| E hene, 01.05.2023, 07:47 PM |
29 prill, 2001
LETRA
E NJË ADOLESHENTI TË NGUJUAR
Nga
Syrja Etemi
Në
ditarin e sotëm do të prezentoj një letër mjaft interesante të një ish nxënësi të shkollës sonë, që më
vizitoi në vendin tim të punës dhe ma dhuroi shkrimin për ta redaktuar dhe për
ta publikuar kur do të krijohen kushte më të mira. Në kërkesën time për ta
përfshi në ditar(osje) që ia tregova për aq sa kam shkruar deri më tani, ai u
dakordua, por pa shënuar emrin dhe mbiemrin e tij.
“Duhet
të jemi të pikëlluar për shkak të kësaj zezone.
Edhe unë si i ri që jam e ndjej (ndoshta edhe më shumë) këtë gjendje
traumatike. Shumë njerëz të vendbanimit tim janë të stresuar, të sëmurë, shumë
kanë vdekur e do të vdesin… Shumica syresh, sipas mëhallave e lagjeve, janë
mbështetur në njëri – tjetrin në mënyrë për t’i shpëtuar rrezikut që vjen nga
toka e qielli. Janë bashkuar dhe gjejnë kulm apo strehim më të sigurt, si:
shtëpi më të forta e me podrume, sallone të mëdha (për 40-50 vetë), ndër të
cilat edhe shtëpia e familjes time. Megjithatë, në shtëpinë tonë është kthyer
një lloj “gëzimi”. Babi dhe mami, gjyshi, gjyshja, kushërinjtë e
kushërirat, flasin më me përdëllesë e me
diskurse këshillëdhënëse, kanë kujdes më të theksuar edhe ndaj neve si fëmijë.
Madje kemi bërë lojra. Nuk ka më dalje nga mëngjesi e deri në mbrëmje. Nuk ka
më dalje nëpër kafeteri dhe nëpër shitore. Nuk ka më grindje. Sikur po zgjohemi
nga një ëndërr herë të ankthshme e të zhurmshme, e besa edhe mikluese e të
ngrohta, sikur gjithçka është e do të kalojë në qetësi. Për babin nuk ka më
rëndësi nëse do të shkojë në Zvicër, Gjermani apo Danimarkë, është i kënaqur me
atë që ka, por me rëndësi është të shmangemi e të shpëtojmë nga ndonjë sulm i
befasishëm nga qielli apo nga toka, sidomos nga ana jugore ku janë stacionuar
forcat paramilitare, policore dhe ushtarake të këtij shteti të mallkuar. Mamit më nuk i intereson se çfarë kanë bërë,
apo çfarë kanë veshur yjet e estradës; të komentojë me kushërirat telenovelat latine - të orëve të natës; nuk
mund të dëgjojmë as muhabete dasmash e restonesh ku ushton muzika tallava e
“protagonistëve” të destinuar e trajnuar mirë e që ndërtuan pallate
ekstravagande.
Nuk
do ta teproj nëse them se, kjo situatë ndikoi pozitivisht edhe në shprehjen e
kujdesit më të madh edhe ndaj të moshuarve. U blejmë gjëra nëpër shitore. U
qasemi më afër për të na treguar mesele e përralla. Jemi bërë më interaktiv
brenda hapësirave të shtëpisë. Sikur jemi bërë njerëz më të mirë. A duheshka të
na vijnë këto ditë të mbrapshta, që më në fund, të solidarzohemi, të
“zbutemi” e të kujdesemi më tepër për njëri-tjetrin?”
Nga
kjo klithmë rinore, unë nxora këtë përfundim: Njeriu ka nevojë për imunitet
fizik, por Neve, gjithësesi, veç kësaj domosdoshmërie biologjike, na duhet të
krijojmë edhe një imunitet më të konsiliduar psikologjik, mental e social.