| E enjte, 08.06.2023, 08:32 PM |
Javë
vendimtare për Kosovën!
Shkruan:
Florim Zeqa
Zakonisht
jemi mësuar të themi dita "D" para çdo procesi të rëndësishëm
politik, por kësaj radhe kemi të bëjmë me javën më kruciale, më historike dhe
më vendimtare për Kosovën që nga Konferenca e Rambujesë e vitit 1999 e deri më
sot.
Raportet me SHBA-në,
fondamentale për Kosovën
Afatet
e përcaktuara nga ana e ndërmjetësit të dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht e
emisarit amerikan të shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për
kryeminitrin Albin Kurti, janë pak më tepër se afatizim, janë kryqëzim, pasi i
ka dhënë vetëm dy ditë afat që të pajtohet me kërkesat e SHBA-së.
“Duhet
të merremi vesh për këtë sot dhe nesër sepse të premten unë dhe Lajcak duhet
t’u raportojmë eprorëve tanë se a ishim të suksesshëm apo jo”.
Escobar
tha prerazi, se “nëse Kosova nuk do të ndërmarrë veprimet e kërkuara, do të
ketë pasoja në raportet mes SHBA-së dhe Kosovës…”.
Kostoja
e prishjes se raporteve me SHBA-të mund të jetë e lartë për Kosovën.
Ruajtja
e raporteve të mira me SHBA-të, me gardianët pavarësisë së shtetit tonë është
çështje fondamentale për të ardhmen e shtetit tonë.
Mospërmbushja
e kërkesave amerikane nga ana e kryeministrit mund të çojë në një zhvillim të
ri politik, e ai mund të jetë organizimi i një konference ndërkombëtare në të
cilën do të merren vendime pa e pyetur fare Kosovën dhe Serbinë.
Pas
së cilës konferencë mund të nxjerret një rezolutë e re në Këshillin e Sigurimit
të OKB-së e cila do t'i percaktojë qartë kompetencat e Asociacionit dhe
sovranitetit e shtetit të Kosovës konformë rrethanave të reja politike.
Një
ndarje e tillë arbitrare e sovranitetit nuk do t'i shkon për shtati Kosovës në
asnjë rrethanë.
Dilemat e Kurtit, sa të
arsyeshme, po aq sfiduese për Kosovën
Pranimi
i kërkesave të parashtruara nga amerikanët nuk duhet kuptuar si dobësi, por si
pragmatizëm politik të Albin Kurtit. Në të kundërtën çdo mospërfillje e atyre
kërkesave do të jenë tepër sfiduese për Kosovën.
Albin
Kurti ndodhet para dilemës “Hamletiane”, të pranojë rënjen e imazhit para
qytetarëve të vendit për të mirën e shtetit apo të mbetët këmbëngulës në
qëndrimet e tij politike, duke e dëmtuar rëndë të ardhmen e shtetit!
Sipas
mendimit tim, më mirë është për Albin Kurtin që ta pranojë opcionin e parë duke
i pranuar rekomandimet dhe kërkesat e parashtruara sesa të cilësohet si person
i dëmshëm dhe i padëshiruar nga perëndimi.
Kreministri
Kurti nuk ka shumë kohë për t’u menduar, andaj pa humbur kohë duhet ta zgjedhë
njërën prej dy zgjidhjeve. Pasi ndodhet në pikën e pakthim ku duhet të
pozicionohet në një njërën nga dy rrugët njëkahëshe!
Unë
pres nga kryeministri i vendit tim, që të jetë pragmatik në vlerësimin e
situatës dhe i arsyeshëm në marrjen e vendimeve para këtij momentumi politik
dhe situatës në të cilën ndodhet shteti i Kosovës pas zhvillimeve të fundit.
Çdo gabim eventual i Albin Kurtit në këto momente mund të jetë fatal për
shtetin e Kosovës!
Florim Zeqa
07.06.2023