| E enjte, 25.05.2023, 07:56 PM |
NJË POEZI E SHKRUAR ME LOTË
Nga
Timo Mërkuri
Qysh në titull poezia
"Nuk ma mësove këtë ikje"e poetes të shkakton një ankth e mehje
fryme, pse për diçka të dhimbëshme të paralajmëron, një “ikje” për të cilën poetja nuk ishte e
pregatitur. Më duhej të lexoja një shkrim të Iliriana Sulkuqit që të mësoja se
kjo “ikje” paskësh qënë gjëmë më vete, nga ato për të cilat populli vajton: “Më
zu mali ndënë vete”, paskësh qënë një ngricë dimri në prag të pranverës që
ngrin këngët e zogjve dhe than petalet e luleve. Ishte “ikja e vajzës së
vetme në prag të nusërimit” lexova te shkrimi i Iliriana Sulkuqit dhe mua
befas mu duk sikur dikush më goditi me tokmak në kokë dhe vargjet e poezisë mu
shndruan në një tekst ligjërimi dhe zanoret e fundvargjeve mu shndruan në një
oi oi.
Ju them se në
ligjërimet mortore për fëmijën që “ikën” nëna qëndis në tekst metaforat më
fantastike për portretizimin e të mirit të saj, ikur pa radhë, por kur “ikja”
bëhet nga vajza dhe ca më tepër kur ajo është në prag martese teksti është
ngjethës dhe i bashkuar me vijën vajtimore të krijon një ambient që ska burrë nëne që e duron,
ndaj ata largohen sypërlotur e me ngulçe në grykë. Sa për vajzat dhe djemtë
bashkëmoshatarë, ata i detyrojnë të
largohen që të mos jetojnë dhe përjetojnë situatën dramatike. Vetëm nënat janë
të zonjat të mbajnë mbi shpirt këtë “mal” dhimbjeje, madje dhe ta “gdhëndin”
atë në art. Sigurisht që në këtë “mbajtje” dhe “gdhëndje” nënat nuk janë vetëm,
pasi nënat shqiptare nuk vajtojnë asnjëherë vetëm qofshin ato të krahinës së
toskërisë apo të gegërisë.
Te kjo poezi e
Miradie Maliqit kemi disa specifika: së pari nuk është “art gojor”, por është
një art i kultivuar, është një poezi, madje poezi moderne pavarësisht nga pesha
e dhimbjes që ajo mbart, madje e parë në këtë këndvështrim ajo përmban
“substancën” e një teksti ligjërues. Zanoret janë lotë, fjalët janë dhimbje dhe
vargjet janë klithma. Së dyti kjo poezi nuk është me tekst të traditës mortore
por është “art modern” i “mbjellur” në truallin e traditës, dhe së treti poetja
nuk portretizon bijën e ikur por skicon “anatominë” e jetës së saj pas ikjes së
bijës. Shikojeni mënyrën tronditëse të shprehjes së poetes: "Unë frymoj
me buzëqeshjet e tua/Kur vjen koridoreve të kujtesës", pra ajo jeton
vetëm kur i kujtohet e bija, buzëqeshja e së cilës është e vetma
rrugëfrymarjeje e saj.
“Këndell mendimin
me dritën e syve të tu./E shoh veten me vështrimin tënd”shkruan poetja duke
paraqitur një ndjenjë përqendrimit dhe lidhjes së thellë emocionale midis saj
dhe bijës të shprehur në imazhe të thella. Duke përdorur një lloj qasjeje
"shoh veten me vështrimin tënd", poetja jo vetëm bën që poezia
të jetë thellësisht e ndjeshme dhe tërheqëse për lexuesin, por shfaq një
gjëndje të përherëshshme sikur, kudo që shkon e bija e ndjek me shikimin e saj,
madje poetja “etjen e mungesës e ndez me praninë tënde”, duke mos
pranuar”ikjen” e saj. Më kujtohet një varg vajtimi i tim eti për tim vëlla kur
i thoshte: “Dal e të kërkoj pazarit”, ja që poetja paskësh qënë më “me
fat”, e shikonte çdo gjë nëpërmjet syve të së bijës. Duhet ta keshë provuar një
dhimbje të tillë që ta ndjesh peshën e lemerishme të saj.
Cila nënë pranon
ikjen e bijës së saj? Poetja po të
kishte Zotin pranë dhe atij do ti kërkonte llogari, ndaj vargun "E i godas malet kur më thonë ke ikur"mos
e mirni mirëfilli si një figurë artistike, ndonëse është një metaforë, por
lexojeni si një shfrim shpirti, si një të vërtetë. Për këtë ju siguroj unë.
E vërteta është se si
çdo nënë, poetja nuk e ka pas mësuar si realitet jete ikjen e bijës, dhe ca më
tepër në prag martese, madje as ndër ëndrrat e saj më të erëta nuk e ka parë, por ja që i duhet
të mësohet si të jetojë:"Mësoj për ditë se si ta kuptoj jetën/me sy të
lagur humnerave të netëve"ku metafora e syve të lagur humnerave të
netëve shpreh me një forcë artistike mënyurën e re të jetës që do bëjë.
Metafora "arratisem
me krahët e dashurisë tënde" tregon se dashuria është fuqia që poetja
nënë përdor për të shpëtuar nga vuajtjet dhe ankthet e saj, pse vetëm kjo
dashuri: "Mi hap portat e botës, më bën nënë më të mirë, nënë, më të
fortë" është në gjendje të bëjë të ndjehet më e fuqishme dhe më e
sigurtë në botë. Nuk është varg artistik, është varg real, konstatim real i
forcës trasformuese të dhimbjes në jetën e atyre që e provuan atë,
Vargu i fundit "Me
emrin tënd, bijë, fitoj, gjithçka pata humbur" tingëllon si një
simfoni, jo vetëm që tregon se bija
është qendra e universit, por dhe shpresa se gjithçka që ka humbur në jetën e
saj si nënë, ajo do arrijë ta fitojë përsëri.
Gjuha e poezisë është
tepër emocionale dhe ngjall stuhi ndjenjash te lexuesi, madje përmban shumë ndryshime në regjistrin
gjuhësor.
Fjalet dhe shprehjet
që përdoren në poezi janë të thjeshta por të zgjedhura me kujdes dhe me një
qëllim të caktuar si "mungesë", "vuajtje",
"ikje", "dashuri" dhe "kujtim"për të “folur”
emocionalisht dhe vendosja e tyre në varg të krijon idenë e një përzgjedhjeje
të mundimëshme.
Sigurisht që do kisha
preferuar të mos e kisha lexuar (më qartë të mos kishte ndodhur “ikja” që
autorja të mos e shkruante) këtë poezi, por nuk mund të ri pa shprehur
admirimin tim për forcën e saj shpirtërore, që si ari i shkrirë është derdhur
në vargjet e kësaj poezie që të imoponon respect edhe për nivelin artistic me
të cilin është realizuar.
Sarandë,
më 09 maj 2023
NUK MA MËSOVE KËTË
IKJE
Nga Miradie Maliqi
Unë frymoj me
buzëqeshjet e tua
Kur vjen koridoreve
të kujtesës.
Këndell mendimin me
dritën e syve të tu.
E shoh veten me
vështrimin tënd
Etjen e mungesës e
ndez me praninë tënde
E i godas malet kur
më thonë ke ikur.
Mësoj për ditë se si
ta kuptoj jetën
me sy të lagur
humnerave të netëve
Eh, kur vuajtja
rrëmon, për toke më zvarrit,
arratisem me krahët e
dashurisë tënde.
Sa herë në ëndrra më
vjen plot gaz dhe e lumtur
Mi hap portat e
botës, më bën nënë më të mirë, nënë,më të fortë.
Me emrin
tënd, bijë, fitoj, gjithçka pata humbur.