| E diele, 28.05.2023, 07:21 PM |
DËSHMI PUBLICISTIKE DHE HISTORIKE
FATMIR
SELIMI:”KUJTIMET PËR AKTIVITETIN E SHHB “NËNA TEREZË”- DEGA NË GJILAN
(1990-1991); QPKA-GJILAN, 2022
NGA
METI REXHEPI
Miku
i librit dhe dëshmitari i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, Doktor Fatmir Hysen
Selimi, që në hyrje të librit tij pohon: “pas një periudhe kohore 30 vjeçare”,
vendosi t`i nxirrte në mënyrë kronologjike gjithë këto shënime në trajtë libri
prej 270 faqesh, me dëshmi faksimilesh, duke shtuar 199 foto për grupe dhe
individë, shkëputur prej tubimesh të shumta, portrete veprimtarësh e
bamirësish, 18 shënime gazetareske, kryesisht informative për pasqyrimin e
veprimtarisë të Degës së SHHB-së “Nëna Terezë” në Gjilan, gjatë viteve
1990-1991. Kështu, autori pasqyroi nismën dhe aktet e aktorët e themelimit të
Degës dhe, pastaj gjithë veprimtarinë e dendur për nën-degëzimin e kësaj
Shoqate Humanitare e kulturore. Nga kronologjia e shënimeve që shtrohen në këtë
publikim, shohim një përkushtim vullnetar të paparë deri atëherë! Themelonim, e
thash në shumës, meqë isha njëri nga veprimtarët themelues të këshillit
nismëtar të Degës së SHHB “Nëna Terezë” në Gjilan, mandej nëndegët
me veprimtari të gërshetuara kulturore: foljore, artistike-letrare e
muzikore, të gjitha të pleksura njëkohësisht gjatë akteve të nën-degëzimit.
Çështja e themelimit dhe e organizimit të një Shoqate Bamirëse Humanitare,
erdhi si domosdo e rrethanave tejet shtrënguese të Serbisë pushtuese mbi shqiptarët.
Prania e disa emrave të lakuar më shumë se sa të tjerëve në shënimet e këtij
publikimi, dëshmon përkushtimin e tyre, pothuajse të çdo ditshëm, për zgjerimin e nëndegëve në
Gjilan dhe në vendbanimet e fshatrat përreth dhe më tej, si: në Stubëll të Epërme
të Vitisë, në Dardanë (ish Kamenicë), në Preshevë, në Bujanoc e gjetiu, për të
cilat autori i ka dhënë shënimet e përgjithshme në këtë libër.
Të
dhënat që sjell libri i këtij autori, ndjekin kronologjinë e veprimtarisë së
pandalshme të Degës së Shoqatës me nën-degët, për t`i gjetur mënyrat e ndihmës
për nevojtarët, edhe ata të flakurit dhunshëm nga puna e përhershme, si pasoja
të mos pranimit të masave nënshtruese ndaj Serbisë!
Në
cilësi të vlerësuesit të tashëm të morisë së gjerë të ngjarjeve, që ngërthyen
dhe zbërthyen veprimtarët, të cilët prekën ndjeshmërinë e bamirësisë në stilin
e Gonxhe Kolë Bojaxhiut, të bamirëses tonë të mirënjohur në botë Nëna Terezë,
fituese e Çmimit Nobel për Paqe, e shpallur nga Vatikani e ”Shenjtëruar”, përkatësisht Shën Tereza! Nga kjo rrethanë shtrihej dhe doli në
sipër-shfaqje mendësia e bamirësisë! Vështruar kahes së parashikimeve të së
ardhmes, pjekjen e mendësisë për bamirësi në skamje e vështirësi, duhej të
dëshmonte dikush për brezat e tashëm e të ardhshëm atë përkushtim, atë vrull,
ato ritme, atë dinamikë, atë vullnet, ato zbutje zemrash, të cilat nuk arrinte
t`i ndalte kurrsesi policia represive e okupatorëve serbë dhe, sivëllezërit e
tyre sllavë: maqedonas e malazias.
Autori
Fatmir Selimi për ta hartuar këtë libër me ritme të dendura veprimtarish, për
përfshirjen, konsolidimin, përzgjedhjen e të dhënave, para këtij publikimi
kishte tri botime librash, të miratuara nga kryesia e SHHB “Nëna Terezë” e
Degës në Gjilan. Këtu shohim se ky autor ka cituar disa nga të dhënat
nga publikimi “Bamirësia”, botuar në Gjilan, më 1990 dhe, pak nga botimi tjetër
i SHHB “Nëna Terezë” “Flakërimë”; botuar në Gjilan, më 1992. Mirëpo, nuk është
përmendur, as nuk janë marr të dhëna prej librit “Kohë-ngjeshje bamirësie”, të
dy bashkautorëve, anëtarë të kryesisë së Degës, e publikuar në Gjilan, në vitin
2000, e miratuar nga kryesia e Degës së SHHB në Gjilan, në shenj rrumbullakimi
të dhjetëvjetorit të funksionimit frytdhënës të Degës së SHHB “Nëna Terezë” në
Gjilan, me mbi dyzetepesë nëndegë vepruese.
Dega
e SHHB “Nëna Terezë” në Gjilan, kryetar i
së cilës ishte, që nga themelimi Fatmir Selimi, në secilin tubim për
ngritjen e nëndegëve, padyshim i ka nënvizuar ngjarjet si shtytës dhe si autor
gjithandej, në të gjitha faqet e këtij vëllimi, që shpërfaqshim gërshetime
letrare-poetike, recitime, fjalime emocionale, këngë e valle, të cilat hartuesi
i librit është kujdesur dhe i ka
pasqyruar si zhvillime të pandara të bamirësisë. Të gjitha këto pleksje humanitare,
kulturore, poetike, artistike, zbrazje ndjenjash dhe euforish njerëzore
përshkuar prej frymës atdhetare; nuk mund t`i tejkalonin mëtimet e motiveve politike-kombëtare për
përballimin e pushtimit të rëndë dhe dhunën e vijueshme të shtetit të Serbisë.
Serbia ushtronte dhunë, duke shtuar varfërinë, si rrethanë nënshtrimi e
shpopullimi të popullit tonë. Mërgatës sonë i shtohej barra dhe përgjegjësia
për t`i ndihmuar vatrat, familjarët, skamnorët e vendlindjeve të veta.
Shtresimi atdhetarë për shtet-bërje
kërkonte mënyra, mundësi e mjete, njohje e përkrahje ndërkombëtare, që mëtimet
fiktive për Republikën e Kosovës të përtrolliteshin me përmbushje faktike!
Ishim para dy alternativave: t`i zbraznim vatrat tona ose të përballeshim me
një luftë shfarosëse?!
Në
kontekst të këtij libri kam të drejtë t`i shoh ngjarjet dhe rrjedhat e tyre,
sipas dioptrisë time... Si? Ndoshta është dashur të përmenden tri publikimet e
mëparshme të Degës së Shoqatës, me tërë faktet dhe mangësitë e tyre, ku e ku të
plota, ku e ku të pjesshme, ku e ku të mangët, ku e ku me çiltërsi, ku e ku me
gabime e, ku e ku me ndonjë hile?...
Sidoqoftë,
libri që kemi në duar, që nga viti i kaluar 2022, gjithsesi është vijimësi e
tri publikimeve të kësaj natyre dhe, si i tillë i plotëson disa mangësi, duke
sjellë emra më të shumtë të veprimtarëve vullnet-mirë dhe bamirës, njoftime më
të shumta ngjarjesh e vendesh dhe, një spektër më të gjerë lëvizjesh kulturore
përkitazi veprimtarisë për bamirësi. Mandej, pa ngurruar autori i këtyre
ngjarjeve spikatë ndërhyrjen partiake, kinse për t`i dhënë kahe Shoqatës nga
politizimi i saj, kur politika gjysmë legale e atyre viteve ishte ende pasive
dhe, e frikësuar së tepërmi e anemike.
Megjithatë,
duke shkruar për këtë libër dokumentar të Fatmir Selimit, le t`ia tumirim
vullnetin këtij veprimtari të palodhshëm, që mori përsipër mundin dhe guximin,
ndonëse i pa-përkrahur por, i pandalshëm për t`i shtyrë qëllimet paravajtëse me
vullnetin e zemrës e të gjoksit tutje, krejtësisht i vetëm?! Përse duhej të
mbetej kështu i vetmuar ky veprimtar për bamirësi; tashmë kur i kemi
institucionet shtetërore financiare, kulturore, arsimore dhe shkencore?! Doktor
Fatmir Selimi na e ka sjellë në tavolinë këtë libër, ku mungon era e djersëve
të tij dhe e bashkëveprimtarëve, pa përfilljen e tyre, së paku, me një mirënjohje
institucionale të pushtet të drejtuesve të djeshëm e të sotëm?
Shohim
këtu, që nga dhjetori i vitit 1990, prej faqes 110 deri në faqen 132 disa
pasqyra tabelore me të dhëna financiare dhe të mira materiale nga nëndegët,
hyrje-daljet... Më tej ndjekim shënime të grumbullimeve pa data, kontribute
financiare të individëve me emra e mbiemra, kryesisht gjatë viteve 1990-1991.
Nga faqja 131 deri në faqen 167, autori trajton në mënyrë të përgjithësuar
portrete bamirësish të dalluar dhe, pasojnë shënime për ndërtimin e ambulancës
e të shtëpisë së pleqve në kuadër të SHHB - Degës “Nëna Terezë” në Gjilan.
Shënimi për themelimin e Degës së Partisë Shqiptare Demokristiane në Gjilan, në
përbërje të këtij libri, i profilizuar për bamirësi, më duket bie ndesh me një
profilizimi të këtillë.
Andaj,
për t`u shprehur në mënyrë sintetike duhet të konstatojmë: publikimet e këtilla
për ta arritur gjithë-përfshirjen e kësaj lënde kaq të gjerë, saktësinë e të
dhënave, kompetencën argumentuese, bëhen kryesisht nga grupe autorësh e
profilesh, që e plotësojnë njëri-tjetrin.
Gjatë
veprimtarive të nën-degëzimit të Shoqatës Bamirëse, individët me ndikim i dhanë
vullnet popullit të frikësuar e të kërcënuar. I jepnim besim njëri-tjetrit,
mbase mëtonim të arrinim një njëjtësim synimesh të paparë... Ishin vite të
afrimit mes profilesh të ndryshme, veçmas me bashkësitë e shtresimeve fetare;
duke shpjerë më tej ngjeshjen etnike, ri-nderimin dhe konsideratën për “bashkimin në ndryshime”, diçka thelbësore
e përtej rutinës, që e riafirmonte veprimtari shpirtëror Don Lush Gjergji.
Shoqata
u bë pikënisja e organizimit të një mjekësie paralele, kundrejt marrjes së
spitaleve me polici dhe mbylljes arbitrare, nga masat e dhunshme të pushtuesve
serbë.
Libri
i Fatmir Selimit “KUJTIME PËR AKTIVITETIN E SHHB “NËNA TEREZË” - DEGA NË GJILAN
(1990-1991), solli lëndë të larmishme, të mjaftueshme për të rishkruar mbi
themelin e këtij të tashmit, një ribotim libri më të konsoliduar në shumë
pikëvështrime: formulime të drejta sintaksore e drejtshkrimore, me kujdes të
shtuar të gjuhës e korrektimit të lëshimeve të shumta teknike.
Duke
lexuar këtë libër të karakterit dokumentar e të publicistikës historike,
lexuesit e nderuar, lehtësisht vërejnë disa
emra më të lakuar në rasat e gramatikës shqipe. Atëbotë, për dhjetë
vjet, jam dhe unë njëri nga personazhet, njëri nga emrat më të lakuar në faqet
e këtij libri. Autori asgjë nuk ka hiperbolizuar. E lypnin rrethanat
ekzistenciale të ishim të tillë; të kishim mision për popullin tonë!
Autorit,
Fatmir Selimit, si dhe familjes tij, i
dëshirojmë: shëndet e të mbara për shkrime të tilla edhe më të pjekura, gjithsesi me interesim
më të shtuar për publicistikën dokumentare dhe historike!
Gjilan, më 20 maj 2023