| E enjte, 08.06.2023, 08:20 PM |
MOTIVE JETIKE
Hysen
Këqiku: “LULELALET VESHIN PETALE”
(Poezi
dhe tregime për fëmijë)
Shtëpia
botuese, KURORA, Gjilan, 2023
Nga
Meti Rexhepi
Libri i radhës “LULELALALET VESHIN PETALE i ”Hysen
Këqikut, autor i frytshëm për fëmijë e të rritur, lëndën e vjershave që e solli në këtë vëllim e shtroi brenda katër ciklesh,
që përfshijnë dyzet vjersha dhe gjashtë tregime të shkurtë, renditur mes
vjershave. Vjershat dhe tregimet kapin kryesisht fillim-kërshërinë e moshës më
të re, që nga ajo parashkollore dhe moshën e fëmijëve, të cilët vijojnë si
nxënës në klasat e fillores, që nga e para deri tek e nënta por, lexuesit mund
të jenë të gjitha niveleve.
Libri “LULELALET VESHIN PETALE” hapet më vjershën
simpatike “ JETË PA HUQE.” Kjo vjershë i përket tipit të poezisë me rima të
puthitura a-a, b-b. Si e tillë vjersha sjell një rrjedh ritmike me saktësi shprehjesh, që përshkohet
me një frymë të lehtë dhe atmosferë të ngrohtë, të kthjelltë e të hareshme;
pikërisht ashtu sikur duhej të niste e të vazhdonte jeta e moshës fëmijërore. Megjithatë,
gjatë shtjellimit të mëtejmë për këtë moshë, për botën magjike të kësaj moshe,
jo gjithçka do të rrjedh qumësht e mjaltë, ngase edhe mbi këtë nivel të rritës,
poeti sheh si bie breshëri i brengave.
MALLËNGJIMI PËR “PIONIERI-N”
Në ciklin e titulluar “NOTAT E ZEMRËS SIME”,
katërmbëdhjetë vjershat e përfshira brenda ciklit dhe një tregim i shkurtë; autorin
e joshin kryesisht tri motive: rikthimi jo pa dridhje mallëngjyese tek revista
e këndshme letrare për fëmijë e të rinj “PIONIERI”; mandej copëza motivesh
shkollore, si dhe ana edukative në tregimin
“GABIMI.”
Revista letrare-artistike për fëmijë “PIONIERI” në faqet
e saj, ua dha mundësitë e para letrarëve të rinj, t`i shihnin vjershat me emrat
e tyre të publikuar dhe, ta ndjenin kënaqësinë e publikimit. Kjo revistë letrare në çdo rrethanë në Kosovë vijonte daljen e saj
mujore, si njëra nga revistat më të dashura për lexuesit e vegjël shkollarë.
Padyshim shpërndarja e revistës pritej me ëndje nga lexuesit e vegjël, madje
edhe atëherë kur:
“Një vetëtimë diku flakëroi
Pasuan krisma në veri,
-Këtu unë rri, këtu qëndroj
Më mbro të lutem hirësi!”
Autori i këtij vëllimi artistik me doza të lehta
mallëngjimi, në katër poezi të këtij cikli, i qaset revistës “PIONIERI”, si
vazhdimësi e një lloji abetareje... Kështu, i shfaqej droja legjitime poetit nga
shtrëngatat e kanosjes ekzistenciale dhe, paralajmërimeve për mosdalje tek
lexuesit i revistës “PIONIERI”, nga masat e dhunshme të shtetit të Serbisë!
Përmes kësaj reviste poeti identifikohej shpirtërisht dhe, në faqet e saj
nxirrte ngazëllimin e magjisë poetike, rriten e emrit të vet si poet, së bashku
me poetë e shkrimtarë, si: Rexhep Hoxha,
Mark Krasniqi, Ali Huruglica, Rifat Kukaj, Qamil Batalli, Rrahman Dedaj, Vehbi
Kikaj, Anton Nikë Berisha, Ibrahim Kadriu, Zejnullah Halili, Hasan Hasani,
Jonuz Fetahaj, Agim Deva, Arif Demolli,
Abdullah Thaçi, Avdush Canaj e të tjerë.
Poeti Hysen Këqiku nuk e fsheh gëzimin e vijimësisë së
kësaj reviste letrare, në krahun e letërsisë së përgjithshme shqiptare, që
ishte si një shtëpi e dytë për poetin dhe lexuesit:
“Me zemër nis loton
Tok me “PIONIERIN”,
-Rrofsh o xhaxhi Jonuz
E ndeze prapë fenerin!”
E ndeze prapë fenerin
Me shkrimtarët për fëmi`,
Mali le të rritet
Tok me shokët e tij...”[1]
MOTIVE TË MAGJIKËS SHKOLLORE
Poeti i rikthehet përmes fragmenteve të motivuara
shkollës, ngaqë një jetë të tërë ia kushtoi misionit të shenjtë shkollor.
Njërën nga vjershat e këtij motivi e titulloi “GODINË ME RREZE DIELLI.” Motivet e shkollës, si vatër edukimi e mësimi,
poetin e shpijnë në një mori figurash stilistike, që i ushqejnë sytë me ngjyra
të çelura, përmes të cilave grishet dashuria për gjithçka të bukur. E
madhërishmja, e bukura, e këndshmja, e tmerrshmja ndodhen në natyrë dhe në
jetë. Kush e shpalon të bukurën? Gjithsesi, të bukurën me ngjyrat e saj magjike
e shpalojnë librat, për të cilat poeti mbarështon kompozita dhe figura poetike,
në këtë kontekst, ia shpërfaq epitetit cilësinë:
“Vjelim librat - faqendriturat”, për t`i kapërcyer
shtigjet, për të ecur “me hap rrite”, “me fëmijët e botës.” Porosia si kjo është e qartë dhe e mirëqenë;
sepse poeti nuk do të kënaqej, nëse rrita e niveli i arritjeve të gjithanshme i
brezave, që priti e përcolli, nuk do t`i preknin arritjet e fëmijëve të
shkollave më të përparuar në botë.
Mirënjohjen e brezave për mësuesit, të cilët zbërthyen
jetën magjike të klasës, pashmangshëm e shpreh apostrofa dhe epitetet, të cilët
i veshën mësuesit nga nxënësit, që për
njomështinë e jetës tyre, mësuesi ishte i apostrofuari i përjetshëm:
*
“O fjalë e rreshkur në rreze,
Me bekimin për mësim
Zemrat na i ndeze”[2]
Strofa e fundit e vjershës i lidh motivet e përjetimeve të
hershme të njomakëve me rritjen dhe vetëdijesimin, si dhe me kujtimet e mbresat
për strumbullarin e tyre të dashur, mësuesin. Përmasa e mirënjohjes së
përjetshme, nuk ka se si shprehet më bindshëm përpos cilësimit me epitetin:
“Nuk të harrojmë o mësues
-Ty të kemi diell!”[3]
Autori lexuesit të njomë i shpaloi këndvështrime e
kënd-përjetime për brezin e fëmijëve shkollarë, kur të rrezikuar nga
pushtuesit, duhej t`i ndiqnin mësimet në shkolla të improvizuara, madje dhe
prej najloni, gjatë vitit të Luftës
Çlirimtare, më 1999, madje më gjatë!
Në vëllimin artistik që kemi në duar, poeti nuk shmangu
përjetimet e etnisë dhe të brezit të njomë, kur në zjarrmi ethesh prisnin fatin
e zhbërjes biologjike të etnisë tyre! Andaj, në faqet e librit “LULELALET
VESHIN PETALE”, autori shpalosi dhe faqe të zymta e shqetësuese, jo për t`ua rënduar trurin
lexuesve të rinj, por, për të mos e harruar gjenocidin dhe tragjedinë e
popullit tonë, si dhe sakrificën e heroizmin e çlirimtarëve të UÇK-s. Mësuesit,
edukatorët, arsim-dhënësit, prindërit ishin shtresa, që e përjetoi thellësisht
fatin e shkollarëve më të rinj. Autori
varg thurësh depërtoi në botën
shpirtërore të shtresimit më të ndjeshëm të mësuesve, kategorisë të së cilës i
përkiste dhe ai vet:
“Mësuesit para fëmijëve
Mëndët kah s`u shkonin,
Herë u tereshin buzët
Herë sytë u lotonin.”[4]
Me gjithë ato trishtime, të asaj katrahure kur nxënësit
mblidheshin në klasat e shkollës prej najloni,
nuk ishte fikur vullneti për pritjen e lirisë, për kthimin e të mbijetuarve,
për shfaqjen e dinjitetit njerëzor e kombëtar të dhimbshëm por, faqebardhë
kundruall barbarëve. Përse faqebardhë? Faqebardhë ngaqë: nuk kishim prerë
fëmijë, as kishim vrarë, as kishim përdhunuar, as gjymtuar shpirtra të gjallë,
të pambrojtur, gra, pleq, të sëmurë, as kishim djegur shtëpi e katandi!
Kësisoj, mund të shkruanim një histori krejtësisht të pastër, thellësisht
njerëzore, e denjë për t`u nderuar e vlerësuar prej botës së qytetëruar:
“Do të kthehemi në shtëpia
Na pret e jona shkollë
Do ta stolisim historinë
Të pastër pa asnjë njollë”[5]
Cikli i parë i librit përmbyllet me tregimin më pak se një faqe ”GABIMI.” Tregimin, pa
ndonjë sforcim artificial, natyrshëm e përshkon nota edukative. Ky tregim i
shkruar në vitin 1971, si i tillë mund të përfshihej në librin themeltar të shkrim-leximit,
në abetare.
E BARDHA DHE E ZEZA
Cikli i dytë: “FORTESË
GËZIMI” përfshin tetë vjersha dhe tre tregime. Në këtë cikël vjershash të
nivelit për fëmijë e të rinj, Hysen Këqiku në tërësinë e llojit përkatës të
librit, kryesisht i përmbahet kriterit të kapjes së pamjeve figurative, i
kumtit dhe kuptimit të porosive që kapen lehtë.
Përvojës shkrim-qëmtuese të autorit, e cila përkon me
kapjen logjike të lexuesve të njomë, i shtohet një temë e pakëndshme, përhapja
e mbulesës së zezë mbi fytyrat dhe
trupat e vajzave tona, në emër të një përkatësie fetare, që cenon lirinë dhe
traditën e femrës ilire-shqiptare autoktone! Futa e zezë nuk e karakterizoi
asnjëherë shijen e mbulimit të fytyrës, të femrës e gruas shqiptare, për gjatë
gjithë historisë së lashtë e të re të këtij etnikumi, të vuajtur por, krenar!
Në dy vjersha të ciklit përkatës, poeti do ta trajtojë këtë “zezëre” tek “DUA
TË RRITEM” dhe “TË LUTEM.”
Vjersha “DUA TË RRITEM” brenda dhjetë strofash katër
vargës, me rima të kryqëzuara, poeti ngre kronologjinë e kontrasteve
kundër-vënës mes të zezës e të bardhës; luftën e papajtueshme ndërmjet dy
simbolikash antitetike historike; përballjet e të këndshmes me të
pakëndshmen... Në këtë përballje pëson ajo, që i përket natyrës së butë, të
pafuqishmes, personazhit të njomë por,
të vetëdijesuar për mohimin e vullnetit vetjak e kombëtar, përderisa shumë
lakmitare ranë në gracka të huaja!... Ajo, ose ato personazhe të brishta janë
viktima e pakujdesisë së prindërve, e më të fuqishmëve dhe, përhapësve të
rrymave të errëta dogmatike:
“ Unë jam femër
Nuk kam shumë fuqi,
Ma hiqni këtë mbulesë
Jetën ma bënë zi!”[6]
Në atë mjedis ku lutja e fëmijës është i vetmi mjet i shfaqjes së pakënaqësisë kundrejt
vullnetit legjitim, për të mos u veshur me futën e zezë; fatkeqësisht shohim
ngeljen e vetëdijes shoqërore, njerëzore, instrumentet e shtetit ligjor dhe
vetëdijen e ulët kombëtare! A do të lejojë vetëdija jonë
Euro-Atlantike të fitojë hapësirë e zeza mesjetare
vehabiste kundruall të bardhës autoktone ilire-shqiptare?!
Kështu, poeti e shpreh ndjeshmërinë e thellë por, jo dhe
alarmin për kushtrim. Ai i vë në gojë vogëlushes lutjen e çiltër, për të mos e
mbuluar me veshjen e huaj të zezë, që tashmë i ka sjellë ambientit tonë një
shëmti estetike, një simbolikë kundër etnike, të pakëndshme për shijen e
bukurisë së natyrshme dhe, veçmas si ndërhyrje e ideologjisë dogmatike, edhe si
një rrethanë rënduese në këto hapësira të trazuara!
SHIJE E HOLLË E FIGURACIONIT METAFORIK
Në mes vjershash i hasim tregimet, për të cilat
shkrimtari i radhiti si pleksje, për ta thyer monotoninë e leximit, kapërcimin
e imagjinatës nga vjershat e regjimit të metrikës në gjashtë tregime, në llojin
e shprehjes më të lirë të gjinisë së prozës.
Prej tregimit “8 Marsi” vlen të shkëpusim një dialog metaforik,
që e karakterizoi idenë e këtij tregimi. Personazhi i Bleronës shfaqet e
papërqendruar gjatë mbarëvajtjes së orës mësimore, për shkak të dëshirës se çka
t`i blinte për dhuratë mamasë për 8 Mars? Ndaj, në klasë ajo mori qortimin e
mësues, që përmes atij qortimi shfaqet njëkohësisht veçoria metaforike e
dialogut:
“-Isha duke menduar çka t`i blejë nënës për 8 Mars,
mësuese...
-Blej dashuri Blerta... shitoren e ke në zemrën tënde...”
[7]
Poeti Hysen Këqiku, duke u sprovuar në dy role jetësore:
të mësuesit dhe varg-thurjes, diti t`i qëmtojë me mjeshtri e shije artistike
gjuhën e figurshme të tekstit artistik, sikurse në kontekstin e përdorimit të
figurës së krahasimit e të hiperbolës:
“-Shumë të dua, o nënëmadhe
Aq sa ka lule në livadhe!...”[8]
Depërtimet e holla të shkrimtarit në psiken e
fëmijës katër vjeçare, i hasim në
tregimin “PAS DHJETË VJETËSH ERDHE FLUTUR.” Çfarë kemi këtu? Kemi kureshtinë e
vocërrakes ndaj fotos së prindërve, të
shkrepur katërmbëdhjetë vjet më parë dhe, dëshirën e saj për të qenë në atë
foto me prindërit. Vërejmë dhe e ndjejmë shijen e hollë të depërtimit të
ngjyrës së fjalës artistike të shkrimtarit në imagjinatën e fëmijës. Motivimi i
rrëfimit në këtë prozë jepet, nëpërmjet një thurjeje të lehtë, pa ndërlikime të
thënies por, bindshëm dhe në përkim me mundësinë e diapazonit të një
vocërrakeje. Këtu, kemi një kapje me thurje inventive të rrëfimit artistik.
Shkrimet e ciklit të dytë i mbyllë proza e shkurtë
“PENDIMI”, nën të cilën shënohet viti 1980.
VETËMASHTRIMI
Cikli i tretë “KTHEHU O FLATURUSH” përmban tetë vjersha
dhe një prozë.
“NJË IRIQ NË LAÇIQ” është tregimi i radhës, që e
përfaqësojnë krijesat e botës së faunës, të atillat që i hasim më dendur në
përrallat e arealit gojor. Thelbësorja e tregimit spikatë vese, të meta,
karaktere tekanjoze, lakminë për të huajën duke e pasur të vetën. “Iriqi i zi”,
të cilit i jepet nofka “i zi,” ngaqë në mjedisin e vet shfaq mendjemadhësi, rri
i tërhequr dhe i nënvlerëson të tjerët. Ndaj, ai mëton të gjejë prehjen e tij,
meqë ishte bojkotuar nga mjedisi i vendlindjes së vet si mendje-madh. Ai me
sjelljet prej mendje madhi e kishte përjashtuar vetën nga “ferrat e vendlindjes.”
Iriqi i zi mori udhën për Lisan, në
vendin ku mendonte se ferrat janë pa gjemba?!... Në atë mësymje aventuriere
kishte humbur. Askush nuk mori vesh për të! Çka doli nga ky mesazh? Nga kjo
porosi doli pësimi nga vetëmashtrimi. Porosia artistike e tregimit: shkrimtarin e
lexuesin i shpien në kroin e urtisë, si mençuri e sprovuar e popullit: guri më rëndë peshon në vend të vet!
VULLNETE TË NËPËRKËMBURA
Tashmë e kemi në dorë librin e autorit Hysen Këqiku
“LULELALET VESHIN PETALE”, që t`i shohim ato ndodhi e ngjarje, të cilat i pa
dhe i veçoi intuita e shkrimtarit: padrejtësinë, nëpërkëmbjet e lirisë, të
fituar me aq shumë sakrifica e
zhdukje jetësh moshash të ndryshme, që nga fëmijët deri tek pleqtë... Andaj,
nuk i shmangen syrit, mendjes, veshit e zemrës së poetit, që me vargun e tij
artistik t`i shkrijë në dhimbje e indinjatë motivet atdhetare në shpirtin e një
fëmije. Në vjershën “UNË S`JAM I VOGËL” shprehet një vullnet i shtypur:
“Për habi të madhe
Për veprimet në Hagë,
Rriten na e bënë
Mbushur si me plagë”
I njëjti mllef vazhdon në strofën e gjashtë:
“Evropë moj e jona
Moj Evropa plakë
Dashurinë për trimat
Na e dogje si me flakë!”[9]
Vetëdijen tashmë të thadruar në breza, ndonëse ende
relative nga vetëpërbuzja, si një sindrom yni i pashëruar, poeti në strofën e
tetë e përmbylli si gjithçka të pakthyeshme:
“Ti vepro si të
duash
Në shkollë për ta mësoj,
Bashkë me shokë të tjerë
Shkruaj e recitoj...”
VARGJE RITMIKE
“LISI IM - HIJA IME” është cikli i katërt me dhjetë
vjersha dhe një tregim.
Vjershat: “TRENI” ka trembëdhjetë strofë katër vargës, “E
DUA DIMRIN” shtrihet në katërmbëdhjetë strofë katër vargës, ”MË VJEN GËZIMI” ka
nëntëmbëdhjetë strofë katër vargës, “TË JEMI NJË” është ndërtuar me
njëmbëdhjetë strofë.
Vjershat e veçuara, në radhë të parë, i prijnë
lokomotivës tërheqëse të idesë poetike dhe, aspak nuk të lodhë gjatësia e
shtrirjes së ngërthesave figurative, shfaqjet e kumtit e të pamjeve, që bartin
dhe reflektojnë për dukuri të jetës e të kontrasteve të natyrës.
Le t`i qasemi shkurtimisht vjershës “TRENI.” Është
vjershë joshëse për mënyrën e rrjedhës ritmike të vargjeve pesë-gjashtë
rrokjesh, për kërshërinë e shtjellimit të imagjinatës, për figurat e qëmtuara
dhe të goditura, për reflektimin e një atmosfere të hareshme e të këndshme:
“Ky treni i mendjes sime
Nuk është mendjemadh,
Kënaqet me aromë lulesh
Rrugës nëpër livadh.”
E një tipologjie me vjershën “E DUA DIMRIN” është “MË
VJEN GËZIMI.” Poeti personazhet e tij të dashur i merr përdore nëpërmjet vargjeve
dhe i fut në poemth. Nga ky poemth të dashurit i shpie nëpër relievin e shtrirjes gjeografike dhe etnike. Lidh trevat shqiptare me të veçantat dhe të
përbashkëtat e tyre, me malet e fshatrat, me pllajat, kullotat e grigjën, me
traditën e modernen. Kështu, varg-qëmtuesi kultivon dashurinë e ndjenjat për
tërësinë e një Shqipërie unike. Strofës së fundit i bien ndesh me rrjedhën e
deri këtushme, dy vargjet e ngjashme me brohoritjet si në pankarta:
“Rroftë Kosova
E Shqipëria!”
Ciklin e katërt e përmbyllë vjersha “TË JEMI NJË”, që
sipas shijes kritike tingëllon si një vargëzim programatik i vetëdijes fëmijërore.
PËRMBYLLJE
Pos vjershave, prozës së shkurtë, pra, tekstit poetik, në
këtë libër të poetit Hysen Këqiku, pjesë e vlerës tij janë dhe ballinat, që
lexuesit e njomë por, edhe brezin e lexuesve më të rritur, e grishin
ilustrimet, përkatësisht vizatimet e qëmtuara me shije të hollë artistike nga
artisti pamor - grafik profesor Rasim Vllasaliu.
Që nga faqja 37, më tej në faqet 52, 65, 88, 97 e 106, vizatimet, për të cilat
piktori i lartpërmendur është i shquar, janë përbërës organik i tablove poetike.
Ato paraqesin një përzgjedhje inventive artistike, ndaj zgjojnë kërshërinë dhe,
ia shtojnë shijen tekstit të shkruar përmes imagjinatës pamore të vijave.
Kështu, ndjehet kënaqësia e syve, të cilët shkëputen prej shkronjave për të
pushuar në magjiken pamore të vijave.
Në këtë libër gërshetohen
dhe shkrihen në trini poetike - artistike: vargjet, proza dhe shija e
pëlqyer e pamjeve vizatimore të piktorit. Andaj, libri rezultoi si bashkim
përvojash e profilesh.
Vëllimi i pleksur artistik “LULELALET VESHIN PETALE” i
poetit dhe tregimtarit Hysen Këqiku,
vjen për lexuesit e njomë si një tablo e gjallë motivesh e ngjyrash,
përjetimesh e shijesh. Si i këtillë, ky publikim shpalon kënd-shikime të
përmallshme, të hidhura, të dhimbshme, por, shpërfaq edhe anën e hareshme e
gëzimet e botës pasherre të fëmijëve. Gjithnjë, duke drejtuar qëllimin parësor
kaheve të së mirës, për ta prapësuar të keqen, për ta mbjellë e kultivuar
guximin, vlerat për të bukurën, për lirinë e vetvetes dhe për të tjerët,
bashkimin dhe jo copëzimin, si një sindrom ende i pa shëruar në kombin tonë.
Përgëzime shkrimtarit për këtë libër të gërshetimeve të
vargjeve me rrëfimin prozaik!
Gjilan, prill 2023