| E marte, 23.05.2023, 07:55 PM |
Faleminderit Senator Bob Menendez!
Nga
Enver Bytyçi
Paraqitja
në senatin amerikan të dy përfaqësuesve të DASH, zotit Collet dhe Escobar,
zbuloi alternativën më dobiprurëse e të drejtë për Kosovën, si dhe paqen e
stabilitetin në rajon. Ishte kreu i Komisionit të Jashtëm të Senatit, senatori
Bob Menendez, ai që kërkoi publikisht që “të mos i bëhet presion Kosovës”!
Eshtë kjo një kërkesë e vazhdueshme e njerëzve me logjikë e racionalë. Vetëm
kryeminitri I Shqipërisë është shfaqur në të kundërtën: - Vazhdimisht ka
kërkuar që të mos i bëhet presion Serbisë! Ndërkaq vetëm disa orë pas
përfundimit të këtij ballafaqimi në Senat, presidenti Biden e zevendësoi zotin
Escobar me një diplomat tjetër karriere.
Se
BE dhe disa diplomatë amerikanë, si Grenell, Palmer, Escobar e madje edhe
Christopher Hill i kanë bërë dhe i bëjnë Kosovës dhe qeverisë së saj një
presion të jashtëzakonshëm, kjo është një temë e trajtuar gjerësisht në mediet
tona. Por me këtë rast dua të them një të vërtetë tjetër: Ambasadorët amerikanë
në Kosovë kanë qenë më të matur dhe më të rezervuar në presionet e tyre ndaj
institucioneve të Kosovës. Kanë qenë gjithnjë më të durueshëm dhe kam
përshtypjen se kur ata u kanë kërkuar liderëve kosovarë të shtyjnë vendime a
diçka të tillë, këtë e kanë bërë shumë herë me qëllimin e mirë që jo vetëm të
mos destabilizohet situata, por edhe që Kosova të mos gjendet keq përballë
aleatëve.
Ndërkaq
senatori Menendez është më i qarti, më seriozi, më i drejti, më I arsyeshmi
ndër të gjithë ata që kemi dëgjuar deri më sot. Deklaratat e tij për
asosacionin dhe trysninë që i bëhet Kosovës si palë e dobët janë ndihma më e
çmuar që vjen në një kohë shumë delikate dhe kthese në historinë e Kosovës. Ai
thotë troç, se ka frikë që asosacioni mund të jetë në modelin e një Republika
Srpska. Dhe nuk heq dorë nga ky konstatim, edhe pse Escobar triblon, kur thotë
se kemi këtë ose atë qëllim. Kur krijohen asosacione me autonomi territoriale
për serbët në Kosovë, nuk kanë rëndësi qëllimet e reklamuara. Madje shpallja e
tyre mund të jetë një intrigë “garancie” pa garanci. Edhe pse me shkrim, po
shohim se çfarë garancie përbën letra e ish-të ngarkuarës për Siguri e Politikë
të Jashtme në Europë, Frederica Mogherini, drejtuar ish-kryeministrit, Isa
Mustafa.
Paralel
me debatin në Senatin Amerikan erdhi hapja të dielën e shkuar e stërvitjes
Defender 2023, në të cilën Kosova radhitet si shteti i katërt për numrin e
pjesmarrësve në këtë stërvitje. Defender 2023 përfshin shumë vende anëtare të
NATO-s dhe udhëhiqet nga SHBA. Forcat e Armatosura të Kosovës përfaqësohen me
1400 pjesmarrës, gjë që shihet si vlerësim për kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Në këtë stërvitje qartësisht jepen dy mesazhe: Së pari se NATO është e vendosur
ta mbrojë Kosovën përballë kërcënimeve serbo-ruse. Dhe së dyti, se vetë Kosova
është tashmë një vend i pavarur dhe i lirë të vetëmbrohet. Edhe kjo stërvitje e
asocuar me Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve, dëshmon se Amerika nuk është
vetëm Grenell, Palmer, Escobar e Hill!
Serbët
u ankuan me këtë rast. Thanë se as KFOR-i nuk i kishte njoftuar se në
territorin e tyre, të cilin ata e quajnë “Serbia Jugore“, do të zhvillohet një
stërvitje e tillë. Madje thanë se në ankesën që bëjnë po thirren në Rezolutën
1244. Kjo do të thotë se nuk kanë kuptuar as sot pas 13 vitesh që Gjykata
Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë më 22 korrik 2010, kur njohu shtetësinë e
Kosovës, tha se „Pavarësia e Kosovës nuk bie në kundërshtim me Rezolutën 1244“!
Fakti që NATO nuk është konsultuar e madje as nuk ka njoftuar Beogradin për
këtë stërvitje flet shumë. Përmes kësaj Perendimi ka dhënë mesazhin e qartë: Nuk
do të diskutohet me Serbinë për integrimin e Kosovës në NATO.
Të
gjitha rrethanat e sotme shkojnë në favor të pozicionit të Kosovës në dialogun
me Serbinë. Këtë mesazh dhe sinjal duhet ta lexojë kryetari i shtetit, zonja
Osmani, kryeministri Kurti, kryeparlamentari Konjufca, si dhe opozita e
Kosovës. Sidomos kur është fjala për krijimin e Asosacionit të Komunave me
Shumicë Serbe. Menedez na ka dhënë një armë të pakundërshtueshme për këtë.
Flisni me zërin e tij, sepse zërin e Kosovës nuk duan ta dëgjojnë në Bruksel.
Merreni edhe stërvitjen Defender 2023 si inkurajim për këtë. Po ashtu
shfrytëzoni arritjet e Kosovës për të imponuar zgjidhjen e drejtë. Ky është
avantazh i madh! Avantazh i krijuar nga vetë lidershipi i Kosovës dhe nga miqtë
e saj të vërtetë. Mbrojeni pra Kosovën përmes gjithë këtyre avantazheve. Askush
nuk mund t’ju akuzojë për “anti-amerikanë”! As disa opozitarë, shërbëtorë të
Beogradit!
Eshtë
koha që Kosova të imponohet, por jo duke ikur! Duke qenë alternativë në
zgjidhjet që kërkohen nga Perendimi e njëkohësisht duke ruajtur dhe mbrojtur
shtetësinë, pavarësinë, tëritorin dhe sovranitetin!
Dhe
në çdo hap që bëhet duhet t’i përulemi Senatorit Bob Menendez, t’i falemi atij
që na u gjend pranë në këto ditë të vështira! Faleminderit Senator Bob Menendez!