| E shtune, 03.06.2023, 07:57 PM |
KUBI I BRODSKIT
DHE
POEZIA E SË SHTUNËS…
Nga
Visar Zhiti
-
Kur të ktheheni, ndalni në Ann Arbor dhe shikoni Kubin e Brodskit, - më tha
miku im Lisandri.
-
E pse quhet ashtu? - pyeta.
-
Unë e quaj se Brodski aty bëri atë foton e tij aq shumë të njohur. Të gjithë
studentët, pasi diplomohen, është ritual, dalin në fotografi te Kubi…
-
…i Brodskit.
-
Po.
Përmes
blerimeve të ndezura bukur Dhimoja po i jepte makinës më shpejt, mbase ishte
padurim im. Pas ishin Flora me Edën dhe unë përsërisja historitë me Brodskin,
si e nxoren në gjyq në Bashkimit Sovjetik me akuzën “parazit”, jo, jam poet,
tha ai, e kush të futi në listën e poetëve, e pyeti gjykatësi, po kush të fut
në listën e racës njerëzore, ia ktheu Brodski, a ke ndonjë kërkesë, i tha
gjykatësi në fund, pse më keni arrestuar, tha Brodski, kjo s’është kërkesë, por
pyetje, tha gjykatësi dhe e dënuan me 5 vjet internim, etj, etj, gjersa mori
dhe dëbimin nga Bashkimi Sovjetik dhe erdhi në SHBA… ja, këtu në Ann Arbor,
qytet i mrekullueshëm studentor.
Po
nxitinim për te Kubi i Brodskit në qendër, pas Kishës, në një shesh me pemë
anash dhe ngrehina klasike e të reja prej xhami, fakultetet, besoj…
Iu
afruam Kubit si gurit filozofal, të madh sa një dhomë, i vendosur pingul mbi
njërin kënd të tij, i errët si mermer nate, jo, është bronz, këtu do të ketë
venë dorën “Joseph Brodsky”, po thosha. Po ç’është ky kub, ç’do të thotë? Si
zar i madh i fatit të jetës, po thoshim, dhe rrotullohet, prandaj, si globi, që
kështu ishte në fillim, copë planeti, pastaj u rrumbullakos… e çfarë ka parë
Brodski këtu? Gurin e Sizifit? Të modernizuar. Dhe vendosa ta shtyj dhe unë
Kubin, kur pashë që e shtynin dhe të tjerë, vinte rrotull vetes hijerëndë, pa
zhurmë, s’e di pse m’u bë si kozmik… a ka ndonjë gjë në poezitë e Brodskit për
Kubin në Ann Arbor, që Lisandri, i cili punon në Katedrën, ku punoi dhe ai, e
pagëzoi “Kubi i Brodskit”? E pse duhet t’i japim një kuptim Kubit? Kur ai mund
të marrë shumë ide kubiste ose mund të mos jetë kuptim fare. Dhe kjo ka kuptim,
të mos këtë kuptim…
Dhe
po kërkoja një poezi të tij, t’i ngjante ose të mos i ngjante Kubit. Kubi është
fjala… fjala 3D… ja, kjo, të cilën ai vetë e paska përkthyer në anglisht, po e
quaj poezia e së shtunës…
Joseph
Brodsky
PJESA
E FJALËS.
…dhe
kur "e ardhmja" mbllaçitet,
tufa
minjsh nxitojnë nga gjuha ruse dhe rrëmojnë një copë të kujtesës së arrirë që
është dy herë e mbushur me vrima
si djathë i vërtetë.
Pas
gjithë kaq vitesh vështirë se ka rëndësi kush ose çfarë qëndron
në
qoshe, e fshehur me perde të rënda,
dhe
mendja jote nuk kumbon me një "oh" engjëllore, vetëm shushurima
e
tyre. Jetë, që askush nuk guxon
ta
vlerësojë, si atë dhuratën me gojën e kalit, nxjerr dhëmbët e tij me një
buzëqeshje në secilin takim.
Ajo që mbetet nga një njeri është më shumë se pjesa. Se pjesa e tij e folur.
Se
pjesa e fjalës.
Përkthyer
në anglisht nga Autori,
(në
shqip nga V. Zh.).