| E marte, 13.12.2022, 08:33 PM |
Një fortifikatë/kala mesjetare e Kosovës pararojë e pasurive minerale të Trepçës!
Nga
Jahja Drançolli
Pranë
Trepçës, në pjesën jugore të zonës së fshatit të sotëm Rashan, ruhen rrënojat e
një fortifikate të quajtur “Gjytet” ose “Qytet”. "Gjyteti" i Rashanit
është një fortifikim i periudhës së hershme bizantine, i ndërtuar gjatë
shekujve IV-VI, rreth 5 km larg nga Mitrovica. Në dokumente si fortifikatë e
Trepçës, e cila sipas dokumenteve papnore përmendet për herë të parë në vitin
1303. Ka një pozitë të favorshme gjeostrategjike dhe, me një lartësi prej 851
m, ishte pararojë e burimeve minerale të Trepçës, si dhe kontrollonte rrugën
kryesore, e cila shkonte nga Municipium DD (qytet antik i Dardanisë, sot te
Soçanica) për në Zveçan, Trepçë dhe Llap, si dhe rrugën tjetër
Trepça-Vicianum-Novobërdë. Rrënojat e fortifikatës ndodhen në një kodër të
pjerrët, nga ku pamja përreth ka qenë gjithëpërfshirëse. Nga kalaja mund të
shihni pothuajse të gjithë Rrafshin e Kosovës. Në shek. XIX arkeologu britanik
Arthur Evans përmend Municipium DD, si dhe një kështjellë me emrin e tregtarëve
raguzanë, “Montagna dell Argento” (“Monte Argentaro”), ndërsa harta e
ashtuquajtur “Tabula Peutingeriana” e
përmend me emër “Argentaria”. Bazuar në materialin e ndërtimit, kalaja i përket
arkitekturës mesjetare, megjithëse objektet e luajtshme arkeologjike flasin për
një vendbanim shumë-shtresor. Trashësia e murit rrethues të fortifikatës është
rreth 2 m; ndërsa lartësia e mureve të ruajtura deri më sot është 2-3 m.
Fortifikata është e vendosur në majë të një shkëmbi, lartësia e të cilit nga
toka lëkundet nga 80-100 m. Anët veriore dhe lindore të fortifikatës kishin
mbrojtje natyrore, ndërsa anët perëndimore dhe jugore mbrohen me mure. Ajo që
tërheq më shumë vëmendjen këtu është ekzistenca e një strukture drejtkëndëshe
që supozohet të jetë një cisternë. Cisternat, si strukturë kanë depozituar sasi
të mëdha uji, të cilat kanë furnizuar këtë vendbanim të madh dhe të
rëndësishëm, i cili ndodhet larg rrjedhave ujore!
Burimi:
Prof. dr. Jahja Drançolli "Kosova
Archaeological Heritage, in: "Encyclopedia of Global Archaeology, Claire
Smith editor (second edition, 2020, pp.
6300-6328)!