E marte, 23.04.2024, 09:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Kishte trokitur rinia

E premte, 05.05.2023, 07:17 PM


KISHTE TROKITUR RINIA

Fragment nga romani” Me sytë e fëmijës”

Nga Resmi Osmani

Në mbyllje të mbrëmjes, u ndam duke u përqafuar. I lam shëndet e i tham mirupafshim secilit. Disa nga vajzat, kishin ca blloqe të vegjël dhe kërkonin që të shkruanim në ‘ta diçka si kujtim, me vjershërim, të tjerë ndanin kartolina me përkushtim, duke vënë posht shkrimit firmën. Ua plotësova dëshirën.

Kur dolëm ishte bërë natë. Natë vere, e ngrohtë , me hënë të plotë, që derdhte dritën e saj të zbehtë, qielli pa një re, i qëndisur me yje. Rrugët e mugëta të  ndriçuara dobët, ishin thuajse bosh. Rrall shihej ndonjë kalimtar i vonuar. Unë dhe Llaqi, e kishim vënë Melaninë në mes dhe ecnim të heshtur si të na kishin shterrur fjalët. Te rruga e tij për në shtëpi, Llaqi u nda nga ne.

Mbetëm të dy. Ecnim të heshtur,ishte një heshtje nga ato që flasin, me një kumt të fshehtë, të mistershëm. E ndjenim në tërë qënien tone. Ishte diçka tërësisht shpirtërore, por e vagullt, e mjegullt. Disi të mallëngjyer që po ndaheshim. Eh ndarjet! Shpresonim që jo për shumë kohë.

Do të desha, që jo ecje nën dritën e hënës të zgjaste pa fund.  Kur u afruam te shtëpia e saj, nuk e di si mu dha dhe vetiu, nga një tërheqje e dëshiruar për t’a ndjerë më të afërt, i mora dorën në timen . Ajo nuk e hoqi.Dukej që edhe ajo e priste. Ndjeva butësinë dhe ngrohtësinë e asaj dore dhe ndodhi mrekullia: një rrymë drithëruese më përshkoi të tërin.Zëmra shpeshtoi rrahjet.

Qëndruam para portës së shtëpisë së saj, që ndriçohej dobët nga llampa e rrugës. E zhyta shikimin në sytë e saj dhe po kërkoja fjalët e ndarjes. Ishte një fjalë e vetme që kisha tre vjet që e mbaja të ndryrë përbrenda, por s’po guxoja. Ma thoshte zemra: ajo priste diçka prej meje, por unë në vend që të ndihesha vetvetja,ai i vërteti, që ajo njihte, isha shushatur e mu duk vetja si humbameno. Gjuha më ishte lidhur.Rrinim kundruall dhe shiheshim në sy. Heshtje e ankthshme. Atëhere guximtarja Melani, kur s’e prisja, u ngrit në maja të këmbëve që të më arrinte, më hodhi të dy duart në qafë , dhe u mbështet në parzmin tim, ndjeva shtypjen e gjokseve te saj të vegjël e të fortë dhe dihatjen e ngrohtë të frymëmarrjes, më dha një puthje të beftë në faqe. Dhe vrik, pa thënë një fjalë, u shkëput, hapi portën dhe  ngjiti nxitimthi shkallët e verandës. Aty qëndroi, ktheu kokën ndaj meje dhe  më përshëndeti me dorë.

Mbeta një copë herë si i gozhduar në vend dhe vetiu vura dorën në faqe, atje ku ishte gjurma e buzëve të saj, ishte  sikur frikesohesha se e puthura do të fluturonte dhe nuk do të më linte të përjetoja lumturinë dhe mrekullinë e atij çasti.

Mora rrugën për në shtëpi.

Nuk ecja, fluturoja mëndjetrazuar,zemërtronditur në një qiell lumturie, mbushur me yje, i dehur nga lumturia. Edhe pse e mendoja, druhesha t’i vija një emër  asaj që ndodhi. Le të mbetej pa emër,por ajo ishte brenda meje.

E ndjeja, e kuptoja, me gjithë qënien time, që fëmijëria kishte mbetur pas, në ata vjetët e shkuar, duke vrapuar me këmbët e zbathura, në fushën e pluhurosur, pas atij topit me lecka dhe, nuk ishin më sytë e saj që shihnin botën.

Kishte trokitur rinia.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora