| E hene, 24.04.2023, 07:55 PM |
Loja e Liut
Nga
Edison Ypi
Li
Zorba ishte tironc.
Liu
e kishte shtëpinë te palca e tironcllikut, përballë Dervish Hatixhesë, atje ku
labirinti i rrugicave të Tironës duken si tru njeriu.
Ali
Zorba dhe unë punonim në një ofiçinë. Liu axhustator, unë inxhinier.
Çdo
ditë 16 vjet rresht, Liu erdhi në punë dy minuta para orarit dhe u largua dy
minuta pas orarit.
Liu
vinte me një biçikletë kineze me diçka për të ngrënë në zgarë mbështjellë me
gazetë.
Liu
e ndreqte biçikletën gjatë orarit të punës sipas parimit shpëtimtar leninist;
"Kam te puna".
Në
dallim prej meje që teknologjinë e dashuroja, Liu, veglat, dhe në përgjithësi
sendet metalike, i mbante larg, i shihte me mosbesim, me përçmim.
Liu
llafosej me mua më tepër se me të tjerët.
Një
herë kur po ndërtonte një strategji për të blerë një lavatriçe, Liu më tha se
do merrte boxh. Po a e lan dot borxhin, o Li ? i thash'. Hajt mo, ene shtetet i
morin borxh njonitjetrit e jo mo ne, u përgjigj Liu.
Një
herë tjetër, si nuhatës gjenial gjeopolitik, Liu vajti më larg, u bë
ndërkontinental; Qe, tha Liu, ai shkurtabiqi, ai Ten Hsiao Pini, ai ka me ua
fut t'gjithëve, ai ka me e rregullu Kinën.
Merak
të modh kishte Liu me u fal në Xhami. Por nuk mundej. Ishte e nalume. Xhamitë
ishin të shkatërruara ose të mbyllura. Liu thoshte se në botë ka xhami me dy,
madje dhe me tre "kazona", që ishin ato rrathët rreth minares ku vje
qark Hoxha tu knu.
Liu
ishte mahnitur qysh fëmijë me xhamiat, minaret, faljet, Hoxhallarët, kur ende
funksiononin. Liut i kishin mbetur të gjalla në përfytyrim gjithçka prej asaj
magjie.
Babai
i Liut kishte qenë gdhëndës i gurëve të vorreve. Liu e kishte të skalitur në
kujtesë dyqanin e vogël që patën pas' te Pazari Vjetër dhe porositësit e gurëve
të varreve që vinin nga an' e anës.
Me
dëshirën për ta trashëguar zejen e babait, Liu provoi një herë të bëhej skalitës
varresh.
E
gdhendi për bukuri gurin që do vihej mbi kokën e varrit të rahmetliut. Pastaj
nisi me skalit të parën gërmë që ishte një "A". Mirpo, për shkak të
një goditje jo fort precize me daltën e mprehtë, trekëndëshi i vogël kërceu
lart dhe ra në tokë.
Pas
atij dështimi, Li Zorba hoqi dorë nga zeja e babës. Nuk u mor më me gurë,
varre, dalta, mbishkrime.
Përveç
respektimit të orarit, kryerjes së punës, kujdesjes për biçikletën, ruajtjes
nga spiunat, Liun nuk e lidhte asgjë me mjedisin e flliqët komunisto-proletar,
mbledhjet, tabelat e emulacionit, tejkalimin e planit, fjalimet, frymën
revolucionare, ulurimat e kongreseve, klithmat e plenumeve, çizmet e
parakalimeve.
Ishte
e papërfytyrueshme që Liu të merrte iniciativa, të fliste në ndonjë mbledhje kolektivi
ku të zotohej se do zbatonte mësimet e partisë dhe porositë e shokut kurvi.
Liun
e habiste parrulla "Ti japim kurvit nga ditët tona".
Nuk
është e mundur, thoshte Liu me zë të revoltuar dhe të mbytur njëkohësisht.
Ymrin nuk e cakton kurvi. Ymrin e shkrun Allahu.
Liu
e zbatonte me sukses lojën e vet falë talentit që kishte për tu dukur i
pakuptueshëm, i mistershëm, i pazbërthyeshëm.
Liu
jetonte dhe punonte në atë mënyrë që mendja e budallejve s'mund ta kapte dot.
Liu
ishte shumçka, por për së pari musliman.
Liu
ishte musliman në gjithçka; Si lëvizte, si punonte, si ecte, si fliste, si
pyeste, si përgjigjej.
Të
gjithë e dinin se Liu ishte musliman dhe mbante Ramazan.
Ta
dinin për ndonjë tjetër që mbante Ramazan, i vinin menjëherë hekurat. Liut jo.
Liun nuk e preknin. Liu nuk i linte askujt asnjë shteg për asnjë shpresë se Liu
në birucë, Liu në burg, Liu te muri i pushkatimit, Liu me litar në grykë, mund
të dorzohej, mund të thërrmohej, mund të ishte ndryshe nga Liu kur falej
fshehtas, punonte, ecte, hante, apo ndreqte biçikletën.
Dukej
sikur Liu i urtë, Liu i butë, Liu i pasherr, Liu në punë të vet, i tillë kishte
qënë qyshkur s'mahet men, ashtu do ishte deri kur bota të shkatrrohej.
Kur
Liu hynte e dilte nga ofiçina me biçikletë, përshëndeste mua dhe ndonjë mik
tjetër me një shkelje syri shoqëruar me një buzëqeshje të lehtë, që kishte
kuptimin; "Këta plehra që thonë vetëm rrena nuk e kanë të gjatë, janë
provizorë".
Shejtanbudallejtë
që atëhere të futshin në burg ndërsa sot janë bërë demokratë, nuk e kuptuan
kurrë Lojën e Li Zorbës me buzëqeshje dhe shkelje syri.