| E marte, 23.05.2023, 08:14 PM |
Ndërthurja
e ngjyrave dhe fjalëve një kombinim magjik
Piktori
dhe poeti Idriz Berisha-Xhixhi frymëzon me veprat e tij të shquara
Nga
Ramiz Selimi
Në
botën e artit ka krijues që ndërthurin dy ekspresione të mrekullueshme, ngjyrat
e piktorit dhe fjalët e poezisë. Ndërthurja e ngjyrave dhe fjalëve është një
kombinim magjik që sjell në jetë emocione dhe imazhe të mahnitshme. Kur
piktorët dhe poetët bashkëngjiten për të shprehur ndjenjat e tyre nëpërmjet
artit, krijohen vepra të jashtëzakonshme që prekin shpirtin dhe imagjinatën e
secilit. Piktorin kombëtar Idriz Berishën e njihja më herët nga takimet e
ndryshme letrare, që gjithnjë gjatë bisedave transmetonte rrezatim pozitiv
miqësorë dhe plotë respekt. Tani më ai është një personalitet i njohur për
opinionin shqiptarë por edhe më gjerë, që unë pata rastin ta vizitojë edhe në
atelienë e tij në Ujmirë të Klinës.
Edhe
pse i lindur në vitin 1953 dukej i motivuar dhe me elan sikur të ishte në
moshën e tij më të mirë. Ishte duke punuar me zell dhe koncentrik të thellë një
pikturë duale me porosi të një çifti të ri të përzier, e cila shfaqte tiparet
kryesore të Kosovës dhe të Argjentinës. Megjithatë për pak çaste hoqi dorë nga
puna dhe nën konsumimin e kafes biseduam gjerë e gjatë për shumë tema. Pasi e
shijuam edhe nga një gotë raki vendore u ngritëm ngadalë për ta vështruar
secilin punim veç e veç. Mbeta i mahnitur me përdorimin e ngjyrave dhe mënyrën
e artit që ishte e motivuar nga historia dhe figurat e shquara shqiptare. Në
veprat e tij kishte një dhunti të jashtëzakonshme të artit dhe një formë
ndryshe sesi i qasej temave.
Punimet
e tij ishin një përshkrim i gjallë dhe i fuqishëm, ishin një përzierje e vërtet
e teknikave piktoreske dhe secila kishte fuqinë e mesazhit që Idriz Berisha
dëshironte të transmetonte. Ngjyrat e ndritshme dhe të ndërlikuara që i
përdorte në piktura reflektonin thellësinë e emocioneve dhe ndjenjave të
autorit. Pastaj kur e hap librin dhe lexon poezitë e tij, e kupton fuqinë dhe
mesazhin kuptimplotë të fjalëve. Fliste me ritëm dhe melodi duke përdor
metafora dhe simbole me imazhe të jashtëzakonshme. Me një fjalë në poezinë e
tij e përjetova bukurinë e fjalisë dhe fuqinë e fjalës së përzemërt, duke na
frymëzuar dhe ndikuar në shumë nivele. Nuk të nevojitet shumë për të kuptuar se
piktori-poet ka një aftësi të jashtëzakonshme për të krijuar një dialog midis
ngjyrave dhe fjalëve, duke bërë që veprat e tij të jenë një eksperiencë e
tërësishme artistike.
Idriz
Berisha me 1980 kishte përfunduar shkollën e artit në Pejë dhe pastaj kishte
vazhduar në Universitetin e Prishtinës në Akademinë e Arteve. Kishte punuar
edhe si profesor në disa shkolla, deri kur ishte angazhuar në drejtorinë
komunale për kulturë, rini dhe sport. Ishte edhe anëtarë i shumë shoqatave dhe
asociacioneve në Kosovë dhe Shqipëri.
Qindra
piktura dhe mirënjohjet e shumta tregonin qartë se talentin e tij prej piktori
dhe poeti e kishte shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Kishte
arritur të frymëzojë dhe të mbizotërojë në skenën e artit, jo vetëm në trevat
shqiptare, por kishte marrë çmime në ekspozitat internacionale si Itali, Francë
dhe Zvicër,...
Çmimin
e parë e kishte marrë që në moshën 21 vjeçare në Klinë, për të vazhduar pastaj
me vendin e dytë në Zurich të Zvicrës. 2012/2013 Ishte shpallë piktor i vitit nga
Pegasi Albania dhe kishte marrë çmime pothuajse gjithandej Kosovës.
Xhixhi
siç e kishte pseudonimin ka një përvojë të gjatë pune në fushën e artit dhe
letërsisë. Pash nga afër vepra të mahnitshme që shprehnin emocionet dhe
ndjenjat nëpërmjet paletës së ngjyrave dhe fjalëve magjike. Punimet sjellin
jehonën e emocioneve, ku ngjyrat e ndritshme shprehnin gëzimin, ndërsa ngjyrat
e errëta dhe të mbyllura shfaqnin trishtimin dhe melankolinë. Ky art pamor që
prodhonte Idriz Berisha ishte një kombinim i shkathtësisë së tij artistike dhe
aftësisë së tij për të krijuar art kualitativ.
Madje
kritikët e artit e kishin lavdëruar vizionin e tij largpamës. E kishin
përshkruar si një krijues i rrallë, i cili arrin të krijojë harmoni dhe në
secilën pikturë ai përcjellë një mesazh të fortë emocional nëpërmjet ngjyrës.
Përdorimi i figurave njerëzore dhe simboleve kombëtare ishte karakteristikë e
veçantë në punimet e shumta.
Idrizi
tregonte se gjatë karrierës së tij shpeshherë ishte detyruar të hiqte dorë nga
pikturat e dashura, pasi me ato kishte arritur të frymëzojë dhe të prekë shumë
zemra me krijimtarinë e tij të shquar. Ai vazhdon të eksplorojë dhe të ndërtojë
vepra të reja të ndërlidhura me artin e pikturimit dhe fuqinë e fjalëve. Idrizi
pa asnjë dyshim është një burim frymëzimi për të gjithë ata që e admirojnë
ndërthurjen e artit vizual dhe letërsisë.