| E merkure, 19.04.2023, 06:56 PM |
Albert Ajnshtajn, urtësia dhe largëpamësia që pasuroi botën me dije
Nga
Albert Vataj
Mbamendja
e historisë njerëzore nuk ruan në kujtimet e saj një të dytë si ai. Asnjëherë nuk
ka gjalluar faqe kësaj toke një krijesë kaq e jashtëzakonshme dhe kaq me të
papritura. Një jetë të tillë të stuhishme dhe rrapëllitëse, s’kishte kapluar as
marinari më i stërvitur i deteve. Ai u dha vullnetlirë nëpër krejtçka përbën
ndryshesat, kapërcyellin dhe kaplimin në kreshtën më të lartë të famës, ku u
ngjit, për të mos zbritur sandejmi askurrë. Ç’skutë e errët e mendjes
njerëzore, universit dhe kureshtisë ishte, ku ai nuk u kredh si një eksplorator
triumfues. Si krejt gjenitë e tjerë edhe Albert Ajnshtajn e gatuan çdo mozaik
të jetës së tij në shtjellën e të papriturave dhe befasive, diku-diku
cingëritëse, të debatueshme dhe të larë nga shkëlqimi i lavdisë, tjetërkund. Ai
erdhi dhe iku si një përjashtim. Mbamendet se kur lindi, koka e tij ishte kaq e
madhe dhe e shtrembëruar, sa e ëma kujtonte se mos ishte i deformuar. Nën këtë
makth u ngjeshën e gjithë familja, e cila mendonte se mos kishin të bënin me
një monstër. Dhe habia vazhdon në familjen ku rritej gjeniu i ardhshëm.
Ajnshtajn kur ishte fëmijë fliste rrallë dhe ngeshëm. Ajo që më vonë u quajt
“sindroma e Ajnshtajnit” zgjatoi deri në moshën 9-vjeçare. Kur Ajnshtajni ishte
pesë vjeç dhe lëngonte i sëmurë në shtrat, babai i tregoi diçka që i ndezi
interesin e tij për shkencën dhe hamendet se ajo shkëndi i vuri zjarrin një
yjësië e tij të gjenialitetit. Ndërsa qëndronte i shtirë, i ati i dha një
busull xhepi. Ndryshimi i vendodhjes dhe drejtimi i gjilpërës manjetike që
trekonte kahun e orjentimit, u kthye në kureshtinë fillimore të tij. Ndërsa vëzhgonte
busullën tek djaloshit 5-vjeçar zuri fill mendimi se duhet të kishte ndonjë
forcë në atë që konsiderohej si hapësirë boshe që e bënte gjilpërën të lëvizte.
Kjo ndodhi e fëmijërisë udhëtoi nëpër shumë rrëfenja dhe tregimtari të
fizikantit të ardhshëm.
Kësisoj
mori hov në botë e të panjohurave, Albert Ajnshtajn, ai që do të kaplonte
dhunshëm vlerësimin si shkencëtari më i rëndësishëm i shekullit XX. Një prej
arritjeve që ktheu faqen e historisë së shkencës, ishte ekuacioni E=mc2. Ai
fitoi çmimin “Nobel” në vitin 1921 për punën në lidhje me efektin fotoelektrik.
Ai zhvilloi Teorinë e Relativitetit, të cilën e kishte përfunduar me kohë, por
u deshën 25 vite që të tjerët ta kuptonin. Gjithashtu, kontributi i tij bëri
një ndryshesë të themeltë pikëpamjen e botës. Para Ajnshtajnit, disa gjëra
besoheshin si të vërteta. Mes tyre ishin dhe ligjet e gravitetit dhe trupave në
rënie, të përmendur më parë nga Isak Njutoni. Në asohere, besohej se “koha” në
vetvete ishte një konstante fizike: Të gjithë dhe gjithçka përjetonte kalimin e
kohës ashtu si kushdo dhe gjithçka tjetër. Teoria e tij e Relativitetit special
parashikonte se kjo s’ishte e vërtetë dhe më vonë u vërtetua nga eksperimentet
me orën bërthamore.
Nëpër kthinat e jetës
Mundi
të strukej deri vonë, por jo të mbetej përgjithmonë një enigmë, një episod i
jetës së njeriut që u përpoq të çburgoste nga pikëpyetjet botkuptimin e një
shekulli. Në vitin 1980, letrat private të Ajnshtajnit kanë tronditur themelet
e gjeniut. Në to mësohet se Ajnshtajn kishte një vajzë të paligjshme me
ish-studenten Mileva Mariç, e cila më vonë lindi një tjetër vajzë me emrin
Lieserl, pas vdekjes së të cilës ata
shpallën martesën. Hans Albert dhe Eduard ishin dy djemt e jëts së tyre
bashkëshortore.
Ajo
që do të ekzekutonte këtë lidhje do të ishte fama. Lindja e fizikantit gjenial
të Albert Ajnshtajn do të zgjonte tek ai mashkullin prepotent, akt i cili u
firmos në një kontratë, zbatimin e së cilës njeriu i shkencave ekzakte kërkonte
korrektësi në zbatim. Në këtë kontratë bëhej fjalë, sa vijon: “Rrobat të ishin
të pastra dhe të hekurosura. Ti çonte tre vakte të ngrohta në dhomë, e cila
duhet të pastrohej me kujdes, përveç tavolinës së punës. Veç këtyre, të
pushonte së foluri ishte një tjetër kush i kësaj detyrese bashkëshortore. Ajo
mësohet se kishte pranuar në këmbim të besnikërisë. Por kjo skllavëri nuk
ndryshoi azgjë deri në momentin kur vargonjt e kësaj zgjedhe bashkëshortësh ti
këpuste divorci. Gratë në jetën e fizikantit do të ishin të shumta, të
stuhishme dhe përplot të papritura njëra prej së cilave ishte martesa me
kushërirën e tij Elsa Loëenthal. Për të mos e mbyllur me kaq këtë zell
çmendurie pasioni ai mësohet se kishte shfaqur interes të martohej me të bijën
e bashkëshortes, e cila ishte frut i një loidhje të mëparshme të saj Në të
vërtetë ai donte të martohej edhe me vajzën e Elsës nga një martesë e
mëparshme. Edhe ajo pati këtë fat me këtë burr besnik, i cili e tradhtoi me
sekretaren, Betty Neumann dhe gjashtë gra, mes tyre dhe një spiune ruse.
Kësisoj dëshmojnë korrespondencat e tij.
Pendesë e një pacifisti
Në
vitin 1939, i alarmuar nga shumimi i Gjermanisë naziste, Leo Szilard e bindi
Ajnshtajnin t’i shkruante një letër presidentit amerikan, Franklin Roosevelt,
ku e paralajmëronte se Gjermania naziste po ndërtonte një bombë atomike dhe i
sugjeronte SHBA-ve të zhvillonin bombën e tyre. Letra e Ajnshtajnit dhe
Szilardit konsiderohet si një nga arsyet që Roosevelti filloi “Projektin
Manhattan”, për të zhvilluar bombën,
edhe pse më vonë u zbulua se bombardimi i Pearl Harbor në vitin 1941 e bindi më
shumë qeverinë se sa letra e tyre. Edhe pse ishte fizikant i shkëlqyer, ushtria
e konsideronte si rrezik sigurie dhe nuk e ftuan në projekt.
Gjatë
kohës së Luftës së Dytë Botërore jeta e fizikantit të madh do të gjendej në një
rrezik serioz. E pabesueshme por e vërtetë. Do të ishte Shqipëria dhe shtetësia
shqiptare ajo që do të shpëtonte Albërt Ajnshtajn. E kush mund ta mendonte se
fizikanti i madh ka shkelur tokën shqiptare? Dhe jo vetëm kaq. Ai u pajis me
pasaportë shqiptare nga mbreti Zog, si një mbrojtje që ai i dha hebreut më të
famshëm të shekullit të 20-të. Edhe pse për shumë pak kohë, Ajshtajni në vitin
1931 ka qëndruar në portin e Durrësit, në pritje të anijes.
Të pazakontat e jetës së njeriut të jashtëzakonshëm
Veç
pasionit dhe jetës së dendur krevatore, ky mendimtar i madh rrekej në
tëzakonshmen e tij edhe në të tjera gjëra të zakonta, jetësimi i të cilave
vetëm se e bëjnë më interesante rrugëtimin e një gjeniu. Përveç sportit të
preferuar, lundrimit Ajnshtajni i shmangej çdo aktiviteti çlodhjeje që kërkonte
shkathtësi mendjeje, siç mësohet nga një rrëfenjë prestigjozen amerikane “New
York Times”, “Sapo përfundoj projektet që kam në dorë, nuk dua të merrem me
asgjë tjetër që kërkon punë mendjeje”. Ajnshtajni ishte një kokëfortë fanatik.
Ai refuzoi të vishej ashtu siç e këshillonin, kushdo të ishte ai apo ajo.
Njerëzit ose e njihnin mirë, ose nuk e njihnin fare, arsyetonte ai, kështu që
nuk kishte rëndësi në e shihni me të njëjtin kostum një vit të tërë. Edhe pse
jetoi për shumë vite në Shtetet e Bashkuara dhe i fliste mirë të dyja gjuhët,
Ajnshtajni thotë se kurrë nuk ka mundur të shkruajë në anglisht, për shkak të
“shqiptimit të pabesë”. Një ndër gurët e tjerë të mozaikut është duhani, llulla
e tij emblematike. Mësohet se ai ishte pjesë në “Klubit të duhanxhinjve me
llullë”, kur jetonte në Montreal. Së këndejmi mbamendet të ketë thënë se
“Duhani me llullë kontribuon në gjykimin më të qetë dhe objektiv të çështjeve
njerëzore”.
Poza e tij histori
Ishte
ditëlindja e Albert Ajnshtajnit dhe i mbytur nga një mori fotografësh, i lodhur
prej tyre, ai nxori gjuhën me shpresën se do t’ia prishte foton. Sigurisht që
kjo kapriço nuk mori ato pritshmëri që u bënë zanafillë e këtij gjesti joganat.
Meqë shkencëtari kishte një reputacion si njeri i çuditshëm, fotoja u
konsiderua si një shembull tjetër i sharmit të tij gjaknxehtë dhe u bë një prej
fotove të tij më të bukura.
Kësisoj
ishte ky njeri, i pazakontë në çdo gjë dhe i jashtëzakonshëm në gjithçka. Vetëm
një gjeni dhe mendimtar i përmasave të tilla mund të derdhtë përmendoren e tij
në këtë kallep befasishë.