Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Flasin Aleksandër Rama, Astrit Miho, Mehmet Gëzhilli

| E enjte, 11.05.2023, 06:39 PM |


Flasin Aleksandër Rama, Astrit Miho, Mehmet Gëzhilli:

9 Maji mbetet një ditë historike, një ditë që përcjell një kujtesë mbarëbotërore

- Sulmi rrufe i Gjermanisë naziste, dukej sikur nuk kishte dobi në tokat e mbuluara me borë dhe të pa fundme të Rusisë

- Beteja e Stalingradit u zhvillua në vitet 1942-1943 ku boshti nazist pati humbje të mëdha dhe filloi thyerjen

– Gjatë viteve të luftës, rreth 62 000 000 njerëz humbën jetën

Nga Albert Z. ZHOLI

9 Maji mbetet një ditë historike, një ditë që përcjell një kujtesë mbarëbotërore. Sidomos për Europën mbetet një ditë e shenjtë pasi është ditë e fitores së lirisë kundër robërisë, është ditë e emancipimit popullor kundër shtypjes fashiste, është ditë e barazisë mes popujve dhe barazisë brenda shteteve kundër primatit imperialist dhe eksploatimit të egër. Si erdhi kjo luftë? Kush dhe si e nxiti? Cilat ishin pasojat? 9 Maji për Evropën është ditë e vetëvendosjes kundër perandorisë e imponimit nga jashtë. Qysh nga ai 9 maj i vitit 1945 kur u shpall kapitullimi i Gjermanisë naziste, kanë kaluar mëse 7 dekada. Sot është 78-vjetori i fitores mbi fashizmin. Pas Luftës së Parë Botërore, shtetet arabe kishin parë mundësinë për të qenë të pavarur dhe për të formuar më në fund, shtetet arabe të pavarura. Megjithatë kjo gjë nuk do lejohej nga vendet evropiane, sepse ato toka ishin të pasura me naftë, që mbas Luftës së Parë Botërore u pa si një lëndë shumë me vlerë. Marrëveshja e San Remos, do të ishte thjeshtë një modifikim i Marrëveshjes së Syces-Picot, e bërë pa dijeninë e SHBA-së duke mohuar marrëveshjen e bërë më parë të King-Crane. Me anë të kësaj marrëveshje, Francës i jepej Siria dhe Lubjana, problemet e kësaj të fundit vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Konfliktet megjithatë nuk kishin të sosur dhe situata ishte dramatike gjithashtu. Ndërkohë Rusia, që ishte tërhequr nga lufta dhe pas hipjes së bolshevikëve në fuqi, kishte hapur të gjitha marrëveshjet e fshehta të regjimit të Carit. Franca kërkonte shfuqizimin e plotë të Gjermanisë, ndërsa Anglia nuk donte kurrsesi që në Evropë të formohej vetëm një shtet i fortë. Ideja e Uilsonit ishte hedhur poshtë tashmë. Perandoria Osmane gjithashtu ishte në prag të trazirave. Duke pasur dijeni të të gjithë këtij tensioni, Konferenca e Vjenës, nuk bëri asgjë tjetër, përveç se përgatiti terrenin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Astrit Miho, ish-ushtarak i lartë

Kur nuk pritej sulmohet dhe ish-BS

Bota ndodhej në mes tymit dhe flakës. Akush nuk parashikonte se çfarë do të ndodhte.  Më 1 shtator të vitit 1939, Gjermania e udhëhequr nga pushteti nazist me Adolf Hitlerin në krye pushton Poloninë. Kjo ishte bërë e mundur me anë të një kontrate të fshehur me Bashkimin Sovjetik. Të dyja palët morën pjesë në sulmin e 17 shtatorit. Deklarata e vonuar e Francës dhe Anglisë kundër Gjermanisë, do të shpallej vetëm më 3 shtator të po atij viti. Me këtë deklaratë, flota angleze dhe franceze filluan manovrimin e gjerë në ujërat territoriale të Evropës. Në këto kushte, me anë të Sulmit Blitzz Creig (Sulm rrufe), Gjermania pushton dhe shtie në dorë shpejt Poloninë, Norvegjinë, Holandën, Belgjikën dhe Francën në 1940. Në 1941 do të merrte edhe Jugosllavinë, Greqinë si dhe Shqipërinë. Trupat italiane, në aleancë me boshtin nazist, do të sulmonin trupat britanike në Afrikën e Veriut. Deri në verë të 1941, Gjermania kishte arritur të shtinte në dorë të tërë Francën dhe pjesën më të madhe të Evropës. Britania e Bashkuar, tashmë qëndronte vetëm pa aleatë me sy nga ShBA-të, megjithatë pushtimi i saj u bë i pamundur për shkak të forcave ajrore (Royal Air Force) dhe detare (Royal Navy). Duke e parë Britaninë si një armik të pashpresë dhe të dobët, Hitleri kthehet nga Bashkimi Sovjetik, me një sulm të befasishëm më 22 qershor 1941, duke prishur kështu marrëveshjen e mossulmimit, që kishte bërë me të. Në fundin e vitit 1941, Gjermania kishte pushtuar një pjesë të konsiderueshme të Bashkimit Sovjetik, por hapi i tyre do të ndalej jashtë Moskës, në betejën e Stalingradit. Gjatë betejave të përgjakshme në Stalingrad, që për më tepër dukej si një luftë personale midis Hitlerit dhe Stalinit, rrethimi dhe kapja e Garnizonit të Gjashtë të trupave gjermane, e bëri Gjermaninë të mendonte se nuk do të ishte një nismë e lehtë marrja e Rusisë. Sulmi rrufe i Gjermanisë naziste, dukej sikur nuk kishte dobi në tokat e mbuluara me borë dhe të pa fundme të Rusisë. Beteja e Stalingradit u zhvillua në vitet 1942-1943 ku boshti nazist pati humbje të mëdha. Humbja tjetër në Betejën e Kursk dhe thyerja e Syrgjynosjes së Leningradit do t’i jepte luftës një pamje tjetër tashmë. Ushtria e kuqe duket e papërmbajtshme dhe tashmë nga një mbrojtje e fortë, kalon në ofensivë të përgjithshme, duke gjëmuar Ëehrmacht deri në Berlin. Në Betejën e Berlinit, Ushtria e Kuqe merr lagjet e këtij qyteti një nga një, deri sa më 30 prill 1945, Hitleri kryen vetëvrasje në bunkerin ku strehohej, duke mos parë rrugë shpëtimi. Ndërkohë, Italia fashiste me Benito Mussolinin në krye kapitulloi në 1943. Tashmë ajo kishte dalë kundra ish-aleates së saj Gjermanisë, që vazhdonte luftën. Trupat e aleatëve u futën në Itali dhe më pas në 1944, ata do të lironin edhe Francën. Më pas, me rënien e Gjermanisë, aleatët dhe Sovjetikët do të takoheshin në qendrën e Gjermanisë, Berlin. Kjo vetëm pas Betejës së Bulge (Battle of the Bulge) në dhjetor. Gjatë kësaj lufte, është për t’u përmendur holokausti që iu bë me miliona (6 milion mendohet) hebrenjve. Në këtë gjenocid gjithashtu u eksterminuan edhe persona me origjinë rome.

Aleksandër Rama, ish-pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”

Pushtimi i Shqipërisë

Fashizmin Shqipëria e ndjeu ndër vendet e para. Flitej shumë dhe tragjedia ndodhi. Mëngjesin kobzi të 7 prillit 1939, mbi 50 mijë trupa fashiste, të armatosura më së miri, të mbingarkuara në dhjetëra anije lufte e të shoqëruara me mbi 400 avionë luftarakë, sulmuan dhe pushtuan Shqipërinë e vogël në jug të Ballkanit, me rreth 1 milionë banorë. Por populli shqiptar do t’u rezistonte me heroizëm hordhive pushtuese fashiste e naziste dhe do të bëhej i pari vend, që do të çlirohej me forcat e veta. Ky ishte pushtimi më i egër që i ka ndodhur Shqipërisë pas atij ottoman.

Flet ish-drejtori i Laboratorit kimik të Ushtrisë, oficeri i lartë, Memush Habilaj

Gjithmonë kur gjej materiale për Luftën e Dytë Botërore i lexoj me kënaqësi të madhe. Sa herë gërmoj del një fakt, një ngjarje, një detaj, një e dhënë, një lloj taktike e panjohur nga unë. Ajo luftë mbetet në histori për vetë gjeografishtrirjen, por edhe për përdorimin masiv të armëve të reja dhe atyre të dëmtimit në masë. Në këtë luftë cfilitëse merr një zhvillim të madh, sidomos nga gjermanët, grupi i quajtur LHL fosfororganike, të quajtura ndryshe eteret organike të acidit fosforik, ose LHL neuroparalitike, gaze nervore, apo LHL antikolinesteroze. Nga ky grup nga gjermanët u sintetizuan: Në vitin 1936 gazi tabun (GA), në vitin 1938- gazi zarin (GB) dhe në vitin 1944- përfaqësuesi i tretë –zoman (GD). Edhe pse gjatë luftës gjermanët nuk i përdorën LHL neuroparalitike kundër forcave të koalicionit nazifashist, ata e përdorën këtë grup tek robërit në kampin e Aushvicit, ku gjetën vdekjen 4.5 milion vetë. Për këtë qëllim gjermanët përdorën gazin zarinë (GB) si dhe acidin cianhidrik, të quajtur ndryshe “Ciklon B”.

Në prill të vitit 1945, Gjermania ishte në gjendje të prodhonte 12.000 ton tabun. Me mbarimin e luftës, amerikanët zunë në Gjermani, një depo me 250.000 ton lëndë helmuese luftarake.

Krahas grupit neuroparalitik, gjatë kësaj periudhe, filloi studimi i LHL halucinogjene ose psikomimetike ose ndryshe psiqikokimike, siç qenë: dietilamina, acidi lizergjinik (LSD-25), meckalina, psilocibina, pejot etj. Pas Luftës së Dytë Botërore, u kryen studime të shumta për armën kimike: për gjetjen e LHL të reja për përsosjen e mjeteve të vrojtim – sinjalizimit, për gjetjen dhe perfeksionimin e mjeteve të zbulimit kimik, për gjetjen dhe perfeksionimin e mjeteve të hedhjes dhe përdorimit të LHL etj. Në këtë periudhë u bënë studime të shumta për mjekimin antidot (kundërhelmues) për degazimin e LHL në trupin e njerëzve dhe kafshëve, të territorit dhe teknikës luftarake, për mbrojtjen individuale dhe kolektive nga arma kimike. Kësaj periudhe i përket prodhimi i LHL më të fuqishëm të grupit neuroparalitik Vx, krijimi i sistemit automatik i zbulimit dhe lajmërimit të LHL neuroparalitike etj. Një vend të rëndësishëm në këtë drejtim kanë luajtur suedezët. Gjermania njihet botërisht të jetë e para që i ka përdorur në shkallë të gjerë këto armë gjatë Luftës së Parë Botërore. Bëhet fjalë për betejën e Ipresë në Belgjikë, të vitit 1915, ku humbën jetën 6000 trupa britanike dhe franceze. Kjo masakër çoi në nënshkrimin e protokollit të Gjenevës, në vitin 1925. Ndërsa që prej vitit 1928, ky protokoll është një prej traktateve të pakta që është pranuar botërisht, përfshirë këtu edhe Sirinë. Por pavarësisht nënshkrimit të protokollit të Gjenevës, historia njeh edhe raste të tjera të sulmeve me të tilla armë, sikundër civilëve ashtu edhe në fushë beteja. Në vitet 1935-1936, Musolini përdori qindra tonë të gazit mustardë në Etiopi. Në vitet 1940–1941 Japonia hodhi bomba kimike dhe biologjike në Kinë. Mjaft prej atyre që nuk shpërthyen vazhdojnë të asgjësohen në këto kohë me shpenzimet e qeverisë japoneze. Pra përdorimi i LHL e shkatërroi njerëzimin, por edhe tokën. Kudo shikoje toka të shkreta, pa jetë, pa bimësi, shterpë. Edhe pse në Luftën e Dytë Botërore nuk u përdorën gjerësisht, ato në çdo moment ishin prezente dhe mund të sillnin akoma më shumë shfarosje të pa imagjinuara. U desh 9 maji i vitit 1945 që dhe lëndët helmuese luftarake të zhdukeshin nga përdorimi masiv. Ndaj 9 maji kujtohet me shumë respekt pasi është dhe një apel për kohën që jetojmë. Në çdo 9 maj njerëzimi bën bilancet e kohërave. Kjo ditë mbetet si një ditë simbol i shpëtimit njerëzor. Dy luftërat botërore kanë sjellë aq shumë vrasje, sa bota është tmerruar. Armët kimike mbeten një problem i hapur shqetësues për mbarë botën edhe sot, pasi Siria është një shembull konkret. Përdorimi i armëve kimike në konflikte të ndryshme është një çështje që shqetëson së tepërmi diplomacinë ndërkombëtare në këto kohë, pas imazheve tragjike të përdorimit të tyre në Siri. Ndaj 9 maji është një apel. Një apel mbarëbotëror për paqe dhe siguri. Boll më me luftëra. Popujt duan vëllazërim.

Mehmet Gëzhilli, ish-ushtarak i lartë

– Pa histori bota do ndodhet pa kujtesë.

Dhe historia të bën të reflektosh. Lufta II Botërore rezulton konflikti ushtarak më i përgjithshëm e më i përgjakshëm në historinë e njerëzimit. Për të shuar sa më shumë jetë njerëzish si dhe për të shkatërruar sa më tepër vlera materiale, kulturore, etnografike, historike, e të tjera, të krijuara nga brezat njerëzorë ndër shekuj. Në këtë luftë me përmasa të përbotshme, u përdorën 1,5 milion gryka zjarri artilerie, 620 mijë aeroplanë, 280 mijë tanke e artileri vetëlëvizëse, dhjetëra-mijë mjete luftarake detare, miliona armë e pajisje të tjera luftarake. Kur kujtohet ajo luftë e gjithë bota shtanget para fakteve dhe humbjeve të panumërta në njerëz dhe në materiale. Një Evropë që u shkatërrua tërësisht. Miliona të vdekur, toka e tre kontinenteve u zhurit. Ndaj 9 maji kujtohet në të gjithë botën si dita e fitores mbi fashizmin. Një ndihmë të madhe në këtë luftë ka dhënë dhe Shqipëria. Ndaj vlerësimi për luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, duhet të jetë maksimal. Mbetet një luftë që gjithë bota e ka vlerësuar dhe e vlerëson, ndërsa ne mundohemi ta errësojmë. Përse? Kush do ta zbehë rëndësinë e kësaj lufte dhe përse? Për pjesën dërrmuese të historianëve kjo luftë është një ngjarje e rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Kufijtë kohorë të saj janë nga prilli 1939 e deri më 29 Nëntor 1944. Ne jemi ndër popujt që mbajti peshën e pushtimit më të gjatë në Europë. Vite sakrifikimi dhe flijimi. Shqiptarët deri më sot e kanë njohur atë si një luftë çlirimtare, duke e renditur Shqipërinë si pjesë e koalicionit të madh antifashist. Po ndër historianët shqiptarë dhe atyre që merren me historinë apo që u intereson kjo pjesë e historisë, këto vitet e fundit, përveç tiparit të saj çlirimtar, është nënvizuar se ajo kishte dhe tiparet e një lufte që u bë për pushtet, duke e zbehur kështu tiparin e saj kryesor çlirimtar e liridashës. Në mbështetje të tezës së tyre sjellin shembuj se si Ushtria Nacionalçlirimtare nuk bashkëpunoi me Ballin Kombëtar e Legalitetin. Në mbështetje të tezës së tyre sjellin dhe egërsinë e atyre që erdhën në pushtet dhe i luftuan po aq egërsisht përfaqësuesit e këtyre dy grupimeve. Për të dhënë një ide të qartë se cili duhet të jetë qëndrimi ndaj kësaj Lufte, duhet të bazohemi mbi realitetin shqiptar në këtë periudhë. Së pari duhet të përcaktohen kufijtë kohorë të kësaj Lufte. Kufirin kohor e përcaktojnë ardhja dhe largimi i pushtuesve që është 7 prilli i vitit 1939 dhe ikja e tyre më 29 nëntor 1944. Brenda këtij kufiri kohor duhet të shihet dhe të analizohet kjo Luftë. Së dyti duhet të shikojmë palët që morën pjesë në këtë luftë. Palën kundërshtare e kemi të përcaktuar. Janë dy pushtuesit fashistë e nazistë, ardhja dhe largimi i të cilëve përcaktuan dhe kufijtë kohorë të kësaj Lufte. Nga pala shqiptare kemi Ushtrinë Nacionaçlirimtare nga njëra anë dhe Ballin Kombëtar dhe Legalitetin nga ana tjetër. Përderisa Balli Kombëtar dhe Legaliteti, nuk u përballën me pushtuesin, nuk mund t`i quajmë si pjesë e kësaj Lufte. Kush i pengoi këto forca politike të krijuara në Shqipëri të bënin një betejë me gjermanët, qoftë dhe të përbashkët? Kjo tregon se ato nuk ishin krijuar për të luftuar pushtuesin. Gjithë pesha e kësaj Lufte ra mbi Ushtrinë Nacionalçlirimtare. Pala shqiptare u rreshtua përballë kësaj lufte me 100 mijë luftëtarë. Të gjithë dolën në mal me vullnet të lirë, sepse organizimi i tyre nuk u bë nga institucionet shtetërore. Qeveria shqiptare, nëse mund ta quajmë qeveri, ishte nën urdhrat e pushtuesit dhe nuk kishte asnjë mundësi për të vepruar, edhe sikur të donte të vepronte. Tipari i kësaj lufte u përcaktua nga pjesëmarrësit e saj. Me vullnet të lirë, për një Shqipëri të lirë. Veçori e kësaj Lufte është pjesëmarrja masive e shqiptarëve. Për një Shqipëri që në fund të Luftës numëronte 800 mijë banorë, ne renditemi ndër vendet më antifashistë të Europës. Po ajo që ne na i shton më tepër lavdinë dhe krenarinë është se ne i dhamë kësaj lufte 28 mijë dëshmorë. Edhe nga numri i flijimeve, në raport me popullsinë, ne renditemi ndër ato vende që janë krenaria e Luftës Antifashiste europiane. Shpirti liridashës i shqiptarit u manifestua edhe tek pjesëmarrja e gruas. Raste të veçuara të pjesëmarrjes së gruas në Luftë kemi patur edhe më parë, por Lufta Nacionalçlirimtare rreshtoi 6 mijë gra dhe vajza që treguan po aq heroizëm sa dhe burrat. Për nga rëndësia e madhështia që ajo pati, është pika më e shndritshme në historinë e Shqipërisë. Çdo përpjekje për të zgjeruar kufijtë kohorë të kësaj Lufte apo për të shtuar si pjesë të saj grupime njerëzish që nuk u përfshinë në këtë Luftë, pra që nuk shënuan një betejë kundër dy pushtuesve të Shqipërisë, është e dështuar. Kjo Luftë ka vendin e saj në histori, një histori betejash dhe sakrificash, që shkuan deri në vetëflijime. Ajo është një luftë që u bë për lirinë e Shqipërisë dhe shërben si simbol për të gjithë shqiptarët. Pushtuesit erdhën si armiq të të gjithë shqiptarëve dhe ata kur internonin dhe pushkatonin, nuk pyetën askënd se çfarë bindjesh politike kishin. Ndaj ajo është një luftë jashtë bindjeve politike të shqiptarëve të sotëm, por edhe të atij brezi që erdhi menjëherë pas tyre. Ndaj kjo luftë duhet të respektohet ashtu siç respektohet çdo 9 Maji në botë. Me luftën tonë jemi krenarë para çdo populli në botë. Vetë misionet anglo-amerikane e kanë vlerësuar luftën tonë dhe ne duhet ta nderojmë akoma më shumë. Duhet ta nderojmë pasi ajo ndaloi copëtimin e Shqipërisë pas kësaj lufte. Nqs do ishim radhitur përkrah humbësve, Shqipëria sot nuk do ishte kjo që është.

. Më poshtë paraqitet një listë e shifrave të të humburve ushtarakë në Luftën e Dytë Botërore:

·Australia—40 400

·Belgjika—12 100

·Brazili—1 000

·Japonia—2 000 000

·Italia—306 400

·Zelanda e Re—11 900

·Bashkimi Sovjetik—10 700 000

·ShBA—407 300

·Britania e Madhe—382 600

·Franca—212 000

·Gjermania—5 500 000

·Shqipëria—28 000

·Kanadaja—45 300

·Greqia—20 000

·Kina—3 000 000

·Totali në të gjithë botën—24 456 700 milion njerëz