| E marte, 23.05.2023, 07:58 PM |
PROFETËT
E RREMË, I
(Nga
karakterologjia jonë)
Nga
Prend BUZHALA
Pothuajse,
shumica dimë nga librat e shenjtë për profetët e rremë. Përkufizimi biblik për
ta kalon te përdorimet tjera metaforike në gjirin e jetës njerëzore e shoqërore: ata përpiqen që
njerëzimin ta privojnë nga qëndrimet racionale, apo nga "shkalla më e
lartë më e lartë e veprimtarisë njohëse të njeriut", nga "aftësia
mendore për të gjetur shkaqet dhe për të zbuluar thelbin e dukurive, për të
shpjeguar ligjet e zhvillimit të natyrës e të shoqërisë; mendja në kundërvënie
me ndjenjën." (siç na e thotë, pra, Fjalori ynë përkufizimin për arsyen).
1.
Profetët
e tillë, jo vetëm që shfaqen me petkun e mashtruesit, por edhe të vizioneve
apokaliptike, për vdekjen e shumëçkaje në botën tonë: që ta godasin njeriun në
vullnetin e tij të lirë, për ta shfaqur para tyre ferrin, nga ai biblik deri te
ky i parasë. "Është natyra e të gjithë hipokritëve dhe profetëve të rremë
që të krijojnë një ndërgjegje aty ku nuk ka, dhe të bëjnë që ndërgjegjja të
zhduket aty ku ekziston", thotë Martin Luter. E dinë që jo pak njerëz joshen
nga rrëfimet e tilla apokaliptike, duke pirë makiato a duke ngrënë një picë.
Thjesht, bëhen përpjekje që njerëzit t'i largohen të vërtetës sa më shumë.
Profetët e rremë shfaqen edhe në jetën politike: se vetëm ata duhet të zgjidhen
e rizgjidhen "si shpëtimtarë" politikanët e korruptuar e mashtrues,
për t'i braktisur ata të vërtetët. "Çfarë është populli, e tillë është
qeveria", thonë amerikanët. Ngjashëm deklaron Paul Washer, një teolog
amerikan: "Dije këtë! Ata (profetë të rremë) janë gjykimi i Zotit mbi një
popull të lig, të ndotur, të cilët edhe pse kanë njohuri për Zotin, nuk e duan
atë. Dhe kështu Zoti u dërgon mësuesit që ata vetë dëshirojnë."
Ndërsa
të tjerë njerëz e konsiderojnë religjionin si një zëvendësim për trurin që nuk
funksionon; si kontroll mbi mendjen nga profetët e rremë. Sikur njerëzit nuk
mund të jetojnë pa "liderin", pa liderin fetar, politik, apo të
ndonjë fushe tjetër, ndaj të cilit shfaqin adhurim, nderim, përkulje dhe
përulje.
Nuk
është e rastit përse gjatë shekujve të fundit, kur doli në pah figura e
intelektualit, vazhdon ajo përbuzja e
njëjtë, si ndaj profetëve të dikurshëm që përbuzeshin në vendin e tyre,
që i burgosnin a që i dëbonin në shkretëtirë, ndërkohë që adhurohen lajkatarët
e personalitetet mashtruese a mbreti autoritar, si sot. Nuk është e habitshme
përse kanë kaq shumë hapësirë intelektualët e sotëm nëpër medie si mashtrues të
ç vërtetës e lajkatarë të një profili politik, ndërkohë që përhapin përbuzjen
ndaj vlerave të vërteta. Edhe shoqëria jonë është dëshmitare (dje e sot), se si
ndër ne, në Kosovë a në Shqipëri, jo pak intelektualë e shkrimtarë u burgosën,
u vranë, u dëbuan, u përbuzën, u fyen, u dënuan me forma të ndryshme. Dhe
praktika e tillë ende vazhdon në jo pak vende të botës.
2.
Eh,
sa vdekje a shuarje (kolektive, kulturore, teknologjike etj.) janë shpallur
deri më sot/
Niçe
shpalli Zotin të vdekur, me gjithë religjionet, por nuk ndodhi kjo. Profecia
doli e rreme.
"S'ka
më Shqipëri, s'ka më Kosovë", klithnin me histeri pushtues të çmendur e
egërshanë të çartur. Për fat, pas shumë tragjedive historike, ne jemi këtu.
Profetët ogurzi dolën të humbur.
A
do të ketë teatër, a do të ketë kinema, ishte temë e ditës gjatë viteve '70,
kur erdhi televizioni. Shumëkush tha: vdiq teatri! Të tjerë
"kulturologë" thanë: vdiq kinemaja! S'ka më publik! Mbase, shumëçka,
nga gjallëria e dikurshme e nga ai vesku i dikurshëm më nuk janë, por ja që as
teatri e as filmi nuk vdiqën. Kinemaja, siç lexohej aso kohe, "vdiq"
edhe me shfaqjen e kasetave a të video-kasetave. Format e komunikimit skenik
vetëm sa pasuroheshin e assesi të shuheshin. Profecitë dolën të jenë jo të
sakta.
E,
tashmë jetojmë në botën dixhiale. Kjo epokë e teknicizuar nëpërmes internetit,
sikur i hodhi të gjitha në koshin e mbeturinave të historisë: mediat e shkruara,
librin, leximin, bibliotekat, madje, edhe shkollat, akademitë, universitetet. A
ndodhi kjo? Jo! Profecitë e tilla apokaliptike ishin vetëm një lajm i zi...
Nëse
në Kosovë nuk duan medie të shtypura (i vetmi vend në botë, si duket, që nuk ka
këso mediash), bota tjetër nuk hoqi dorë nga shtypi. As nga libri, as nga
bibliotekat, shkollat, akademitë, universitetet... Nga këto të fundit nuk hoqi
dorë as Kosova.
Edhe
armët nuk pushuan së gjëmuari, për ta "dëshmuar" atë vizionin
apokaliptik të fundit të botës. Ky vegim apoalipsash të ndryshme zgjat me mijëra vjet. Madje, ka një letërsi
të tërë apokaliptike që "parasheh" fundin e botës.
Edhe
në letërsinë tonë ka mjaft vepra të shkrimtarëve "të shquar" (edhe me
tituj akademikë) që shpërthejnë në vizione të tilla, për të mos thënë: vizione
të sëmura apokaliptike (në letërsinë e
tyre lexojmë vetëm për ngjarje me personazhe të çmendur, të marrë, të sëmurë,
vrasës e kriminelë, të korruptuar, ndërsa "hero pozitiv" shpallet ai
që e sheh botën vetëm zi, zi, zi)! Fundin e njerëzimit, Fundin e "botës
shqiptare"! Por asnjëra nuk ndodhi! Ja që jeta është më e pasur, më
shumëngjyrëshe, më e shëndetshme, se sa vegimet e apoklaptikëve.
Dhe
bota është këtu. Shpatat (dikur) ditën të ulen, topat arritën të mos ulërijnë,
plumbat të heshtin.
Dhe
bota arrin ta thellojë vizionin për mirëqenien, paqen, lirinë, harmoninë...
përkundër lakmive të pafund për para e pushtet. Po e ritheksoj (nga një shkrim
i përparshëm): Të gjithë njerëzit kanë nevojë të kenë para për ta siguruar ekzistencën.
Në këso rastesh, a ndodh që paraja ta pushtojë Njeriun në kërkesat egoiste
njerëzore? A thua, secili njeri që ka shumë para, a është i lumtur? Dhe a ua ka
siguruar lumturinë grumbullimi i sa më shumë parave?!