| E diele, 30.04.2023, 11:08 AM |
Gëzuar përvjetorin Shoqëria "Vatra"
Nga
Dorian Koçi
Shoqëria
“Vatra” përbën pa dyshim një nga historitë më të suksesshme të organizimit të
shqiptarëve përgjatë këtij shekulli. E lindur dhe e organizuar si një kopje e
shoqërive të tjera që shqiptarët patën krijuar në Rumani, Bullgari, Egjipt e
Turqi, “Vatra” pati meritën që duke përqafuar mentalitetin dhe etikën e punës
të vendit ku u krijua të shndërrohej në një përfaqësi dinjitoze të shqiptarëve
në botë dhe të kontribuonte si askush tjetër në themelimin dhe fuqizimin e
shtetit shqiptar.
Për
më tepër Shoqëria “Vatra” është fiksuar në memorien shtet formuese shqiptare si
shprehësja e parë e konceptit të vullnetarizmit pasi ishte pothuajse shoqëria e
vetme shqiptare në botë që vazhdimisht u bë promotore e ngjarjeve në Shqipëri
nëpërmjet pjesëmarrjes së drejtë për së drejtë të vullnetarëve të saj në
ngjarjet e mëdha të kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912, Luftës së
Vlorës apo dhe ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar në periudhën
1920-1924.
Aq
i madh, i njohur dhe i pranuar gjerësisht
ishte ky kontribut i “Vatrës” sa ajo ishte e vetmja shoqëri patriotike
që u lejua të përfaqësohej me një deputet të saj në parlamentin shqiptar
1921-1924. Nga SHBA-ja erdhën idetë në vitet 20’, ku në Shqipëri për herë të
parë eksperimentoi me zgjedhjet e lira
dhe demokratike përmes veprimtarisë dhe publicistikës së dy nga korifenjve të
”Vatrës”, Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në
mendimin politik, filozofik dhe kulturor të Shqipërisë.