| E enjte, 20.04.2023, 06:57 PM |
KONTEMPLACION
(FRAGMENT
NGA DITARI IM I LUFTËS, 2001-ME TITULL: “TË SHKRUASH NËN SHURUKAMËN E ARMËVE”)
SHKRUAN
SYRJA ETEMI
DUKE
SHIJUAR PARAJSËN E FERRTË
(ora
11 e 30 min.)
Në
rropatjet e mia të jetës, jorrallë po më grishin hapësirat dhe terrenet
impozante të buzësharrit, përkatësisht, ngrehinat atraktive e pitoreske të
pyjeve e maleve, e pikërisht - i ashtuquajturi: Vneshti i Haxhi Shefkiis, në
Bigurin joshës, i cili, gati për çdo fundjavë më merr me vete, duke më shmangur
e kursyer për pak kohë nga rutina e përditshme dhe monotone e rropullisjes së
jetës brenda katundit. Eci sa eci dhe piketohem në një taumë dheu e kullose për
pak “jogë” shpirtërore, duke shijuar burkurinë mahnitëse - parajsore të Florës
dhe Faunës, e cila fillon të “hazdiset” e të krekoset edhe në këtë
fillimpranverë. Rri ulur këmbëkryq në Livadh, me shpinë të kthyer kah Guri i
Bigurit (Te Çamët e Sllatinës), kurse – me fytyrë drejt hapësirës juglindore (kah
Tearca) me qëllimin për të akceptuar sa më ëndshëm natyrën përrallore që më
përkëdhel me dashamirësi dhe më “qorton” njëkohësisht kur ndjen neglixhencën, anashkalimin,
përbuzjen apo mospërfilljen evidente të shprehur nga ana e shumë njerëzve të
fisit ndaj krejt kësaj mrekullie të Zotit.
Livadhi
i Haxhi Shefkiit – Te Vneshtët
Vëzhgoj
e meditoj duke blatuar vetmeveti: “Eh, gjithë ky salltanet që po derdhet e
shpenzohet kot për gjëra materiale, e sa
pak për përfitime shpirtërore...” Ja sikur të dinim të çmonim mrekullisht këtë
vlerë, do të ishim shumë më të përgatitur t’i bëjmë ballë edhe kësaj
kacafytjeje me dashakeqasit sllavë...!
Vështrimi
vazhdon të përceptojë Rrafshin me imazhet e përfituara, të cilat aty për aty
përpunohen në “studion” e kokës sime gati
të shalakatur nga lodhja, në gjetjen e gatishmërisë për t’i dhënë
përgjigje secilës panoramë që më kap syri.
...Ja,
jaaaa gjithë ky grumbull i madh shtëpish! Gjithë këto kube minaresh të
faltoreve (objekte me vlerë materiale,e shumë pak me destinacion për karrikim shpirtëror). Fshatra të vargëzitur
njëri pas tjetrit, të cilët mund t’i dallosh vetëm përmes pyrgjeve të
lartësuara drejt qiellit:( minare në Tearcë. Më larg të bie në sy edhe minareja e xhamisë së f.Përshevcë. Nga ana
pak më jugore, në një distancë prej disa kilometrash, të kap syri grumbuj
shtëpish të mbështjellë me një aureolë të hollë e të tejdukshme mjegulle
(ndoshta është f.Nerasht, sepse e kam vështirë ta identifikoj). Edhe këtu
dallohet më shumë minarja e lartë e fshatit.
Dhe,
fëësht... del edhe një përgjigje ndoshta aksiomatike, por deduktive dhe
faktike: Këta njerëzit e fisit tim, më tepër duan të duken si fetar të
devotshëm, sesa të jenë të tillë!...
Eh,
gjithë këtë pasuri materiale e varfëri shpirtërore e gjen te ky popull im i çuditshëm!... Edhe sikur çdo
mëhallë të ketë nga një xhami, apo nga një shkollë - kotna sikoti... njerëzit e
gjeografisë sime prapëseprapë vuajnë demencën infantile të mileniumit që po hyjmë kaq të hallakatur...
...Meqë
është ende fillimi i pranverës dhe, natyra akoma nuk ka veshur plotësisht
petkun e blertë të saj, me lehtësi mund të spikaten karakteristikat
arqitekturore të shtëpive të Rrafshit: objekte njëkatëshe, dy, madje edhe tre
apo katër katëshe, me fasada stilesh e nuancash të ndryshme: të bardha, të
verdha, të kuqe, bojëkafe etj. Nuk janë të rralla edhe anekset e shtëpive ose
si i thonë kësaj ane: ”veçellejke”, pojata, madje mashna të zbrazëta dhe garazhe me dyer të metalta, të drunjta a
të plastikta.Tek - tuk të kënaq syrin
ndonjë kopsht i jeshilosur, pasi që bahçet dhe livadhet e dikurshme janë duke u
uzurpuar me objekte banimi e duke u ngulfatur njëkohësisht. Nga natyra e
blertë, të gajasin ngazëllimin disa drunj që sa po kanë plasur dhe kanë nxjerrë
pipat e jeshiltë, kurse disa veç kanë hapur petalet e bardha, si që janë:
kumbullat dhe pjeshkët, madje edhe qershitë e vishnjat... Ndërsa, bagremi,
dushku, ara dhe gështenja, sikur ende po vazhdojnë dremitjen letargjike të
dimrit kapriçoz. E, bredhat, si përherë - vigjilentë, qëndrojnë të krekosur në
pllajën e Mbigurit.
Si
një orkestër instrumentesh të çakorduar,
dëgjohet jehona e banorëve të këtyre vendbanimeve, e sidomos të
bashkëfshatarëve të mi, (pasi këtë fshat e kam më afër). Të buçasin te veshi
thirmat e tyre nga oborret, bahçet apo arat
gati të harruara nga padronët e tyre. Buçimë traktorësh, zhaurimë
eskavatorësh, krrakatje skifterësh,
kubecësh e shqiponjash; cicërrima zogjësh, që nuk di t’ua them emrat me
saktësi: vrabeca, bilbila, lauresha,
sinica, madje edhe ndonjë laskër apo gugufçe, e k.m.r. Nga një largësi të
theksuar, ma merr mendja - nga një ngrehinë sakrale kristiane e komshive
anksiozë e të bezdisshëm të fshatit përkarshi, të vjen te veshi një “simfoni” e çakorduar” në formën e një këngeje të amësht e bajate, e
sajuar për inatin e kojshive muhamedanë përbri, me të cilët urehen në skajshmëri deri në “kapjen e
dyfekut” kundër “ shoqi - shojt”, por,
ama, që nuk bëjnë fare pa njëri - tjetrin, kur është në pyetje biznesi apo
“allishverishi”...
Si
në një përgjumje të beftë, për pak çaste ndjeva sikur gjendem në një botë
përrallore. Por, nuk vazhdoi shumë dhe nga ky ekzaltim i momentit, më zgjoi
kuisja e një “Kukuvajke”, që vajtonte këngën për “Konstantin - vojvodën” dhe
“Sharrin - plak që po gjëmon...”, këngë këto që janë grabitur nga
komshijtë kapuçbardhë e rebelë. Kisha harruar se mu këtë ditë Ajo festoka
Pashkët ortodokse!... Nuk ia vlen të harxhoj shumë kohë edhe mëtej me kësi
dënglash bajate, por, t’i lë të qetë ata
në manifestimin dehës deri në ekzaltimin maksimal. ATA janë të atillë,
e, NE jemi të këtillë. Secili në kajden e vet...
Kjo
sekëlldisje momenti, nakatoset edhe me
indinjatë tjetër që më sfilitë vazhdimisht. Është kjo indolenca dhe indiferenca
e dykëmbëshave të Rrafshit ndaj kësaj Parajse tokësore, të cilën e përdhunon
mizoria e një dore dhe mendjeje sa bizare, aq edhe djallëzore. Herë pas here të
dëgjon veshi edhe ca zëra të çjerrë që të çmendin; ca dërdëllitje
bla-bla-bla-shë, të nakatosur me zhaurimë mjetesh e makinash të vjetërruara:
buçima rrënqethëse të motoçikletave dhe veturave plaka pa “auspuf”, që s’kanë
takat ta përtypin edhe atë pak benzinë apo naftë farmakosëse...
...Veç
bukurisë së Zotit në një anë, në anën tjetër të vret syrin e të sëmbon zemrën
papërgjegjshmëria e disa gjyhnaqarëve që shkatërrojnë këtë Kopsht të Edenit me
hudhje mbeturinash kudo përreth, me pleh që tërmos dhe bërllok në të katër anë:
najllona, plastikë, ambalazhe piesh gazuese, hekura e metale të ndryshkur, e...
Ruana, o Zot! Prandaj, nga kjo gjendje sikur marr një të drejtë “hyjnore” për
t’iu drejtuar krejt atyre që (nuk) më dëgjojnë:
O,
ju individë të padëgjueshëm, pse nuk më lejoni të shijoj deri në fund këtë
spektakël ambiental, këtë bukuri të magjishme të kësaj natyre të mrekullueshme?
Deri kur do të zgjasë “sadizmi” juaj i pafund, duke u “kënaqur” me dergjën e
Tokës-nënë dhe ajrit të pastër-jetëdhënës? Deri kur do të ma kontaminoni eterin
me këto zëra të çjerrë përreth meje? O, ju minorenë të pandërgjegjshëm, deri
kur do të vazhdoni me këtë gjen shkatërrimtar të ma rrezikoni jo vetëm hisen
time, por, edhe hisen e brezave që do të vinë? Deri kur?...
Rri
e mendoj dhe vazhdoj të pyes veten: A thua kjo që po bëjmë, është paja apo
sermëja që ua lëmë ne bijve tanë? Nëse është kjo, dhe besoj se është, nuk mund
të justifikohemi kur ata (brezat që do të vijnë pas nesh nesër a pasnesër), do
të na shajnë e do të na mallkojnë ...
-Ilaç
apo terapi për krejt këtë?
-Edukimi
i shëndoshë. Edukim dhe Arsim për shekullin njëzet e një, vëllezër... Arsimi
është dritë, arsimi është fuqi që ndryshon gjendjen, që ndryshon botën. Por, ja
kur tani edhe era e barotit ka filluar
të kundërmojë në këtëo hapësira tona gjeografike , sikur edhe më tepër do ta humbim ekuilibrin.
Prandaj, o njerëzit e mi, nuk duhet të lëshohemi në defetizëm e të humbim
ekuilibrin: “Ekuilibri nuk është vetëm emër (gjendje statike), por një folje
(dukuri dinamike) që shpreh veprimin e gjetjes së drejtpeshimit”.
SYRJA ETEMI
04.04.2001