| E shtune, 19.11.2022, 06:56 PM |
Zëri i shuar i lahutarëve nga Kraja dhe Ana e Malit
Nga
Gjekë Gjonaj
Në
të gjitha trevat shqiptare  shtëpia pa
lahutë , shtëpia ku s’këndoheshin këngë kreshnikësh , konsiderohej si “ shtëpi
e lanun” . Një shtëpi  që e ka lahutën
nuk bën me e varë kudo, thuhet ndër shqiptarë . Ajo sipas traditës varet
vetëm  mbi oxhak, ndërsa mbi lahutën  nuk varet asgjë tjetër.  Lahuta bashkë me pushkën kanë qenë binom  në ballin e murit. Sipas dokumenteve
përkatëse  lahuta  ka një histori të saj. Studiuesit dhe
historianët  mendojnë se gjurmët më të
vjetra të lahutës janë  të ndryshme. Disa
prej tyre mendojnë se  fillimet
gjenden  që në kohët më të lashta. Të
tjerët  e lidhin me shekullin 8-të  dhe  9
-të  e më pas, ndoshta  në këtë 
të fundit sipas studiuesve siç është etnomuzikologu i madh, i ndjeri
Ramadan Sokoli,  kemi dëshmi  më të hershme 
që vijnë  nga burimet e
literaturës persiane. Historiografia shqiptare 
e vendos lahutën  në të njëjtën
kohë  me kontaktin e  parë të mirëfilltë  mes botës arabe dhe asaj evropiane, por, siç
shprehen studiuesit, ka edhe një variant tjetër që lahutën e vendos  në këto troje.
Historianët
tanë, etnologët kanë shkruar e dokumentuar se lahuta ( lavda)  tashmë është vegël muzikore popullore e
shqiptarëve, respektivisht  e përdorur në
zonën veriore të Shqipërisë ( Malësi të Madhe) , në zonat e thella të Nikajve e
të Mërturit , Rozhajë,   Plavë  e Guci, Shkup, Kumanovë, Tetovë, Gostivar,
Kërçovë, në Sanxhakun e Pazarit  të Ri,
në zonat e Malësisë së Gjakovës e të Rugovës, 
në Rrafshin e Dukagjinit, Komunën e Medvegjës, Komunën e Bojnikut,
Komunën e Bujanocit etj.
Edhe
në krahinën e Krajës dhe të Anës së Malit, 
sipas dëshmive  të  tregimtarëve 
popullorë e të studiuesve, tradicionalisht janë kënduar  e dëgjuar nga 
rapsodë të  Eposit të Kreshnikëve,
me nderim të veçantë jo vetëm ndër kuvendet e gjera popullore, ndër dasma e
festa  të tjera apo pranë oxhaqeve
të  shtëpive  të tyre, netëve të gjata të dimrit, por edhe
para fillimit të një beteje, madje edhe në zjarrminë e luftës, sikurse edhe në
festivale të ndryshme brenda dhe jashtë Malit të Zi. Lahuta, simboli i
lashtësisë së kombit dhe vegla më e vjetër kordofone me një tel , vazhdon
ende  jetën në shumë  familje shqiptare, ku nuk ka më lahutarë.
Këto  instrumente që kalojnë  në shkallën e vjetërsisë së veglave më të
moçme,   mund të vërehen të   varura në murin e  shumë shtëpive  shqiptare brenda trojeve të veta etnike dhe
në diasporë, të cilat i hijeshojnë ato  
me zbukurimet dhe simbolet e tyre – figurat mitike ilire të  gjarprit, kokës së dhisë me dy brirë që
aludon në epokën e Skënderbeut, por edhe më heret në epokën e Piros, ose me
zbukurimet  me shqiponjë, me portretin e
Gjergj Kastriotit, dhe me portrete  të
figurave të shquara të Rilindjes, të UÇK-së 
dhe të Adem Jasharit. Kjo dëshmon se burrat e trevave shqiptare e kanë
pasur lahutën  ushqim shpirti.  Me lahutë i është kënduar heronjve dhe
ngjarjeve të lavdishme të shqiptarëve ndër shekuj.
Kjo
pasuri kombëtare e shqiptarëve, e cila ka lënë gjurmë të forta në historinë
e  Shqipërisë së  Veriut, 
në Krajë dhe në Anë të Malit  po
zvogëlohet ( humbet)  çdo  vit e më shumë. Sot  është shuar zëri i lahutës  në këto treva 
shqiptare  nga rapsodë vendas.
Asnjë shoqëri kulturore-artistike në Anë të Malit nuk ka asnjë lahutarë, por
detyrohen të “ huazojnë” lahutarë nga treva tjera shqiptare me rastin e pjesëmarrjes
së tyre në festivale folklorike   jashtë
shtetit.
Hulumtuesi
i njohur  Prof.Dr, Zymer Neziri në librin
e tij studimor “ Eposi i Kreshnikëve në Ballkan”, botuar nga Instituti
Albanologjik, Prishtinë, 2021,   shkruan
se në Krajë ka evidentuar 4 lahutarë pas vitit 2012 dhe 3 lahutarë para vitit
1912.
“
Lahutarë të Krajës pas vitit 2012 kanë qenë Nasuf Mujë Bogdani 1916-2012,
katundi Ftjan,Krajë, Tivar,  Imer Veli
Gjeçbritaj, 1929,  katundi Arbnesh,
Krajë, Tivar, Gjokë Zef Llukiqi, 19490-2013, katundi Brisku Nalt, Krajë,
Tivar  dhe Ali Qemal Kovaçi, katudni
Arbnesh, Krajë, Tivar.
Lahutarët  e Krajës pas viti 2012 kanë qenë:  Maci i Çekut Margjonojn, 1862-1953, katundi
Kullomzë, Ulqin, Stjepa’j  Gjoks Nils
Nilonj, 1901 -1976, katundi Kullomzë, Ulqin dhe Luan Nurja Bardhi,  katundi Kështenjë, Krajë, Tivar.
Lahutarë
të Ulqinit  ( shënimi im- Anës së
Malit)  pas vitit 2012 janë dy: Prek
Shkreli, katundi Amull, Ulqin,  tash
jeton në SHBA dhe Vasel Shkreli, katundi Amull, Ulqin , tash jeton në  SHBA “, 
shkruan studiuesi  Neziri.
Nga  hulumtimet e mia në terren, në  Krajë dhe Anë të Malit, kam  evidentuar edhe  lahutarë të tjerë, tashmë të ndjerë. Ndërkaq
në qytetin e Ulqinit nuk kemi njoftime apo 
të dhëna  gojore apo shkencore
se   ulqinakët e  kanë përdorur ndonjëherë lahutën  si trashëgimi 
të babës, gjyshit, stërgjyshit...
Tregimtari  Vebi Gjoni, nga fshati Selitë -Anë e Malit
më  njoftoi  se babai i tij , Xhemal Gjoni , 1931-2002,
ishte  lahutar.  “ Këngët më të preferuara të tij kanë
qenë  “ Hasan Aga” dhe “ Po bisedojnë dy
plaka t’veja” .  Xhemali   përveçse ka kënduar  në ahengje familjare e raste të tjera ka
marrë pjesë edhe në festivale prestigjioze të folklorit që  janë mbajtur në Kosovë dhe Shqipëri.  Ai herën e fundit ka marrë pjesë në Festivalin  Folklorik Kombëtar, i cili u zhvillua në
Kalanë e   Beratit-Shqipëri  , më 20 shtator të vitit 1995.
Tregimtari
Zef Kovaçi me prejardhje nga Shestani 
pohon se edhe axha i tij Kolë Luci Kovaçeviq, 1912-2014,  i binte dhe i këndonte bukur lahutës. “ Kola
kishte një zë të mrekullueshëm si pushka , prandaj të gjithë  e dëgjonim me vëmendje e kënaqësi të
madhe”,  shprehet tregimtari Kovaçi.
Zvogëlimi
çdo vjet e më  shumë i lahutarëve
shqiptarë  duhet të na shqetësojë. Është
dëshpëruese e dhëna e publikuar në media se vetëm 20 lahutarë  kanë mbetur në trojet shqiptare. Kjo  shuarje 
e kësaj traditë  shekullore  jo që është për të ardhur keq, por kjo
mendojmë  është katastrofë, për të mos
thënë tragjedi.
Fundi
i rapsodëve mendojmë se  ka ardhur për
shkak se  nuk ka më heronj dhe
lahutarët  kanë filluar t’i këndojnë
njëri-tjetrit!? Me shpikjet e reja teknologjike , në kohën e  internetit , rapsodët  janë 
“arratisur” si kreshnikët, për të mbetur bij të sojit  të mirë, prej fisit të mirë  dhe të papërsëritshëm të kohëve të hershme.

Xhemal
Gjoni

Prek
Shkreli

Vasel
Shkreli