Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Alfons Grishaj: Zgjedhjet piramidë dhe Shkodra

| E marte, 30.05.2023, 07:55 PM |


Zgjedhjet piramidë dhe Shkodra

Nga Alfons Grishaj

Që në vitin 1991 dhe deri më sot sa herë që bëhen zgjedhjet të kap një ankth shpirtëror  jo për rezultatin e skuadrës së zemrës, por a do të ndodhë gjë  si me dy prill të vitit 1991 ?  A do kemi komente negative nga vëzhgues të botës së qytetëruar ? A do e kuptojmë njëri-tjetrin si kundërshtarë të zhvillimit apo si stërnipër të Nastradinit? A do t’a kuptojmë njëri-tjetrin si shqipfolës dhe mëkatarë  me peshë të njëjtë specifike… apo njeri pupël dhe tjetri hekur?

Brohoria  e fitores duhet të zërë vend vetëm ateherë kur liria e votës flet realen dhe jo imponimin. Duhet të festohet ateherë kur ndërgjegje kumton progresin dhe jo regresin. Duhet përshëndetur  kur qytetaria lexohet si manifest njerëzor dhe jo kulm banditesk e rrugaçëror.

Partia Socialiste brohoret se fitoj 95 % të Bashkive në Shqipëri , si në 96 kur  PD-istët ranë viktimë e hiles  së “braktisjeve”   kutive të  votimit. Demokratët në ekstazë i mbushën   kutitë  me shqelma, duke dalë   “fitimtarë” 90 deri 125%.  Atëherë pak kush e kuptoi se një gabim i tillë do i krijonte PD-së imazhin e malukatit dhe fillimin e rënies së legjendës  së flamurtarit të lirisë.

Berisha e kuptoi këtë, por njerëzit përreth, injorantë që kishin ardhur me lugë në brez paasnjë meritë, disa kishin hequr rrobën e vjetër,   duke u rreshtuar në armatën e liridashësve me   një neps rruge për  të shkulur dhëmbë, gurë e garlliqe.  Urrejtja  kuturu godiste mullarët e kashtës.

Tani polet kanë ndryshuar dhe pak a shumë shohim  të njëtën tabllo, me të vetmin ndryshim se  pushtetarët e sotëm  kanë bërë plaçkë  dhe thasët e parave lëvizin ditën për diell duke bërë pazarin e rradhës.

Në Shqipëri, demokracia ka vdekur palindur mirë. Njerëzit  nuk kanë  më ndërgjegje lirie …

E keqja është se askush nga  “fitimtarët” nuk e kupton  se, kjo është një vetvrasje !

Sikur Enveri dhe Ramizi të rinkarnoheshin do thonin: “ Ngadalë more djema se nuk është koha tënë kur  dilnim në votime  fitimtarë 99% ! Tani kllasa jonë duhet të jetë më koherente, më dinake, ti japë ca minibashki këtyre bukëshkalëve që u bashkuan me kulakët dhe tradhëtarët, për arsye se: armiqtë e huaj do na akuzojnë se në Shqipëri funksinon ende   diktatura e proletariatit!”

Po dëgjon Padrino ? Padrino para se të pushtonte kështjellën e Socialistëve, qe një ëndërrimtar demokrat , por i etur për gjak si Sadi, ku ëndërronte ti mbushte sheshet  më gjak komunistësh.  Por,  ja që nuk e mbajti fjalën, sepse furia e kalit të tërbuar  ndalet  përballë kufirit të humnerës!

Ai krenohet se fitoi Shkodrën, pa e kuptuar se ai vrau bletën e fundit që e mbante në pushtet.  PS nuk e fitoi Shkodrën  se , ne e dimë përqindjen e elektoratit që ka PS me gjithë rutinën e  shit-blerjes . Shkodrën e humbën divergjencat  dhe përçarja si në vitin 1996 kur kandidoi Artur Luka, ku e “Djathta Shkodrane” fitoi me votat e Partisë Socialiste. Dhe e “ Djathta Shkodrane”  kishte borxh për të larë ... dhe borxhin e ktheu  me  besnikëri .

  të tilla  raste, Rozafa loton  besën e dhënë që  vëllezërit e shkelin dhe pas 2500 vjetësh,  ku  për të “qëndruar kalaja” , herë pas here duhet të muroset  një i pafaj .

Bardh Spahia është një burrë  brilant që sëbashku me të motrën Nausika dhe babanë legjendar , Ali Spahia ( bashkëluftëtari dhe miku im i shtrenjtë) dhanë çmundën për demokracinë shqiptare dhe Shkodrën.

Familja e Becve është një familje qytetare e shkëlqyer , që me Bahrinë,  Fahri Beci ( miku im), Astrit Beci (miku im ) e tjerë Becë kanë treguar  se janë bij të denjë të Shkodrës .

Lind pyetja :  a duhej familja e Spahive dhe Becve të dilnin kundër njëri-tjetrit ( ashtu siç dolën Spahitë me Bushatllinjtë)  për hatër lojës politikë ? Po! Shkodra hë për hë nuk duhet të udhëhiqet nga  heterogjenët sepse  akoma nuk e kemi  kulturën demokratike për t’u udhëhequr nga subjekti, por nga tradicioni, duke sjellë  paqen mbi  qytetin hije rëndë.

Në kontekstin politik, PD,  humbi përkohësisht bastionin e demokracisë që krenohej dhe Europa. Dikur,  Euronews  komentonte : “Shkodra,  roca forte!!”.  Në rastin në fjalë ,  fitoi qytetaria, ku dy kundërshtarët, xhentëlmenë të vërtetë i shtrënguan dorën  njëri-tjetrit, shenjë përgjegjshmërie dhe demokracie. Shkodra e dha mesazhin e vet të qartë në  rregullat e lojës politike .

Në këto zgjedhje u konstatua se,  kotherja kulmoi  gjeneralizëm, ndërsa  ndërgjegja kombëtare dhe demokracia : zero!!

Kasnecët laramanë fërkojnë duart, duke thënë: “ Humbi Sali Berisha dhe Ilir Meta !”  Unë u them, Jo ! Në sy të botës së qytetëruar politike  nuk ka humbur Sali Berisha dhe Ilir Meta , por Demokracia Shqiptare dhe Dardania që ka nevojë për një krah të djathtë  jo internacionalist proletar që bën pazare më të huajt. Unë nuk do përsëris vetveten dhe miqtë e mi që  kanë vënë në dukje  me qindra herë hemoragjinë kombëtare, e cila po zvogëlon popullsinë dhe shpresën se Shqipëria do bëhet një ditë.

Asnjëherë të majtët nuk kanë ndërtuar të ardhme, por kanë dhunuar lirinë, duke sjellur varfëri  deri aty sa kanë detyruar popullin të thotë fjalën e vet , nganjëherë dhe me gjak .

Ajo që më ra në sy gjithë këto ditë ishte  shfryrja e gjokseve  dhe besnikëria e rreme, e cila dikur “kumbonte dhunshëm”. Lëpirja e akullores ksenomane lektisi të djathtën, duke treguar hapur delitantizmin politik infantil të vasalitetit të trashëguar në brezni.

Shkodra nuk pyet për “leshin” e habisë së sinqertë të Ylli Rakipit, i cili  e pyeti me  habi  fëminore, Blendi Fevziun , “ Mos kemi shkuar për lesh o Fevzi ?...”,  as për koburet e njerit apo tjetrit që nuk përbëjnë 00.1%... SHKODRA ESHTE  VARREZA E MADHE E VETEKENAQESISE TE  ÇDO DEKLAMACIONI ARTIFICIAL.

Tek vërej hartën rozë e them me plot bindje  se  me këtë “fitore” piramidë, PS e ka futur veten në një problem të madh. Demokratët e  botës së qytetëruar e kanë të qartë se në Shqipëri mund të flitet për çdo gjë , por për demokraci? JO!

Në Shqipëri, dajrja do bie për sa kohë që verbëria e kotheres  sotme lurton  çengitë  për ahengun e nesërm . Paftat e teneqeve të dajres  do bëjnë zhurmën  galduese primitive ku në ekstazë masturbimi çengitë dhe çengijet do pjellin breshkën për ta  emëruar  çhief of staff  për në portën  e familjes europiane , e cila  do ngelet e mbyllur për një kohë të gjatë.

Bash  në prag të vetmisë   kualitative të gjysheve dhe  gjyshërve, qentë bastardë (që kanë pushtuar rrugët ) do jenë kortezhi ideal i tyre për në jetën tjetër. “Shenjë e bollëkut” dhe e largpamësisë vrastare të shpopullimit.

Dajrja bie  për ditë zie .

Sa dëshirë kam që të jem i gabuar !