| E marte, 23.05.2023, 07:57 PM |
Perëndim apo ?!...
Novelë nga Vilhelme Vrana Haxhiraj
Perëndim i
praruar...Gjithçka mbi tokë, mbi det e në sferën qiellore, duket mistike. Të
tilla janë perëndimet e vendit tim.
Veç për një gjë
kam të drejtë. Pasi kam vënë re magjinë e tyre dhe them me bindje, se, si
perëndimet e vendlindjes sime nuk ka. Janë të veçanta dhe nuk ngjasin me njëri-
tjetrin. I tillë është edhe rrugëtimi i jetës njerëzore. Ditët, javët muajt dhe
vitet apo shekujt, nuk ngjasin me njëri tjetrin.
“Kështu ka ndodhur në historinë tonë kombëtare...dhe të të gjithë
njerëzimit. Po përse vallë historia
përsëritet edhe tani?
-Çudi! Pyet i habitur cilido dhe i drejtohet vetdijes:
-Ç’po ndodh me ne vallë?’
Çuditërisht të
njëjtën gjë bëj si unë, edhe ti. Pasi u gjej përgjigjen pyetjeve, duke parë në
ekran atë pasdite të zgjedhjeve, të asaj dite fatale për kombin, u futa në
mendime të thella...
‘Eh, dynja, dynja! Çfarë nuk na shohin sytë dhe nuk na dëgjojnë veshët.
Veçse vetëm Zoti e di dhe shikon një realitet të hidhur që jeton dhe bën
batërdinë. Mjerisht rrota e historisë u kthye pas. Dhe kur?
-Sot, në kohët moderne.
E pabesueshme për ata që na vrojtojnë nga larg, por thellë në ndërgjegje
ata shprehen:
‘Absurditet! Paradoksale!’
Po nëqoftë se?!
Oh, ç’them dhe unë?
-Më duket se ‘unë kërkoj thana në shëndre! Unë dua që e
pamundura të bëhet e mundur...Po a ka mundësi vallë? Vrojtuesit apo analistët e
mençur të shteteve të tjera kanë të drejtë që na kritikojnë, pasi jemi bërë
gazi i botës dhe lodër në duart e kundërshtarëve tanë shekullorë që kanë dashur
t’na çrrënjosin nga trojet tona autoktone.”
Me këto mendime të
trishta që më sëmbonin shpirtin, u ngrita nga kolltuku dhe hodha vështrimin
përtej xhamave të vetratës. Kur pashë shoqen time, të dashurën, bashkshorten që
ishte përqëndruar me gjithë qenien e saj, me trup e shpirt në ekranin e
kompjuterit, dola jashtë.
‘Po unë për t’i
bërë shoqëri erdha, apo për të shuar dufin që po më merr shpirtin? Gjithë
pyetjet që i bëra vetes do të ngelen pa përgjigjen e duhur, gjë që më mundon së
tepërmi. Kjo dilemë ndodh, sepse e vërteta nuk ekziston dhe është shndërruar në
një ekuacion me shumë të panjohura.’
Shkaqet e
problemeve social-politike dhe pasojat që ndeshen në tru, fillojnë të përplasen
e të ballafaqohen në ndërgjegjen time. Kjo marrramendje apo lajthitje e
vetdijes, më shkaktoi një ankth të jashtëzakonshëm. Prej dhembjes së shpirtit
më merrej fryma. Dola jashtë dhe mbajta këmbët. Në atë perëndim të veçantë e të
praruar ajo qëndronte atje stoike, e zhytur në botën e saj si një ikonë
lashtësie që kërkon të ringjallë historinë tonë të pashkruar apo të mohuar. Pse
mos të them, për atë histori që në ç’mënyra të pamëshirshme e kanë transfomuar
ditëzinjtë. Ajo gjendet në vendin e duhur në kohën e duhur. Këtë mendim e
shpreha me zë.
- E si mos të të
vijë muza dhe të nxitesh për të krijuar diçka të bukur artistike apo sublime,
kur gjendesh në një mjedis tejet joshës. Edhe gur apo dru të jesh, do ta
shprehësh mirësinë që ndikon bukuria e stinës dhe natyra e qeshur, merrë një
ngjyrë rrëzëllitëse, e cila flet vetë dhe s’ka nevojë për deklarata. Kurse
druri prej ngazëllimit do të lëshoj filiza, degëza dhe gjethe të reja në
ngjyrën e shpresës atë të gjelbër. Edhe guri do të vesh petkun me ngjyra të
gjalla jete. Aq më tepër një njeri që ka ndjenja, natyra ndikon në jetën e tij
duke e bërë atë më opimist.- ishte përgjigja e saj dhe sa tha e shkroi në
kompjuter.
-Gruaja ime quhet
“Aja” që, jo unë, po as ajo nuk e di pse e kanë quajtur kështu. Unë hamendësoj
se lindja e saj ndoshta do të ketë qenë zanafilla e një etape të re jetike në
familje ose mund të ketë ndodhur një ngjarje e rëndësishme. Kush e di, kush e
di!
“Aja” qëndronte
mes kopshtit magjik gjithfarë lulesh dhe ngjyrash që e kanë selitur me shumë
dashuri nusja me djalin dhe nipi ynë i shtrenjtë, Raini. Në atë mjedis bijen në
sy dy ullinj të lulëzuar dhe një ulli argëlidh ose ullastra, i mbjellë në një
vazo. Binjake me njërin nga ullinjtë është një kajsi, e cila ka hedhur shtat në
rrënjët e tij dhee ka nxjerrë kryet mbi Kurorën eullirit. Me shtatin e lartë
ajo ngjet me një vajzë të re, krenare që tashmë është bërë zonjushë. Rreth tyre gumëzhijnë bletët që thithin
nektarin nëpër miliona lule. Një portokall, një mandarinë kineze, një qitro dhe
një limon, me shtatlartësinë që arrin mbi dy metra, duket sikur zilepsin
ullinjtë. Mullagat shumëngjyrëshe, të bardha, të kuqe, rozë, çiklamin dhe me
nuanca sikur u buzëqeshin bimëve më të larta. Është harbuar trëndafili dhe i përzili, i bën karshillëk trëndafilit rozë. Kurse
karafilat vishnje e të bardhë me nuanca në mes, përkëdhelin lulet dhe bimët me
trup më të lartë që bashkë me trëndafilat kundërmojnë atë perëndim dielli.
Aromëmira Indrisha me lulet ngjyrë lejla, plotëson aromat e atij minikopshti të
këndshëm. Pak më tej, mes tri rrënjëve Bonzaj ngre kryet me krenari Lule Bora
me bohçet ngjyrë rozë dhe Orkidea plot me lule ngjyrë çiklamini që e zgjatin
lulëzimin e tyre thuajse mbi tre muaj, të cilat konkurojnë njëra- tjetrën. Më
të heshturat janë lule akulli, Aloe Vera dhe zambakët kryeneçe që ende nuk kanë
çelur. Rrija mbështetur në kangjellat prej xhami të tarracës e i kundroja
gjithë ëndje.
Pamja që m’u shfaq
parasysh ngjasonte me një tablo artistike, e shkëputur nga një film që e ka
emrin ‘jetë’. Aktorë të kësaj skene të
bukur deri në magjepsje për vendin ku është sajuar kopshti, çuditërisht
ishim ne të tre,‘natyra’ unë dhe ime shoqe, ‘Aja’. Në këtë rast ajo, ishte
personazhi që luante rolin kryesor të filmit, apo teatrit. Kurse unë si një
vëzhgues, po e zhbiroja atë dhe më dukej sikur do të hyja në mendimet e saj. I
ngërthyer dhe i ngashëryer pas pamjes mahnitëse që më bëri të pendohem për
shumë gjëra, vështroja i mahnitur dashurinë e jetës sime për vullnetin që e
karakterizon. Kemi një jetë bashkë. Atëherë çfarë po më bën kaq shumë
përshtypje?
Unë shikuesi, ashtu i mbështetur te
xhamat e vetratës, ndieja lotët që rrëshqsnin të lodhur nga pritja e gjatë për
një jetë më të mirë.
Ajo grua e vuajtur
më rilindi jetën duke më siguruar trashëgiminë e genit me dy fëmijë të
mrekulluehëm. Papritur iu afrova dhe po e ndiqja me kujdes teksa shtypte tastet
e kompjuterit.
-Edhe pse je e
sëmurë, ti nuk qëndron pasive, po punon me një pasion të paparë.
-Ky mjedis
ëndjesjellës jo vetëm mua,por këdo e fton që të shkrihet e të bëhet njësh me
natyrën.
-E dashur, të lutem
puno më pak. Mos harro se nuk duhet të lodhesh, duke punuar me kaq ngulm.
***
Vijon...