që nuk
kishte si të përfundonte ndryshe veçse me rrënim dhe në tjetrën anë lindja e
fuqive të reja, Gjermanisë dhe Italisë, që bënte të ruhej baraspesha e
deriatëhershme ndërkombëtare.“
Ky
ekuilibër u prish sidomos pas fitores së Rusisë mbi Turqinë në vitin 1877 dhe
pas nënshkrimit të ngutshëm të Paqes së Shën Stefanit, në mars 1878, me ç´rast
Rusia, nëpërmjet krijimit të shtetit të Bullgarisë po fitonte pjesën më të
ndjeshme të Ballkanit dhe po dilte në Mesdhe.
Ishte
më se e qartë se Bullgaria e madhe e Shën Stefanit nuk paraqiste tjetër përpos
një dorë të djathtë të Rusisë, e cila kështu po realizonte ëndrrën e kamotshme
për depërtim të thellë në Ballkan dhe për një hegjemonizëm në këtë pjesë
nevralgjike të Evropës, pikërisht aty ku historikisht zhvillohej ndeshja midis
Perëndimit dhe Lindjes dhe në njëfarë mënyre edhe mbaheshin çelësat e
gjeostrategjisë botërore.
Paqja
e Shën Stefanit me ato që solli, dridhi me të drejtë që të gjitha fuqitë
Evropiane, të cilat nuk kishin si të mos përqendroheshin kundër realiteteve që
solli ajo në planin politik dhe diplomatik. Kështu, Anglia, e cila kishte
depërtuar thellë në Lindjen e Mesme dhe që edhe më tutje kërkonte shtigje të
reja tutje Indisë, me një paqe të tillë, siç ishte ajo e Shën Stefanit, e
detyruar nga Rusët, shihte se po i rrezikoheshin interesat vitale, veçmas ato
që i kishte përcaktuar Paqja e Parisit e vitit 1856 dhe status quoja e saj.
Ndërsa, Austro-Hungaria dhe Italia, sidomos kjo e para, me krijimin e shtetit
të madh bullgar në Ballkan, kishte frikë të madhe se mos Rusia, pas një
traktati të tillë, po ua mbyllte dyert të tjerëve në këtë pjesë të Evropës.
Pra,
përpos shumicës së popujve të Ballkanit, që ishin të pakënaqur me Traktatin e
Shën Stefanit, edhe fuqitë e mëdha, në krye me Anglinë, iu kundërvunë vendimeve
të tilla. Bile, dukej se nëse Rusia do të vazhdonte të ngulte këmbë se paqja e
Shën Stefanit ishte fjala e fundit e saj, atëherë nuk mbetej tjetër përveçse
një luftë e pashmangshme midis Anglisë dhe Rusisë, në të cilën do të
përfshiheshin edhe të tjerët. Për këtë arsye, u shtrua nevoja e ngutshme e një
takimi ndërkombëtar, ku fuqitë e mëdha do të bisedonin shtruar për të gjitha
çështjet, para se këtë ta bënin armët. Në këtë drejtim, Gjermania u tregua më e
angazhuara dhe pothuajse mori përsipër që të gjitha ndërmjetësimet, qoftë të
uljes së tensionimeve që u shfaqën, qoftë rreth përgatitjes së një kongresi të
madh, ku përveç Rusisë dhe Perandorisë Osmane, Anglisë e Austro-Hungarisë,
Italisë dhe Francës do të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e popujve, të cilët
luftonin për pavarësi kombëtare, por që aty nuk do të ishin për të vendosur,
por për të parë si do të vendosnin fuqitë e mëdha. Bizmarku, që kishte bërë aq
shumë për unitetin dhe prosperitetin e shtetit të ri gjerman, tashmë gjendej
para një detyre tejet të rëndë, që në njërën anë sa më shumë që të ishte e
mundur t´i pajtonte të gjitha kundërshtitë dhe konfliktet në shpërthim e sipër
midis fuqive të mëdha dhe në tjetrën anë, të minonte sa më shumë vendimet e
Shën Stefanit, ku Rusia do të mbahej sa më larg Evropës, por që një gjë e tillë
të arrihej pa ndonjë shqetësim të madh a luftë midis superfuqive.
Por,
si të arrihej diçka që „Mishi të piqej e helli të mos digjej“, kur gjendja pas
marrëveshjeve të Shën Stefanit ishte aq e nderë dhe e ashpërsuar njëherësh sa
që shpesh dukej se qëllimi i tillë madje ngjante i paarritshëm. Vetë Bizmarku,
që mori rolin e ndërmjetësuesit të shkathët dhe për këtë u mbiquajt edhe makler
i madh, thotë se „Gjermanët nuk kishin ndonjë interes të drejtpërdrejtë në
Ballkan a më larg, në një kohë kur edhe më tutje kishim probleme të brendshme,
por gjithsesi ishim të shqetësuar se çfarë po ndodhte përreth nesh dhe mund të
kishte ndikim te ne. Rusia ishte e thelluar shumë në Ballkan dhe kjo bëri që Austro-Hungaria
disa herë të protestojë dhe filloi të nxiste Anglinë që të lidhnin një aleancë
kundër Rusëve. Po ashtu edhe Italia, e cila po përgjonte se ç´ndodhte, po
shqetësohej. Franca, megjithaqë parapelqente dobësimin e boshtit Vjenë-Berlin,
edhe ajo tregonte interes për ato që ndodhnin dhe nuk pajtohej me gjendjen e re
që të jetë me favore të njëanshme për Rusinë. Pra, ishte më se e qartë se
fuqitë e mëdha do të rrokeshin keqas me njëra-tjetrën dhe kjo përleshje, dashur
padashur do të përfshinte edhe Gjermaninë, e cila nuk ishte e interesuar të
futej në ndonjë konflikt. "Prandaj, kush përpos nesh", thoshte
Bizmarku, "duhej ta merrte rolin e një pajtuesi? Ne ishim të vetmit që nuk
kishim dorë në Ballkan dhe në Lindjen e Afërme. Neve pra na binte barra e
përgatitjes së takimit të tillë, ku për herë të parë do të bisedohej që të mos
ndodhte një konflikt midis fuqive të mëdha.“
Si
e tillë, sipas shumicës së studiuesve të kohës, Gjermania njëmend ishte shteti
më i përshtatshëm për ndërmjetësime të tilla, ndërsa Bizmarku politikani më
energjik, i cili do të duhej të ndërmjetësonte midis ëve të elektrizuara.
Natyrisht
se për të marrë një rol të tillë nuk ishte shumë lehtë, sepse, siç thotë Emil
Ludvig, njëri ndër studiuesit më të mirë të Bizmarkut dhe të Kongresit të
Berlinit, „Rrethanat atëbotë ishin të tilla që kërkonin një personalitet të
fortë, i cili do ta gjunjëzonte në mënyrë diplomatike Rusinë dhe do të bënte që
baraspesha e forcave prapë t´u shkonte për shtati atyre që ishin kundër Rusisë,
gjë që e gjithë kjo duhej të bëhej me një diplomaci finoke. Këtë mund ta bënte
vetëm Bizmarku“.
Kështu,
periudha prej marsit të vitit 1878 e deri në qershor të po këtij viti, kur do
të fillonte punimet Kongresi i Berlinit, nuk mund të ishte ndryshe përveçse
përplot vlime diplomatike, ku përvijoheshin vijat e qarta të vendimeve që do të
pasonin në Kongres. Bizmarku ishte figura kryesore e këtyre bisedimeve. Ky, me
anën e kanaleve diplomatike bënte për-pjekje që t´i harmonizonte qëndrimet para
se t’i fillonte punimet Kongresi. Nga të dhënat që mund të shihen, del se pas
kërcënimeve të para të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Anglisë, që erdhën
menjëherë pas nënshkrimit të Paqes së Shën Stefanit (në fund të marsit dhe në
fillim të prillit) me ç´rast Rusia haptas hodhi poshtë propozimin e Anglisë për
mbajtjen e një kongresi të ri pas Shën Stefanit, forcat e tjera përreth, si
Austro-Hungaria dhe Franca filluan të ofronin rezoluta dhe propozime për
kapërcimin e krizës që solli Paqja e Shën Stefanit. I njohur është, për shembull,
propozimi i Austro-Hungarisë i 26 marsit të vitit 1878, që i ka bazat në
Marrëveshjen e Rajhshtatit të vitit 1876 dhe Konventa ruse-austro-hungareze e
15 janarit të vitit 1877. Konventa ruse-austro-hungareze e vitit 1877, përveç
të tjerash, parasheh që pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane në Ballkan të
krijoheshin shtetet e pavarura: Bullgaria, Rumelia dhe Shqipëria. Sipas
burimeve gjermane, çështja e Shqipërisë së pavarur, sipas kësaj marrëveshjeje,
është jo gjithaq e sqaruar, sepse zihen në gojë dy terma: vetëqeverisje dhe
autonomi, të cilat i përdornin Andrashi dhe Goroshkovi.
Pra,
ofroheshin zgjidhje, të cilat, në të vërtetë, kundërshtonin vendimet e marra
pak më parë në Shën Stefan, por pa iu mbyllur rruga realiteteve të reja të
krijuara pas Luftës ruse-turke, e fituar nga Rusia, e cila, dashur a padashur,
nuk mund ta kthente gjendjen ku ishte, pa iu dhënë njëfarë kundërshpërblimi
Rusisë, por mendohej që ky shpërblim të ishte sa më i vogël dhe sa më i
parëndësishëm në planin strategjik.
Në
këtë kohë edhe vetë Rusia, e shtyrë nga gjendja e krijuar ndër-kombëtare, që do
të mund të shpinte në një aleancë të re midis Anglisë, Austro-Hungarisë dhe
Francës kundër saj, do të lëshojë pe në të mirë të pranimit të bisedimeve të
drejtpërdrejta, duke treguar në këtë mënyrë se megjithatë, është e gatshme të
heqë dorë nga Shën Stefani në dobi të faktorizimit të mëtejshëm të saj në
sferën ndërkombëtare, si fuqi e pashmangshme e kohës. Shuvalovi, kryeministër
rus, brenda një kohe të shkurtër vizitoi dy herë Berlinin, ku u takua me
Bizmarkun. Më 9 maj të vitit 1878 dhe më 20 maj Bizmarkut iu ofrua besimi i
shtetit rus rreth organizimit dhe mbajtjes së një kongresi ndërkombëtar, ku do
të shqyrtoheshin çështjet që dolën pas Luftës ruse-turke. Kështu, më 22 maj
Shuvalovi do të presë në Petersburg një delegacion anglez dhe kjo jepte të
kuptohej qartazi se një kongres i tillë do të organizohej. Më 28 dhe 29 maj
edhe Austro-Hungaria do të bëjë të ditur propozimin përfundimtar për zgjidhjen
e çështjes lindore.
Punët,
pra, po shkonin mbarë. Fuqitë e mëdha nëpërmjet kanaleve të shumta diplomatike
dhe takimeve të njëpasnjëshme kishin përballuar atmosferën e kërcënimit me
luftë dhe i afronin qëndrimet e tyre para se ato përfundimisht t´i hidhnin në
tryezën e bisedimeve të Kongresit të Berlinit, që do të mbahej pas pak. Për
vetë kongresin mbetej ratifikimi përfundimtar i marrëveshjeve dhe çështje të
tjera që merreshin si anësore, e që nuk do të duhej të luanin ndonjë rol aq të
madh, pa marrë parasysh rëndësinë që mund ta kishin më vonë.
Thelbi
i marrëveshjeve ishte ky: Rusia duhej të hiqte dorë nga depërtimi i madh në
Ballkan përmes Bullgarisë dhe se do të bëheshin përpjekje që Perandorisë Osmane
nëpërmes status quo-s prapë t´i zgjatej jeta në pjesën Evropiane, ani pse ishte
krijuar bindja se kjo nuk paraqiste tjetër veçse përpjekje për të fituar kohë
të domosdoshme nga të gjithë për të vendosur se si do të mbushej hapësira që
për pesë shekuj ishte mbikëqyrur dhe sunduar nga Perandoria e Bosforit.
Anglia
në këtë drejtim ishte posaçërisht aktive dhe kërkonte që para se të fillonte
Kongresi i Berlinit shumë gjëra të bëheshin të qarta, qoftë në raportet e saj
me Rusinë, qoftë me Turqinë, si dhe me situatën në Ballkan. Kështu, më 30 maj,
pas shumë ndërmjetësimeve të ës gjermane, asaj franceze dhe deri diku italiane,
bëhet takimi i njohur midis Shuvalovit dhe lordit Solsberi. Në këtë takim
historik Rusët përfundimisht do të dorëzohen dhe do t´i pranojnë qëndrimet dhe
propozimet për modifikimin e Paqes së Shën Stefanit. Çdo gjë tjetër pas këtij
takimi ishte formalitet, meqë rrugët e marrëveshjes tashmë ishin të hapura.
Rreziku i konfrontimit midis Rusisë dhe Anglisë ishte kapërcyer.
Ishte
më se e qartë se Evropa, për herë të parë, në një përbërje të tillë do të
shqyrtonte çështje aq të rëndësishme, të cilat do t´i ndërrojnë raportet e
kohës.
Më
3 qershor, gjashtë përfaqësuesit e fuqive të mëdha: të Anglisë, të Rusisë, të
Austro-Hungarisë, të Francës, të Italisë dhe të Gjermanisë, morën ftesat për të
marrë pjesë në Kongresin e Berlinit, i cili duhej të fillonte punimet më 13
qershor. Po ashtu, në këtë Kongres u thirrën edhe përfaqësues të shumë popujve,
të cilët asokohe luftonin për pavarësi në Ballkan dhe në Lindjen e Afërme. Ata
do të vinin në Kongres si vëzhgues.
Në
Kongres nuk u thirrën përfaqësuesit e popullit shqiptar, e kjo as që mund të
pritej, meqë ata në kuadrin e Perandorisë Osmane kishin tretmanin e
milleti-osman, pra nuk trajtoheshin si kombësi, edhe pse kjo çështje tashmë
kishte filluar të animohej nga një grup intelektualësh shqiptarë në Stamboll,
por që nga Porta e Lartë ishte refuzuar me anatemën se diç e tillë çonte te
rrënim i Perandorisë, ndërkohë që edhe kërkesat e Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit e cila filloi tri ditë para se të fillonte punimet Kongresi i
Berlinit, shprehnin përcaktimin e fortë për t’i mbrojtur tokat e tyre nga
copëtimet, por jo kërkesën për një autonomi shqiptare brenda Perandorisë Osmane
siç do të dalë më vonë, kur Lidhja do të konfrontohet me Perandorinë Osmane dhe
me fuqitë e mëdha.
Me
këtë rast gjithsesi se ka vend për një sqarim, që ka të bëjë me një paqartësi,
që shfaqet në “Historinë e Popullit Shqiptar”, vëllimi i dytë, i botuar në
Tiranë në vitin 2002, ku thuhet se “në Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes të
mbajtur më 1 korrik 1878, ishte kthyer nga Berlini edhe delegacioni shqiptar, i
kryesuar nga Abdyl Frashëri, që kishte shkuar atje për t’u paraqitur Fuqive të
Mëdha të mbledhura në Kongres peticionin me kërkesat e Kuvendit të Lidhjes së
Prizrenit!”
Pavarësisht
këtyre insinuatave me të cilat edhe sot manipulohet, megjithatë çështja e
bashkimit të Shqiptarëve në një vilajet, si dhe ato për autonomi, që do të
animohen gjatë kohës kur Lidhja do të ndryshojë kërkesat e veta nga ato të
mbrojtjes se territoreve perandorake te autonomia, nuk mbeti si çështje e shurdhër,
si thuhet shpesh. Përkundrazi, për vetë faktin se Perandoria Osmane tashmë i
kishte ditët e numëruara, ndërkohë që telashet që linte ajo prapa, nuk mund ta
përjashtonin edhe çështjen shqiptare, dashur a pa dashur disa nga fuqitë e
rëndësishme Evropiane shtetin shqiptar kishin filluar ta projektonin si një
faktor që do të përfshihej në sferat e tyre të interesave dhe madje në këtë
plan edhe të punonin, siç do të veprojë Anglia, e cila do ta autorizojë Lordin
Edmond Fitzmauricie, që në përputhje me artikullin XVIII dhe XXIII të Kongresit
të Berlinit, Portës t´i kërkojë që të krijojë një Shqipëri autonome në një
vilajet, që do të bashkonte vilajetet e Shkodrës, Janinës, Kosovës dhe
Manastirit, që do të mbetej nën suzerenitetin e Sulltanit.
Në
konferencën e Kostandinopojës më 20 prill 1880, para Komisionit Ndërkombëtar
për Reformat e brendshme të cilat Porta do t´i zbatonte, Lordi Fitmauricie,
deklaroi se fliste në emër të Lordit Beaconsfield, i cili porosiste se krijimi
i një Shqipërie të fortë autonome është në interes të Evropës. Historiani
gjerman Hanns Dieter Schanderl, në librin këtë e thekson si qëndrim të
rëndësishëm me të cilin do t´i hapet drita e gjelbër shtetit të ardhshëm
shqiptar. Schanderl, duke cituar një dokument të Forin Officit të 26 majit
1880, bën të ditur se Lordi Fitmauricie, gjatë takimit me ministrin e jashtëm
turk, Sawa Pashën, do t´ia dorëzojë një memorandum me projektin e Shqipërisë si
vilajet autonom.
Megjithatë,
nga protokollet e mbledhjes së shtatë, të tetë, të dhjetë, të dymbëdhjetë dhe
të trembëdhjetë, bie në sy se përfaqësuesit e delegacionit të Portës,
Aleksandër Karateodor Pasha dhe Mehmed Ali Pasha, kur konkretisht u bisedua
rreth zgjerimit të Malit të Zi dhe të Serbisë me territoret e banuara me
Shqiptarë, por edhe kur u bisedua për kërkesat e Greqisë ndaj Epirit dhe të
Thesalisë, flisnin në emër të Shqiptarëve dhe madje shfaqen edhe në rolin e
mbrojtësit të tyre gjithnjë në përputhje me mandatin që edhe shqetësimet e tyre
të trajtohen si të të gjithë shtetasve të tjerë të Perandorisë Osmane, pra si
milleti-osaman, të cilët nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e kusuritjeve midis
shteteve të ndryshme. Nga ky këndvështrim duhet vënë në pah deponimet e
përfaqësuesve të delegacionit të Portës së Lartë, siç ishte i Karateodori Pashës
në mbledhjen e dhjetë kur ai do ta paraqesë qëndrimin e Portës rreth
mospajtimit që Tivari t´i jepet Malit të Zi dhe për këtë ai përmend disa arsye
pse kufijtë e Shqipërisë nuk duhet të ndryshohen. ”Porta nuk ka asnjë
kundërshtim për Spican, por insiston se Tivari është shqiptar, se malazeztë aty
mund të mbesin vetëm me dhunë, kundër vullnetit të popullatës shqiptare.” Ai
përmend sulmet e vazhdueshme të ndërsjella mes Shqiptarëve dhe Malazezve dhe
thotë se qeveria e tij ka marrë telegrame brengosëse. Edhe Mehmed Ali Pasha në
mbledhjen e dymbëdhjetë, do të kërkojë që viset shqiptare Plava, Gucia dhe
Tivari të mos shkëputën nga etnia e tyre dhe këtë e konsideron të padrejtë dhe
shton se a nuk do të ishte më mirë të parandalohet që popujt e racave dhe të kulturave
të ndryshme të vendosen pa ndonjë domosdoshmëri të madhe nën pushtetin e një
race të jashtme? Për këtë arsye, ai kërkon që gjatë zmadhimit të territorit
aktual shtetëror të Malit të Zi, këtij vendi t’i jepen vetëm territore, banorët
e të cilave janë të së njëjtës racë, e kryesisht edhe të të njëjtit religjion
si Malazeztë dhe jo territoret shqiptare. Sipas tij, do të ishte më e drejtë që
nga ana e Shqipërisë Malit të Zi t’i jepen Kuçi, Drekaloviqi dhe rrjedha e
Moraçës, deri te liqeni i Shkodrës, ndërsa në Turqi të mbeten qarqet shqiptare
të Plavës dhe Gucisë, si dhe qyteti i Podgoricës, me një rajon të mjaftueshëm
për mbrojtje. Me të njëjtat argumente kërkon që qyteti i Tivarit të mos ndahet
nga Shqipëria. Tone të ngjashme kishte edhe paraqitja i Karateodori Pashës në
mbledhjen e trembëdhjetë kur do të përkujtojë të pranishmit se Epiri dhe
Thesalia nuk janë të banuar vetëm me popullatë greke, siç thoshin përfaqësuesi
grek, ata rus dhe francez, por ka edhe të tjerë që kundër-shtojnë kalimin në
shtetin grek dhe me këtë rast zë në gojë peticionet 15, 19 dhe 23, të dërguara
nga popullata e këtyre viseve që tashmë gjenden në tryezën e bisedimeve,
peticione këto që në regjistrin e letrave që i janë drejtuar Kongresit
cilësohen si protesta të Shqiptarëve kundër copëtimit të trojeve të tyre.
Por
edhe përkundër kësaj, se përmendet etnia shqiptare, por në të Shqiptarët
përmenden si milleti-osman, historiani gjerman Petër Bartle konstaton se
„Shqiptarët, jo vetëm që nuk u thirrën në Kongresin e Berlinit, ku vendosej
edhe për fatet e tyre, por ata nuk patën as ndonjë mbrojtës të tyre, i cili
sadopak do të fliste për ta“, që do të thotë se përfaqësuesit e Portës në
Kongresin e Berlinit kishin mandatin që të flisnin për mbrojtjen e vilajeteve
shqiptare që hapësira e tyre sa më pak t´u jepej të tjerëve, dhe këtë e bënin
duke e theksuar edhe fjalën Shqipëri si tërësi etnike, por assesi që asaj nga
aty t´i paracaktohej çfarëdo statusi autonom. .
Kongresi
i Berlinit i filloi punimet zyrtarisht më 13 qershor 1878 dhe zgjati deri më 13
korrik të po këtij viti. Ai pati 20 seanca dhe gjatë tërë kohës punimet i
mbajti në ndërtesën e Raihskancelarit në Vilhelmstrase. Nën udhëheqjen e
Bizmarkut, në tryezën e bisedimeve u ulën: delegacioni i Anglisë, i prirë nga
lordi Solsberi, delegacioni i Rusisë, i kryesuar nga Shuvalovi dhe Goroshkovi,
i Perandorisë Osmane, i kryesuar nga Sadullah Bej dhe Mehmed Ali Pasha (Maxharr
Pasha), i Austro-Hungarisë, i kryesuar nga Andrashi, si dhe delegacioni i
Francës dhe ai i Italisë. Në Kongres morën pjesë gjithashtu edhe shumë
përfaqësues të shtypit të kohës, vëzhgues dhe politikanë nga Gjermania dhe
vendet fqinje. Për opinionin dhe për të pranishmit, me një interes të veçantë
ishte pjesë-marrja e personaliteteve të larta, si e Goroshkovit, kryeministër
rus, pastaj pjesëmarrja e kryeministrit të Anglisë Baconsfield, prezenca e
ministrit të Punëve të Jashtme të Francës Velington. Nga përbërja e
delegacioneve dhe e paraqitjes së tyre mund të shihej fare lehtë se këto ë që
gjendeshin para një konflikti të armatosur (Anglia dhe Rusia), në Berlin kishin
ardhur për të demonstruar edhe forcën politike dhe atë diplomatike. Ishte pra,
më se e dukshme që përkundër bisedimeve paraprake, të cilat u zhvilluan gjatë
dy muajve të fundit (në prill dhe në maj), megjithatë arena kryesore historike
do të jetë në Berlin.
Sipas
protokolleve origjinale të Kongresit të Berlinit, që në fillim të seancës së
dytë pati njëfarë fërkime midis Anglisë dhe Rusisë. Kryeministri britanik, në
gjuhën angleze protestoi kundër pranisë së flotës ruse në afërsi të
Kostandinopojës, ndërsa kryeministri rus Goroshkov tha se pikërisht prania
angleze në atë pjesë të detit ka bërë që edhe Rusët të mos tërhiqen.
Bizmarku,
si udhëheqës i Kongresit, kërkoi që këto akuza të ndërpriten dhe të mos përqendrohet
vëmendja tek ekseset që mund ta çrregullonin punën e paraparë. Ai, bile, edhe
pse ato ditë u bë një atentat kundër mbretit Vilhelmi i Parë, nuk deshi që
tubimi të shpërqendrohej nga ajo ngjarje.
Punimet
e Kongresit nuk ishte e mundur të kishin rrjedhë fare të qetë, meqë fjala ishte
për çështje të mëdha dhe tejet të rëndësishme, të parat të një natyre të tillë.
Shqetësimet dhe kacafytjet qenë më të ndjeshme midis seancës së katërt dhe të
gjashtë, sepse zhvillohej një betejë e madhe për largimin e ndikimit, por edhe
të pranisë së drejtpërdrejtë të Rusisë nga Ballkani, edhe pse gjatë bisedimeve
paraprake dukej se rreth saj ishte arritur një pajtim parimor edhe nga rivalët
më të fortë, Anglia dhe Rusia. Kështu, në seancën e pestë dhe të gjashtë u
pranua propozimi i Austro-Hungarisë që Rusia brenda gjashtë muajsh të largohej
nga Rumelia Lindore, brenda nëntë muajsh të largohej edhe nga Bullgaria, e cila
u nda në dy pjesë. Rusia duhej të largohej edhe nga Rumunia brenda dymbëdhjetë
muajsh. Në seancën e tetë u bisedua për njërën ndër pikat më të ndjeshme të
Kongresit - për çështjen e Bosnjës dhe Hercegovinës. Me propozimin e Anglisë,
Kongresi do të duhej t´i hapte rrugë Austro-Hungarisë për në këtë krahinë.
Andrashi kishte luajtur një rol të madh në këtë drejtim, me ç’rast në saje të
shkathtësisë së tij që para fillimit të Kongresit kjo çështje kishte filluar të
zgjidhej në dobi të Vjenës.
Në
seancën e tetë u hoq përfundimisht nga rendi i ditës çështja e Bosnjës dhe
Hercegovinës, ndërsa për Serbinë u vendos të bëhej shtet i pavarur. Me këtë
rast u tha se ajo duhet të respektonte kombet e tjera brenda kufijve të saj,
bashkë me përkatësitë fetare dhe identitetin etnik. Po ashtu, në këtë seancë që
u mbajt më 26 qershor, Serbia, me insistimin e përfaqësuesit të Perandorisë
Osmane, Mehmed Ali Pasha dhe të Andrashit, mori për obligim se do të ketë
qëndrim të drejtë ndaj popullatës joserbe në pjesët jugore që iu dhanë, me çka
zotohej se nuk do të ndërmerrte asnjë veprim që popullatën e këtyre vendeve ta
detyronte të braktiste trojet e veta. Kryeministri i Serbisë Ristiq, në emër të
princit Milan, lexoi një deklaratë, me të cilën ky vend merr përsipër mbrojtjen
e të gjitha të drejtave të popullatës joserbe që do të përfshihej në hapësirën
e shtetit serb, që nga ushtrimi i lirë i religjionit e deri te mbrojtja e
pronës. Sipas pikës 36, Serbia zgjerohej me Kurshumlinë dhe me një pjesë të
krahinës së Vranjës, bashkë me qytetin e Vranjës.
Në
seancën e trembëdhjetë, që u mbajt më pesë korrik, për herë të parë u bë fjalë
për çështjen e autonomisë lokale për popullatën katolike të Mirditës. Ky
propozim doli nga përfaqësuesi i Austro-Hungarisë dhe ai i Francës, që u
arsyetua si „çështje e imunitetit të privilegjeve që malësorët mirditas kanë
gëzuar gjatë gjithë kohës, e cila në të ardhmen duhet të garantohet“.
Rreth
këtij propozimi reagoi Memed Ali Pasha, i cili theksoi se nuk mund të flitet
për kurrfarë privilegje, sepse kjo do të kishte pasoja zingjirore, por që
Porta, në kuadër të reformave zotohet se do të ketë parasysh edhe rastet e
veçanta. Pas një shkëmbimi mendimesh me përfaqësuesin e Anglisë dhe atë të
Francës, Sadullah Bej, do të propozojë një zgjidhje kompromisi sipas të cilës
Porta nuk do të ndryshojë statusin e Mirditës, që do të thotë se atyre edhe më
tutje u mbesin ato që u quajtën „privilegje“ me çka si duket u plotësua ai që
në parakushte u quajt koncesion evropian ndaj Rusisë dhe Sllavëve të Jugut se
në kongres nuk do të bisedohet për kurrfarë autonomie tjetër, pos asaj të
Bullgarisë, me arsyetimin se çfarëdo kërkesash të ngjashme, që do të paraqiten,
duhet të barten në kuadër të zotimeve të Perandorisë Osmane për reformat e
brendshme, që ajo mori në Kongres.
Përkundër
trajtimit si objekt kusuritjesh, përmendja e kazave shqiptare, e qyteteve që po
ashtu quhen shqiptare (si Ulqini, Tivari, por edhe Prokupja, Kurshumlia) si dhe
futja e tyre në protokolle me këtë trajtim dhe emërtim, tregon për pranimin e
etnisë shqiptare si faktor të gjallë dhe të pakapërcyeshëm, dhe kjo për
historinë ka rëndësi, me çka bie poshtë çfarëdo aludimi rreth përkufizimit të
tyre gjoja si „kuptim gjeografik“, me të cilin është spekuluar shumë nga ana e
historiografisë serbe. Madje, etnia shqiptare si e lidhur, gjeti vend edhe në
të gjitha hartat që Kongresi mori në shqyrtim për t´u pasqyruar si e tillë edhe
në atë përfundimtaren, ku mbi shtrirjen e katër vilajeteve u shënua Albanien.
Megjithatë,
nga moria e materialeve të ndryshme që ruhen në Arkivin e Ministrisë së Punëve
të Jashtme të Gjermanisë në Bon dhe arkivat e tjerë, si në atë të Berlinit,
Ahenit dhe të Koblencit, mund të thuhet se Shqiptarët dhe çështja e tyre, nëse
në tryezën e bisedimeve të Kongresit u trajtuan ashtu si u trajtuan, pra si
etni me tretmanin e milleti-osman, jashtë Kongresit, ishin të pranishëm në
faqet e shtypit gjerman, i cili u kushtoi një vëmendje të duhur, jo vetëm nga
pikëpamja informative, por edhe e trajtimit analitik dhe politik të gjithë problematikës
së tyre, që u intensifikua para, gjatë dhe mbas mbajtjes së Kongresit për të
vazhduar edhe më vonë deri tek shpallja e pavarësisë kombëtare. Ky qëndrim i
shtypit gjerman ndaj çështjes shqiptare në një çast aq të rëndësishëm, ishte
edhe për t´u pritur nëse kihet parasysh se në fokusin e vrojtimit gjerman
Shqiptarët do të futen që moti, qysh në shekullin e dymbëdhjetë e tutje, për të
vazhduar edhe më vonë me shtrirjen e tyre në fushën e kulturës dhe të
hulumtimeve të shumta që nga historia, etnografia dhe veçmas gjuhësia, ku kjo e
fundit, në saje të interesimit të madh të misionarëve gjermanë që kaluan nëpër
Ballkan, por edhe të konsujve dhe kronistëve të ndryshëm, që nga mesjeta e
hershme e tutje, gjeti një vend të rëndësishëm, me ç´rast disa nga shkencëtarët
e rëndësishëm të këtij populli, me studimet e tyre të çmueshme, do t´ia dalin
që popullit shqiptar t´ia përcaktojnë vendin e vet në kuadër të qytetërimit
antik, si pasardhës të ilirëve, ndërsa gjuhën shqipe ta quajnë bijë e
ilirishtes. Mjafton këtu të përmenden disa nga emrat e studiuesve dhe
hulumtuesve gjermanë që popullit shqiptar i kanë dhënë shumë, që nga kalorësi
Arnold von Harf, Ksylanderi, Hahni, Lamberci e deri te Gustav Majeri, i cili në
kohën e mbajtjes së Kongresit të Berlinit nxori „Fjalorin etimologjik të gjuhës
shqipe“, që paraqet një monument të madh të gjuhësisë shqiptare. Kështu, një
populli thuajse të harruar dhe që politikisht dëshirohej të shihej, por edhe të
mbahej sa më larg hapësirës së civilizimit evropian - pa ngurruar që nga disa
vende sllave dhe ortodokse, si Serbia, Rusia, po edhe Greqia, të anatemohej
edhe si rrënues i saj dhe shpifje të tjera, në mënyrë që t´u pamundësohej
themelimi i shtetit në përputhje me shtrirjen etnike, që shfaqej ndër me
kompaktet në gjithë hapësirën Evropiane që mbante Perandoria Osmane - iu bë pra
nga ky shtyp një nder dhe një shërbim i madh.
Shikuar
në tërësi, Kongresi i Berlinit i vitit 1878 ia doli të zhvlerësonte Traktatin e
Shën Stefanit që u imponua nga fitorja e tetë me radhë e Rusisë ndaj Turqisë
dhe me këtë të pengonte një luftë të mundshme midis Anglisë dhe Rusisë, siç do
t´ia zgjasë edhe për pak kohë jetën Perandorisë Osmane në Ballkan, por me këtë
nuk do të sigurohet as paqja e as stabiliteti i qëndrueshëm, siç thuhej në disa
nga kryeqendrat Evropiane. Përkundrazi, me faktin që në këtë Kongres
Austro-Hungaria do të vërë dorë mbi Bosnjën dhe Hercegovinën, me arsyetimin se
do të mund të parandalohej të rrënohej ajo që merrej si baraspeshë midis fuqive
të mëdha rivale të kontinentit të vjetër, do t´ua hapë rrugën gjithë atyre
zhvillimeve pak a shumë do t´i ndikojnë ngjarjet që do të çojnë te krizat tjera
edhe më të thella të cilat do t´u paraprijnë luftërave ballkanike dhe asaj
botërores. Kështu, Ballkani dhe hapësira e tij do të kthehet në një poligon të
paqëndrueshëm jo vetëm politik, por edhe strategjik në përgjegjësi, ku do të
përvijohen interesat e ndryshme të fuqive të mëdha.
(Shkëputje nga librti "Kongresi i Berlinit 1878",
botoi "Faik Konica", Prishtinë, 2008.)