| E hene, 22.05.2023, 07:51 PM |
Ndue Ukaj:
Si
komb kemi vuajtë gjatë për shkak të aksidenteve
fatale historike, prandaj kemi nevojë që orët e historisë dhe të
kulturës t’i përsërisim shumë shpesh, të kujtojmë kah kemi ardhë, si kemi ardhë
dhe ku jemi tani?
Mjerisht,
shpesh jemi treguar tmerrësisht të shkujdesur në raport me të kaluarën tonë,
ndaj rrëzohemi në të njëjtat gropa të zeza, sepse sillemi egërsisht me të
kaluarën, nuk e shpjegojmë si duhet, e duam një histori që iu përshtatet
epsheve të sotme e kjo “histori” për
fatin e keq të disa trutharëve nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën e kombit
tonë.
Ernest
Koliqi, njëri prej krijuesve dhe intelektualëve më të spikatur të kulturës
shqiptare, gjurmët e së cilit janë të pashlyeshme, te shkrimi me interes letrar
e kulturor “Tre poetët më të mëdhenj shqiptarë" thotë se “De Rada
(1814-1903), Naim Frashri (1846-1900) dhe Gjergj Fishta (1871-1940) mund të
konsiderohen me plot arsye ndërtuesit e Shqipërisë së sotme.”
Koliqi
analizon rrethanat historike dhe mjedisin politik të jetës shqiptare përgjatë
një periudhe gati njëshekullore, prej kur u botua “Milosao” i De Radës deri në
vitin 1937 kur u botua “Lahuta e Malcis” integrale e Fishtës.
Në
këtë shkrim, Koliqi analizon rolin e epërm, gati profetik që patën poetët
shqiptarë në betejën e vështirë për vetëdijesim kombëtar, në një kohë kur
gjendja e kombit ishte e mjerueshme, prapambeturia kulturore e thellë dhe
përçamja e skajshme.
Në
një gjendje të tillë, poetët shqiptarë, thotë Koliqi ngjajnë në Orfeun “që i
lëvizte gurët me tingullin e lirës dhe u jepte shpirt në mënyrë që ata vetë të
vendoseshin njëri mbi tjetrin dhe të ndërtonin qytetin e rrethuar me mure të
mrekullueshme, ashtu edhe tre poetët tanë i bindën me forcën e pastër të
poezisë edhe fiset më të konfrontuara shqiptare.”
Pra,
këta poetë vepronin në një tokë të ku sundonte errësira e padija e ku përçamjet
ishin të hatashme.
Koliqi
thotë:
“Pesë
shekull të një dominimi të errët dhe përçarës kishin mbjellun në shpirtin e kombit shqiptar farën tradhtisë
që e brente dhe e shkatërronte ndjenjën mbi origjinën e përbashkët,
përkatësisht vëllazërimin.”
Kjo
farë e tradhtisë për të cilën flet Koliqi me gjasë ekziston ende mes nesh, pa u
shkul kjo rrugët e kombit tonë do të jenë të zorshme.
Pra,
në këtë betejë, dikur ishin poetët tanë thotë Koliqi “ata që megjithatë iu
përvishen një pune që me virtyte magjike të këngës ia dolën ta zgjonin
instinktin nacional, të mbetur gjallë edhe përskaj religjioneve dhe strukturave
të ndryshme shoqërore të imponume nga pushtuesit aziatik dhe ta shndërronin atë
në vetëdije kombëtare.”
Ne
kemi nevojë të kthjellmi raportin tonë me të shkuarën, të mësojmë prej saj dhe
pastaj të kthjellojmë shikimin e të shohim ku jemi.
Më
tej, Koliqi nënvizon një fakt për të cilin kemi nevojë të flasim shpesh,
rrethanat në të cilat u ndodh kombi shqiptar pas vdekjes së Skënderbeut.
“Turmat
shqiptare erdhën në Itali ku u pritën me zemërgjerësi”, thotë Koliqi dhe pastaj
tregon se këta shqiptarë kishin me vete kujtimet e lavdishme dhe zakonet e tyre
të cilave u mbetën besnikë deri në fund dhe ideja për një Shqipëri -Zonjë- thotë “ka fjetur plot katër shekuj dhe ca
vjet në gjakun e këtij populli që ruante me një xhelozi të admirueshme kujtimin
mbi Shqipërinë e lirisë të Skënderbeut.”