Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Udhëtim si një ëndërr

| E shtune, 19.11.2022, 08:00 PM |


Në Lëpushë

UDHËTIM SI NJË ËNDËRR

Udhëtim drejt Këlmendit skajit më verior të hartës së Shqipërisë

Udhëpërshkrim nga Pëllumb Gorica

Lidhja e njeriut me natyrën është, ka qenë e do të jetë padiskutueshmërisht e përjetshme, se njeriu është pjesë e saj. Njerëz si unë e kanë të domosdoshme e të shpeshtë të udhëtojnë, njësoj si te “Republika e zogjve” të Aristofanit, mes legjendash dhe majave të historisë, apo për të gjetur të bukurën, aty ku nuk “hyn makina”, ku nuk ka tymra, gjigantë të betonuar, apo çdo gjë tjetër që ia “zhubros” fytyrën e saj të përkorë.

Në mëngjezin e një dite të bukur nëntori, me diell të ndritshëm prej vjeshtës së vonuar, në thyrjet dhe përthyrjet e relievit, diku me një ashpërsi tërheqëse e diku të mbytura nga ngjyrat e shumëllojshme, nisa një udhëtim për të prekur trevat që shtrihen në Veri.

Udhëtimi në Kelmend, në skajin më verior të vendit tonë e kishte nxitur prej kohësh dëshirën time për të vizituar këtë vend të mbushur me bukuri, me histori, me magji dhe heroizma kreshnikësh. Veçse e njihja nga larg si në ëndrra e përralla.

Leqet e Hotit

Përgjatë udhës nga Rrapshi, pa dalë te “Leqet e Hotit”, aty ku zgjerohet horizonti i shikimit, nuk i reziston tundimit për të fotografuar gjarpërimet e rrugës, që të duket sikur kanosin me thepisjet që mbartin. Rruga është një nga veprat më të mëdha të 55 vjetëve më parë, e ndërtuar e gjitha me krahë e djersë nga një brez legjendar sakrificash që nuk ke fjalë t’i përshkruash. Sot, e shtruar me asfalt dhe elementët mbrojtës, të jep ndjesinë sikur po fluturon. Ajo gjarpëron luginës së rrethuar nga maja të larta që flasin me gjuhën e tyre formuese e zbukuruese miliona vjeçare teksa zbardhëllojnë mes një kaltësie hyjnore.

Aty ku kryqëzohen fate njërzish që bënë histori

Kelmendi është një kështjellë e vërtetë natyrore, i veçantë, i futur si xhep, pjesë e Malësisë së Madhe, që nuk gjendet i dytë në Shqipëri. Thuhet se Kelmendi (Kelmeni) e ka marrë emrin nga fjala latine clemens-(tis), dmth i urtë, i thjeshtë, i mirë. Nëpër hartat e perandorisë osmane quhet thjeshtë “Kopshti i Sulltanit”, pra një krahinë ku ligjet dhe taksat e Stambollit nuk u zbatuan kurrë.

Tamara një stacion pushimi në Kelmend

Kelmendi ka shkruar faqe të lavdishme në historinë tonë, ku pa teprim mund të thuhet se është një shtyllë vertebrore e identitetit tonë kombëtar. Është përballur me luftra më shumë se të gjitha trojet shqiptare.

Kelmendi është i rrethuar me turma malesh dhe individualite kreshtash shkëmbore që ngrihen drejt qiellit, si dhëmbë të mprehtë. Ndoshta, këtu ka vend shprehja: "Lufton vendi e jo Kelmendi". Heroizmi i malësorëve si natyra e virgjër dhe e krijuar nga ato vetë plotëson edhe figurën e heroinës, Norës së Kelmendit, që para 400 vitesh vrau pashain turk. Jo vetëm rrëfenjëzat janë kthyer në legjendë, por vetë akti i Norës është i veçantë, i cilësuar nga të huajt, Brunilda antike shqiptare, që vrau Zigfridin. Edhe Nora e Kelmendit i tregoi pushtuesit se liria është e shenjtë për shqiptarët dhe rrënjët ushqehen me gjakun e bijëve dhe bijave të këtij vendi. E, kur Nora mori vesh vendimin e kuvendit të burrave luftëtarë asokohe, që vetë ajo do të përballej me Vuç Pashën, fluturoi si luaneshë në çadrën e tij dhe i tha:

-Kam ardhur të të “martoj“me vdekjen tënde, se me mua nuk do të martohesh kurrë.

Sakaq nxori kamën, që e kishte fshehur nën xhubletë dhe i preu kokën.

Në shkallët e një shtëpize druri në Lëpushë

Kelmendi i njerëzve bujarë e zemërbardhë, më të bardhë se bora, gojëmbël si mjalta, është një bashkësi shpirtpapërlyer e gjakpastër, që ruan virtyte, burrëri, rite, legjenda, këngë, zakone… Kelmendasit mbi ashpërsinë e maleve njihen për elegancë në veshje, që lidhet ngushtë me mënyrën e jetesës së tyre deri në shekullin XX. Nëse kushdo i hyn ca thellë këtij fakti kaq të spikatur etnografik, tregon se kanë jetuar lirinë, bukurinë, forcën, madhështinë e vlerave dhe kulturë e për ta parë jetën shumëngjyrëshe e të bukur. Është e njohur në Kelmend xhubleta, si kostumi kombëtar më i lashti i Europës, ku vashat e nuset e veshin në shtatin e tyre duke u dhënë bukuri dhe gjithçkaje mahnitëse këtij vendi të bekuar.

Kënaqësi për sy, vesh dhe shpirt!

Lumi Cem i kthijëllt’ si loti

bukurinë ia fali Zoti!

At Anton Harapi

Ujërat e Cemi të lashtë rrjedhin teposhtë theqafjeve të maleve, nëpër morenat antike të periudhës glaciale, për të cilat shkruante më 1900 studiuesi italian Antonio Baldacci. Ato rrjedhin për të mos lënë kurrë heshtje edhe nën një shkëmb legjendar, në Grabom, ku një pllakë anës rrugës, tregon se atje ishte pika e vëndkalimit kufitar që ndan Malsinë e Madhe në dy shtete. Atë që e kishte krijuar vetë Zoti si një të tërë, e kishte përçudnuar Evropa, fuqitë e saj të mëdha, duke vulosur një padrejtësi hiperbolike të ndarjes së të tërës Malësi e Madhe, të gjymtyrëve nga trupi dhe familjeve nga fisi.

Në breg të  Cemit të Vuklit

Ky vend sa historik, por edhe i mistershëm mban emrin “Pellgu i Fratit”, sepse këtu në vitin 1644 u vranë dy famullitarë françeskan të ardhur nga Italia si misionarë të krishtërimit. Ishte koha kur popullsia po pakësohej prej sëmundjeve. Ndodhi që në Malësi të Madhe të martohen burrat me dy a më shumë gra. Kleri katolik nuk e lejonte këtë dhe misionarët u përpoqën për mos lejuar martesën me më shumë se një grua. Kështu, fillimisht u ndaluan marrëdhëniet brenda gjinisë së familjes, pastaj edhe brenda fisit të afërt dhe të madh. Në këtë proces të gjatë një rol vendimtar luajtën etërit, klerikët dhe misionarët e kishës kristiane. Ata përmes shembëlltyrave dhe kodeve morale i ndaluan martesat brenda familjes edhe farefisit etj.

Atje ku bashkohet Cemi i Selcës me Cemin e Vuklit, teksa fotografoja rrjedhat e tyre më dukej se dëgjoja këngën e rapsodit Sali Mani “Moj e mira bregut të Cemit”. Këtu  shtrihet Ura e Tamarës, një ndërtim i vjetër që tregon se lugina e Cemit ka patur më shumë rëndësi se sa sot si rrugë kalimi. Po përse quhet ura e Tamarës?

Në urën e Tamarës

“Tamara, e shoqja e vezirit të Shkodrës, kishte shkuar në të parë, pra në gjini, andej nga viset e Malit të Zi. Kur po kthehej për tek i shoqi në Shkodër, kuptohet bashkë me karvanin e saj, nuk e gjetën urën. Vërshimet e Cemit e kishin marrë me vete dhe Tamara bashkë me njerëzit që e shoqëronin, detyrohet të kthehet mbrapa. Shkon fjala te veziri dhe ky jep urdhër të ndërtohet menjëherë ura, që t’i vinte e shoqja. Historitë gojore thonë se Tamara ishte grua e bukur dhe fisnike nga fisi i Deduklajve, të cilën, veziri i Shkodrës e kish zgjedhë për merak “

Prej asaj kohe urën e re e quajtën “Ura e Tamarës” dhe më pas gjatë viteve vendbanimi që u formua aty afër, mori emrin “Tamarë”. Sot është qendra e Kelmendit, një stacion pushimi për kafe, për të shijuar ushqimet tradicionale, troftën e Cemit, por edhe për të kaluar natën në bujtinat e saj. Qendra e Tamarës është e rregulluar, megjithëse godinat e mbuluara me tjegulla të kuqe dhe muret e lyera me gëlqere, duket sikur nuk kanë të bëjnë me historinë e kullave.

Ura e Tamarës. Ndërtim i gjysmës së dytë të shekullit XVIII

Përveç kësaj, kureshtja për këtë qytezë, më shumë se Veziri, Tamara, gruaja e tij, ura e çdo gjë tjetër aty përmendet dom Serxhio, miku i të gjithë kelmendasve, dora e të cilit ndjehet kudo, te rezervati i troftës, te bimët mjeksore, te mbledhja e përpunimi i frutave, reçelrave, likernave e deri tek i ashtuquajturi bari i zemrës (rakia e sanzës).

Në Tamarë përmendet Shpella e Malqe Grudës. Sipas historive gojore, Malqe Gruda strehohej në shpellë dhe herë pas here zbriste në rrugën që vinte nga Shkodra e shkonte në Mal të Zi, Plavë, Guci e Pejë dhe grabiste karvanet. Ngjitesh në këtë shpellë, përmes një shtegu të mrekullueshëm. Malqe Gruda kishte lënë aty kocka, edhe ato dukej se ishin shumë të vjetra.

Varreza të lashta Ilire

Si margaritare përmbi luginë të Cemit qëndron Kapa e Brojës. Majat e maleve mbledhin shtëllunga reshë e të shtypin me pingultitë e tyre, humnerat e ngushta, si në vendet e Andeve.

Shkojmë në Kalcë (aty ku është realizuar filmi “Shembja e idhujve”. Aty pranë është edhe një shpellë, të cilën at Gjergj Fishta e zbuloi te “Lahuta e Malsisë”, si një strehë natyrore për trimat e Kelmendit, ndërsa Patër Livio, duke e pagëzuar me emrin “Shpella e Zojës”, si një vënd takimi për besimtarët, i kanë dhënë kuptimin e një objekti kulti të mirfilltë.

Në Vukël hijeshia arkitekturore dikton rrënjët e hershme të banimit. Ajo që të bie në sy janë gjurmët e kishës së vjetër, e cila sipas gojdhënave të vendasve asokohe krahasohej me Kishën e Madhe të Shkodës, e lidhur me historinë e hershme të Kishës Metropolitane, çka e bënte të një rëndësie tejet të veçantë në Malësi të Madhe.

Në Sukën e Mkushit

Vështron relieve të thyera deri të pakalueshme, që duket se prekin qiellin. Në të djathtë të Nikshiçit qëndron kryelartë si një kala legjendare, mrekullia natyrore e Forcës së Kelmendit. Sipas historive, kjo kala natyrore ka shërbyer si mbrojtëse e banorëve vendas. Emocioni më i madh është kur je pranë saj dhe ngjitesh në ‘të, e sidomos kur ke njohuri për historinë e saj shumëshekullore e kryesisht mbi atë që simbolizon qendresën e pamposhtur të kelmendasve. E dokumentuar është ajo e vitit 1638, kur gjithë banorët e Kelmendit janë mbledhur këtu për t'u mbrojtur nga pushtuesit turq.

Jehon piskama e jetës dhe legjendave

Cemi kishte gërryer shtratin e thellë, në një kanion e të duket si një mriz zanash.

Keqardhja nuk mungon kur vështron masakrën që u ishte bërë jo vetëm bukurisë së tij, shëndetit të botës bimore dhe shtazore, por edhe vetë jetës njerzore, aq sa ndjen një pikim në shpirt si e një gjembi, nga hidocentralet e vegjël të ngritur dhe kujton Migjenin:

O, si nuk kam një grusht të fortë

t’i bij m’u në zemër malit që s’bëzan.

Ujëvara e Selcës

Vështron shpatet shkëmbore, humnerat e pamata, Ujëvarën që të mahnit me ylberin e saj të përhershëm, luginat, gropat, majat e maleve e çdo gjë tjetër mahnitëse. Greça është mali ku u vendos fati i Shqipërisë. Patriotët e Malësisë së Madhe hartuan 12 kërkesat, të quajtura “Memorandumi i Greçës” ose “Libri i Kuq”, me datën 11 qershor 1911.

Ludoviku, udhërrëfyesi ynë, për të mos i lënë vend heshtjes, të tregon historinë e burrave të moçëm; legjenda mistike, betejat dualiste mes dragonjëve dhe kuçedrave që bllokonin gurrat e ujit, zemërimet e orëve e zanave të malit, erën e Eposit të Kreshnikëve që nuk ka pushuar, nga Mujët dhe Halilët, kralët gjakatarë dhe Ajkunat që drithëronin e nëmnin me gjëma e mallkime.

Pranë skulpturës së Mujit të Eposit të Kreshnikëve

Në njerën nga bërrylet e udhës gjithë dredha, të befason skulptura e Mujit të Eposit të Kreshnikëve, e skalitur në një gur. Sikur është vendosur nga një dorë e bukur.

Duke ecur në rrugën gjarpërueshe, pranë luginës, si në një botë tjetër, sikur të deh oksigjeni e qetësia dhe ujërat gurgullojnë ison e jetës dhe legjendave. Rreth e rrotull, një pafundësi shkëmbinjësh të thërmuar. Të ngjajnë si gurët e legjendës së Jasanovës.

Selca

“Një seljan vendosi të sfidoje Ligjet e Maleve dhe të Kishës. Ngaqë kishte një motër shumë të bukur, vendosi ta merrte për grua. Shkoi te frati dhe i thotë:

-O frat kur e ke diçka të mirë, a është më mirë me e mbajt për vete, apo me ja dhanë dikuj?
Frati me të drejtën e gjykimit i thotë:

-Kur është kaq e mirë mbaje për vete.

-Mirë, -i thotë seljani, -të dielën do martohem e do marr motrën për grua.

Frati, i verejtur, i kthehet:

-Më zure për fjale, por ky është mëkat. Ndaj mos gabo, se të vret zoti.

Seljani nuk i bindet dhe vendos të përgatisë dasmën. Fton gjithë Selcen dhe miqësinë.
Të vetmit që refuzuan ftesën ishin frati dhe kovaçi, aq sa macat e shtëpisë i kanë lidh mos me shkuar me hangër mish. Të shtunën mbrëma para se të nisë dasma, thonë se zanat e maleve lëshuan piskamën.

-O motër, po të baj za! Ruaje zot fratin e kovaçin, se mbaroi kjo dynja.

Legjenda thotë se kur e gjithë miqësia u mblodhën dhe nisi dyzeni, ka çuar zoti dorën dhe ka rrënuar malin, duke i mbuluar me gurë, sa askush s’ka mbetë i gjallë.

Maja e Poadijes në Lëpushë

Lëpusha e magjishme si pikturë

Makina ecte shpejt e më bën të mos e ndjesh rrugën gjithë trille kthesash rrëzë një muri malesh si roje besnike të qiejve. E hodhëm vështrimin tej, andej nga pemët e vjetra si hijerore zanash. Duhej të ecje gjatë, të hyje në Qafa e Bordolecit në emrin e vjetër të Predelecit, siç e shqiptojnë sot. Këtu nuk mund të mos ndalesh e “me ja ba pak vedit me sy”, siç thonë në Malësi të Madhe, kur para syve hapet e mahnitshme një luginë nga më të rrallat e rrethuar nga lartësitë e Bjeshkëve të Namuna, nga majat kreshtëmurrëme varg e varg, që duken se grisin qiellin: maja e Trojanit, maja e Vajushës, 2057 m mbi nivelin e detit.

Dhe me tej hijerëndë maja e Berishdolit dhe maja e Gërbenit në një reliev tërheqës që të bën për vete, të cilat ishin një pengesë e pakapërcyeshme, apo shumë të vështirë për ushtritë otomane dhe sllave. Ato e kanë futur në prehrin e vet Lëpushën, e cila e ka marrë emrin nga një lule më të njëjtin emër.

Kroje në Leqet e Hotit

Nëna natyrë duket sikur e ka qëndisur me dorë Lëpushën, me krejt ngjyrat e botës; kullota të sheshta rrethuar me drurë të lloj- llojshëm, ahe, pisha, lajthi, gështenja, shkozë. Gjethet e tyre të verdhëlleme, kafkuqe, arkuqe e të thekërrisura prej diellit kanë mbuluar tokën me qylymin e tyre. Nuk di syri ku të pushojë më gjatë në këtë parajsë ngjyrash. Mediton me natyrën që përcjell energji, forcë, frymëmarje të pastër, freski, kaltërsi, jetë të “qelqtë” e njëkohësisht një lirikë të këndshme njerëzore.

Kalojmë pranë shtëpisë ku është luajtur filmi “Kur hapen dyert e jetës”, ambulancës së doktor Bardhylit, ku luan aktori Petrit Malaj.

Të rikthyerit në strehëzën e vjetër kanë investuar

Në fillim të viteve ‘90, kur po ndaheshin epokat (të paktën kështu menduam ne, idealistët) banorët të përballur me kushtet e vështira ekonomike ikën, duke lënë pas kullat, varret e të parëve, gjurmët e gëzimeve dhe dhimbjeve. Një pjesë u rikthyen në strehëzën e vjetër plot bukuri e dinjitet, për ta mbajtur gjallë, duke investuar e zbukuruar me bujtina dhe shtëpiza druri (Guest-Houset shtëpi për mysafirë), që më së shumti u japin qetësi turistëve, aq sa sot është bërë një realitet i prekshëm i ndryshimeve në saj të frymës evropiane që po merr. Zërat e banorëve sillnin gëzueshëm në veshët tonë zhurmën e jetës.

Lëpusha ka qenë një vend i rëndësishëm me përplot histori traditash mikpritjeje, kuvende, luftra dhe trimërie. Lëpusha është e njohur në festimin e Shën-Prendës, (Logu i bjeshkëve), më i lashtë kulturor, që ka lind dhe ruhet në Malësi të Madhe si dëshmi e bukurisë së pashterëshme, që njëkohësisht i tregon botës se Kelmendi përkund djepa e rrit bij e bija që e duan, e çmojnë, e vlerësojnë, e mbrojnë dhe e nderojnë “si dikur motit edhe në ditët sodit”, në sofra, në kuvende e në logje, duke e mbajtur të gjallë krenarinë që u mishëruan Bjeshkët e Namuna mbi krye.

Qendra e Vermoshit

Befasuese natyra dhe jeta e banorëve të Vermoshit

Vermoshi, ky emër i mistershëm e plot magji, shtrihet   në skajin më të thellë të Shqipërisë së mbetur më 1913. I banuar prej një popullsie autoktone si qëndër banimi e krijuar kohë më parë, kohë, e cila i përket zhvendosjes së një familjeje për dimërim, duke ruajtur të pandryshuar emrin e tij dhe besimin e krishter.

Ndërtimet e reja, që kanë zevendësuar kullat e traditës, në përgjithësi kanë ruajtur arkitekturën tradicionale. Nga investimet e shumta ato po e shdërrojnë në një vendbanim elitar turistik. Kushtet e veshtira ekonomike kanë detyruar shumë banorë të largohen. Kur e shikon, të duket sikur të thotë: Përse më braktisët?!

Bunkerë në Velipojë të Vermoshit

Sodisim toponiminë tërheqëse, që mund të gjendet vetëm në filma; klonin e dikurshëm, ose atë vijën e kufirit ndarës me shtetin e Malit të Zi, atje ku është vrarë Nik Pjetër Ndreka; tufat e deleve në Majën e Grebenit (1800 m); Kanionin e Bashkimit dhe Bjeshkët e Sefercës pranë Gucisë; pyllin që harlisej në liri të plotë, me degë të kokolepsura në lojën trillane si një xhungël e vërtetë; bunkerët e shpërndarë që flasin për periudhën e paranojës dhe izolimit të gjatë të vendit.

Në përpjekje të ruajtjes së kujtesës historike dhe të ndriçimit të kaluarës, jo të largët sheh kudo memorialë, të masakrave nga ushtria serbe dhe të pushkatuarëve nga kuçedra komuniste.

Te kisha e Shën-Gjonit në Vermosh

Para syve kisha e Shën-Gjonit, një vend jo vetëm lutjesh, kundër mpiksjeve të hershme e të reja, por edhe gjallërimit të jetës së pazhbëshme dhe trompozave të kohës në Vermosh.

Ne rrufisim një kafe në një lokal. Aty pari nis biseda me Gjelosh Vuçajn. Prej tij mësojmë për burrat e mençur të Vermoshit që kanë mbetur monumente të gjalla të historisë në mbrojtjen e trojeve, për t'i shpëtuar shfarosjes së genocideve gjakatare të sllavëve (e jo vetëm ata).

-Ka pasur kohë të acarta për Vermoshin. Këtu nuk e kam fjalën për dimrat e natyrës, të cilët janë vërtet të ashpër, por e kam fjalën për kohën, që e kthyen Vermoshin në burg të hapur, nëpërmjet një dhune psikologjike me shpresën për liri. Ne nuk harrojmë gardianin e palëkundur në mbrojtje të kufijve, Prek Calin, që dëshmoi se ishte pasardhës i kreshnikëve. Urtia e tij kujtohet, fjala i zinte vend në kuvende. Është proverbiale këmbëngulja e tij në komisionin ndërkombëtar për caktimin e kufinjve, por edhe përballja me malazezët kur u tha se kufirin me ju e kemi në Qafë-Previ dhe do e mbrojmë me jetën tonë.

Gërmadhat e kullës së Prek Calit

Kulla e Prek Calit (më shumë një gjysmë muri prej guri) ishte diku nga kreu i Vermoshit, në fushën e Velipojës. Nga maja e Grebenit nuk shterron kurrë së vërshuari uji i  lumit Lim, nga Perendimi në Lindje (në Danub).

*    *     *

Në Kelmend historitë, format e natyrës, komunikim i qënies me tingujt, flladet, aromat dhe ngjyrat janë të pafundme, gjithëfarë ngjyrash, që shpalosin qetësi magjike, për t’i shijuar, ndjerë e për t’u mbushur me oksigjen për ta mbajtur gjatë në bronke që ndez çdo nerv e çdo pore trupi, nga gjithë ajo bukuri e egër, me atë magjepsjen deri në shtangie.

Mrekullia që i ka falur natyra Këlmendit; vlera të moçme të të parëve, vende të qëndresave, të pasurive ujore, natyrore, të florës e faunës, fisnikëri e gjithçka, por mbi të gjitha malësorë epikë e zemërgjërë, të bëjnë të rikthehesh!

Lëpusha, Perla e Alpeve

Budace

Cemi i Vuklit

Gropa e Selcës

Kanioni i Bashkimit në Vermosh

Memoriali i masakrave të  serbëve në 1911 në Gropat e Selcës

Memoriali i të pushkatuarëve nga kuçedra komuniste

Mollët e Tamarës

Në Grabom

Para syve kisha e Shën-Gjonit në Vermosh

Shën Maria në kishën e Shën-Gjonit

Shkadha e Rikavecit në Vermosh

Stanet e Jeshnicës

Suka e Mkushit

Vetëm Natyra e virgjër i ofron këto pamje mahnitëse!