| E hene, 12.12.2022, 08:54 PM |
Masakra e harruar dhe studenti i Sorbonës
Nga
Blerim Latifi
Po
kaloja sot nëpër fshatrat e Klinës. Kur hyra në rrugën kryesore të
Gjurgjevikut, nga larg e pashë një përmendore të ngritur buzë rrugës. Thash me
vete: duhet të jetë e ndonjë dëshmori të luftës së fundit. Kur iu afruam i
thash vëllaut tim të ndalonte makinën. Doja të shihja nga afër se ne kujtim të
kujt ishte ngritur ajo përmendore. Nuk doli ajo që mendoja. Përmendorja
kujtonte në ngjarje të ndodhur 80 vjet para luftës së UÇK- së. Në atë vend, në
vjeshtën e vonë të vitit 1918, ushtria serbe kishte ekzekutuar 22 anëtarë të
familjes së Isuf Dushit. Askush nuk ishte kursyer, nga plaku 85 vjeçar, deri
tek foshnjat tri vjeçare. Mbishkrimi në pllakë tregonte se eshtrat e të
masakruarve qëndronin të varrosura në atë vend. Ndonëse binte shi, nuk mund të
largohesha pa i lexuar emrat e tyre në pllakë. Qëndrova në heshtje para saj për
pak minuta. Bashkë me pamjen e zymtë dimërore të natyrës rreth e rrotull,
trishtimit tim për atë vend tragjik, peshën ia shtonte edhe një fakt tjetër që
më erdhi në mendje në ato momente: sa e sa krime të tilla kanë ndodhur anë e
kënd Kosovës nga viti 1912 dhe kujtesa për to tanimë pothuajse është zhdukur.
Harrimi i krimeve, siç ka thënë dikush, është falje e heshtur e kriminelëve.
E
preka pllakën e ftohtë në shenjë nderimi për atë familje të shuar mizorisht nga
pushtuesit serbë dhe hyra në makinë. U nisëm rrugës përpjetë për të dalë tek
Rrasat e Gllarevës. Jo larg nga vendi ku ishte masakruar familja Dushi, në
oborrin e një shkolle ndodhej një pllakë tjetër. Në të ishte gdhendur portreti
i Ymer Berishës, nacionalistit shqiptar të lindur në këtë fshat, në vitin 1912.
E pyeta vëllaun tim në e kishte dëgjuar më parë këtë emër. Jo, më tha shkurt.
Ymer
Berisha, me siguri, ka qenë njeriu më i shkolluar në Kosovën e atyre viteve.
Pasi kishte mbaruar studimet për histori e gjeografi në Firence të Italisë,
kishte vazhduar për filologji në Sorbonë, Paris. Me shpërthimin e Luftës së
Dytë Botërore ishte kthyer në Shqipëri për t'u angazhuar në grupet nacionaliste.
Për një kohë kishte dhënë mësim në gjimnazin "Sami Frashëri" të
Prishtinës. Mbase ky gjimnaz, në krejt historinë e tij, nuk ka pasur kurrë një
mësimdhënës më të kualifikuar se Ymer Berishën.
Ai
ishte ndër intelektualët e paktë shqiptarë të asaj kohe që mendonte për një
front antifashist mbi bazën e lidhjeve me aleatët perëndimorë. I vetmuar në
vizionin e tij, ai e kishte të qartë dështimin, por nuk pranoi të dorëzohej.
Kur komunistët e morën pushtetin, studenti i Sorbonës mbeti maleve në përpjekje
për të organizuar një rezistencë antikomuniste, derisa ra në një pritë të
organizuar nga OZNA dhe argatët e saj shqipfolës. Do të duhej të vinte fundi i
Shekullit XX që vizioni i tij politik të bëhej realitet.