| E merkure, 03.05.2023, 09:00 PM |
Gazetaria dhe liria
Nga
Ndue Ukaj
Sot
është dita kushtuar lirisë së shtypit ose e njohur ndryshe si lira e shprehjes
dhe unë e kam ndërmend romanin brilant të Milan Kunderës “Pavdekësia”, një
kapitull i të cilit i kushtohet pikërisht gazetarisë dhe pushtetit që ajo
ushtron mbi jetën morale dhe politike të kohës sonë.
Kundera,
duke folë për lavdinë që kishte ky profesion kur për të shkruanin shkrimtarë si
Hemingueji e Oruelli, ai thotë se shndërrimi i këtij profesioni ka shkaktuar
një katrahurë morale e intelektuale, meqë koha jonë i ka besuar gazetarit një
pushte që as shkrimtarët e sipërpërmendur s’kanë guxuar ta ëndërrojnë dhe tani
jetojmë nën kthetrat e pushtetit të imagologjisë.
Sepse,
pushteti i gazetarit - sipas shkrimtarit nuk mbështet mbi të drejtën për të
bërë një pyetje, por mbi të drejtën për të pretenduar një përgjigje dhe këtë të
drejtë sipas shkrimtarit nuk duhet ta zotërojë askush, përderisa njerëzit
vlerësohen qenie të barabartë.
Dhe
e drejta për të pretenduar një përgjigje, sugjeron teksti, përbën një problem,
meqë shprishet barazia mes atij që pretendon atë dhe atij që duhet të jep një
përgjigje.
“Politikani
varet nga gazetari. Po gazetarët nga kush varen? Nga ata që i paguajnë. Dhe ata
që i paguajnë janë agjencitë e reklamave, të cilat për reklamat e veta blejnë
hapësirë në gazeta apo kohë në media” - shkruan Kundera tek kapitulli pasues
“Imagologjia.
Këto
pyetje e dilema në një botë të trazuar si kjo e jona, shkaktojnë habi e
tronditje të mëdha.
Media
kërkon me të drejtë liri, por ajo nuk flet për përgjegjësitë që ka për të
transmetuar të vërtetën dhe për t’i shërbyer të mirës publike dhe të
përbashkëtës, pra për ta përdorë lirinë për të transmetuar të vërtetën pa asnjë
kompromis me batakçinjtë që e shkelin atë me dy këmbë.
Prandaj
tani me të drejtë mund të pyesim: media - a
gjakon ta thotë të vërtetën - apo e kundërta - siç thotë Kundera:
“realiteti sot është një kontinent që vizitohet pak”?
Ç’është
në të vërtetë liria e medias dhe kush e përcakton këtë?
A
po e vret media botën intelektuale, estetikën, artin sublim dhe kulturën e
naltë dhe a po e zëvendëson atë me një kulture të masave të gjëra, të cilat,
siç ka treguar historia, me lehtësi shumëfishojnë mediokritetin dhe e kthejnë
në sistem e standard?
Për
ma tepër, kush i përcakton standardet e kësaj lirie dhe kjo liri, a duhet të
ketë përgjegjësi?
Sot,
mund të themi se bota nuk vuan për shkak të mungesës së informacioneve,
përkundrazi bota vuan nga shumësia e informacioneve, nga informacionet dhe
lajmet e pashëndetshme që mbushin hapësira të mëdha në media, dhe prej tyre
transmetohen në jetën njerëzore e krijojnë realitete vizuale e virtuale që nuk
përkojnë me jetën reale, pra më te vërtetën.
A
na lejohet sot të bëjmë një pyetje që rrjedh natyrshëm: kush e administrona
lirinë e shprehjes?
Redaktorët,
pronarët e mediave, agjencitë e bizneset që i paguajnë ato, politikanët që
varen nga gazetarët?
Në
një botë të trazuar në të cilën pabarazia rritet, shtypja bëhet normë, përditë
ndihet pesha e këtyre pyetjeve, sidomos kur duhet flitet për atë se çka është e
vërtetë dhe çka jo, sepse kufiri mes këtyre dy botëve përditë e më shumë duket
i padukshëm dhe media fatkeqësisht jep kontribut të madh në zhdukjen e këtij
kufiri.
Shkrimtari
i madh argjentinas, Jorge Luis Borges duke folë për librin dhe rëndësinë e tij
në jetën njerëzore, te shkrimi “Lumturia e librit”, citon Shën Anselmin, i cili
thotë: “Të vësh një libër në duart e një injoranti, është po aq e rrezikshme sa
të vësh një shpatë në duart e një fëmije”. Ja pra se çfarë mendohej atëherë për
librin.”
Dhe
unë sot guxoj të them: ja çka mendoj edhe unë për lirinë e medias.
...
Liria
e shprehjes është vlerë sublime, rrjedhimisht ekzistenciale, dhe si të tillë
duhet ta ruajmë, ta kultivojmë dhe të mbrojmë me të gjitha mjetet, por duhet që
të ruhemi nga të shndërruarit e medias në instrument të politikës, oligarkëve
dhe pushtetmbajtësve.
Më
pëlqen në këtë ditë me rëndësi për lirinë e shprehjes të citoj Albert Camun,
këtë shkrimtar dritëdhënës:
“Liria
pa kufi është e kundërta e lirisë. Vetëm tiranët mund të ushtrojnë lirinë pa limite;
dhe për shembull, Hitleri ishte relativisht një njeri i lirë, i vetmi në të
gjithë perandorinë e tij. Por nëse duam të ushtrojmë një liri të vërtetë, nuk
mund të ushtrohet vetëm në interes të individit që e ushtron. Liria ka pasë
gjithmonë si kufi, lirinë e të tjerëve.”
...
Me
siguri, ne një shoqëri të shëndoshë, ku liria e shprehjes kuptohet drejt dhe
nuk abuzohet me të, aty nuk bëhen model shoqëror autoritetet e rreme, që
çaraveshen e nuk dinë çka duan e çka thonë.
Aty
nuk mbillet terror e nuk kultivohen mendime shterpe, siç ngjet në shoqërinë
shqiptare, në të cilën mediat shpeshherë bëhen burim i keq ushqimit të
opinionit publik.
Për
më tepër, në një mjedis social, kulturor e politik, ku liria e shprehjes
kuptohet drejt, aty nuk defilojnë nëpër media gjithfarë marrinash e intrigash
dhe nuk i kushtohet njëzetekatër orë vëmendje mediokritetit.
...
Shoqëria
jonë e dërmuar, ka nevojë për një këndellje shpirtërore, për një ripërtëritje,
dhe për këtë, kontribut të jashtëzakonshëm mund të japë media fisnike dhe e
përgjegjshme që udhëhiqet nga parime etike e profesionale dhe jo nga instinkte
e impulse të çoroditura.
Shoqëria
jonë lëngon për shkak të përhapjes së murtajë e gjuhës, të intrigave dhe të
mashtrimit. E kjo amulli, ka krijuar terren fantastik për profetë të rremë,
liderë të pjerdhur, karagjozë e mediokër, dhe ka tkurrë hapësirën për vlera të
njëmenda, kulturore, fisnike e humane.
Shoqëria
jonë - jo vetëm sot - por për çdo ditë duhet të kujtojë lutjen e madhe dhe të
vlefshme të Faik Konicës:
"Ati
ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s'kemi gjë për të
thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të!
Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me
paanësi, por dhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga
shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!"
Kjo
lutje ka fuqi katharsisi dhe duke e marrë si model udhërrëfyes, atdheut, të
tashmes dhe të ardhmes së tij, i bëjmë shërbimin ma të mirë.