| E merkure, 03.05.2023, 07:59 PM |
Blerim Latifi:
Me
rastin Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, po e sjellim në kujtesë një fakt
nga historia e gazetave në Kosovë, një fakt që na thotë shumë.
Gazeta
e parë që është shtypur në Kosovë ka qenë gazeta "Prizren", organ
zyrtar i Vilajetit të Kosovës, në vitin 1871. Gazeta kishte katër faqe. Faqja e
parë dhe e katërt ishte në turqisht, ndërsa e dyta dhe e treta në sërbisht.
Edhe pse shumica e banorëve të Vilajetit të Kosovës ishin shqiptarë, gjuha
shqipe nuk lejohej të shkruhej nga qeveria osmane, ndërsa pakica serbe e
gëzonte të drejtën që edhe gazeta zyrtare osmane të botohej në gjuhën e saj.
Kjo na tregon se dëshira e pakicës serbe në Kosovë për të pasur statusin e një
pakice me privilegje speciale nuk është e tashme, por shumë e hershme.
Ndërkaq,
kontaktin e parë me gazetat në gjuhën shqipe, shqiptarët e Kosovës e kanë pasur
përmes Konsullatës austro-hungareze me seli në Prizren, ndërsa kosovari i parë
që është marrë me shpërndarjen e shtypit shqip në Kosovë ka qenë një veprimtar
i Rilindjes Kombëtare, tanimë pothuajse i harruar, Idriz Gjakova.
_________
Rënia e "Prvomajski
Uranak" në Gërmi
Në
çdo 1 Maj jemi mësuar t’i shohim njerëzit duke u dyndur drejt Parkut të Gërmisë
për të festuar në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Për disa orë rrjesht
Lugina e Gërmisë shndërrohej në një piknik të madh, në të cilin ritualet
dominuese ishin shëtitjet lart e poshtë, batanijet e shtrira në tokë dhe
konsumimi i ushqimeve të ndryshme. Në fund të ditës Gërmia i ngjante një koshi
të madh mbeturinash.
Ky
ritual është duke u zhdukur.
Por
para se ta themi arsyen e zhdukjes, le t'i themi pak fjalë për origjinën e tij.
Nuk
ka kurfarë enigme rreth kësaj origjine.
Pikniku
i 1 Majit në Gërmi është imitim i plotë i mënyrës serbe të festimit të 1 Majit.
Kjo mënyrë e ka edhe një emër. Quhet “Prvomajski Uranak”. Që në mëngjes miqtë,
shokët dhe familjet mblidhen për të shkuar në një vend të caktuar në natyrë, ku
organizojnë ato që njihen si “Barbeque në natyrë”, që përfshijnë
përgatitjen e ushqimeve në natyrë,
konsumimi i të cilave shoqërohet me muzikë, lojëra e pije të ndryshme.
Në
kohën e Jugosllavisë Socialiste ky lloj festimi përputhej me kërkesat
ideologjike të regjimit, i cili 1 Majin e kremtonte më parada dhe aktivitete të
ngjeshura shtetërore, ngase veten e quante shtet i punëtorëve.
Në
Kosovë kurrë nuk ka zënë rrënjë intepretimi i 1 Majit si një ditë kur punëtorët
duhet të protestojnë dhe të konfrontohen me pushtetin, jo vetëm për shkakun e
ndikimit nga tradita serbe dhe jugosllave e kremtimit të kësaj date, por edhe
për shkakun se në Kosovë kurrë nuk ka pasur një lëvizje burimore socialiste dhe
as traditë të grupimeve anarkiste, të cilat 1 Majin nuk e kuptojnë si ditë
feste, por si ditë të demonstrimit dhe të ballafaqimit të dhunshëm me
pushtetin. Viteve të fundit janë bërë përpjekje për ta promovuar e praktikuar
disi një interpretim jofestiv të kësaj date, por rezultatet kryesisht kanë qenë
të mjerueshme.
Ndërkaq,
zbehja e dukshme e "Prvomajski Uranak" të Gërmisë, e që e
paralajmëron edhe zhdukjen e tij, është rezultat i faktit se tanimë pushimin e
relaksin e vikendeve dhe ditëve festive shqiptarët e Kosovës po i gjejnë në
brigjet e Adriatikut dhe në qytetet e Nanës Shqipni.