| E premte, 26.05.2023, 08:54 PM |
Perëndim apo ...?!
Nga
Vilhelme Vrana Haxhiraj
2- Bashkëshortja ime e dashur, Aja, ishte përqëndruar në ekranin e
kompjuterit dhe vazhdonte punën. Pa u shkëputur, më kundërshtoi me fjalët:
-Timi, punën e
nisur nuk më pëlqen ta lë përgjysmë. Kam disa dorëshkrime që duhen sistemuar.
Do Zoti më jep kohën e mjaftueshme që t’i botoj.
-E dashur, mos ua
hidh poshtë mundin e kujdesin e
fëmijëve, të Rezit, Vladit dhe Rainit, që të kanë kthyer e rrotulluar si
fëmijë. Nëse nuk do të kishe një shërbim të tillë dhe higjienë të përsosur,
Femuri i thyer nuk do të ngjitej kurrë, se ti je me ostoporozë të nivlt të
lartë,dhe ti do të ngeleshe in valide, në të tillë mendo si për vete, edhe për
mua të gjorin. Jam në një moshë të tillë që nuk e përballoj dot dhembjen e
humbjes së njeriut më të dashur. Nëse pëson gjë ti, unë nuk dua të rroj më
asnjë ditë, madje pas teje nuk dua të frymoj më as dhe një minutë. Të lutem, më
beso! Duhet të dish, se nuk e kuptoj dot jetën pa praninë tënde. Mjafton të të
dëgjojë zërin, të të shoh që çapëlon nëpër shtëpi, të të ndjek tek punon e qetë
në kompjuter, të të dëgjoj e të të admiroj, kur përkëdhel dhe këshillon Rainin.
Unë jam ters, shumë impulsiv dhe për një fjalë, më ngrihen kacabunjtë.* E kam të qartë se më vonë nuk do të më durojë
dot askush... Po të rrini pesë minuta pa folur, unë bëhem i butë si qengji.
-E di pse? Mua më çudit, se siç e pranon edhe vetë, ty
të ngrihen nervat vetëm për një fjalë apo për një sugjerim, të cilin duhet ta
dëgjojmë, ta pranojmë dhe të falënderojmë bashkëbiseduesin. Kurse ti, fryhesh
si qumështi i dhirë*. Ti jetip kolerik. Kjo ndodh se në vetëvete ti je i bindur
që je i pagabueshëm dhe pretendon se di gjithçka. Ndaj një kokëfortë i tillë e
ka të vështirë të pranojë gabimin dhe të kthejë. Është çështje karakteri. Edhe
unë nuk jam engjëll, por pendohem shpejt. E kam të qartë se nuk ka njeri që
punon dhe nuk gabon. Veçse gabimi bëhet pësim dhe kur e kuptojmë, jemi në
gjendje ta korrigjojmë. Ne të dy kur e nisëm rrugëtimin tonë të përbashkët si
partnerë, nuk e njihnim jetën fare, madje as vështirësitë e saj. Por koha u bë
mësuesja jonë. Kurse jeta u bë shkollë. Duke kërkuar nga vetja që të zgjidhnim
problemet jetike dhe vështirësitë, gjetëm mënyrat për t’i realizuar kërkesat e
kohës që kërkon ndërtimi i një familjeje me rrënjë. Pengesat e panumërta dhe
kapërcimet me shumë vështirësi na mësuam që të ecim përpara. Për ne që e
vendosëm vet fatin tonë, nuk kishte më kthim pas. Ngritjet dhe uljet e
terreneve të pakapërcyeshme ndër vite, na bënë më të fortë dhe më të vendosur
pët t’i dhënë dorën njëri -tjetrit.Këto u shndërruan në përvojë. Herë pas here
duhet ta kthejmë kokën pas dhe të shohim brenda vetes në kasafortën hermetike
të kujtesës.
-Mirë e ke ti. Po
tani në këtë moshë, unë nuk kthej dot dhe s’mundem të ndryshoj karakterin.
Është vonë, shumë vonë...Tani jam drejt perëndimit të largët. A mund të
ndryshojë e të rikthehet në fillimrrugë një njeri që është në fund të
udhëtimit? Kurrë. Bëhem pishman si dreqi, po sa para bën, kur ua thyej zemrën
atyre që dua?
-Jeta nuk është
vaj dhe as fle mbi dafina, i shtrenjti im. Me nocionin “Jetë’ kuptojmë gëzim,
lumturi, hidhërim, pengesa, vuajtje, lodhje dhe fitore. Shpesh herë dëgjojmë
nga çiftet që shprehen me pompozitet: “ Ne të dy jemi shumë të lumtur. Nuk
besoj se gjen dhe një çift tjetër kaq të dashuruar sa ne. Shkojmë
jashtëzakonisht mirë, ndaj nuk ia prishim qejfin njëri-tjetrit. Kjo na ka bërë
që të kemi një familje model dhe të shëndoshë.”
Këtë vetëdeklarim,
vetëlavdërim, vetëmburrje dhe vetëmashtrim, unë nuk e pranoj. Janë zorrët e barkut
dhe grinden me njëra -tjetrën, jo më çiftet që vetëm për fëmijët bëjnë fjalë.
-Ne të dy u
martuam në kushte disi specifike. Braktisëm në mendimet e tyre të mykura ata që
na sollën në jetë dhe i hapëm rrugën dashurisë. Ishim të rinj dhe u dashuruam të rrëmbyer si tufani nga afshi i ndjenjave
të asaj moshe të pafajshme që i duket se gjithë zogjtë që fluturojnë, hahen.
Për fatin tonë të keq, të dyja familjet tona nuk e pranuan këtë lidhje. Por ne
të dy ishim kokëkrisur dhe shumë të vendosur. Ndaj nuk i lamë ndjenjat tona as
të vriteshin dhe as në udhëkryqet e jetës. Atëherë kundër vendimit të tyre të
vjetëruar, i ndikuar nga mentailiteti mesjetar dhe egoizmi i opinionit, ne
morëm vendimin e duhur, u martuam. Ishin ndjenjat tona që na shtynë drejt marrëzisë.
Por kurrë nuk e kishim menduar gjatë dhe me hollësi, por nxitimi dhe pamaturia
e moshës, na kushtoi shumë shtrenjtë. Gjithsesi martesa na vuri para
përgjegjësive të mëdha dhe shumë të panjohurave. Ishim të rinj dhe nuk e
mendonim thellë, se ç’do të thotë të krijosh familje pa një dyshkë në xhep. Eh,
i riu si veriu.
-Për mua ti ishe
dashuria ime e parë dhe e fundit. Mendoja se ndjenjat tona do të ishin aq të
forta dhe të palëkundshme sa do të përballonim gjithë vështirësistë. Por
dashuria nuk është e gjithë jeta dhe nuk të dhuron gjithçka. Por për çudi unë,
vajza e re dhe e paditur, besoja verbërisht
se dashuria do t’na jepte forcë dhe do t’na nxirrte në dritë. Megjithatë
pa u menduar gjatë, ne nisëm një jetë të re nga hiçi. Veç veshjeve dhe trupit
tim unë s’kisha asgjë tjetër. Ishte një rrugë e gjatë dhe e vështirë, gjithë
ankthe, fillimi i së cilës nuk kishte asnjë dritë jeshile në horizont. Ishim të
dy fillikat, pa shtëpi, pa asnjë mjet jetese, veçanërisht unë isha pa
mbështetjen e familjes sime dhe ngela pa punë. Pasi papritur më zuri reforma e
Revolucionit kulturor kinez, duke më mohuar pofesionin e mësuesisë, të cilin e
adhuroja. E megjithatë nuk e di se si ia dolëm. Kur e mendoj më duket e
pabesueshme që krijuam familje, lindëm dhe rritëm dy fëmijë si yje, të
shëndetshëm, të talentuar dhe arritëm deri në moshën e tretë.
Nuk di se ku e
gjetëm forcën për të përballuar jetën e vështirë. Ishte ndjenja e dashurisë apo
mos vallë sedra për të treguar se sa të aftë ishim për të krijuar familjen
tonë. Ndoshta...
Gjithsesi për ne
të dy këto çaste në minilulishten tonë, do të ngelen të paharrueshme, sepse
vendi ku ishim pozicionuar, bëri që t’na çkyçej kasaforta hermetike e kujtesës,
e cila na çoi larg si në hapësirë dhe në kohë. Krahas ngjarjeve të së tashmes,
kujtuam peripecitë dhe vuajtjet e pashembullta të jetës sonë bashkëshortore.
Në atë pasdite
maji, dielli i zvargur ende nuk i kishte pulitur qepallat. Zbriste ngadalë dhe
pa dëshirë drejt horizontit, sepse ndoshta i vinte keq që të largohej dhe t’ia
linte vendin mbretëreshës së natës.
Mos vallë bëhet
xheloz nga magjia e Hënës që shpërndan mirësi, butësi, bukuri mistike apo
hyjnore dhe ruan me fanatizëm sekretet e njerëzimit?
Heshtja e atij
trupi qiellor duket si ombrelë apo strehë që ruan ndjenjat e fshehta të të
dashuruarëve apo dhe bëmat e mëkatarëve. Ruan sa e sa ndodhi tragjike. Pra hëna
e magjishme është si ajo kutia e florinjtë që ruan të pacënuara gjithë sekretet
e natës për gjithçka që ndodh mbi sipërfaqen e tokës.
Pas pak horizonti
blu shtriu krahët e tij që me padurim pret që dielli t’i japë puthjen e
lamtumirës mbremjesore. Ç’them dhe unë. Ai aty ka qenë, aty është dhe aty do të
ngelet përjetësisht. Madje sa të ketë jetë mbi tokë, ai çdo ditë do ta bëjë
këtë udhëtim të përjetshëm si një shtegtar që kapërcen horizonte të ndryshme të
botës së paqtë. Vetëm sa të puthë horizontin, pastaj do të largohet duke lënë
pas nocione të humbura dhe tejet të ndryshme atmosferike. Ky rrugëtim ngjet si
diçka abstrakte që përcillet tek njerëzit sipas motit duke shkaktuar tek ata
iluzione të pashpresa. Dielli duke ikur, në mungesë të tij, do të humbas
bukuria mahnitëse dhe rrëzëllitëse që ai i jep sipërfaqes së globit tokësor dhe
atmosferës brilante e të shndritshme. Pas pak tokë dhe det do t’i urojnë rrugë
të mbarë syrit të galaksisë dhe gjumë të ëmbël terrenit. Atmosfera e mugët atë
ndajnatë herët, duket e trishtuar sepse i mungon shkëlqimi verbues dhe
jetëdhënës i syrit të botës,”Diellit”.
Shpresoj se nata
do të rri zgjuar dhe do të përgjojë duke pritur gjithë ankth agun e ditës së
re...