| E merkure, 19.04.2023, 08:00 PM |
KRIMET E ANDARTËVE GREKË NË JUG TË SHQIPËRISË
- VITI I MBRAPSHTË -
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Gjatë vitit 1913, grekët e mbajtën të
pushtuar jugun e Shqipërisë. Popullatën ortodokse të kësaj zone e quanin
popullatë greke. Ndërkohë, dolën me projektin – autonomi e Vorio Epirit. Më 2
mars 1914 shpallën të ashtuquajturin shtet të pavarur të Vorio Epirit me
kryeqytet Gjirokastrën. Në qeverinë e këtij farë shteti u përfshinë edhe do shqiptarë
të shitur. Shteti fantazmë krijoi edhe ushtrinë e vet.
Në radhët e saj u përfshinë vrasës,
kriminelë dhe vjedhës që u liruan nga burgjet. Të organizuar në “batalione të
shenjta” apo Hierollohite, ata iu vërsulën jugut të Shqipërisë. Vranë, dogjën
dhe shkatërruan gjithçka. Banorët ortodoksë të këtyre anëve e kundërshtuan
krijimin e këtij farë shteti. Megjithëkëtë, do të shitur, u bënë pjesë e
andartëve grekë. Një prej synimeve të qarqeve vorioepirote greke ishte djegia e
fshatrave me popullsi shqiptare të fesë islame dhe vrasja e dëbimi i banorëve
të zonës.
Çetat shqiptare në Kolonjë, Tepelenë,
Kurvelesh, Delvinë dhe gjetkë të udhëhequr: nga atdhetari e veprimtari i
Rilindjes Kombëtare, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave për lirimin
kombëtar të vendit - Çerçiz Topulli (1880-1915); nga luftëtari dhe
komandanti i forcave vullnetare për mbrojtjen dhe për çlirimin e vendit nga
pushtuesit e huaj - Selam Musai (1860-1920); nga veprimtari i lëvizjes
për çlirim kombëtar dhe për mbrojtjen e tërësisë tokësore të vendit gjatë
Rilindjes - Sali Butka (1857-1938); nga luftëtari për mbrojtjen e
trojeve amtare, sidomos në jug të Shqipërisë - Sulo Beqiri (fund i
shek.. XIX – 1970) dhe nga atdhetari kundër pushtuesve osmanë dhe italianë,
komandant çetash - Sali Vranishti (Sali Murati/Vranishti, 1880-1926) dy
muaj pandërprerë u bënë ballë hordhive andarte greke.
Në kuadër të trupave vullnetare që në
vitin 1914 luftuan kundër bandave të andartëve grekë, midis të tjerëve, mori
pjesë edhe Avni Rustemi (1895-1924).
Shqiptarëve u erdhën në ndihmë edhe
ushtarakët holandezë të cilët ndodheshin në Shqipëri për të
organizuar xhandarmërinë e shtetit.
Qeveria e Princ Vidit (Wilhelm
Wied, 1876-1945) ishte e zënë me komplotet e Esat pashë Toptanit* (1863-1920)
dhe me kryengritjen e Haxhi Qamilit* (Qamil Zyber Xhameta, 1876-1915).
Pas një qëndrese dymujore të përgjakshme, një pjesë e popullatës u drejtuan
drejt Vlorës dhe Beratit.
Në vitin 1914, andartët grekë kryen ndaj
shqiptarëve krime barbare dhe mizori të papara: shumë të vrarë (sipas disa
burimeve, janë 7.000 të vrarë); fshatra të djegura (sipas disa burimeve, bëhet
fjalë për 192 fshatra të djegura); banorë të dëbuar me dhunë prej vatrave të
veta (sipas burimeve të caktuara, bëhet fjalë për më se 100.000 banorë); prej
tyre, mbi 4.000 kanë vdekur nga uria dhe nga sëmurjet.
Burimet thonë se në Hormovë, andartët
grekë kanë vrarë 217 burra; në Panarit kanë therur 340 burra, gra dhe fëmijë;
në fshatrat e Përmetit, të Pacomit dhe në Kuqar kanë vrarë apo kanë therur 75
burra, 40 gra dhe 27 fëmijë.
Popullata është vendosur kryesisht në
ullishtat e Vlorës. Shumë vetë kanë vdekur urie.
Për këtë tragjedi ka shkruar edhe
shkrimtarja dhe udhëpërshkruesja britanike, mike e madhe e shqiptarëve - Edit
Durham (Mary Edith Durham, 1863-1944), popullata ndërkaq, i ka vajtuar në
këngë. (Me shkrimet antropologjike të saj, Edit Dyrham pasqyroi jetën e
shqiptarëve në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX).
Për masakrat në jug të Shqipërisë në
vitet 1913-1914, si dëshmitar i kohës flet edhe prifti ortodoks shqiptar nga
Leusa - Kosta Papa Tomori, në librin e tij “Barbaritë greke”, të
botuar më 1917.
Për ngjarjet e sipërthëna i ka shkruar
edhe studiuesi dhe publicisti Teki Selenica (1882-1962).
*
* *
Gjatë historisë politike të kohës më të
re, d.m.th. që nga viti 1877 e këndej, grekët, serbët, malazeztë, më vonë edhe
sllavo-maqedonasit, të mbështetur nga Rusia cariste, bolshevike dhe putiniste,
kanë kryer krime ndaj shqiptarëve. Para këtyre krimeve, Fuqitë e Mëdha të
Evropës – Anglia, Franca, Gjermania, Austro-Hungari dhe Italia i kanë mbyllur
sytë.
Synimet grabitqare të fqinjëve ballkanikë
të shqiptarëve i ndali në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920), presidenti
amerikan Udro Uilson (Thomas Woodrow Wilson, 1856-1924). Ky hartoi
deklaratën e 14 pikave të shpallur më 8 janar 1918, ku kërkohej vendosja e
paqes mbi bazën e parimit të kombësisë dhe të vetëvendosjes së popujve.
Kundërshtoi kompromisin anglo-franko-italian të janarit të vitit 1920 që
parashikonte kalimin e Shkodrës dhe të Shqipërisë së Veriut në kufijtë e
Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene.
Lëvizja kombëtare shqiptare fitoi në kohë
dhe organizoi Kongresin e Lushnjës (28-31 janar 1920) dhe Luftën e
Vlorës (1920) që siguruan tërësinë tokësore dhe pavarësinë Shqipërisë.
Për krimet e fqinjëve ballkanikë ndaj
shqiptarëve, pavarësisht nga ç’thotë BE-ja, nxënësit dhe studentët shqiptarë
duhet të mësojnë nëpër shkolla dhe universitete - nga tekstet e historisë.
Fuqitë e Mëdha të kontinentit kanë gjetur një gjuhë pajtimi ndër vete, por
vetëm pasi i kanë pranuar krimet që ia kanë bërë njëri-tjetrit dhe kanë kërkuar
falje për to.
Në rajonin e Ballkanit ndërkaq, fqinjët
grabitqarë të shqiptarëve, jo vetëm që nuk pendohen për gjenocidin e kryer ndaj
tyre, por sot e kësaj dite vazhdojnë të kryejnë krime.
Krimet ndaj popujve s’harrohen dot kurrë.
As vjetrohen. Në shenjë kujtimi dhe nderimi të viktimave të krimeve të fqinjëve
ballkanikë të kryera ndaj shqiptarëve që nga viti 1877 e këndej, shqiptarët
duhet të ngrenë një qendër përkujtimore monumentale.
Shënim:
Esat pashë Toptani (Tiranë, 1863 – Paris, 1920) – veprimtar politik i cili punoi kundër
interesave kombëtarë. Si komandant i forcave rezerviste të Shqipërisë së Mesme
që luftonin për mbrojtjen e Shkodrës në vitet 1912-1913, pas vrasjes së
komandantit të Korpusit (Garnizonit) të Shkodrës - Hasan Riza pashës* (1871-1913),
të organizuar prej tij, në prill të vitit 1913 ua dorëzoi qytetin forcave malazeze.
Duke qenë ministër i Luftës dhe i Punëve të Brendshme në qeverinë e Vilhelm
Vidit (1876-1945), sabotoi qëndresën dhe luftën popullore për çlirimin e
Shqipërisë së Jugut nga forcat greke dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.
Në verë të vitit 1915 nënshkroi një marrëveshje me qeverinë e Beogradit në dëm
të pavarësisë politike dhe tërësisë tokësore të shtetit shqiptar. U vra me
atentat nga Avni Rustemi (1895-1924).
Hasan Riza pasha (1871-1913) – Vali dhe komandant i garnizonit ushtarak të Shkodrës gjatë
luftës së Parë Ballkanike. Lindi në Bagdad, nga një nënë me prejardhje
shqiptare. Në janar 1911 u caktua komandant i Korpusit (Garnizonit) të
Shkodrës, ndërsa në mars të vitit 1912 u emërua edhe vali i vilajetit të
Shkodrës. Në vitet 1912-1913, organizoi dhe drejtoi mbrojtjen e Shkodrës. U vra
pabesisht më 30 janar 1913. Në këtë vrasje ishte dora e Esat pashë Toptanit.
Varri i tij ndodhet në Shkodër. Në vitin 1993, për merita në mbrojtjen e
Shkodrës, u dekorua me “Urdhrin për veprimtari patriotike” të kl. I.
Haxhi Qamili (Qamil Zyber Xhameta, fshati Sharrë, Tiranë, 1876 – Durrës, 1915) –
Udhëheqës i Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme të viteve 1914-1915 – kohë
e vitit të mbrapshtë. Mori pjesë në batalionin e rezervistëve “Erzeni”
dhe në vitet 1912-1913 luftoi nën komandën turke për mbrojtjen e Shkodrës nga
agresioni i Malit të Zi. Gjatë fazës së dytë të kryengritjes kundër qeverisjes
së princ Vilhelm Vidit, doli me parullat antikombëtare: “Duam babën,
duam gjuhën turke, duam flamurin turk”. Në nëntor të vitit 1914, ishte
në krye të djegies së sarajeve të Esat pashë Toptanit. Kryengritja e udhëhequr
prej tij, me parullat antikombëtare të saj, goditi rëndë strukturat e shtetit,
rrezikoi pavarësinë e tij dhe në qershor të vitit 1915 u shfrytëzua si pretekst
për agresionin e forcave të armatosura të Serbisë kundër Shqipërisë. Pas
shtypjes së kryengritjes, u zu prej forcave serbe. Nga gjyqi i organizuar prej
Esat pashë Toptanit, u dënua me vdekje dhe u var në Durrës.