E premte, 19.04.2024, 09:11 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Gazetaria nuk është krim!

E enjte, 04.05.2023, 08:00 PM


30-VJETORI I DITËS NDËRKOMBËTARE TË LIRISË SË SHTYPIT: GAZETARIA NUK ËSHTË KRIM!

Nga Frank Shkreli

3 Maji, 2023 shënon 30-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së shtypit. Me këtë rast, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), nepëmjet UNESCO-s, po organizon veprimtari të ndryshme për të shënuar këtë ditë dhe rëndësinë e lirisë së shtypit, si një prej lirive themelore që siguron edhe liritë e tjera bazë të njeriut, të garantuara në Deklaratën Universale për të drejtat e njeriut në botë. Në një deklaratë të OKB-së me këtë rast thuhet se ç’prej vitit 1993, kur është shpallur Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, është shënuar përparim përparim I dukshëm drejt lirisë së shytpit dhe liriës së të shprehurit anë e mbanë botës. “Mirëpo, liria e fjalës, siguria e gazetarëve në kryerjen e punës së tyre dhe liria e të shprehurit në përgjithsi po sulmohen gjithnjë e më shumë, gjë që prek rëndë lirinë e të drejtave të tjera të njeriut”, thotë OKB-ja.

Sipas organizatës botërore, “E drejta e lirisë së të shprehurit, që ruhet dhe mbrohet si diçka e shenjtë nga Artikulli 19 i Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, është një kusht paraprak dhe fuqi shtyrse për zbatimin e gjithë të drejtave të tjera bazë të njeriut. Prandaj Dita Ndërkombëtare e Lirisë së shtypit është një thirrje për një rikushtim të ri ndaj lirisë së shtypit, por edhe një angazhim serioz për një media të pavarur, pluraliste dhe të shumëllojshme”, thuhet në deklaratën e OKB-së, në mbështetje të lirisë së shtypit si një e drejtë që, njëherazi, është edhe gur-themeli i të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut.

E drejta e lirisë së të shprehurit është kusht paraprak dhe gur themeli i të gjitha të drejtave të tjera të njeriut --

Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë, në emër të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në një deklaratë për të shënuar Ditën Ndlërkombëtare të Lirisë së Shtypit, thekson se, “Gazetaria nuk është krim – por është një e drejtë themelore, në një shoqëri të lirë”. Ndërkohë, deklarata shpreh, njëkohsisht, respektin e Presidentit, “për të gjithë gazetarët, reporterët dhe të gjithë punonjsit e medias të cilët, trimërisht, përpiqen të zbulojnë të vërtetën. Statement from President Joe Biden on the Occasion of World Press Freedom Day 2023 | The White House. “Asnjë gazetar – qoftë amerikan, apo tjetër –nuk duhet të rrezikojë jetën as jetesën, ndërkohë që punon për të zbuluar të vërtetën”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. “Sot dhe cdo ditë, ne duhet të qëndrojmë pranë gazetarëve anë e mbanë botës për të mbrojtur lirinë e veprimit dhe të drejtat e tyre bazë. Ne duhet të deklarohemi fuqishëm kundër të gjithë atyre që duan t’ua mbyllin gojën gazetarëve. Dhe të gjithë ne duhet të vazhdojmë të mbështesim lirinë e shtypit, që është gur-themeli i demokracisë tonë dhe i demokracive të tjera anë e mbanë botës”, përfundon deklarata e Shtëpisë së Bardhë me rastin e 30-vjetorit të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit.

Shumë bukur e mirë këto deklarata në mbrojtje të lirisë së shtypit dhe në mbështetje të gazetarëve anë e mbanë botës, në këtë ditë kushtuar lirisë së fjalës, qoftë nga Kombet e Bashkuara dhe nga Shtëpia e Bardhë, qoftë edhe nga shtete të tjera, të mëdha e të vogëla, anë e mbanë botës, ndërsa e deklarojnë veten, të pakën për një ditë, si mbrojtës të lirisë së shtypit dhe të gazetarëve.

Të gjithë e dimë se gjëndja e lirisë së shtypit, anë e mbanë botës, është në rënje e sipër, Të drejtat e gazetarëve po kufizohen dhe kërcënohen në mbare botën, përfshir Shqipërinë dhe Kosovën, qoftë nga institucionet shtetërore, qoftë nga grupe interesash korruptive dhe kriminale, të lidhura me institucionet qeveritare.  Gjëndja e nderë e lirisë së shtypit në botë, ka berë që organizata jo-qeveritare, amerikane dhe ndërkombëtare, të shprehin dyshimet e tyre nëse ushëheqsit politikë botërorë dhe organizatat ndërkombëtare, siç është OKB-ja, me të vërtetë e kanë seriozisht, me deklaratat e tyre në Ditën e Ndërkombëtare të lirisë, në mbrojtje të gazetarëve dhe lirisë së të shprehurit. Organizata Freedom House, një ent amerikan që merret me mbrojtjen e të drejtave bazë të njeriut, përfshirë lirinë e shtypit organizoi me këtë rast një diksutim “online”, titulluar me një pikëpyetje: Dita Botërore e Lirisë së Shtypit: Një celebrim i kotë?  Freedom House shprehet se, “edhe pse vendet perëndimore dhe shtete të tjera demokratike kanë deklaruar përkushtimin e tyre ndaj lirisë së medias dhe aksesit në informacion, zëra të fuqishëm brenda disa shoqërive gjoja demokratike vazhdojnë të shpifen dhe të mbjellin mosbesim në media.  Ndërkohë, qeveritë autoritare që nuk besojnë në përfitimet që i vijnë një shoqërie nga një qytetari e mirë informuar, shpesh persekutojnë, burgosin, madje edhe vrasin gazetarë që raportojnë të vërtetën. Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit 2023, pyesim se çfarë po ndodhë me lirinë e shtypit si një e drejtë themelore e njeriut. A ka shumë arsye që të festojmë këtë vit? – -Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit?

Unë tentoj t’u besoj burimeve jo qeveritare në lidhje me gjëndjen e lirisë së shtypit në vendet tona – Shqipëri e Kosovë -- për të cilat jemi specifikisht të interesuara për arsye të natyrshme, por edhe për gjëndjen e të drejtave të njeriut në botë, në përgjithsi.  Një tjetër organizatë që merret me mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, “Reporterët pa Kufij”, me qëndër në Paris në raaportin e saj me rastin e 30-vjetorit të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit njofton se gjëndja e lirisë së shtypit anaë e mbanë botës, është përkeqësuar dukshëm anë e mbanë botës, përfshir edhe Shqipërinë dhe Kosovën. Për fat të keq, sipas entit, “Reporterët pa Kufij”, Shqipëria ka pësuar një përkeqsim të madh të lirisë së shtypit, në krahasim me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke u renditur në vendin 96. Ndërsa Kosova ka shënuar një përparim të vogël prej 5 pikësh, nga 61 në 56. Por, fatkeqsisht, të dy shtetet shqiptare renditen në listën e “vendeve problematike”, nga organizata “Reporterët pa Kufij”, sa i përket lirisë së shtypit në Shqipëri dhe në Kosovë.

Ndonëse, përgjithësisht, liria e fjalës dhe e shtypit konsiderohen si gur-themeli i të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut dhe duke marrë parsysh se Shqipëria dhe Kosova ende konsiderohen si “vende problematike”, sa i përket lirisë së fjalës dhe të shtypit, s’do mend se pse këto dy vende -- tre dekada pas shembjes së komunizmit – ende konsiderohen si vende “pjesërisht të lira”, nga organizatat ndërkombëtare të drejtave dhe lirive të njeriut në botë.  Ky është vlersimi shqetësues i organizatave ndërkombëtare mbi gjëndjen e lirisë së shtypit dhe të gjitha të drejtave bazë të njeriut për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor – në këtë Ditë Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Është një vlersim që duhet të shqetësojë edhe shqiptarët kudo, të gjithë ata që janë të interesuar në zhvillimet demokratike dhe liritë bazë të njeriut për shqiptarët anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor.  Përndryshe, siç është shprehur dikur ish-gazetari i njohur amerikan, Edward Murrow, në lidhje me mungesën e lirisë së shtypit, “Një komb delesh do ketë shpejt një qeveri ujqërish”, nëqoftse nuk mbrohet liria e shtypit, si gur themeli i të gjitha lirive të tjera, nga grabitqarët e pushtetit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora