| E premte, 12.05.2023, 07:59 PM |
Edward Lear në territoret e Shqipërisë së sotme
Nga
Dorian Koçi
Njohja
dhe rizbulimi i Ballkanit në shekullin XIX dhe fillimet e shekullit XX në Evropë është një proces i cili nuk u
zhvillua vetëm si një rizbulim gjeografik por dhe si një zbulim kulturor. Ky
konstatim është akoma dhe mëse i vërtetë sidomos kur flasim për territoret
shqiptare në Ballkan pasi në kuadër të
Grand Tour-it destinacioni i zakonshëm ishte Greqia që krijonte një tërheqje të
veçantë me kulturën e lashtë antike dhe pak a shumë këto territore ishin rrahur
dhe më parë nga udhëtarë evropianë qoftë si diplomatë apo dhe si turistë
kulturorë. Për publikun e atëhershëm britanik, ashtu siç shkruante studiuesi
Edward Gibon në veprën e vet “Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Romake”(1807),
“Shqipëria ishte po aq e panjohur sa dhe brendësitë e Amerikës” . Mirëpo
zbulimi kulturor nuk shërbeu vetëm si kënaqësi estetike e zbulimit të një
kulture të re etnografike por në një farë mënyre me shkrimet ku u pasqyrua ky
kontakt me këtë kulturë u bë përgjegjës dhe për njohjen dhe perceptimin e
Ballkanit dhe popullsive të tij në Evropë. Një sërë ndryshimesh fondamentale në
vetvete në Evropë, si Revolucioni Francez, fenomeni i udhëtimit, Romanticizmi,
Ekzotizmi, Orientalizmi e Filohelenizmi e shoqëruan këtë njohje duke lënë pak a
shumë gjurmët e tyre në këtë rinjohje dhe ritakim të Ballkanit me Evropën pas
ndarjes së pariparueshme në dy kampe armiqësore që kish pësuar bota e Mesdheut
pas daljes dhe protoganizmit të Islamit në këtë rajon. Ndërmjet burimeve më
interesante dhe relativisht të pakta për studimin e historisë sociale të
popujve të Gadishullit Ballkanik janë një varg veprash të udhëtarëve britanikë
të cilët udhëtuan në rajon në kërkim të kënaqësisë apo kuriozitetit dhe
dëshirës për të mësuar më shumë për rajonin
ose për t’i shërbyer vendit të tyre si diplomatë.
Territoret
shqiptare si pjesë e Ballkanit zgjojnë interesin e udhëtarëve të huaj kryesisht
në fillim si territore fqinje me ato greke vende ku kishte lindur kultura e
lashtë që i kish magjepsur. I pari që e ndërmerr këtë rrugë i nisur thjesht për
arsye diplomatike është oficeri anglez i zbulimit William Martin Leake më 1805
dhe pas tij është udhëtimi i njohur i Lord Byron dhe Hobhouse në 1809. Sidomos ky udhëtim i dy aristokratëve të rinj
anglezë hapi siparin e një sërë udhëtimesh të tjera nga mjekë, pastorë
protestantë, ushtarakë etj., shtresa të popullsisë, të cilët shkruan një sërë
veprash dhe shënimesh udhëtimi që bënë të mundur krijimin e një situate
orientaliste dhe ekzotizmi në imagjinatën angleze. Mirëpo udhëtimeve të Leake
në Shqipëri dhe Greqi dhe të Lord Byron dhe Hobhouse, përpos përshkrimeve shumë
të sakta gjeografike, historike dhe kulturore apo dhe përshkrimeve poetike do
t’u mungonte paraqitja grafike dhe panoramike origjinale e viseve që ata
vizituan. Vetë Leake mesa duket nuk ka patur talent për të pikturuar pasi kur
ai skicon një hartë topografike të brigjeve shqiptare dhe ia dërgon Shtabit
Britanik të Luftës, kërkon ndjesë “për ndonjë gabim apo pasaktësi, pasi siç e
dini unë nuk jam një skicograf i mirëfilltë por rrethanat më kanë detyruar ta
bëj punën e tij” . Gjithsesi kur u botuan veprat e tij dhe shënimet udhëtimit
të Hobhouse dhe vepra poetike e Bajronit, ato u shoqëruan me skica dhe panorama
që i korrespondonin më shumë imagjinatës sesa realitetit.
Edward Lear-i në
territoret e Shqipërisë së sotme
Mes
piktorëve të tjerë që ilustruan veprat voluminoze të Leake ishte dhe Edward
Lear (1812-1888), peisazhist, piktor dhe poet i periudhës Viktoriane në Britani
. Pavarësisht sepse është i përmendur më shumë sot për “vargjet e tij
origjinale e pa kuptim për fëmijët në letërsinë angleze” , Lear në fushën e
studimeve ballkanike përmendet për ditarin e vet “Journal of a Landscape
Painter in Albania” i botuar për herë parë më 1851. Ditari është pasqyrim i
mbresave dhe shënimeve të udhëtimit që Lear ndërmori në Shqipëri më 24 shtator
– 4 nëntor 1848. Janë të shumtë udhëtarët dhe piktorët të nxitur dhe të joshur
nga ekzotizmi i veprave të Byron dhe veprës së Hobhauzit, “A journey through Albania and other European provinces
of Turkish Empire”, që vizituan dhe
skicuan Epirin dhe Greqinë por asnjëri prej tyre nuk vizitoi veriun e
Shqipërisë dhe ish-kryeqendrën e rezistencës shqiptare në shekullin XV, Krujën.
E veçanta e Lear-it nuk është vetëm
fakti se ai hyri nga lindja e Ballkanit (porti i Selanikut) por se udhëtoi
gjatë e thellë në drejtimin jug-veri. Vetë Lear ndihet krenar për udhëtimin e
ndërmarrë pasi thekson në ditarin e vet se është i “vetmi anglez që jep të
dhëna për disa vende si pjesa e maleve Akrokerane, Kruja e rrethinat e Ohrit” .
Një
nga karakteristikat e udhëtarit britanik në gjysmën e shekullit XIX ishte se ai
zakonisht e zgjidhte kauzën të cilën
dëshironte të përkrahte përpara se të fillonte udhëtimin . Lear bënte pjesë në
këtë kategori udhëtarësh, pasi duke qenë para së gjithash një peisazhist dhe
ilustrues me një ambicie të madhe, ai vazhdimisht ishte në kërkim të
piktoreskes dhe sublimes të inspiruar nga panoramat e Mesdheut . Për 10 vjet
Lear kish jetuar në Itali duke krijuar pamje të mrekullueshme nga provincat
gjithë diell të Italisë, ndërsa një njohje e rastësishme me presidentin e
universitetit të Korfuzit Mr. Bouen e bën atë fillimisht të vizitojë ishullin
dhe pastaj Athinën e Kostandinopojën. Pasi kthehet në Greqi planifikon të
vizitojë Malin e Shenjtë por në Selanik e njoftojnë se rrugët për të shkuar aty
janë mbyllur për shkak të kolerës kështu që vendos të udhëtojë në të vetmin
drejtim rruge të hapur, nëpër Maqedoni dhe Shqipëri. Është pikërisht ky moment
kur ai i shkruan së motrës së vet Anës “se më tepër jam i prirur ndaj një
udhëtimi në Shqipëri e cila është përsosmërisht e qetë” . “E qetë” është një
mbiemër që tërheq vëmendjen në këtë frazë. Gjatë gjithë udhëtimit të tij nëpër
Shqipëri Lear do të përpiqet vazhdimisht që të gjejë sa më shumë kohë e qetësi
për të përmbushur kauzën e vet dhe do të jetë indiferent ndaj zhvillimeve në
rajon. Ai përmend, aty-këtu se në vend ka pasur një kryengritje nën prijësin
Zuliki (Gjon Leka), çka i ka detyruar otomanët të ndërmarrin masa duke mos e
lejuar më popullsinë e jugut të Shqipërisë të mbajnë armë, por është komplet
indiferent të përshkruajë apo të japë detaje se cilat janë shkaqet e kësaj
kryengritje. Si një profesionist skrupuloz që është, qëllimi i tij është thënë
me fjalët e veta në një letër që i dërgon mikut të tij Fortiskju në 1848 që të
“aftësohem për të përkryer pamjet e ndjenjat e panoramave që e di se janë
brenda meje” .
Lear
ia del mbanë vërtetë që të krijojë panorama të mrekullueshme madje njëra nga to
“The mount Tomor” frymëzon dhe poetin e madh anglez Alfred Tennison që të
shkruajë një poezi kushtuar Lear .
“The
mount Tomor”
ILLYRIAN
woodlands, echoing falls
Of
water, sheets of summer glass,
The
long divine Peneïan pass,
The
vast Akrokeraunian walls,
Tomohrit,
Athos, all things fair,
With
such a pencil, such a pen,
You
shadow forth to distant men,
I
read and felt that I was there:
And
trust me while I turn’d the page,
And
track’d you still on classic ground,
I
grew in gladness till I found
My
spirits in the golden age.
For
me the torrent ever pour’d
And
glisten’d—here and there alone
The
broad-limb’d Gods at random thrown
By
fountain-urns;—and Naiads oar’d
A
glimmering shoulder under gloom
Of
cavern pillars; on the swell
The
silver lily heaved and fell;
And
many a slope was rich in bloom
From
him that on the mountain lea
By
dancing rivulets fed his flocks
To
him who sat upon the rocks,
And
fluted to the morning sea.
Reference
1)
Poema drejtuar Eduart Lir-it nga Alfred Lord Tennyson, është marrë nga faqja
“PoemHunter.com.
Mali
i Tomorrit
Kumbojnë
pyjet iliriane
Një
xham ujëvare dritat shkund
Si
vend hyjnor kjo grykë Peniane
Dhe
Vetëtima- mur pa fund
Tomor
e Athos, fron magjik
Vjen
hije e argët gjer tek ne
Një
laps e një penel i bije
E
ndjej si t’isha vetë atje
Kur
shoh peisazhet, jam pranë teje
Atje
ku dheu klasik nganjëdhen;
Gëzimi
rritet brenda meje
Dhe
kohra të shpirtit gjen
Rrëkeja
rrjedh e ndrit mes pllajës
Atje-këtu
për mua flet;
Gjymtyrë
hyjnish, zëri i Najadës
Një
enë burimesh hedhur shpejt
Kolona
shpellash gjysmëhijet
Mbi
supe derdhen si mister;
Ndër
ujra vjollca ulet, ngrihet,
Një
shpat me lule jep e merr
Atje
livadhi rrit kopetë,
Vallëzon
përroi kristalor,
Ti,
ulur mbi një shkëmb të sertë,
Me
fyell zgjon detin mëngjezor.
Përktheu
në shqip: Xhevair Spahiu
Por
qoftë pikturat apo dhe ditari i
mëvonshëm shërbejnë për të përcjellë një perceptim artistik dhe panomarik të
Shqipërisë në publikun britanik. Shqipëria e asaj kohe madje në këto piktura
dhe stili tërheqës i ditarit përcjellin një
“peizazh idilik e vendas piktoresk (....) me të gjitha komfortet e
aristokratëve” . Për më tepër duke qenë një personalitet i formuar me poezinë e
romantikëve dhe veçanërisht atë të Lord Byron, tek ditari i Lear gjenden gjurmë
të sublimes që është e “bukur, e egër dhe frikëndjellëse” . Sa e vështirë është
të shkulesh - shkruan kur është në rrugën mes Elbasanit dhe Tiranës - nga ky
peisazh i mrekullueshëm malor, nga këto cepe e vende të zgjedhura të një bote
plot hire, nga pamje prej të cilave shpirti i piktorit nuk do të lodhej kurrë.
Edhe sot e kësaj dite, ato pyjet valëzuese që dallgëzojnë derisa të ha syri;
atë luginë përjetësisht të ndarë nga lumi gjarpërues; atë fushë të qetë me
Tomorin në mes, si një ishull qiellor mes një deti pa kufi - të gjitha i kam të
gjalla dhe ma ngatërrojnë të tashmen me vegime të së shkuarës . Pejsazhet e
bukura e shoqërojnë edhe në Tiranë. Ai do të shkruajë në ditar: Lagjet në të
dalë të Tiranës janë të mrekullueshme. Sapo del jashtë qytetit shijon skenat e
mrekullueshme të qetësisë, mes rrapeve madhështorë dhe përrenjeve me ujë të
kulluar sa më s’ka. Gjithë mbasditen e kalova duke vizatuar në rrugën e
Elbasanit, nga ku pamja e qytetit është shumë e bukur .
Tablo të vendeve të
ndryshme në Shqipërinë e sotme
Mirëpo
kjo formë e sublimes nuk shërben vetëm për pasqyruar peizazhet piktoreske të
Shqipërisë por duke qenë një udhëtar që ra në kontakt me popullsinë shqiptare
pasqyron në veprën e tij dhe në skicimet dhe tablotë një pjesë të rëndësishme
të trashëgimisë sonë kulturore. Kontaktin më të shumtë ai e pati me “shtresën e
lartë”: doktorë të huaj, staf konsullatash, priftërinj dhe më së shumti
qeveritarë otomanë dhe pronarë tokash. Edhe pse ai ankohet se këta bejlerë dhe
pashallarë (...) të humbin shumë kohë me ceremonira (faqe 60), ata i ofrojnë Lear-it
jo vetëm rastin për të biseduar, ushqim dhe strehim të përshtatshëm - lukse jo
shumë të vlerësuar në vende të egra si këto (faqe 69) - por gjithashtu dhe një
mbrojtje të sigurtë duke e pajisur atë me letra rekomandimi dhe shoqërimin e
një kafazi të armatosur . Pritja që i bëhet atij në Krujë nga qeveritari Ali
Beu është e denjë si një pritje aristokratike në çdo vend tjetër, madje në të
ka dhe gjurmë qytetërimi pasi “i interesuar të mësonte ca më shumë nga Evropa,
djaloshi zyrtar i Krujës e pyeti për anijet pa vela e karrocat pa kuaj” . Por
në të njëjtën kohë gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri ai pati mundësinë që të
njihej dhe të skiconte kostumet popullore shqiptare që vishnin fshatarët. Në
rrugën mes Elbasanit e Tiranës ai pati mundësinë të skiconte kur pohon se vargu
i gjatë i fshatarëve, që ktheheshin në shtëpi nga pazari, më dha mundësinë të
skicoj shumë prej kostumeve të tyre teksa kalonin. Pjesa më e madhe e grave
kishin veshur jelekë ngjyrë burnoti, qëndisur anash me rozë ose të kuqe, funde
të bardha, e përparëse të qëndisura, ngjyrë çokollatë ose të kuqe, ndërsa ca të
tjera kishin veshur kapota .
Pas
Krujës Edwar Lear vizitoi Shkodrën, kryeqendrën e veriut. Gjatë rrugës për në
Shkodër ai kalon në Lezhë ku nuk haron të përmendë heroin kombëtar të
shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Në majë të kodrës është një xhami,
dhe legjenda thotë se këtu, nën rrënojat e një kishe të krishterë, prehen
eshtrat e Skënderbeut . Pas vizitave të kortezisë te Pashai i Shkodrës dhe
drekës së shtruar për nder të tij, ai nxitoi që të nesërmen të pikturonte
pejsazhet e mrekullueshme të Shkodrës. Përveç pejsazheve Lear skicoi dhe
portretet e të njohurve të rrethit miqësor të Spiridon Bonattit që ai takoi në
Shkodër.
Ditën
e katërt të qëndrimit në Shkodër Lear-i e kish planifikuar për të pikturuar për
miqtë. Që herët shkoi në shtëpinë e Konsullit përt të vizatuar një kapedan
gegë, Abdullah Beun, i veshur aq mrekullisht në ato kostume në të kuq e me ar .
I mrekulluar nga kostumet popullore shqiptare, Lear pikturoi Kaliopi Bonnatin,
vajzën e dytë të zvkonsullit britanik në Shkodër, z Spiridon Bonatti, të veshur
me kostum tradicional shkodran. Kostumi popullor shkodran që veshi Kaliopi
Bonnati për të pozuar për Lear, ishte një kostum që përdorej nga aristokracia e
Shkodrës e të dy besimeve fetare.
Pas
Shkodrës Edward Lear-i udhëtoi drejt Shqipërisë Qendrore dhe Jugore. Stacioni i
parë i rrugëtimit të tij ishte qyteti i Durrësit. Lear u frymëzua sërish nga
panorama e qytetit me histori të pasur antike. Ai shkruan në ditarin e tij se u
nisa menjëherë për të kapur një pamje të mirë të Durrësit. Nga pamja kështjella
duket ndërtesë e stilit norman, ndonëse me plot arna e meremetime. Fortifikimet
e saj shtrihen tëposhtë faqes së kodrës, deri buzë ujit, ku bashkohen me muret
e qytetit. Në disa pjesë të tyre vura re disa mburoja të parzmuara, me ca
basoreliefe në formë bufash të gdhendur. Kombinimet e peisazheve përqark janë
shumë elegante e të mrekullueshme nga çdo peisazh shqiptar që kam parë . Në
datën 12 tetor ai ndodhet në Kavajë ku bujt në shtëpinë e priftit ortodoks të
Kavajës, Andrea Ikonomi. Prej Kavajës ai na ka lënë një skicim të varreve
monumentale të Kavajës që shtrihen në qendër të saj. Lear shkruan për bukurinë
rurale të rrethinave të Kavajës që përbëhet nga ullinj të mëdhenj që shtrijnë
degët mbi shtigje e brigje të thyera, rrugica, ca xhami e një kullë e
lartë sahati, figura gegësh të veshur me
ngjyra të forta-të zeza, të kuqe, të bardha; varreza me varre xixëlluese; pastaj
pemë kopshti që ngriheshin mbi çatitë e kuqërrema dhe oxhaqet e bardhë të
lartë; valëzime ullishtash në ngjyrë të gjelbër në të kaltërt; më tej livadhe
të rrafshët e të pafund deri në det, me tufa të pafund bagëtish; ndërsa linjate
kodrave të ulëta e të zbehta në jug-perëndim, si dhe Adriatiku i kaltër me
Durrësin në kepin e vet shkrihen ëmbël në horizont.
Më
andej ai vazhdon drejt Lushnjës, Çermës e për të mbërritur në Berat në 14
tetor. Duke hyrë në Berat ai shkruan: Nga mbrëmja, vijat e purpurta të Tomorit
dukeshin mrekullisht fine. Çdo rrudhë e hulli në faqet e tij madhështore
përvijohej në mënyrë të përkryer;
Ditën
e mbylla në një varrezë në lindje të qytetit nga ku kalaja dhe lumi dukeshin
jashtëzakonisht madhështore. Në grykën e Beratit mbizotëronte një atmosferë
vetmitare dhe e sertë, që e bënte skenën edhe më interesante. Në Berat ai gjen një atmosferë miqësore i
pritur nga guvernatori i qytetit Hysen Pasha që nuk është tjetër veçse Hysen
Pashë Vrioni përfaqësues i familjes së njohur feudale shqiptare. Edward Lear
realizon shumë piktura në Berat, kryeqendrën e Shqipërisë së Poshtme. Ai
shkruan në ditarin e vet se kisha vendosur që këtë ditë ta kaloja në brigjet e
Apsusit duke bërë skica të Tomorit, kështu që më doli gjumi dhe u ngrita nga
shtrati që në orën tre. Teksa zbardhte dita, mali filloi të farfuriste si
kristal i kulluar..... Një shirok i përhimët i kishte mbuluar të gjitha
bukuritë e ngjyrave me një perde resh. Megjithatë, forma e Tomorit është
gjithmonë pikturë në vetvete, me Beratinon e gjerë në shtratin e gurtë, me
brigjet dhe shkrepat e thepisu-r dhe kalanë e largët të Beratit majë kodrës
shkëmbore. ... . Edward Lear si njohës i mirë i antikitetit shfrytëzoi rastin
për të vizituar Apoloninë e lashtë dhe rrënojat e saj. Ai shkruan në ditar se
përshkon gjithë fushën e butë të Myzeqesë. Tani po shkojmë drejt një grumbulli
kodrash të ulëta ku dikur ka qenë Apolonia e lashtë, duke kaluar përsëri nëpër
toka të pasura e të lëmuara të mbuluara me lëndina. Rreth orës dymbëdhjetë
arritëm përsëri në një pyll të vogël rrapesh, me vargje të gjata bimësh të
hijshme kacavjerrëse që u vareshin nga degët dhe i bënin hije kuvendit dhe
kishës së ndërtuar nga kryedinaku, Ali Pasha . Kuvendi manastir që përmend
është Manastiri i Shën Kozmait prej ku merr një udhërrëfyes. Ai magjepset
sërish nga natyra shqiptare dhe shkruan: Mora një fshatar një kuvendi si
udhërrëfyes dhe u nisa me të aguar tek kolona e vetmuar dorike, e vetmja shenjë
e Apolonisë që ngrihet mbi tokë. Ajo lartohej mbi një kodër të vogël e të
zymtë, të mbuluar me barishte të gjata dhe ferra. Kujtim më melankolik e i
mjerë i kohëve të lashta nuk kishte si bëhej kolona ishte prej guri ranor të
ashpër dhe në të dukeshin qartë të gjitha shenjat dhe përmasat e qelave dhe te
tempullit. Kolonat e tjera i kishte bartur prej atje një farë pashai për të
zbukuruar Beratin. Sa të madhërishme dukeshin objektet në largësi rreth e
përqark kësaj relikeje të vetmuar të madhështisë: në lindje dhe në veri, Tomori
madhështor, kuvendi i Apolonisë dhe kodrat e Durrësit, si dhe fushat e gjelbra
dhe të lëmuara në jug që shtriheshin deri në rrëzë të vargmalit të maleve të
Vetëtimës .
Pas
Beratit, Lear vendos të vizitojë Vlorën dhe Himarën për t’u njohur dhe
pikturuar pejsazhet e maleve të Vetëtimës, malësisë së Himarës dhe detit. Ai
bujt tek dy tregtarë të njohur në Vlorë që i japin për udhërrëfyes Anastas
Kasnecin, nga familja e njohur e Kasnecajve të Vunoit. Lear na ka lënë një
përshkrim të bukur të peisazhit në të hyrë të Vlorës. Majat e argjendta të
minareve nxirrnin kokat përmes gjelbërimit të Vlorës, që rrethohet nga një
amfiteatëer shumë i bukur malesh të veshura me ullinj, ndërsa qyteti i Kaninës,
që ngrihet hijerëndë në lartësitë tutje në horizont, i jep penelatat e fundit
kësaj tabloje nga më të bukurat. Vetë qyteti është plot me elementë artistikë (aty
arrita nga ora katër). Atje ka xhami, dyqane, fole lejlekësh, dhe një shkreti
piktoreske; . Më andej pasi ka hyrë dhe është sistemuar në Vlorë ai e
përshkruan gjërësisht qytetin si ka përshkruar më herët dhe qytetet e tjera
shqiptare. Vlora shtrihet në një pjesë
të futur, apo në një gji mes malesh që këtu krijojnë një hapësëirë të rrafshët
një dy a më shumë milje nga rrëza e tyre e deri në det. Pjesa më e madhe e
qytetit shtrihet rrëzë një harku shkëmbor, por edhe faqet janë të spërkatura me
shtëpi, ndërsa në dy brinjët e këtij amfiteatri natyror bien në sy shumë varre
dervishësh me arkitekturë të bukur, rrethuar nga korije qiparisash. Që këtu
syri sheh Vlorën, mes kopshteve me rrape dhe ullinj, ndërtesat e saj kryesore,
pallatin e mrekullueshëm të beut të ndjerë dhe disa xhami të mira, që duken si
të punuara në basoreliev, me rrafshinën e gjerë të kripës dhe detin përtej si
sfond. Gjiri, nga njëra anë i mbyllur nga një mal i gjatë i quajtur La Lingueta
(Karaburuni), dhe në anën tjetër nga ishulli i Sazanit, ka tamam pamjen e një
liqeni, kështu që efekti i të gjithë tablosë është më se i plotë dhe i
mahnitshëm . Ai viziton gjithashtu dhe rrethinat e bukura të Vlorës ku Kanina i
lë një përshtypje të veçantë. Pasi kaluam një fortesë të rrënuar buzë detit dhe
tokat e mbjella me ullinj në periferi të jugut të Vlorës, filluam një ngjitje
të fortë përpjetë, nëpër një rrugë që kalonte buzë honesh të llahtarshme që
binin thikë, rrugës për në Kaninë. ... Pak nga pak iu afruam kalasë, e ngritur
në një nga pozicionet më komanduese që kam parë në Shqipëri. Nga njëra anë,
shihet deti i gjerë i Vlorës, gjiri i saj dhe ishulli i Sazanit; nga ana
tjetër, Tomori dhe Kudhësi, me përrenj e pyje e lugje pa fund . Në mes të
vjeshtës shqiptare Lear vendos të vizitojë Himarën. Rruga kalon mes fshatit
Tragjas ku Lear ka bërë disa skicime dhe përshkruan panoramën sublime që
shikon. Në skajin e ngushtë të gjirit hapej një pamje e mrekullueshme, me detin
si liqen i palëvizshëm dhe i errët nën murin e lartë të maleve të territorit të
Himarës. Tragjasi, që mund të quhet edhe porta për në Malet e Vetëtimës, ngrihet mbi një lartësi mu
përpara nesh, kurse mbi gjithë peisazhin mbizotëron maja madhështore e Çikës, e
mbuluar nga dëbora. (maja më lartë e Çikës duket qartë nga Korfuzi, kurse në jug
të saj shtrihen fshatrat e vërteta himarjote.) Nuk më kujtohet të kem parë
shpesh pamje më sublime e më të veçuar nga bota se kjo . Më andej ai vazhdon
drejt Dukatit. Edhe këtu ai bën disa skicime dhe mahnitet sërish nga bukuria e
egër e natyrës. Në pjesën më të lartë të grykës hapet një pamje e rrallë.
Spektatorit i duket sikur është majë një muri të lartë dhe nga buza e kësaj
lartësie marramendëse sheh mbi një basen tmerrësisht të thellë, mu në fund të
malit. Nga ana lindore dhe jugore ngrihet me gjithë madhështinë e vet Çika
gjigante e mbuluar nga dëbora, kurse rrëzë saj në një si gropë të gjebër e të
errët me pyje e kopshte, shtrihet qyteti ose fshati i Dukatit .
Pas
Dukatit Lear arrin më së fundi në krahinën e Himarës. Ai shkruan se ashtu si
Dhërmiu edhe Vunoi shtrihet përballë detit rrëzë maleve, në një lloj zgavre në
formë patkoi majë një shpati. Shtëpitë ngrihen mbi një varg tarracash
shkëmbore, me sfond kodrat e mrekullueshme në formë harku ose gjysmërrethi,
ndërsa, në drejtim të detit, terreni shkon teposhtë deri një rrip toke i
sheshtë, që ndoshta këtu poshtë Vunoit është më i gjerë se sa në pjesët e tjera
të Himarës nga kam kaluar .
Për
më se një orë pasi ikëm nga Vunoi ndoqëm një shteg që kalonte mes humnerave me
shkëmbinj ranorë. Pastaj arritëm një qafë të egër mes malesh, që këtu dilte
afër detit. Lart, mes qiellit e reve, ishte një nga fshatrat himarjote, Piluri,
ndërsa nga të gjitha anët nga rrethonin gremina të paarritshme. ...
E
gjithë qafa kishte një natyrë të egër dhe shtigjet që kalonin nëpër të ishin
edhe më të këqij akoma nga çkisha parë deri më tani në Himarë. Ata ishin
thjesht si parvaze apo zgripe toke të thërrmueshme, që kalonin diku në gjysmën
e lartësisë së shkëmbinjve thikë, ose mes pirgjesh me gurë të rrëzuar. Shtrati
i gjerë i përroit, ose humnera ku përfundonte qafa e malit, u zgjerua
gradualisht mes kodrash të ulëta dhe pas pak hapi para nesh një pamje të
mrekullueshme të vetë Himarës mbi një shkëmb të lartë e të vetmuar, me përroin
që rridhte poshtë deri në det dhe Korfuzin si sfond të pikturës . Ai bujt në
shtëpinë e Kasnecajve dhe përveçse peisazheve ai na ka lënë dhe disa pasazhe në
ditarin e tij, shumë interesante për Himarën.Të gjitha shtëpitë e Himarës janë
prej guri të errët dhe duken sikur dikur kanë parë ditë më të mira. Gjithandej
shihje pirgje rrënojash dhe shumë plehra. Muret që datojnë nga epoka të
ndryshme tregojnë se ky Akropolis i mahnitshmë dikur ka qenë një vend goxha i
konsiderueshëm . Lear pasi lë Himarën drejtohet drejt Tepelenës vendlindjes së
Ali Pashë Tepelënës. Ai ndjek rrugën e luginës së Vjosës që ishte një nga
rrugët më të rëndësishme të Shqipërisë së Jugut. Ajo lidhte skelën e Vlorës me
një varg krahinash në thellësi si me Mallakastrën, Tepelenën, me luginën e
Drinosit (degëzim nga Tepelena), me Përmetin e me Greqinë tek tri urat. Nga
Përmeti rruga e luginës së Vjosës lidhej me rrugën e Kolonjës, që çonte në
Korçë e prej këndej në Maqedoni e Greqi. Rruga e luginës së Vjosës kalonte
majtas lumit nëpër këto pika: Vlorë-Kishbardhë-kalonte Shushicën tek Ura e
Penkovës-Peshkopi-Gorisht-Sefaj-Hani i Sevasterit-Hani i Shkozës-Gryka e
Ylenecit-Dorëz-Sinanaj-Martalloz-Fusha e Salarisë-Dukaj-Turan-Veliqot-Tepelenë
. Lear është i mahnitur nga bukuria e luginës së Vjosës dhe shkruan në ditarin
e vet. Nga kodrat e veshura me ullishta sipër Vlorës mora rrugën për në vendin
e lindjes së të mahnitshmit Ali Pasha. .... na u desh të kalonim një luginë të
gjatë, të ngushtë e gjarpëruese, pastaj një përrua, pastaj një kodër të pafund
nga maja e së cilës shihej Vjosa e gjerë që turrej drejt detit mes kodrash të
mbjella, në faqet e të cilave xixëllonin fshatra të shumta si Gradishta,
Karbunara, etj, ndërsa sipër të gjitha këtyre lartohej Tomori gjigant. ...Vjosa
rrjedh nëpër një grykë të ngushtë mes shkëmbinjve rrëzë malit të Kudhësit,
kurse mbi grykën e errët ngrihen malet e bukura dhe të ndara të Trebeshinës dhe
Hormovës. Në këmbët e spektatorit, deri sa të sheh syri, shtrihet shtrati i
gjerë shkëmbor në të cilin Vjosa, tashmë e çliruar nga kufijtë e ngushtë,
rrjedh gjerësisht e shpenguar e në shumë degëzime, për në det. Ujërat e saj të
errëta vezullojnë si mijëra fije gjarpëruese në një tokë të bardhë që të merr
sytë . Ai bën disa skicime e pejsazhe gjatë rrugës derisa arrin në Tepelenë në
31 tetor. Ishte gati ora tre e pasdites kur gjarpërimet e fundit të lodhshme të
luginës na nxorën përpara malin e madh të Trebeshinës dhe fqinjin e tij, malin
e Hormovës, që tani dukeshin qartë nga rrëza deri në majë. Të dy lartoheshin
qetësisht me nuanca vjollcë të ndezur nënë majat e mbuluara nga dëbora
vezulluese. Nën ta bashkimi i dy lumenjve të Vjosës dhe Bënçës, krijon kepin e
Tepelenës, ku pallati me muret e rrënuara e xhamia me tone të argjendta i japin
skenës (një nga sublimet e më të thjeshtat në Shqipëri dhe, pa dyshim, e ngarkuar
me lidhje historike të lashta e të reja), një aureolë të çuditshme romantizmi
ëndërrimtar . Pasi bën disa skicime të hyrjes për në Tepelenë dhe të rrënojave
të pallatit të Ali Pashës ai bujt një ditë në Tepelenë. Rruga që ndjek të
nesërmen është në drejtim të Gjirokastrës. Nga Tepelena një degë e rrugës së
Vjosës ndiqte luginën e Drinosit nëpër Hundëkuq-Kaziun-Valare-ura e
Lunxhërisë-Gjirokastër . Sërish ai skicon disa panorama dhe përshkruan natyrën
e bukur. Gjatë gjithë mëngjesit ecëm përgjatë luginës së lumit Drino, që ka
plot tipare të bukura, por jo të lehta për t’u vizatuar apo me ndonjë
karakteristike të veçantë. Lumi rrjedh në një shtrat të thellë poshtë rrugës,
që këtu është e mirë dhe e gjerë dhe kalon në ca brigje të larta mbi nivelin e
lumit . Pas disa orësh ai arrin në Gjirokastër. Qyteti i gurtë është pasqyrar
në disa tablo të bukura por Lear e ka përshkruar dhe në ditarin e vet. Pamja e
përgjithshme e Gjirokastrës është shumë mbresëlënëse. Zona trekëndore me shtëpi
vezulluese, e cila nga larg duket si një piramidë banesash mbështetur pas faqes
së malit, kur afrohesh, ndahet në tri pjesë. I gjithë qyteti është ndërtuar mbi
tri kreshta malore, ose maja shkëmbore, që dalin nga kodra në lartësi të
konsiderushme dhe që zgjerohen, të ndara nga rrëpira të thella apo nga shtretër
pëërrenjsh – deri sa zbresin në luginë. Qyteti ngrihet kryesisht në anë ose në
zgrip të këtyre brinjëve të ngushta malore, por ka edhe shumë ndërtesa të
shpërndara në mënyrë shumë piktoreske teposhtë faqeve të malit, futur mes
pemësh të bukura, siç ndodh rëndom në qytetet shqiptare. Kreshta qendrore dhe
më e lartë, e shkëputur nga mali prind që lidhet me të vetëm me anë të një
akuedukti, kurorëzohet me tiparin më mbresëlënës të këtij vendi; një kështjellë
e errët dhe e rrënuar, që zë të gjithë majën e malit dhe që ngrihet krenare
edhe ashtu e rrënuar, mbi shtëpitë vasale të shpërndara nën të . Pas
Gjirokastrës, Lear dëshironte të vizitonte Janinën. Kontaktin e fundit që ka me
territoret e Shqipërisë së sotme ai i ka në fshatin Peshkëpi. Ai ka vizituar
dhe kishën e Peshkëpisë dhe lë shënimin e vet në ditar ..... arritëm tek fshati
i vogël e i bukur i Peshkëpisë, me kishën në majë. Që këtej shihej e gjithë
lugina e gjerë e Gjirokastrës – një brez toke i qeshur e i kultivuar, por me
cilësi të mangëta si peisazh, kryesisht për shkak të mungesës së variacionit në
trajtat dhe detajet e kodrave, të cilat nuk paraqitnin asnjë interes .
Ditari
i Lear “Journal of a Landscape Painter
in Albania” është një libër udhëtimi klasik i cili la një gjurmë të veçantë në
krijimin e imazhit dhe perceptimit të Shqipërisë në Angli. Si i tillë ai
meriton një vëmendje të veçantë jo vetëm për të identifikuar tablotë e
mrekullueshme që e shoqëruan por dhe forcën e fjalës së shkruar që krijoi
imazhe të caktuara dhe pati një impakt të madh në botën anglosaksone.
Bibliografi:
1- Andre Hammond. The
uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel
writing,1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82, No.3
(Jul.,2004).
2- Afrim Q. Karagjozi.
“Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997,
3- Barbara Jelavich.
“The British Traveller in the Balkans: the Abuses of Ottoman Administration in
the Slavonic Provinces” The Slavonic and East Review, Vol.33, No.
81(June.,1955).
4- Edward Lear. “Journal
of a Landscape Painter in Albania”. New Edn, London, 1988.
5- Edward Lear në
Shqipëri. Ditar udhëtimesh 1848-1849. Plejad, Tiranë: 2008.
6- Oxford English
Dictionary edited Bt Catherine Soanes, Oxford University Press 2002.
7- Suzan Hyman(ed.)
Edward Lear in the Levant: Travels in Albania, Greece and Turkey in Europe
1848-1849, London 1988.
8- Valter Shtylla.
Rrugët dhe urat e vjetra në Shqipëri. Tiranë:1998, Shtëpia Botuese Toena.
9- William Martin Lik.
“Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”. Migjeni. Tiranë: 2008.