| E premte, 11.11.2022, 08:57 PM |
Rishqyrtime historiografike (4)
VENDOSJA E ADMINISTRATËS
USHTARAKE NË KOSOVË, TERRORI USHTARAK DHE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT
(Me
vendosjen e Administratës Ushtarake në Kosovë, më 8 shkurt 1945, u shuan
strukturat autentike të Nacionalçlirimtares në Kosovë dhe ua hapën dyert
aneksimit të saj nga Serbia. – Spastrimi i vendit “nga reaksioni” – formulë për
qërimin e hesapeve me Shqiptarët në përputhje me programin e Memorandumit të
dytë të Çubrilloviqit të tetorit 1944, që u pranua nga Tito. - Vrasja e
Milladin Popoviqit më 15 mars 1945 në Prishtinë dhe pasojat).
Nga
Jusuf Buxhovi
Tri
ditë para se Adem Voca me gjithë familjen të likuidohet në kullën e tij në
Pantinë, ndërsa dhjetë ditë më vonë i njëjti fat do ta gjejë edhe Shaban
Polluzhën në katundin Tërstenik të Drenicës, siç do t’i gjejë me mijëra
bashkëluftëtarë të tyre anembanë Kosovës, të cilët do të vriten dhe masakrohen
mizorisht gjatë operacioneve të pastrimit dhe në operacionet e tjera të
ngjashme të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë asaj vere dhe vjeshte të
përgjakur “kundër- mbetjeve të kuislingëve dhe bashkëpunëtorëve të armikut”,
Josip Broz Tito, komandant suprem i Shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të
Jugosllavisë, Kosovën do ta fusë nën regjimin ushtarak, pikërisht siç
parashihte Memorandumi i dytë i Vasa Çubrilloviqit, i paraqitur në tetor 1944.
Vendimi
për shpalljen e regjimit ushtarak në Kosovë si dhe vënien e saj në gjendje
shtetrrethimi, nuk ishte akt as i veçuar e as jashtë zhvillimeve të caktuara
ndërkombëtar si dhe ndikimit të tyre në të, që po atë ditë, në Konferencën e
Jaltës, Stalini, Rusvelti dhe Çërçilli u morën vesh për ndarjen e sferave të
interesit si dhe pamjen që duhej ta kishte bota e pasluftës.
Në
këtë Konferencë, pos të tjerash, ishte biseduar edhe për Jugosllavinë dhe fatin
e saj. Aty ishte marrë vendimi që ajo të rikthehej në kufijtë e Versajës, pra
të mbetej e paprekur, përkundër realiteteve që kishte sjellë pushtimi fashist
kur ajo, pas shpërbërjes ishte ndarë në disa shtete. Ky rikthim shkelte
vullnetin e disa prej popujve (Kroatëve që kishin shpallur shtetin e tyre të
pavarur dhe Shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të tjera të bashkuar me Shqipërinë).
Këta të fundit, në Konferencën e Bujanit, në përputhje me kartën e Atlantikut,
kishin shpallur dëshirën që të bashkoheshin me Shqipërinë. Pra, mosrespektimi i
vullnetit të Kroatëve e Shqiptarëve për bashkim kombëtar si dhe rikthimi i
dhunshëm i tyre në shtetin me të cilin asnjëherë nuk ishin pajtuar, për pasojë
mund të kishte shpërthimin e një lufte të re mbi baza hakmarrëse që do të
shpërthente midis rikthyesve të Jugosllavisë së re (në këtë rast partizanëve,
të shumtën serbë) dhe të forcave nacionaliste, që nuk do të pajtoheshin me këtë
vendim. Sepse, kjo, krahas ripushtimit, nënkuptonte edhe likuidimin e gjithë
atyre që kishin qenë pjesë e realiteteve tjera shoqërore dhe politike që kishte
sjellë copëtimi i Jugosllavisë së Versajës, e cila, edhe nga vetë komunistët
jugosllavë (nga Kongresi themelues në Drezden më 1924 e deri në Konferencën e
katërt vendore në Zagreb, më 1940) ishte quajtur “burg i popujve”, që “duhej
rrënuar”.
Tito,
i cili mund të thuhet se në garën për shtrirjen e sferave të interesit midis
Britanikëve dhe Sovjetikëve, të zhvilluar prej vitesh për primat në Ballkan,
kishte dalë fitues në planin politik dhe strategjik, me ç’rast ai vendimeve të
Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it të nëntorit të vitit 1943 në Jajce për shpalljen
e Jugosllavisë federative, me vendimet e Jaltës, ua kishte krijuar
legjitimitetin e plotë ndërkombëtar, hetoi çastin më të duhur, që me vendosjen
e gjendjes ushtarake në Kosovë të demonstrojë fuqinë e Jugosllavisë “së re”.
Kjo u bë me pretekstet “e shpërthimit të kundërrevolucionit”, që nënkuptonte
“qërimin e hesapeve” me “reaksioni” kundër të cilit ishte i gjithë Fronti
Antifashist.
Kështu,
Tito, me vendimin numër 31 të 8 shkurtit 1945 urdhëroi formimin e Drejtorisë
Ushtarake në Kosovë si organ i pushtetit ushtarak, që merrte përsipër gjithë
pushtetin civil, me detyrë “që të likuidojë kryengritjen e armatosur në Kosovën
e çliruar”.
Në
arsyetim thuhet:
“Duke
përcjellë gjendjen në Kosovë dhe Metohi, e cila nga fundi i janarit do të
keqësohet së tepërmi, nga paraqitja e grupeve të armatosura balliste, në të
cilat ndodheshin rreth 1o mijë kryengritës, që rrezikonin jetën e qetë të
qytetarëve dhe të organeve të pushtetit popullor dhe me synimin që të kthenin
regjimin fashist, Shtabi Suprem i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë,
nxjerr urdhrin që në Kosovë e Metohi të vendoset Drejtoria Ushtarake me qëllim
që sa më parë të likuidohet armiku e që të krijohen kushtet për punë të
papenguar të pushtetit popullor dhe të qytetarëve.”
Po
me këtë urdhëresë komandant i Drejtorisë Ushtarake emërohej koloneli Sava
Derleviq, komandant i Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi. Komisar politik
emërohet koloneli Gjuro Medenica. Komandant i Zonës ushtarake të Kosovës dhe
Metohisë emërohet koloneli Nikolla Bozhanica. Kolonel Petar Brajeviq u emërua
komandant i Divizionit të Kosovës, ndërsa komisar politik i Divizionit u emërua
Aca Vukotiq. Në pikën e tretë të kësaj urdhërese thuhet se Shtabi Operativ për
Kosovë e Metohi vendoset nën komandën e drejtpërdrejtë të Shtabit Suprem të UNÇ
të Jugosllavisë.
Drejtoria
Ushtarake në Kosovë në dispozicion të përhershëm kishte tri divizione me 30
mijë ushtarë të rregullt. Atyre do t’u bashkohen edhe 12 mijë trupa të tjera
rezervistësh dhe njësish vendore.
Me
vendosjen e Kosovës nën administrim ushtarak shuhet e gjithë infrastruktura e
deriatëhershme e pushtetit vendor, e cila kishte filluar të ndërtohej pas
Konferencës së Parë të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës, siç do të
mënjanohet i gjithë Shtabi Operativ i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare
të Kosovës, që komandohej nga kolonel Fadil Hoxha.
Drejtoria
Ushtarake do të komandohet nga oficerë të lartë të sjellë nga Beogradi, thuajse
që të gjithë Serbë e Malazias. Ndërsa njësitë partizane të Kosovës, të dala nga
lufta, do të mënjanohen nga operacionet luftarake që do të zhvillohen nga 8
shkurti e deri në fund të prillit. Këto luftime pas 22 shkurtit, kur në Drenicë
do të vritet Shaban Polluzha me të gjithë bashkëluftëtarrët që kishte me vete,
do të përqendrohen kryesisht në “pastrimin” e zonave “nga mbetjet e ballistëve,
reaksionit dhe të shërbëtorëve të kuislingëve”, të cilat në të vërtetë do të
jenë pjesë e terrorit të planifikuar që më parë kundër popullatës shqiptare.
Ata
që do të përgatisin skenarin për futjen e Kosovës në një karantinë ushtarake,
prej nga pastaj do t’u lihen duart e lira “pastruesve” nga sëmundja ngjitëse e
quajtur “kundërrevolucion” - krahas mënjanimit “të përkohshëm” të të gjithë
Shqiptarëve nga strukturat udhëheqëse përgjegjëse për shuarjen e
“kundërrevolucionit ” që kishte shpërthyer ndër Shqiptarë “nga pozitat e
ideologjisë fashiste” (me këtë kualifikim do të duhej të eliminohej çfarëdo
skenari i zbarkimit britanik në Kosovë nën pretekstet “e lëvizjes
antikomuniste”, ose të atij amerikan për “mbrojtjen e popullatës nga hakmarrja
komuniste”) – do të marrin masa që të eliminojnë edhe “befasitë” e mundshme në
radhët e veta.
Kështu,
më 15 mars, në Prishtinë, u vra Milladin Popoviqi, sekretar politik i Komitetit
Krahinor, me direktivën që do të dalë e nënshkruar prej tij më 2 dhjetor të
vitit 1944, praktikisht do të fillojë terrori partizan-komunist në Kosovë, i
paraparë sipas elaboratit të dytë të Vasa Çubrilloviqit “Rreth pakicave
kombëtare në Jugosllavinë e re”. Në atë urdhëresë do të jenë që të gjitha
masat, që nga mobilizimi i dhunshëm i Shqiptarëve dhe dërgimi i tyre në Veri,
fillimi i fushatës së qërimit të hesapeve me bashkëpunëtorët e armikut dhe
“reaksionin shqiptar” e deri te veprimet e tjera me të cilat do t’i hapen dyert
terrorit shtetëror ndaj Shqiptarëve, të cilat dy muaj më vonë do t’i marrë
përsipër që t’i zbatojë Administrata Ushtarake në Kosovë, në mënyrë që të
riktheheshin rrethanat e luftës dhe lufta si mjet i përshtatshëm për zbatimin e
tyre.
Andaj,
me të drejtë shtrohej pyetja: çfarë fshihej prapa vrasjes së tij: hakmarrja
shqiptare ndaj njeriut që kishte premtuar më së shumti barazi,
vëllazërim-bashkim dhe mbi të gjitha edhe “zgjidhjen e çështjes së Kosovës në
përputhje me vullnetin e popullatës së saj pasi që të arrihej fitorja e
përbashkët ndaj fashizmit”, apo ishte hap i natyrshëm i një zhvillimi, siç
ishte kursi antishqiptar, i cili edhe më tutje duhej të ndiqej, që duhej të
eliminonte ata që në çfarëdo mënyre do të mund ta pengonin nga brenda?
Vetë
versioni zyrtar rreth vrasjes së Milladinit i ushtarakëve që mbikëqyrnin
Kosovën dhe ishin në vlug të krimeve të tyre të rënda që po i kryenin ndaj
popullatës shqiptare në Drenicë dhe gjetiu në emër të “pastrimit nga
kundërrevolucionarët”, ishte jo vetëm i dyshimtë, por edhe në përputhje fund e
krye me shemën e njohur të fajësimit an bllok të Shqiptarëve me kualifikimin
“armiq të revolucionit popullor”. Në arkivat jugosllave (atë shtetëror dhe të
Aematës Jugosllave), rreth vrasjes së M. Popiviqit ka vetëm dy dokumente:
Kumtesa e Drejtorisë ushtarake e nënshkruar nga hetuesi ushtarak,ku thuhet se
M. Popoviqi u vrea nga H. Taha, që mbas pak do të vetëvritet, si dhe një
komunikatë e Komitetit Krahinor, e natyrës politike konform asaj të hetuesit
ushtarak dhe asgjë tjetër! Madje, Gjykata Ushtarake rastin e mbylli me këtë
komunikata, pa kurrëfarë hetimi tejtër! Por, me këto komunikata politike,
terrori i filluar fitonte edhe më shumë motivim të brendshëm, ndërkohë që në
shënjestër të fushatës kthente qërimin e hesapeve me ata pak intelektualë që
kishin mbetur të paprekur, që edhe do të ndodhë.
Atentatori
i shpallur, Haki Taha - asnjëherë i vërtetuar, ndonëse i kremtuar nga
nacionalistët shqiptarë anekënd ngaqë ai do të gjendet i vrarë apo i vetëvrarë,
krejt një - si mostër tipike për ato rrethana dhe ato zhvillime të kobshme,
kënaqte edhe vrasësit e njëmendët, e kënaqte edhe ata që këtë vrasje dëshironin
ta shihnin si të tyre. Kështu, mllefi i një nacionalisti shqiptar, i njohur i
Milladinit, funksiononte dyanshëm: qoftë për ta vërtetuar vrasjen nga motive
thjeshtë patriotike, sepse ai “kishte tradhtuar”, qoftë për ta vërtetuar akuzën
serbe se e gjithë lëvizja antifashiste shqiptare kishte qenë e ndërtuar mbi
kalkulimin e bashkimit me Shqipërinë, gjë që këtë do ta tregojë edhe
“hakmarrja” e tyre ndaj njeriut që kishte penguar këtë.
Sidoqoftë,
vrasja e Milladinit, do t’u japë shkas dy ekstremeve rreth çështjes së Kosovës,
që të veprojnë paralelisht dhe të ushqehen nga njëra tjetra. Atij serb – që
zgjidhja e saj me mjete radikale - të cilat mund të shkojnë edhe deri te ato të
skajshmet, (përdorimin e kundërrevolucionit, kolonizimin, konventat shtetërore
për shpërnguljen masive të popullatës shqiptare në Turqi) - duhej kërkuar edhe
në rrethanat e ideologjisë komuniste. Dhe atij shqiptar - se me ripushtimin
serb të Kosovës asnjëherë nuk duhej pajtuar, dhe se për lirimin prej Serbisë
duhej përdorur të gjitha mjetet, nga ato legale dhe ilegale, revolucionare dhe
jo revolucionare deri te arritja e këtij qëllimi, sepse në të kundërtën
historia i përsërit ngjarjet dhe kobët e tyre.
(Shkëputje nga "Kosova 1912-1945", faqe 361-366)