| E diele, 23.04.2023, 07:03 PM |
Viron KONA
“Fjala
e huaj në gjuhë është si dhia ndër dhen”
Bubulinoja bashkëbisedon
për gjuhën shqipe me rojen e shkollës
“Pa shihni ç'gjuh' e mirë!
Sa shije ka e hije,
Ç'e bukur'edh'e lirë,
Si gjuhë perëndie!”
Naim Frashëri
S`është e lehtë të bësh vërejtje
Kur
Bubulinoja po hynte në shkollë, dëgjoi rojen e shkollës që po falënderonte një
mësues me fjalët:
“-Ejvalla!
Ejvallah!”
Pastaj,
kur ai pa Bubulinon që po qëndronte aty pranë portës, e pyeti:
-Bubulino,
ç`ka këtu për të bërë sehir, pse nuk shkon në klasë?
-Kam
për të të thënë diçka.
-Mua?
-Po,
nëse është e mundur.
Roja
u bë kureshtar: “Çfarë do të më thotë mua ky Bubulinoja?” - pyeti veten dhe e
thirri pranë:
-Hajde,
tani jam i lirë. Bëjmë bashkë një dorë muhabet dhe më thuaj ç`ke për të më
thënë.
-Xhaxhi,
unë do të të them disa gjëra, po ti nuk do të mërzitesh, mirë?
-E
kush mërzitet me ty, more Bubulino! Iku ajo kohë, kur t`i bëje ca prapësira që
s`i mbante dot as kandari, kurse tani kam dëgjuar se shoqet, shokët dhe
mësuesit të duan dhe të respektojnë, kështu që edhe unë kam respekt për ty.
-Faleminderit!
- tha Bubulinoja dhe vijoi: -Po mendoja ta nisja bisedën time me “së pari” dhe
“së dyti” siç bëjnë të rriturit nëpër mbledhje, po më mirë po t`i them
mendimet drejtpërdrejt, ashtu siç i kam.
-Po,
Bubulino, ashtu thuaji, mos u druaj, kemi rreth 20 minuta kohë të lirë. Portën
e shkollës e kam mbyllur, nxënësit janë në mësim, ata të klasës tënde që janë
pushim po luajnë basketboll, kështu që fol, do ta mirëpres çdo gjë që do të më
thuash, si i thonë fjalës “t`i kemi sahanët pa kapak”.
-Do
ta mirëpresësh edhe po të të them diçka në formë vërejtjeje?
-Pse,
deri aty ka arritur puna?!
Roja
shqeu sytë nga habia dhe në fytyrë i ra një hije pakënaqësie.
-Unë,
more Bubulino, kam vite që punoj këtu dhe s`më ka bërë vërejtje askush, as me
gojë dhe as me shkrim. Vërejtje s`më kanë bërë as nxënësit që hyjnë e dalin, as
mësuesit, as ata të komitetit të prindërve, as vetë drejtori i shkollës që ti e
di sesa i rreptë është. Nga na dolën këto vërejtje tani?!Unë mendova se do të
më tregoje ndonjë nga ato aventurat e tua për të shkuar në planetin Mars1) apo
ato kundër ngrohjes globale, kurse ti dashke të më bësh vërejtje. Më duket se
ke gabuar adresë, Bubulino!
Bubulinoja
u step për një çast. E kishte menduar fare të lehtë dhe të thjeshtë
bashkëbisedimin me rojen e shkollës, por ja që duhej menduar edhe mënyra sesi t`ia
thoshte gjërat.
“-E
nisa keq këtë bisedë,-tha me vete,-ky roja u prek dhe u zemërua ende pa e nisur
bisedën, me siguri s`ka për të më dëgjuar asnjë fjalë nga ato që kam në mendje.
Iu kujtua se diku kishte lexuar që njeriut i pëlqejnë më shumë lëvdatat sesa
t`i bësh vërejtje, kurse në një orë të edukatës, mësuesja kishte thënë: Nëse
duhet të bësh vërejtje dhe ajo të zërë vend, duhet doemos takt. Në fillim duhet
të përgatitesh sesi do t`i thuash gjërat që ato edhe të thuhen siç duhet, edhe
të mos keqkuptohen. Pastaj gjatë gjithë kohës duhet të ruash qetësinë që edhe
bashkëbiseduesi të mos reagojë ashpër sikur ti po e shpon me gjemba.
Përkundrazi butësisht, me fjalë të zgjedhura, por pa e lënë pa thënë atë që ti
mendon se është e gabuar. Gjithnjë duke ruajtur qetësinë...”
E
pa në sy rojen dhe i tha:
-Unë,
o xhaxhi kam shumë respekt për ty, e jo vetëm unë, por e gjithë shkolla. Unë
desha vetëm të bashkëbisedojmë për ca gjëra që mua më shqetësojnë dhe që i
mbartim të gjithë, mendoj se ti je njeri zemërgjerë me të cilin mund të
bashkëbisedosh lirshëm. Këto që do të të them s`janë nga ato vërejtje që bëhen
nëpër mbledhje, pasi në këto lloj vërejtjesh përfshihemi thuajse të gjithë,
duke filluar nga prindërit tanë, nga gazetat dhe televizionet, nga zyrtarët, që
nga ata më të thjeshtët dhe deri tek ata më të mëdhenjtë. Ato që do të të them
janë disa gjëra që me dëshirë të mirë rregullohen shpejt. Nëse të duket e
tepruar dëshira ime, unë mund të tërhiqem, zëre se nuk e bëmë fare këtë bisedë.
Mua më gjete ti, Bubulino?!
-Kur
në këto që ti do të më thuash përfshihen të gjithë, o Bubulino, përse duhet t`i
fillosh ato vërejtje nga unë? Mua më gjete ti? Duket s`ke guxim t`ua thuash ato
vërejtje të tjerëve: mësuesve, drejtorit, atij të komitetit të prindërve, atyre
të televizioneve që vijnë shpeshherë në shkollë, por vjen drejt e tek unë që
jam më i parëndësishmi i kësaj shkolle.
-Po
e filloj nga ti, xhaxhi, se ti je i pari njeri që ne nxënësit takojmë sapo
hyjmë në shkollë; me ty përshëndetemi, me ty bashkëbisedojmë apo të vëmë në dijeni
për ndonjë problem që kemi, ty të shprehim edhe ndonjë hall kur ti na sheh të
mërzitur dhe na pyet:-Çfarë ke vogëlush? Ne flasim me ty si dhe me prindërit
tanë...Pra ti nuk je i parëndësishëm, sepse ty të është besuar e gjithë
shkolla. Imagjino sikur ti të lësh derën e shkollës hapur, çfarë do të ndodhë?
Këtu do të mblidheshin qentë dhe macet e lagjes, do të vinin bagëtia dhe do të
kullosnin në lulishtet e shkollës, do të vinte dikush që do të fishkëllente dhe
do thërriste me britma poshtë dritareve kur mësuesit shpjegojnë mësimin...Shumë
gjëra do të ndodhnin po të mos ishe ti, kështu që mos e quaj veten të
parëndësishëm.
-Faleminderit
për vlerësimin, Bubulino, por fol ç`ke për të më thënë, po pres me padurim!
Në
tonin e fjalëve të rojes, Bubulinoja dalloi edhe një farë zbutjeje, por edhe
kureshtje për ta nisur bashkëbisedimin.
-Ja,
po filloj. Kam vënë re se ti xhaxhi kur bashkëbisedon me ne nxënësit, por edhe
me mësuesit përdor padashur disa fjalë të huaja dhe të panevojshme.
-Ohu,
Bubulino, më duket se vërtet po e tepron akoma pa filluar mirë. Pse, për kë më
merr ti mua, për ndonjë nga ata nxënësit e paedukuar që flasin pa i kontrolluar
fjalët që nxjerrin? Eh, nuk e mendoja se ti do të më vije në një radhë me ata!
Pastaj, ti e di që unë nuk flas fare gjuhë të huaja, unë vetëm në gjuhën shqipe
flas, edhe në shtëpi, edhe në rrugë, edhe këtu në shkollë, kudo, kurse tani na dalka që flas fjalë të huaja të
panevojshme. Hajde Bubulino, zbraze thesin që të shohim se çfarë krunde të
tjera ka!
-Po
e filloj me disa fjalë e shprehje që i dëgjova pak minuta më parë nga ti. Ti e
falënderove mësuesin e matematikës, duke përdorur fjalët: “Ejvallah! Ejvallah!”
Kështu?
-Po,
ashtu e falënderova, ç`të keqe ka këtu?!
-S`ka
ndonjë gjë të keqe kushediçfarë, por në gjuhën shqipe ne kemi fjalën
“Faleminderit!” Ose, kur m`u drejtove mua përmende fjalën sehir. Në vend të fjalës sehir
mund të përdorje fjalën shikoj. Fjalën
sehir ti na e thua shpeshherë:
“Shkoni vajza e djem dhe bëni sehir
shfaqjen se është e bukur!” Më përmende gjithashtu fjalën muhabet, kurse në vend të saj mund të përdorje fjalën bisedë.
-Shiko,
shiko, qenke interesant ti Bubulino, duket që s`paska vetëm krunde ai thesi yt!
Vogëlushi
vazhdoi:
-Mësuesit
të fizkulturës ti po i thoshe: ”Aman,
përgatiti sa më mirë basketbollistët e klasës së 10-të, që të fitojnë ndeshjen
me ata të shkollës tjetër. Kam një komshi,
me të cilin jam në garë se kush do ta fitojë atë ndeshje”. Kështu po i thoshe,
apo jo?
-Po,
ashtu po i thosha, por ku janë fjalët e huaja dhe të panevojshme këtu?
-Ja,
në vend të fjalës aman, ti mund të
përdorje fjalën shqipe të lutem, e
cila është kaq e bukur, saqë ne shpeshherë e quajmë “fjalë magjike!” Kurse në
vend të fjalës komshi, ti mund të
përdorje fjalën fqinjë. Të vijoj më
tej apo po të mërzit?-e pyeti rojen Bubulinoja.
-Vazhdo,
more Bubulino, vazhdo, mua po më duken interesante këto që po më thua. S`m`i ka
thënë njeri deri më sot!
Rojes po i binte nervozizmi
dhe po e tërhiqnin “vërejtjet” e Bubulinos
-Xhaxhi,-i
tha buzagaz Bubulinoja,- unë e prisja këtë qëndrim dashamirës nga ana jote,
kështu që po vijoj më tej duke nënvizuar fjalët e huaja të panevojshme që ti
dhe shumë të tjerë i përdorni shpeshherë: Kur ne vijmë ditën e hënë në shkollë,
ti na thua: “-Epo ditët e shtuna dhe të diela kështu bëni ju, dilni në sabah, gjezdisni kot rrugëve gjatë gjithë ditës dhe mblidheni në shtëpi
vetëm në aksham, kur ju merr uria!”
Apo: “Kështu si jeni bërë, ka për t`ju qeshur e gjithë dynjaja dhe i gjithë mileti!”
Kurse kur nxënësi ynë doli i pari në garën e 100 metrave, ti e përgëzove me
fjalën:”Mashallah!” Kam rastisur një
herë te porta kur erdhi postieri dhe ti i the: “Hë, more evlat, çfarë haberesh na
ke sjellë?” Kur ai të pyeti, ku ndodhet drejtoria e shkollës, ti iu përgjigje:
“Ja, dera karshi sallës së mësuesve.
Ose, kur mbaron mësimi, ti na drejtohesh:”Ju, vajza dhe djem i keni mbyllur penxheret e klasës apo i keni lënë
hapur?”
Roja,
jo vetëm që s`po e ndërpriste Bubulinon,
por po e shihte i menduar. Kur Bubulinoja mbaroi, ai i tha:
-Nuk
e mendoja kurrë se këto fjalë e shprehje që ti nënvizove janë kaq të papërshtatshme,
o Bubulino?
-Jo
vetëm këto që sapo përmenda e nënvizova unë xhaxhi, por dhe fjalë të tjera të
huaja dhe të panevojshme njerëzit i
përdorin jo vetëm në biseda të lira, por edhe në mbledhje, në gazeta,
televizione etj. Madje edhe në shkollë ndodh që i përdorim padashur se ato janë
futur thellë dhe janë ngatërruar keq në gjuhën tonë, por nëse kemi dëshirën e
mirë ne mund t`i zëvendësojmë ato, duke u mbështetur te fjalori dhe te temat
mësimore që ne marrim në orën e gjuhës shqipe...
“Fjala e huaj në gjuhë, është si dhia ndër dhen”
N.Frashëri
-Po
unë, çfarë mund të bëj që të ndihmoj në zëvendësimin e këtyre fjalëve të huaja
dhe të panevojshme për gjuhën shqipe?-e pyeti roja me dashamirësi.
-Ti,
xhaxhi, ke mundësi që, kur bashkëbisedon me ne nxënësit apo dhe me të tjerët,
t`i zëvendësosh pa vështirësi disa prej atyre fjalëve që përmendëm: fjalën sabah e zëvendëson me fjalën mëngjes; fjalën gjezdisni me fjalën shëtisni;
fjalën aksham me fjalën mbrëmje; fjalën dynjaja me fjalën bota;
fjalën mileti me fjalën njerëzit (populli); fjalën mashallah! me fjalën të lumtë! fjalën evlat me fjalën bir ose bijë; fjalën habere me fjalën lajme;
fjalën karshi me fjalën përballë; fjalën penxhere
me fjalën dritare etj., etj.
-Ke
të drejtë për të gjitha këto këshilla e vërejtje, Bubulino! Më duken të drejta,
madje them me vete se duhet t`i kisha ditur që më parë. Por siç thotë populli
“Më mirë vonë se kurrë!” Duket që ti Bubulino je i vëmendshëm në mësim.
-Lidhur
me këto që po flasim,-vijoi Bubulinoja,- më ka mbetur në mendje një thënie e
Naim Frashërit:”Fjala e huaj në gjuhë,-thotë ai,- është si dhia ndër dhen”.
-Si,
si e ka thënë Naimi?
“Fjala
e huaj në gjuhë është si dhia ndër dhen”, - përsëriti Bubulinoja.
-Nuk
do t`i harroj kurrë këto fjalë të mençura, - tha roja duke i
përsëritur disa herë me zë të ulët dhe duke thënë me vete: “Eh, o kokë sa do
mësosh! E ku i paska vajtur mendja atij Naim Frashërit! E po, nuk i thonë kot
ata të grupit polifonik të Pilurit: ”Bilbili
i vendeve të mia,/bilbil-o,/bilbil-o,/Naim-ooo,/more Naim Shqipëria!”
Dhe, roja që i
donte shumë këngët polifonike, madje edhe i këndonte, nisi t`i këndonte vargjet
e këngës “Bilbil i vendeve të mia”, që i kishte shkruar poeti dhe rapsodi i
madh shqiptar Lefter Çipa.
Çdo gjuhë, siç merr edhe jep,
në kohë të ndryshme popujt marrin dhe japin me njëri -
tjetrin
-Me
sa kuptoj unë, - tha roja i shkollës, - fjalë e shprehje si ato që përmendëm,
na kanë mbetur nga e kaluara. I thonë afro 500 vjet nën sundimin e Turqisë dhe
ato qindra vite s`mund të kalojnë pa lënë gjurmët e tyre, apo jo?
-Po,
- tha Bubulinoja, - këto quhen “turqizma”, por përpara pushtimit nga Perandoria
Osmane, trojet tona kanë qenë të pushtuara nga Perandoria Romake, e cila kishte
gjuhë zyrtare latinishten kështu që, në gjuhën tonë kemi edhe shumë fjalë të
gjuhës latine apo dhe nga gjuhë të tjera.
-Ti,
Bubulino po thua se fjalët e huaja kanë hyrë dhe janë ngatërruar në gjuhën tonë
kur ne kemi qenë të pushtuar?
-Jo
vetëm atëherë, por populli ynë ka huazuar fjalë edhe nga gjuhët e tjera me të
cilat gjuha shqipe ka pasur fqinjësi: greke, sllave, italiane... Veçse çdo
gjuhë, siç merr edhe jep; në kohë të ndryshme popujt marrin dhe japin me njëri
- tjetrin. Për shembull, edhe gjuha angleze që sot ka përdorim shumë të gjerë,
dikur ka marrë shumë fjalë nga gjuha frënge dhe nga ajo latine. Edhe turqishtja
shumë fjalë i ka marrë nga arabishtja, persishtja etj.
-Kështu
gjuhët na dalkan si një lëmsh i ngatërruar keq,-vërejti roja,-apo fjalët e
huaja të panevojshme ngjasojnë me rrodhet që u ngjiten bagëtive në trup ose njerëzve në rroba. Ato të
ngjiten dhe nuk i heq kollaj nga trupi apo jo?.
Bubulinoja
vuri buzën në gaz dhe tha:
-Studiuesit
thonë se nuk mund të ekzistojë asnjë gjuhë e “pastër”, e papërzier. “Ashtu siç nuk ka kombe të
papërziera, ashtu nuk ka edhe gjuhë të papërziera.”
-Në
kohët e sotme, Bubulino, kam vënë re se gjuha angleze ka marrë përhapje shumë
të gjerë nga gjuhët e tjera, kështu?
-Po,
është e vërtetë, jo vetëm ne, por shumica e vendeve të botës kanë marrë dhe
vazhdojnë të marrin shumë fjalë e shprehje nga anglishtja. Kjo
ndodh, sepse anglishtja, veçanërisht
varianti amerikan, ka krijuar shumë fjalë të reja që lidhen drejtpërdrejt me
shkencat, me teknikën e teknologjinë, me internetin, me ekonominë, me
zhvillimet hapësinore e kozmike...Derisa nëpër botë janë futur mijëra makineri,
pajisje moderne, avionë, anije nënujëse dhe mbiujëse, armë luftarake, televizorë,
video, kompjutera, laptopë, celularë lloje – lloje etj., etj., bashkë me ato
vijnë edhe emrat e tyre, si dhe emrat e firmave prodhuese dhe tregtare që po
“pushtojnë” globin...Shumë prej fjalëve që përfaqësojnë terma teknikë, si të
origjinës së lashtë greke, latine, osmane, sllave, franceze, angleze, që kanë
hyrë dhe përdoren gjerësisht edhe nga gjuhët e
tjera kanë fituar të drejtën e tyre, janë pranuar nga e gjithë bota. Këto
quhen fjalë ndërkombëtare.
Shqipja - vazhdim i ilirishtes,
ndër gjuhët më të vjetra të Evropës
-Veçse
ne nuk duhet të harrojmë se gjuha e vjetër shqipe, e cila është gjuha e ilirëve
të lashtë (ilirishtja), është nga gjuhët më të vjetra të Evropës dhe prej saj
kanë marrë shumë gjuhët e tjera evropiane...Këtë e kanë vërtetuar shumë
studiues dhe gjuhëtarë të huaj me famë botërore. Midis tyre, gjuhëtari
danez Holger Petersen, shkruan: “Gjuha
shqipe është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur, që duhet të jetë krenaria e
folësve të saj....”
-Bubulino,
kam dëgjuar se ka pasur gjuhë që janë zhdukur apo janë përmbytur nga gjuhët e
tjera, është e vërtetë?
-Po,
e vërtetë është. Që nga kohët e lashta e deri më sot, shumë gjuhë të popujve të
botës janë zhdukur si kripa në ujë, kurse gjuha shqipe, (gjuha e ilirëve) ka
rezistuar fort, themelet e saj janë të patundura, gjuha jonë është
trashëguar e pasuruar në breza duke
treguar vazhdimisht fuqinë, bukurinë dhe vlerat e saj.
Bubulinoja
buzëqeshi dhe vazhdoi:
-Në
poezinë kushtuar gjuhës shqipe, Naim Frashëri
mes të tjerash shkruan: “Pa
shihni ç'gjuh' e mirë!/Sa shije ka e hije,/Ç'e bukur'edh'e lirë,/Si gjuhë
perëndie!”
-Këto vargje mbaj
mend se i recitonim edhe ne në shkollë, por të falënderoj që m`i kujtove,-tha
roja.-Po ti vazhdo se të ndërpreva mendimin.
-S`ka gjë, ne
thjesht po bashkëbisedojmë, - tha Bubulinoja dhe vazhdoi:-Mësuesit në shkollë
na porositin që gjuhën ta ruajmë si trashëgiminë më të vyer që na kanë lënë të
parët tanë ilirë; gjuha,-na thonë ata,- është një organizëm i gjallë, të cilën
duhet ta pasurojmë vazhdimisht dhe ta pastrojmë nga fjalët dhe huazimet e panevojshme.
Fjalët
e huaja që hyjnë dhe ngatërrohen në
gjuhën shqipe, atje ku mundim t`i zëvendësojmë me fjalë të gjuhës sonë të ëmbël
dhe të bukur. Një burim pasurimi janë dialektet e gjuhës shqipe, fjalët e reja që zbulojnë dhe ato që krijojnë
shkrimtarët dhe artistët. Zhvillohet vendi dhe populli, zhvillohet dhe
pasurohet vazhdimisht edhe gjuha shqipe.
Roja
miratonte me kokë fjalët e mençura të Bubulinos dhe kur ai mbaroi, i tha:
-Nëse
ke këshilla të tjera të tilla, unë i mirëpres, Bubulino!
-Tani
xhaxhi, - tha Bubulinoja, - po më shkon ora e mësimit dhe po largohem! Kur të
gjejmë kohë të lirë do të bisedojmë për fjalë të tjera të huaja dhe të
panevojshme, sidomos për ato fjalë që vijnë nga gjuhë të tjera. Je dakord?
-Oh,
faleminderit shumë, Bubulino, sot kam mësuar shumë nga ti, nuk do ta harroj
këtë bisedë dhe sidomos këshillën për ta ruajtur të pastër si drita gjuhën tonë
të bukur shqipe...Kam një nip dhe një mbesë në Gjermani dhe do t`u dërgoj atyre
dy abetare, por dhe libra të tjerë shqip, që të mos e harrojnë kurrë gjuhën
tonë të bukur.
-Meqë
ra fjala për nipat dhe mbesat në emigracion, - tha Bubulinoja, - po të dhuroj
një libër ku është botuar poezia e poetit tonë të madh Gjergj Fishta. E patëm
temë mësimi këto ditë dhe të gjithë nxënësit e dinë përmendsh. Ke dëshirë të të
recitoj disa vargje nga ajo poezi?
-Me
gjithë qejf,- tha roja.
Bubulinoja
nisi të recitojë vargjet: “Nper
gjuhë shqype bota mbarë/ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,/ka me ju njohtë për
shqyptarë;/trimi n'za, sikurse jini./Prandaj, pra, n'e doni fisin,/mali, bregu
edhe Malcija/prej njaj goje sod t'brohrisim:/Me gjuhë t'veten rrnoftë
Shqypnia!”
.............
1).Bubulinoja është personazhi kryesor në
një cikël librash të autorit, i cili ka shprehur dëshirën që të shkojë i pari
në planetin Mars dhe të shpëtojë planetin tonë nga ngrohja globale.