| E premte, 26.05.2023, 08:48 PM |
Gjekë Gjonaj botoi librin e ri "Ana e Malit sipas një trieshjani"
Nga
Ismet Kallaba
Doli
në qarkullim libri më i ri i gazetarit
dhe publicistit Gjekë Gjonaj,
"Ana e Malit sipas një trieshiani – Kronikë e jetës së përditshme të
anamalasve"të cilin ai ia kushton trevës së Anës së Malit, siç thotë në
dedikim, me rastin e 30-vjetorit të njohjes
së tij me këtë krahinë gjeografike-etnografike shqiptare. Sipas autorit, arsyeja e vetme dhe kryesore
për ta shkruar këtë libër publicistik për Anën e Malit është respekti që ka për
këtë krahinë me traditë të pasur dhe për banorët e tij.
"Kjo
vepër publicistike nuk është një monografi, as dokument faktik, por vetëm pjesë
e një letërnjoftimi të vogël me fjalë shumë të kësaj treve. Ajo është një
mozaik prozaik me copëza veçantie nga jeta e zakonshme e pabujë e anamalasve,
realiteti i tyre jetësor, një pjesë e së shkuarës dhe të sotmes së tyre në këtë
lokalitet, ashtu siç i njoha unë", shprehet autori në fjalën paraprijëse.
Libri
është i ndarë në shtatë kapituj. Në kapitullin e parë "Rrugëtim i shkurtër
nëpër kohë" flitet për aspekte të përgjithshme të Anës së Malit, kapitulli
i dytë merret me traditën bujqësore e blegtorale, kapitulli i tretë me
trashëgiminë kulturore materiale, kapitulli i katërt me trashëgiminë kulturore
shpirtërore, kapitulli i pestë me disa figura të shquara fetare, kapitulli i
gjashtë me portretet e disa personaliteteve të Anës së Malit, kurse kapitulli i
shtatë përfshin disa reportazhe nga kjo trevë.
Në
vështrimin e tij redaktori Dr. Nexhad Avdiu shprehet ndër të tjera se
"libri pa dyshim është edhe një arritje në aspektin shkencor, sepse përbën
një botim të mirëfilltë për zonën e Anës së Malit, aq më tepër kur trajtohet
nga një trieshian, mik i kësaj zone" dhe se mendon që libri do të shërbejë
edhe si bazë për studime të mëtejshme në fusha të ndryshme për këtë trevë
shqiptare.
Ndërsa
recensentja Dr. Sabina Osmanoviq shprehet se "Libri në fjalë është i
larmishëm në përmbajtje, herë ngjan me udhëpërshkrim, herë si një rrëfim
historik. Teksa lexoni librin, në çdo fjali mund të ndjeni tonin dashamirës për
njerëzit e kësaj zone dhe një lloj afrimiteti krejtësisht të natyrshëm."
Libri
"Ana e Malit sipas një trieshiani (Kronikë e jetës së përditshme të
anamalasve)" është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve
"Art Club", me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të
Drejtave të Pakicave, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë.
Redaktor teknik i librit është Gazmend Çitaku, kurse kopertina është punuar nga
Rajmond Gjonaj.
Gjekë
Gjonaj është autor i librave "Prekë Cali, piramidë e kufijve të
Shqipërisë" (monografi), "Njëmendësi shqiptare", "Gjurmëve
të kohës", "Shqipet e maleve", "Identiteti etnolinguistik
dhe kulturor i shqiptarëve", "Bijtë e shqipes", "Deputetët
shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e komunizmit 1946-1990",
"Zgjedhjet parlamentare dhe deputetët shqiptarë në Malin e Zi në periudhën
e pluralizmit 1990-2016", "E meritojnë nderimin (Figura shqiptare të
shekullit XX)". Ky është libri i tij i dhjetë.