| E enjte, 01.01.2009, 03:05 PM |
...Lirija i gjan nji bime delikate qi lyp ma të madhin kujdes e tokë t’aftë për me qëndrue e me u zhvillue në mënyrë qi t’i napë kombit pemët e veta për ditë ma të mira e ma të plota. Toka e ksaj bime asht edukata shoqnore e patrijotike e popullit...
Mustafa Merlika Kruja
(Shkrue në vjetin 1932)
KUPTIMI I XXVIII NANDORIT
Për djelmnin shqiptare
Nga Mustafa Kruja
Po më duhet edhe mue me shkarravitun diça për numrin e veçantë të “Shqipris së Re” qi do dalë ditën 28 Nëntor. S’e pata kët mendim. Por “Shqipëria e Re” e di t’a fusi njerin në valle edhe kur s’e ka zanat kërcimin a s’asht në fel me kërcye.
Pra po shkruej. Por ça me shkrue? Ju them të drejtën se m’asht dashun t’a lodh mjaft menden për me gjetun nji themë qi t’i përshtatej rasës dhe kohës bashkë e qi mund të këndohej pa mërzi të madhe prej kënduesve të ksaj fletorje.
Ah të kishem qenë dhe un poet, sa m’a kishte anda me i a çue dikuj zemrën peshë e ndonji pikë lot mallëngjimi ndër sy, ashtu si m’a pat bamë mue disa vjet përpara D. Lazër Shantoja me “Kuvendin e Dëshmorvet” po në rasën e 28 Nëntorit! Por mue kët cilsi m’a ka mohue natyra. Nuk dij me shkrue vjersha. E jam fort pak i aftë me gixilue zemra. Më vjen ma tepër për dore me i thirrë mendes, gjykimit të ftohtë se sa me i nxitun kazanit të gjakut.
Prandej edhe dava me i a sjellë fjalën teme kryesisht djelmnis, e cila e ka gjakun në vlim të natyrshëm dhe ka nevojë ma shumë për argumenta qi mund t’a shtien në nji kujtim të thellë mbi kuptimin e ma së madhes ditë të historis së kombit t’onë, se sa për ligjerata qi t’a mallëngjejnë e t’i ndezin gjakun.
Plot 20 vjet para, më 28-XI-1912, nji kuvend burrash të mbledhun në Vlonë ndënë prisin e Ismail Kemalit, i shpalli botës mbarë se Shqipnija, aty e mbrapa, do t’ishte vetëm e shqiptarvet, se këta do t’ishin vetë zotën në plangun e përbashkët të tyne, mu nj’ashtu sikur e ndien dhe e njeh veten secili në shtëpi e gja të vet, se i hueji nuk do të guxonte ma me urdhnue e sundue mbi stërnipat e Illyrve.
Han’e yll po perëndojshin për jetë, po zhdukeshin nga horizonti i atdheut t’onë; ishte tue lemë dielli i liris.
Nji flamur i madh zhdridhej rreth nji shtize të gjatë në dritoren e nji shtëpije të moçme ku ishte mbledhun kuvendi: flamur i kuq, si gjaku i dëshmorvet të tij, me shqipen e zezë dykrenëshe në mes, flamur i Skanderbegut, qi po valonte për të parën herë n’ajrin tonë mbas katër shekujsh e gjymsë.
Atypraty nji za i rreptë buçitte prej qinda krahnorësh e naltohej në qiell si nji lutje e fjeshtë e e kulluet dalë prej zemrash të lame nga çëdo mëkat: “rroftë Shqipnija!” Brohori të padame e lot mallëngjimi.
20 vjet para! Ju djelm të rij të Shqipnis së lirë s’kishit lemë ose ishi edhe të njomë. Sod, 20 vjet mbrapa, ndokush nga ju mund të pyesë mallëngjyeshëm:” ku janë ata burra qi ngritën për të parët flamurin kombtar?” E un ju përgjigjem: ma mirë mos pyetni për ta. Historija, ata qi meritojnë të kujtohen, do t’u a tregojë brezave të ardhshëm. Ka pasun ndër ta apostuj lirije a së paku asish qi e kanë pritë e dëshirue këtë me gjithë zemër. Këta kanë vdekun a rrojnë të ngimë e të kënaqun tue pamë mundimet e sakrificat e tyne të shpërblyeme nga realizimi i ides e i deshirit qi kan ushqye.Ka pasun dhe njerz të rrëmbyem prej nji rryme të pakuptueme, si landa qi merr me vete nji lumë për me e lanë të zhytun në ledh të ndonji bregu a me i a falun detit. E ma në fund ka pasun edhe shpekulatorë, farizij të kohvet tona, të cilët ndjekin çëdo rrymë qi t’u përshtatet interesave të tyne, qi ndërrojnë lëkurë e qime simbas stinës. Në qoftë se ju do të kërkoni me njohun e nderue kend nga dëshmitarët e ditës 28 Nëntor 1932 po ju siguroj se ma të parët qi kanë me ju dalë përpara si fatosa të pavarsisë shqiptare kanë me qenë këta të fundit. E ju, para fytyravet të tyne, keni për të humbun të tanë shijen e idealit të thjeshtë qi ushqeni!
Kujtoni pra e nderoni vetëm dëshmorët e paemën qi kanë kanë bamë veten fli për t’ja mbërrimë asaj ditee ma vonë për të ruejtun frytin e saj, ata qi s’u dihen a së mund t’u përmenden emnat. Mu nj’ashtu sikur nderohet sod gati në të gjithë botën kujtimi i ushtarit të panjohun ramë dëshmuer n’altarin e atdheut..
“ Por, do të më thoni, ç’farë Dëshmorësh kur të gjithë e dijmë se Shqipnin s’e banë Shqiptarët por Evropa?”
Po, kështu thonë përnjimend ata qi s’kanë çue asnji gisht dore për Shqipnin e lirë; jo vetëm, por as qi kanë besue kurrë në nji “mrekulli” t’atillë e ndoshta as sod s’u besojnë syve të vet. Janë pesimistat e paqortueshëm, ata qi s’e njohin historin e kombit të vet, qi s’e kuptojnë forcën e gjakut qi u vlon ndër dej.
E ça me thanë mbandej për nji tjetër kategori Shqiptarësh, për ata qi jo vetëm s’kanë besue se mund të bahej e mund të qëndronte Shqipnija Shtet i lirë, por kanë luftue me të tana armët qi kanë mundun të përdorin, prej fjalës e deri ke martina e mavzeri, për mos me lanë qi të ngrihej nji Shtet shqiptar, e mbrapa, si u ngreh, për me e shembun? E mbasi panë se Shqipnija u ba, po rron dhe do të përparojë, edhe kundër vullnetit të tyne, atbotë i a nisën me mbërtitun me sa u punoi zani: “ rroftë Shqipnija”, e u vunë me e shfrytue, me e kullotun.
Shqipnin e bani Evropa ashtu si bani Jugoslavìn, Ceko-Slovakìn,Polonìn, Rumanìn e madhe e Shtetet e Baltikut, për me folë vetëm për sa i përket kontinentit tonë. Nuk besoj të ketë ndër këto Shtete gjind qi t’u a dijnë për nderë vetëm të huejve lirin e tyne.
Shqipnin e bani kombi shqiptar vetë. E bani forca e ksaj race krenare e kreshnike qi qe e zonja me u bamë ballë me shekuj, si shkamb graniti, valve ma të rrepta qi e rrahën pa mëshirë në të djathtë e në të mangjët, përpara e përmbrapa, në të katër anët. Qe ma se dymijë vjet nuk qenë të zotnit me i a ndërrue karakterin e vet as Helenët e vjetër me qytetnimin e madhnueshëm të tyne, as Grekët e rij me armën e fes të përdorun pa fe shkrupulli kundër nesh, as vala slave qi mbuloi Balkanet me tërbim qyshë prej të shtatit shekull, as sundimi romak e as shpata e Osmanllijvet. Shqiptarët ndërruan fe, por jo kurrë kombsi. As fuqija magjike e besimit nuk i bani me e mohue gjakun e me e harrue gjuhën e tyne. Aty ku s’e përpini shumica e madhe për me psue proçesin e natyrshëm t’asimilimit Shqiptari mbeti gjithmonë Shqiptar, me doket e zakonet e veta, me gjuhën e vet.
Dhe mbet Shqiptar me armë në dorë. E ruejti kombsin me forcë, tue derdhun gjak e tue u strukun, vëlla me shqipen, ndër malet e veta të papushtueshme. Mbet i egër, ndoshta, jashta qytetnimit, por mbet Shqiptar. Luftoi për doket e zakonet e tija, për gjuhën e tij, për kombsin e tij; luftoi për liri.
E ça do të thonte Evropa përpara këtij fakti të gjallë e të pashlyeshëm në shekullin t’onë kur parimi i kombsis asht imponue si bazë e politikës ndërkombëtare? Duhej të ndodheshim në nji botë të sundueme fund e majë prej Gjorgjeviqash për me pamë të mohueme kombsin shqiptare.
E si do t’a mohonte Evropa të qenët e nji kombi i cili qytetnimit të saj e fes së krishtenë i ka dhanë nji Fatos si Skanderbegun e shumëgjak të derdhun për at qytetnim, për at fe e për liri të vet?
Evropa bani Shqipnin? E pse mos me thanë ma mirë, ma drejt se Evropa e cungulloi, e përgjymsoi Shqipnin? Shkëputi pjesët ma të mirat të saja e i futi ndën zgjedhë të huej, shumë ma zi se ishin, ku po ndrydhen e shkretohen pa pikë mëshire, jashta çëdo ligje njerzore. Evropa po hesht para ksaj mizorije në ma të madhen apathi.
Jo, djelmnija shqiptare s’ka si u beson përrallave të Shqiptarve pa sedër kombtar e pa besim në veten e tyne e në kombin e vet. Ajo do t’i përbuzë gjithmonë ata qi mohojnë forcën e vërtytet e racës, gjakun shqiptar të derdhun për liri; do t’i urrejë anmiqt e djeshëm e të kurdohershëm t’ides kombtare.
Dita XXVIII Nandor asht pa dyshim ma e madhja ditë gzimi për kombin t’onë. Por në kët ditë gzimi të pashoqe s’asht e mundun për ne mos me e çue menden edhe ke vllaznit t’anë qi vuejnë në nji robni politike ndër ma të zezat qi njeh historija e gjithë shekujvet. Ata e dinë se Shteti shqiptar asht tepër i vogël për me i shpëtue sod nga zgjedha. Me gjithë këte kanë plot të drejtë me pritun prej nesh qi në mos tjetër të marrim pjesë me zemër në zin e gjamën e tyne, ashtu sikur çëdo gzim i ynë gzon e mbush me shpresë edhe zemrat e atyne fatzezve.Shpresa e tyne e dashunija e jonë për ta janë nji peng sigurimi për kohën e ardhshme, mbasi botën e ka bamë natyra rrumbullake e mbas natës s’errët do të lejë patjetër drita e diellit. Në qoftë se jemi të dobët materjalisht le të jemi të fortë moralisht, tue njohun e çëmue të drejtat t’ona e tue shpresue gjithmonë. Kjo shpresë duhet të mbushë e të nxejë sidoms zemrat e djelmnis s’onë qi do të përgatisë e të trashigojë kohën e ardhshme.
Lirija e nji kombi fitohet e ruhet me sakrifica të mëdhaja, me sakrifica gjaje e gjaku, me vetmohimin e secilit qytetas qi e gzon e e trashigon. Nuk asht burim pasunimi të veçantë, a ma mirë me thanë burim po, por jo mjet, siç e quejnë shpekulatorët pa shkrupull e pa ndërgjegje, qi s’e kanë lodhun kurrë menden për atdhe veçse për t’a shfrytue. Ajo asht nji ideal qi ushqen shpirtin e atyne qi e kanë dhe siguron lumninë e kolektivitetit, të mbarën e të mirën e popullit. Të popullit qi e fiton dhe e ruen me gjakun e tij.
Lirija i gjan nji bime delikate qi lyp ma të madhin kujdes e tokë t’aftë për me qëndrue e me u zhvillue në mënyrë qi t’i napë kombit pemët e veta për ditë ma të mira e ma të plota. Toka e ksaj bime asht edukata shoqnore e patrijotike e popullit. “Shqipnija u ba, tash duhet të bajmë Shqiptarët” po thomi edhe na tue marrë hua nji frazë të formulueme për nji tjetër komb ma se nji gjymsë shekulli përpara.
Kjo asht barra ma e randë e ma e shenjtë qi i bie djelmnis shqiptare, ajo qi do të sigurojë t’ardhmen e Shtetit t’onë e bashkimin e të tanë kombit nën flamurin kuq-e-zi. Përpara, pra, djelmni!